Rrëfime të familjarëve të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë (7)

Intervistë me: Nebih Morina | Foto: Korab Krasniqi

“Nji pëllumbeshë me dy pëllumba i pashë tu lujtë”

Nebih Morina është baba i pesë fëmijëve, tri vajzave e dy djemve. Në rastin e Nebihut, ndryshe nga të tjerat, nuk është zhdukur asnjëri nga djemtë, por vajza më e madhe, Mevlydja. E martuar në Suharekë, nënë e dy djemve, Gencit 5-vjeçar dhe Granitit 3-vjeçar, ajo zhduket vetë e dhjeta me gjithë fëmijët, burrin, vjehërrijtë e kunetërit, pasi u rrethohet shtëpia nga tanket. 

Disa vjet pas luftës gjenden mbetjet trupore të shumicës së familjarëve, me përjashtim të Mevlydes dhe të kunatit të saj, Hajdin Berishës. Sot, njëzet vjet më vonë, Nebihu rrëfen dhimbjen për vajzën e pagjetur dhe nipat e vrarë, që herë-herë e derdh edhe në vargje, ndërsa krahason jetën e dikurshme me skamjen në të cilën rron që kur forcat serbe ia kanë djegur, shkatërruar e plaçkitur pronat e posedimet. 

Nebih Morina: Rrëfimi në vetën e parë 

Quhem Nebih Morina, i lindun n’fshatin Samadraxhë nga baba Nuhi Ali Elezi, me 14 mars 1948. Baba i ka pasë shtatë fëmijë, i pari osht Vehbiu, i lindun 1945-ën, Hysnija në ’46-ën, unë edhe Fetiu jemi binjakë ’48-ësh, Salihu osht ‘53-sh ndërsa Bahtija dhe Verija jonë edhe ato binjake, t’linduna ’56-ën.  

Tu u rritë kemi qenë me mixhën e babës, Ukshinin, atëherë gjallë, edhe babëgjyshin Aliun. Njoni, kur kam lindë i ka pasë diku 60 vjet, tjetri i ka pasë 50 vjet. Tani kemi jetue bashkë me bijtë e Ukës edhe t’Alisë, dy vllazënve. Ma vonë jemi nda me t’mixhës, kam qenë me vëllaznit e babës. Të babës kanë qenë Haliti, Sejdiu edhe baba Nuhiu. Dy axhallarët i kanë pasë ka tre fëmijë. Vllau i madh e ka krye shkollën fillore n’Samadraxhë, edhe dy motrat qashtu e unë e kam krye katërvjeçaren, masanej e kam krye shkollën e natës. Ka qenë si sot që quhet shkollë e mesme. Jemi marrë me bagëti, me punime bujqësore. Sidomos unë, kur kam qenë i vogël i kam rujtë dhentë e lopët.  

Kur jam rritë, e kam marrë thirrjen për ushtar, në vitin ’66.  N’Vinkovc e kam bo ushtrinë 12 muej, e kam vazhdue në Han Pijesak edhe 6 muej. Domethanë 18 muej i kam bo ushtar i Jugosllavisë. Prej ushtrisë erdha n’shpi edhe nji vit kam punue me familjen n’bujqësi, ka pasë atëherë fitim prej saj. Kemi pasë shumë vneshtë, e kemi bo shumë t’ardhuna. Po, dy vllazën shkuen n’Slloveni edhe unë shkova nji vit, punova në nji fabrikë të tekstilit n’Kranj. Mbas nji viti që punova aty, vllau e ka të shoqen prej Suharekës, e m’ka njoftë me motrën e vet, Elmazen. U martova 22 vjeç. Masi jam martu më ka lindë Mevlydja e para. Fëmijët e tjerë masanej, Ramadani, tani Nasimja, Samiri, tani Elhamja. 

Po, sa u martova mora nji garancion prej nji kusherinit me shku n’Zvicër. Kam punue me nji kompani të gazit “Gas Arbeit”, aty kemi qenë plot farefis e kojshi. T’parin muej kur kam fillu me punue, nji kojshi i vjetër shkoi n’pushim e mu më la me e zëvendësue, se ai ka qenë si mirëmbajtës i dhomave.  

Javën e parë m’ka ndodhë nji aksident i rrezikshëm. Zakonisht atje farefisi e miqësia u mbledhshim t’shtuneve e t’dielleve për mëngjes. Unë kam qenë aty ma i ri edhe i kam shërby me çaj ma së shumti. Sa i kam përgatitë gotat me çaj, erdh nji spanjoll më tha: “Me ma ndërru bocën e plinit se o harxhu”. Menjiherë jam çu, i kam marrë çelësat e kam shku me çelë, bocën e vjetër e kam hekë, t’plotën e kam pasë afër. Qysh ka ndodhë, ku u kap zjarri, nuk e di. E ka marrë flaka çka ka metë gazi i atyne bocave edhe e ka përfshi banjën. Për nji moment, jam munu me dalë, po nuk kam mujtë edhe i kam qitë dy duert me i mlu sytë, e kam bërtitë: “O Zot, t’paktën eshtnat le t’më meten me m’i çu n’shpi”. Prapë i kam dhanë zor e kam dalë jashtë. Kam shkue i kam gjetë ata aty t’përgatitun me e pi çajin.  

Spanjolli m’ka pa, ka ardhë mas meje. I thashë: “Jam i djegun, banja po digjet”. Po aq ka qenë i guximshëm edhe i shpejtë nji mik i fisit tonë me ne aty n’punë. I ka marrë dy aparata, i ka shprazë, për nji moment e ka shukë zjarrin. Erdhën me më marrë mue, ai spanjolli sa mujke piskatke: “Lëshomni mue, lëshone njerin ta çoj n’spital”. Shoqnia ishin aty krejt 50 veta, më rrethuen mu: “Çka u bo?”. Mu m’dilke tymi që m’ish djegë krejt këmisha. Veç sytë m’kishin pshtu.  

M’kanë hypë në nji kerr të firmës, m’kanë çu me nji qendër për ndihmën e parë. Ai mjeku u kallxojke ku me çu këtë njeri kësisoj. Unë mendojsha: “Çka po flet ky? Ky pa i krye fjalët, unë kam me dekë”. Më pyetshin: “Qysh je?”. Krejt i merrsha vesh, ama përgjegje s’mujsha m’i kthye.  

Më vendosën me nji dhomë, aty me do spreja e di që m’kanë ra. Mo s’kam pa, po kur u bo nji orë erdhën krejt shoqnia me më pa, po unë i ajun, faqet zi si zezak. Kam nejtë 21 ditë n’spital. Ni javë ka lajmërue Radio Cyrihu për rrezikun që e kam pasë. Ato 21 ditë, çfarë shërbimi m’kanë ba ata nuk di as me përshkru. T’isha konë këtu, kisha me shku krejt noshta.  

Tani, më nxorën, m’prunë n’baraka. Aty u bo nji banket i madh. Krejt shoqnia kish ndie, e s’jemi konë pak, prej nji qyteti tjetër kishin ardhë me më vizitu. Edhe dy-tre gjermanë kanë qenë t’ardhun  po n’bashkëpunim me ne, n’firmë të Zvicrës. Ata u çuditshin, kqyrshin çka jemi tuj bo. Po i tregon aty mixha, plaku, çka m’kish ndodhë. Kanë ardhë, janë shoqnu me ne, kanë fotografue, janë habitë.  

Mas nja ni jave, unë kërkova me ardhë n’shpi. Po mjeku m’thojke: “Me shku n’shpi, temperaturat t’nalta janë e ke me e prishë krejt lëkurën”. Po unë e mora përgjegjësinë që do ta ruj sado pak, se nuk e dishin te shpia.  

Kur kam ardhë n’shpi, çika, Mevlydja i ka pasë 2 vjet, ish tu lujtë me fëmijë, e unë iu afrova edhe e kapa. Po m’kqyrë, e dikur më njofti, boni: “Kuku, baba jem!”. Kur m’panë te shpija nona, krejt familja, u tronditën. Mas ni ore, shkoj me iu përcjellë kojshive që m’i kishin dhanë do porosi shoqnia atje. Kur hi në oborr t’kojshisë, nji grue e njonit aty po i kallxon vjehrrës, e vjehrra nuk shihke, ish konë 100 vjeçe: “Nona Nifë a ke ndi? Djali i axhës Nuhë, Nebihu, ish djegë ish bo shkrum”. E unë përmas, e p’i thom: “Qe ku jom!”. U habitën ata.  

Tani m’ka bo lutje familja mos me shku ma. E kemi pasë nji vneshtë ma poshtë, e ka pasë maru baba nifarë kokorrje. N’sabah shkojsha, merrsha ujë e bukë, ka qenë rrushi i mirë aty, veç zhdrypsha me marrë rrush edhe ni muej rresht tanë ditën rrishna qaty n’kokorrë, do me thanë s’ma ka rrokë dielli ftyrën.   

Po, masi u bo ni muej, thashë du me shkue prap në Zvicër. Kur shkova, bona ni kontroll te mjeku. U habit sa isha përmirësue edhe m’tha e paske ruejtë veten. Ma ka dhanë nji kartelë t’aksidentit, i thojshin ‘Unfall Karta’, po as që jam interesue. Thojshin që i marrish 160 mijë franga atëherë damshpërblim po as që jam interesu hiç. Kam punue tani edhe ni vit, e ma nuk m’kanë lanë me shkue.  

Tani kam punue me nji vlla tjetër edhe djemtë e vllaznive. Vllaznia kanë punue n’Slloveni e une kam punu me bujqësi, se pesë hektarë e gjysë i kemi pasë vneshtë. T’ardhuna kemi pasë shumë, edhe ata atje. Ata për disa vite punuen atje, kishin t’ardhuna shumë, po erdh nji vlla, i thashë: “Po lypin koperativat me dhanë kredi, baba nuk po len me marrë se po thotë qi kredia t’fik”. Vllau m’tha: “Gabim e ka, se unë po i shoh sllovenët. Veç a po japin, shko shkruju!”. Kam shku e jam shkrue n’Studençan me nji koperativë. Kur i kam nënshkrue 2 milion e 300 mijë dinarë atëherë, kapuçi s’më rrike n’krye, e ai drejtori m’tha: “Çka po tutesh?”. I thashë: “Po thojnë qi kredia i ka fikë njerëzit”. Tha “Kur t’bohet ni vit, dy hidrofora që ki me i marrë ti, kanë me bo qaq”. E kam marrë kredinë, e kemi marrë shtallën, o konë nji serb, inxhinier i ndërtimtarisë, na ka dhanë projektin, e kemi marue, 57 kije i kemi shti. Ata ma nuk kanë dyshue në neve fare, se i merrshin njerëzit paret e kredisë edhe i hupshin, po në neve nuk dyshuen kur e panë sa jemi t’dhanun n’atë punë.  

I patëm ble 6600 killa mish, do të thotë vjeta t’gjallë, e për 6 muej 36 mijë kille jonë bo, pra 30 mijë kille na kanë metë për 6 muej. Ushqimin krejt tonin e kemi pasë, kështu që ka qenë fitimi shumë i madh. N’ato kohë nuk ka pasë shtalla moderne me pi ujë vetë, po pijshin prej kahmosit.  

Tani baba i ka thirrë edhe vllaznit tjerë, kajke: “Hajdi, boll mo n’Slloveni”. Qetë shtallën e kemi shndërrue në zdrukthtari, atëherë edhe nji mulli e kemi ble. Jeta ka fillu me u bo qysh o ma mirë. Vijke njoni prej fshatit Astrazup për me shku me folë n’telefon n’Suharekë. Kur hike aty ku hajshim bukë, kajke, i thojke babës: “I lumi ti, kqyr unë djalin n’Gjermani e po duhet me ardhë me bujtë te ti e me shku me folë t’nesrit n’telefon atje, e ti krejt djemtë n’shpi”. Nuk ka vonu, baba u sëmu, e vdiq. 

Kur filloi lufta, nisi qekjo vajzë, Mevlydja, u mërzitke, e i thojke nanës së vet: “Nanë, lufta ka fillu, çka doni me bo? Se lufta dikon e merr, lufta merr njerëz”. Po unë i thojsha: “Lufta i merr ata që luftojnë. Ti s’je n’luftë, ti je n’shpi tondën, je tuj i kqyrë fëmijët e tu, e me burrin e me vjehrri”. Ka vazhdu kjo nja 2-3 muej, ushtria jonë rrike këtu pari. Djemtë e Mevlydës, Genci edhe Graniti, t’vogjël kanë qenë, lindun njoni në ’94-ën e tjetri në ’96-ën. Ata lujshin nëpër oborr. Ushtria kanë qenë ma larg, a ata kaniherë tentojshin me shku me e pa UÇK-në atje, nja niqind metra ma poshtë. Qaty kam qenë ndërlidhës unë.  

Kur ka ra ofensiva e parë, me 26 mars, asht bo tërheqja e pikave këtu edhe krejt shkuen përpjetë. Unë kam shkue n’Pagarushë, e familja jem ka shkue n’Medvec. E unë jam detyru atje me shku se i kishim do djem t’rij atje, kam nejtë te aty te do nipa, nji kusherinë e kemi pasë t’martume.  

Edhe kam shkue me bisedue me Mevlydën me telefon, me vetë: “Çka i keni punët atje?”. Mevlydja ka qenë n’shpi, n’Suharekë, në familje t’Berishave. Ajo vetke: “Çka u bo me juve?”. I thashë: “Unë kam me ardhë t’nesrit”. E kem bo tërheqjen, e t’nestrit para mëngjesit me disa ushtarë kemi hi te unë, po në shupë, mas shpisë. O konë 45 metra, dy kat, e ka pasë dërrasa, ka pasë çmos materiale; grunë t’mullinit jonë konë 200 mijë kile. Po kur pata ardhë asnji kaci hiç s’osht konë, pluhun krejt, asnji sen s’kishë metë hiç. Edhe shkova, mixhës i kallxova: “Shpija jote kish pshtu, e jona ish kallë”. Ia nisi me kajtë.  

T’nesërmen kam ardhë prapë, jam hypë n’dytin kat, kur ka ardhë çika me vjehrrin e vet edhe me dy djemtë, Gencin edhe Granitin. Dy gishta n’gojë i kishin shti ata, se katër ditë para ofensivës shkuen anej edhe u çuditshin. “Ku jemi?” thojshin, e sa mujshin kajshin. Vajza me gjithë vjehrrin. E çova Granitin përpjetë – e kam deshtë veç Zotin ma tepër – thashë: “Oj, bija jeme, çka po kajsh ti për shpijat tona? A e kam Granitin, krejt botën e kam!”.  

E janë shkue, miku m’tha: “Mos u mërzitni, unë du me ardhë shpisë me ia qitë kulmin”. Nuk ka vonu, kanë ardhë vëllaznia prej përpjetë, nja ni muej kanë pasë nejtë poshtë, e kemi hi n’fshat. Fshati ka qenë i djegun për gjysmë, kështu që jonë munue me ba nji strehim këtu. Kunati i vajzës teme ka qenë profesor shumë i njoftun n’Prishtinë, Hajdin Berisha. Ka ardhë, ka kqyrë a e kanë çu vëzhguesit e jashtit kon për me na ndihmue. Ka ardhë nji shok prej Sllovenisë, atij iu kish djegë pak shpia, tha: “Ju qysh paskeni metë, kuku për juve! Hajde meri paret, unë du me t’i dhonë tremijë marka, e qitja kulmin!”. E kemi qitë nji kulm me dërrasa, e u strehuem. Edhe lufta ndërkohë ka pasë si armëpushim, vajza ka ardhë e ka shku disa herë.  

Herën e fundit, dy-tre ditë para ofensivës së fundit ka ardhë e ka nejtë, se erdhën edhe do tjerë, nipa e mbesa, e dikush me nuse, me gra e u bonë tubë 100 veta këtu. E pa që s’ka ku me nejtë e tha: “Du me shkue”. Unë aq u mërzita, s’mujsha me iu dalë përballë djemve, e ajo m’lypke: “Ku o baba, t’përshëndetna!”. Unë s’mun i bona ballë. Ndërkohë, kanë dalë n’autobusa, kanë shku.  

I kam marrë n’telefon, se post-blloku o konë n’Rashtan. “Qysh kaluet”, e veta. Tha: “Babë, veç Zoti e din qysh kemi kalu”. Edhe pa u vonue ka ardhë ofensiva e dytë, e këtu kam qenë me axhën veç unë. Krejt ushtria patën shku përpjetë, unë kam fjetë në shpi t’axhës. Po m’pyet axha: “A fole me Lyden? Shka tha?’. E kemi pasë telefonin tonë n’katun, 10 marka minuti. I thashë: “Kallxoi rrezik shumë, nëpër bërllogje kanë kalue”. Tha axha: “Ku e gjete qatë mik, sa t’mirë e ki”. Thashë: “Axhë, me m’dekë miku para meje – vjehrri i vajzës – t’pame çeli rrafsh nji muej ditë”.  

Ka ardhë vllavi me m’marrë prej Pagarushës, se krejt ishin atje, mo s’kish kurrkush këtu. Ma ka bo dikush me dije pak, po si për me ma përhupë, se unë e niva në radio, e mora vesh që Berishtë i kanë nxjerrë prej shpisë e i kanë vra. Kur ka mrri Mevlydja atje, mas dy ditëve kjo ka ndodhë.  

Unë disha që jonë gjallë, e kam shkue n’fshat n’mëngjes, se i kemi pasë nja 10-12 lopë, e iu qita lopëve edhe dola n’fshat me pa a osht najkush edhe me shkue. Po m’thotë nji plakë: “A duhesh me nejtë këtu?”. Thashë: “Po këtupari po, po thojnë n’prrue qatje jonë shumë popullatë, e du me shku me i hekë, se ka mundësi me i gjetë forcat atje e me i pushkatu”. Edhe kam shkue, e kam gjetë plot e përplot me fëmijë, gra, pleq, e tu iu thonë: “Ikni, ikni”. Ma të fundit kanë qenë nji plak me ni grue. Ai ka qenë deputet i ish-Jugosllavisë edhe për Ballkan ka qenë shumë përgjegjës. Ish plakë e ish lodhë. I thashë: “Baca Shaqë, ik!”. Aty ishte krejt edhe nja 3-400 metra Nëpërbishti, e kriske mitralozi sa mujke, kallashat. Tha: “Le t’më vrasin qetu, se s’kam ku me shkue”.  

E kam pa nji fshatar, edhe ai plak, i thashë: “Po ti çka nejte deri tash këtu?”. “M’zuni puna, po qe ku jam tash këtu”. Thashë: “A do t’mujsh me i ra në fshatin Nëpërbisht tash, se janë tu vra anej poshtë, tu gjujtë sa po mujnë”. Kur e kam pa nji familje me 10 anëtarë, e nji djalë të vogël. E kemi pasë bashkëfshatar, e njihsha atë burrin, po s’kemi pasë raporte. E kisha nji paqetë gurabija t’vogla e jau thashë: “Ikni ma shpejt se zor e kini me kalue, pritat i keni kah t’shkoni”. Ai plaki iu tha: “Unë eci përpara, e në qoftë se kris n’mue, ju mos ecni. N’qoftë se unë pshtoj, edhe ju hajdeni”. Ia kam dhanë atij djalit t’vogël qat paqetë me gurabija e kur u largue ai djali, m’shkoi menja te fëmijët e mij. Ai djali: “O baca Nebih, faleminderit për gurabija”.   

I kam përcjellë ata, e di që e kam pastru krejt prronin prej civilëve edhe kam ra me nji prrue. Aty i kam gjetë edhe katër tjerë. Jemi bashku me ta, kemi nejtë, njoni duel me kqyrë n’breg, tha: “Kuku, po vikan tekënej”. Do militarë t’armatosun na kanë vërejtë që jemi aty. Kemi ikë, jemi lëshu nëpër vneshtë me nji prrue. Prej tana anëve që ka shkrehë. Pak para mramjes erdh nji tenk, na përfuni ai përmi neve, po dashti Zoti, nisi shi e u tërhoqën, edhe kemi shkue.  

Jemi dalë me shkue për fshat. Kur dolëm me nji mal të vogël, o kanë aty nji katundar. “Ku po shkoni?” “Po shkojmë n’katun”. Tha: “Aty e kanë bo pluhun, plot policë osht, plot ushtria, aty s’ka pshtim”. Na shkojmë me kqyrë. Kur jemi afrue ngat fshatit me njifarë rrugice ka qenë nji autobus i joni që kanë ikë, kur e kemi pa nji qen të bardhë. Qeni po na kqyr si shtremët po nuk na u turr. Jemi shku edhe nja pesë metra, ma anej dy kufoma. Po u thom: “Kadale se njoni po m’doket osht vllau jem”. Krejt m’përngjajke si nji vlla i jemi.  

Kur afrohemi çka me pa, njoni pa rrashtë t’kresë ish konë, tjetrin nuk e njihshim, ish konë jabanxhi. Me hi n’fshat nuk guxojshim, e jemi shku teposhtë, e kemi gjetë krejt traktora, kerre e çka ka pasë të civilëve që kanë metë aty, krejt të djeguna. Kish metë vetëm nji traktor i vogël, e kish pasë nji jorgan, na të pestit kemi hi me nji jorgan qaty jemi mlue, ish krejt qull që e kish rrehë shiu nji natë e nji ditë.  

Po, mos me harrue, katër djem kanë qenë 20 e diçka vjeçarë, tre vllazën t’Retisë edhe nji dhandër i tyni, ai i Samadraxhës, e kishin kallë nji zjarm e pjekshin suxhuk edhe birra kishin marrë. Iu kam thanë: “Ej, a p’e shihni ku janë, ata qetash vijnë këtu”. Se unë i shihsha tu ardhë krejt prej shpati se ishin n’vijë t’drejtë ajrore krejt nja 300 metra. Tha njoni: “Hajt bac mos m’shurdho!”. U mahitke me mue: “Pa e hangër këtë suxhuk e këto birra pa i pi, nuk hiqna prej ktuhit”. Kur u ktheva n’mbramje, e hinëm aty n’traktor me pushue, hala pa na zonë gjumi, ka ardhë nji person i fshatit Opterushë, tha: “A o Nebihi këtu?” Thashë: “Po, çka ka?”. Tha: “Po t’thirrin qatje poshtë, tre jonë dekë e nja osht gjallë, e hala po lyp ndihma”. E disha unë kush, se e disha ku i kam lonë. Kam shkue, ata ishin konë tërhekë e kam thirrë anej-knej, mo s’i kam ndie. Edhe ai i katërti kish pasë vdekë, pra tre vllazën edhe dhandri i tyne. Miq i kemi pasë na ata vllaznit.  

Kur jam sjellë përmi fshat nji plak e kam pa. I kam thanë “hajde”; ai ka hi e ka marrë llovaçkën, mirëpo kur kam kqyrë përmas nuk e kam pasë. Edhe i kam pasë tre dajë me veti. Kur jemi dalë ma nalt, kam kqyrë, s’jonë ata tre dajtë, veç njoni meti me mue edhe nji fshatar tjetër. Ku metën ata nuk e di. E qai plaki osht vra n’vorre. Kur e kanë gjetë të vramë, ia kishin nxjerrë trutë, ia kishin qitë n’grusht. Ndërsa, këta tjerët kishin pasë shku për Mamushë.  

U eçtuem. Për bukë nuk u untova, po për ujë u eçtum. Thamë po shkojmë n’Mamushë. Nji natë përpara shkojshin njerëz e hijshin e dilshin, po nuk dishim gjendja qysh osht. Kur morëm vesh, thanë: “N’Mamushë s’ka kurrkush, i kanë çu për Shqipni”. Po thamë hajde shkojmë ma herët, marrim ujë e bukë edhe kthehemi. Nji plak i kish veshë nja tri palë tesha edhe nji palltë. Ky daja e merrke ka nji kafshore për veti e tjetrën ma avitke mue, po unë s’mun hajsha e ai hajke kapak, e kish pasë nji pite. E na thojke: “Pse bre po nguteni?”. “O, ec ma shpejt se dojna me shku e m’u kthy prapë”. “Jo, ju po tuteni”. “More, ec”!  

Kur jemi afru ishin vra nimdhetë vetë qaty. Aty e kam pa jaknën e dajës që e kam pasë me veti nji ditë përpara, po me i thonë dajës: “Qe vllau jot”, s’ma muer mendja... Kur kemi shkue, i kemi pasë do t’njofshëm aty, kemi hi n’xhami, u kam thonë: “Rrini ju këtu, unë po shkoj po lypi bukë edhe ujë po marr”. Kur shkova te ata t’njofshmit, te ata mullixhitë: “A, ke ardhë këtu a?”. Thashë: “A muj me marrë nji grimë ujë?”. “Veç sa ma shpejt m’u largue”. Kur u ktheva në xhami, ata po presin. “A s’more ujë a?” U thashë qysh ish gjendja. Erdh nji plak tjetër, tha: “Ikni prej këtu, se qetash vijnë e ju pushkatojnë. Këtu jonë plot, po mos shkoni përpjetë, se asnjo t’gjallë s’e lëshojnë me shkue për Samadraxhë, veç krejt ju vrajnë”. Tha: “Teposhtë me shkue n’Shqipni po thojnë kurrkush s’të ngucë”. “Hajt more!”, po i thom une.  

Dikur erdh nji dajë i babës tem i Studençanit. Tha: “O dajë, amon me ardhë se jam me dy gra e tre fëmijë edhe nji katunar e kam e s’po guxojmë me shku teposhtë”. “Po jo mor dajë”. “Po ec bre!”. Njoni i Mamushës erdh, tha: “N’daç i çoj unë se e çova nji turrë, i lashë n’kufi, e kush s’më ka dalë përpara hiç”.  

Kur po m’teken: “Veç me ardhë teposhtë”. Kur kam hypë n’kerr, nji katunar i Samadraxhës i dalun n’Mamushë ma ka bo me dorë me u nalë te unë, po kur e pashë qysh po shkon puna aty, thashë: ‘Jo’. Daja i Studençanit ia bojke grues së vete: “Kanë me na bo sikur atje që e kanë marrë djalin katër vjeç e kanë shti n’thikë, e kanë endë nëpër Suharekë”. Qaty m’u kriju bindja që kjo i ka ndodhë Granitit tem.  

Kur jemi shkue, kush nuk na ka prekë as s’na kanë nalë kurrkun hiç. Jemi shku te kufini, aty ka zhdrypë daja. Aty na thonë veç me i lonë tabllat, me e lonë letërnjoftimin edhe me dalë anej. “Po s’kemi bre letërnjotime”. Tabllat po, i kemi gjujtë. Kur kemi dalë anej, veç ka dalë nji kadet: “A muj erdhët vllazën?’. “O, po bre, 50 vjet kam pa andërr me ardhë, ama qeshtu jo”, thashë.  

Kemi hi n’Kukës, aty na ka dalë nji djalosh përpara. Ishim bo llom, shiu që na kish lagë, tha: “Bacë, unë jam njeri i varfën, po sonte juve që po ju shoh qetu nji darkë due me ju dhonë edhe me ju terë e me ju nxehë”. Ai plaki që thojke: “Çka po tutni ju?” më veti: “A po e njofish këtà a?”. “S’kam qysh me e njoftë. Pse, a mos e kam dajë a?. Ky po na thotë, hajde me fjetë, me hangër bukë edhe me pushu”. “Jooo” thotë. “Ani, hajt shko kah të dush ti”.  

Kemi shkue, na e kish kallë koftorin e na kish bo nji darkë, e na ka nxehë e na ka terë. N’mëngjes shkuem me u lajmërue e me marrë vesh për vajzën. Krejt e kuptova që vajza osht e zhdukun, që i kanë pushkatue krejt. Mas pak kohe n’qatë ditë kanë ardhë familja me kamion. Unë kom shku n’bashki të qytetit kam vetë: “Kjo familje ku gjinet?” Doli nji i bashkisë tha: “Qy, qai pallati”. Pa u afrue me thonë nja dy-treqind metra kur të m’dolën çikat përpara. Më ka dalë fëlqia pi venit. Jam ra n’guj e kadal-kadale e kam qitë n’ven. 

Vllaun e madh me tre djemtë e vllazënive n’Suharekë te ura i kishin ndalë, e nji kusheri, djalë adoleshent, gjithë e ka buzën si n’gaz. E kqyr nji polic e i thotë: “Ti a po keshish me mua a?”. Merr me e qitë me e pushkatue, ky vllau thotë: “Kadale mor, ky i ri bre, as guhën nuk e din edhe nuk osht tu bo hajgare me ty”. I thotë polici: “A ty t’veta a? Hajde kho!”. Me tre djemtë e atë kusherin, edhe këtà e qet për me i pushkatu. M’thotë vllau: “S’e kisha dert që po na pushkatojnë, po çka do t’bojnë fëmija mrapa nesh qi ishin?”. Veç kur i kanë ardhë do tjerë, i kanë thanë atij policit: “Lej, e ec me ne!”. Ai o largue, e këta i kanë dhanë e kanë ecë, kanë pshtu. Kanë ardhë fëmijët e mi, Nasimja, Elhamja, grueja e krejt familja.  

Dert mo s’e kisha a i kanë majtë dikun, se njiherë e mora lajmin që jonë majtë dikun, jonë gjallë shnosh e mirë, veç knej nuk kanë dalë. Prej asaj nate i ka marrë qai pronari që na ka marrë neve, e ka pasë nji garazhë, i ka shti qysh jonë konë n’dy traktora edhe kamioni jonë. Kanë fjetë qashtu n’traktora, bukë iu ka dhonë nëpër duer. N’sabah kanë ecë teposhtë për Laç. Unë kam nejtë, për çdo ditë n’kufi kam shku. Deri nji javë para se me hi NATO-ja, kam shkue.  

Ata të mitë pi Laçit kenë shkue n’Maikë, aty janë vendosë n’tjetër vend, e kur ka hi NATO-ja, vllau jem i pari u konë mas tenkut e unë përmas. Kemi hi me kamiona, me fëmijë. Kur kemi ardhë n’mbramje n’Suharekë drejt e n’shpi të Mevlydes. Kur shkuem aty, këpucat e  Granitit, sandallet nja andej, nja andej. Lyp ku jonë ata, s’ka kush hiç. Ishin konë ushtarët tonë aty, kishin hongër bukë, kishin lanë enë pa la. E kemi mshelë derën, kemi ardhë n’shpi. Vllau e ka marrë nji lajm qi kanë shku n’Maqedoni, n’Bllacë, e i ka kërkue edhe atje, po nuk ka pasë kurrgjo.  

Ka shkue nja nji javë hulumtime nëpër varreza. Njimdhetë anëtarë ajo familje, dhetë antarë, se nana Tixhë ka qenë 104 vjeç. Nanën Tixhë e kena gjetë n’varreza t’Suharekës me numër, e këta s’janë sot e atë ditë. Edhe e kemi çelë t’pamen, 49 peshkira që jonë konë atëherë qitu nëpër Samadraxhë. Duhanin e kam pasë pi do kohë, po tani e kam pasë lanë, po atë ditë që çelëm t’pamen, te axha e shtina paqetën n’xhep për me ia qitë najkujt, po kur u ula e dheza. Thashë: “Au Granit, ia qita tymin”.  

Filluen fshatarët me ardhë; thashetheme, sa t’dush. Do t’thojshin që i kanë marrë e i kanë pushkatue. Po eshtna s’kish kurrgjo hiç. Kemi fillu me shku tani n’grevë, n’Prishtinë 12 ditë kam nejtë midis patosit po n’atë kohë kanë qenë mobilizu njerëzit, e kanë kuptue rastin, se 3500 vetë. Veç kur vishin setra, pallta, bukë, plafa, që na i bishin për çdo ditë. E na qaty tuj kërkue pak i kemi nxitë ndërkombëtarët për me fillue çështjen tonë. Ndërkohë shkuen dy vjet e s’ka kurrgjo.  

Kemi shkue n’Merdare 13 herë kur i kanë pru kufomat. Kur i kanë çue në morg t’Rahovecit aty mirë i kanë radhitë. Para se me i gjetë kufomat jam konë tu nejtë te nji kojshi n’Batanicë tuj kqyrë televizor, kur e kanë qitë t’parin trupin e Gencit. E njofta n’dhambë, n’ftyrë krejt, e njofta n’teshat që i ka pasë. Edhe thashë: “Aj bre djemtë e mi”. Po s’i kam kallxue kurrkujna. Kemi shkue n’morg t’Rahovecit, aty i kam pa kufomat e djemve. E kam pa babëgjyshin, e kam pa babën e djemve, kunatën, e kam pa gjyshen e djemve, me mungesë të vajzës teme Mevlydes. 

Prej 2002-tës dej n’2005-tën kanë qenë n’morg ata. Pi aty i kanë marrë n’Prishtinë, tani kur na i kanë marrë ADN-në e gjakun, i kanë identifiku. Sa herë kemi shku na aty n’morg, sa herë i kemi marrë ato eshtna nëpër duer. Ka qenë katastrofë, nëpër do cerada e deri e kemi pru punën do frigorifera që na i kanë pru. Veç, hulumtimet kanë vazhdu. Kur i kemi vorrosë, nuk osht as kunati i vajzës, Hajdini, edhe vajza jeme Mevlydja nuk janë aty.  

M’kanë vetë qysh m’i radhitë në vorre. Unë e kam lanë me shkru aty në mungesë të trupit, e kam lanë vorrin n’midis. Dy djemtë i kam vorrosë, njonin majtas, tjetrin djathtas, që kur t’më gjindet çika, me e shti ndërmjet. Sa kam pritë me shku te djemtë, po tash kur po shkoj, po thom: “Djemtë i kam gjetë”, e po rri shumë shtrëngushëm kur p’e shoh këta dy aty, e vorri ndërmjet shprazët.  

Ka pasë shumë thashethana, na kemi kërkue disa herë që t’paktën ata çka i kanë djegë me jau qitë emnat. Kam shkue kam dhanë intervistë n’Prishtinë, kanë ardhë n’Beograd me m’çue mue e disa t’tjerë. Na kemi marrë qëndrim mos me shkue se e kemi ditë që gjyqi i tyne nuk ban kurrgjo, sikur që s’ka ba. Bile, ajo Anka e Bekimi më kanë lutë me shku n’Beograd, po unë u kam deklarue edhe atyne n’Prishtinë, bile-bile ka qenë avokati serb edhe nji amerikan aty, e ma së mrami kam thanë që unë n’krejt botën i kam tregu ato rrethana. E di që kurrë nuk e kam ndie nji hoxhë a nji prift tu e shti urrejtjen e tu e përkrahë luftën sikurse klerikat serbë. Ata kanë ba shumë, akademinë e kanë kthy prej vetit edhe janë përgjegjës për këtë punë. U çu ai serbi, i tha sekretareshës: “Shkruje, këtà duhet me qitë gazetat”.  Thashë: “Gjema nji hoxhë qi ka shti urrejtje për luftë, kurrë as akademija te na nuk kanë ba. Ata e kanë nxitë luftën, e kanë ba gjithçkahen, kërkojmë prej tyne përgjegjësi”.  

Fort mirë e dijmë na, une e kam njoftë Nenadin, e kam pa përditë se e kemi pasë kojshi. Ai ka ba vetë masakër. Edhe Bobani, që osht vra. Ama atà e morën edhe e lëshuen, 13 vjet u dënu, po e kanë lëshu menjiherë. E kanë marrë nji çergash prej Kubës e kanë dënu edhe atà. Ku janë ata 48 e edhe 520 n’krejt Suharekën? Ni familje i ka 10-11 anëtarë të vramë, mungojnë edhe shtatë, nji tjetrës i mungojnë tetë. Kësaj familjes teme i mungojnë dy. 

Kur kemi hi n’katun shumë dhimtë krejt kemi pasë, po kur kem’ çelë t’pame na, me nji vend ka pasë edhe muzikë, se s’ia ka ndie masi s’ka pasë korrkon hiç t’vramë. Kur kemi shku n’Prishtinë, nëpër greva e protesta, na kanë rrehë me Nysreten. Njiherë kemi dalë me Albinin, nuk ka pasë hala parti politike, po ka qenë me neve. Ai na ka pri n’grevë, e zunëm rrugën, kur ka ardhë njoni tha: “Çka jeni tranu ju? Shkoni nëpër shpija t’juja, çka e keni nxanë udhën kështu?”. Kur t’jam çu unë me ia ngjitë për fyti, u çu nji tjetër tha: “Le more, po ky koka budallë”. Thashë: “Jo s’osht budallë, ky çka u nal me neve, le t’ecë n’punë të vet”.  

Kemi vazhdu me shoqatat, qaq shumë punë kanë bo, po nuk dojna me harru na kurrë, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar edhe Kqyri i Kuq i Kosovës, jo vetëm atëherë, po qe nizet vjet na mbajnë gjallë neve. Se përndryshe, për neve kush nuk ndien. N’momentet kur s’kemi na rrugëdalje, qe qai Kushtrim Koci, edhe ka qenë Ylber Morina, tani jonë këta ndërkombëtarët që janë shokë me ne, ata krejt kohën e kanë çu me ne n’mbledhje. Ata dalin gati lëmoshën e kërkojnë për ne, i tubojnë paret, hajde me nji tubim.  

Kemi qenë në nji tubim spontan për tregime, në Viktoria të Vërmicës, nji Mihone, nonën e ka myslimane, babën e ka jevre, burrin katolik dhe vetë thojke shqipfolëse jam. Aq na ka eduku neve, kaniherë na shtijke me kajtë, kaniherë me keshë, shtatë ditë me tà i kemi bo aty. E kem fillu me u zhvillu kapakëz, na të njimëdhetit, edhe sot hala, mas tremëdhetë vjetësh, diçka ka ndryshu gjendja, na e kemi ndi veten ma s’miri kur jemi tubu shoqatat, njani-tetrit tu ia ditë hallet, tu bisedu. Në vitin 2008 m’doket, na kemi shku me bo nji protestë natën e Vitit t’Ri, nja 300 vetë. N’kamë s’mujshim me nejtë. Kur u bo ora 12, kemi dalë me fotografu qytetin se gjujshin fishekzjarre. Shkojke piskamë, plakës iu mërdhinën duert, iu dridhshin.  

Ka qenë Ramë Manaj, jena dalë aty përpara, po atë ditë janë tregu shumë të dobët, nuk janë përkujdesë për neve. Aq keq jemi shku prapa aty, kemi nejtë, qaq të lodhun, unë kam hi nën nji tavolinë, m’kish zanë gjumi. E po ndiej, plaka, Nysretja, po kajnë secila, p’e vajtojnë djalin e çikën e krejt familjarët. “A kajtëm boll?”, po e ndiej po thotë. Tha: “Po!”. “E, a t’keshim”? “E qysh me keshë”? Tha: “Kqyre kur ta çojmë këtë Morinën!”. Tha “O Morinë!”.  

Kur u çova, krejt ato gratë e kanë qitë kryet në mue si jastëk. Unë pi marres kur t’i dhashë tavolinës, çka pat gota aty u derdhën. E ia nisën me keshë masanej. Kanë ardhë tani na kanë marrë policia, na kanë çue me nji lokal, na kanë dhanë bukë, e na kanë hypë nëpër autobusa.  

Puna qi e ka bo Kryqi i Kuq edhe shoqatat, Këshilli Koordinues, une i kam thonë atij të Gjenevës, për të Drejtat e Njeriut që ka qenë, se na jemi shembull i Kosovës, e bile shembull i botës. Se na kemi pasë kontakte me grekë e me turq e me boshnjakë, përditë. Krejt qekjo vlera e punës tonë, e ka ra numri, se ka pasë qenë 7700, tash ka ardhë diku te 1620. Po, t’kishim heshtë asnjo s’ish gjetë, megjithatë, Serbia edhe sot i din ku janë, se ata kanë pasë ushtri të rregullt. Edhe na kemi pasë, po ushtria jonë nuk ka qenë e përgatitun sikur ata. Ata i dijnë krejt kon e kanë pasë. E na kemi pasë njerëz që aty e ka marrë pushkën, aty ka dalë.  

E kam pa në 2005-tën nji film qysh kanë ardhë serbët sefte n’Fushë Kosovë te Millosheviqi, kur e ka fillue revolucionin e vet e te bombardimet. Edhe tu e qitë televizori, dy djemtë i kam pa për hekrat e podrumit të Suharekës edhe policët aty. Thashë: “Qe dy djemtë, për hekra janë kanë të dytë”. Mrapa e kanë pasë picerinë, ku i kanë pushktatue.  

Nji i njofshëm, Ylli Morina, osht n’Francë, ka le atje. Ai e ka financu Rambujenë edhe ia kam lypë me ma gjetë atë dokumentar. M’ka thonë që o kanali i 5-të po nuk muj me nxerrë, ka thanë. M’ka thanë që e nxjerr Avni Spahija. 

Mevlydja kur i ka bo shtatë vjet ka fillu n’shkollë. E kam edhe librin që e ka marrë mirënjohjen, e shkëlqyshme krejt. Kur i ka bo tetë vjet shkollë, e ka pru dëftesën krejt shkëlqyshëm, baba jem ka kajtë: “O çoje bre bir me kry hala shkollë”. I thashë: “Ja babë, qysh osht përzie puna, s’osht rend me shku”. 

E ka nji shoqe t’vetën, sot ajo osht deputete. Mevlydja ka qenë shumë e zgjuet, po fati qeshtu osht. Pak masi e kryjti shkollën, u feju e u martue, i lindi edhe fëmija. Krejt fëmijët e mi i du, veç Mevlyden e kam pasë loçkë, kurrë nuk ka ditë me m’thonë mue jo, veç gjithë me më ndihmu. Nuk di as qysh po jetoj pa tà. Kur ia kam gjetë hartimin në shkollë qysh e ka shkrue, ka qenë në klasë të katërt, qysh e ka përshkru gjyshja e Dinit tu i nejtë te stufa, e qysh i ka kallxu përralla.  

Kam shkru në internet për nji ngjarje qysh “herët në mëngjes kur u çova në oborrin tim nji pëllumbeshë me dy pëllumba i pashë tu lujtë, por pa vonue korbat i rrethuen. Erdh edhe shqiponja, por për çudi vetëm nën hije do t’i shpëtojë, e nuk mujtën me i shpëtu korbit”. Pra Shqipnia s’mujti me na pshtu neve. Korbat ishin militarët, e pëllumbat ishin fëmijët me vajzën pëllumbeshën. 

Kur kam folë të fundit herë në telefon me Mevlyden, ka qenë ndoshta nji orë pa i marrë, me i qitë prej shpisë. M’tha: “Krejt tenka e kemi t’rrethume shpinë, kuku për ne”.  Thashë: “Oj bijë, mos u tutni, ju jeni të pafajshëm, s’keni bo kurgjo”. Thashë: “Ushtrinë tonë kur ta nxojnë, kanë m’e pre, e ju dert mos kini se ju keni me kapërcye qysh osht ma mirë”. Kur u bo ora, telefoni mo u nal, mo s’boni.  

E në shpi herën e funit që pati ardhë, patëm folë rreth luftës, si me i pshtue, edhe ajo m’tha që ma s’miri osht me ardhë baba ka Pagarusha. Edhe miku ka ardhë besa, Veseli, vjehrri i i saj, edhe ai ka thanë: “Hajdini osht kryefortë”, për djalin e vet, qatë profesorin. Tha: “Unë s’e kam gajlen e tij hiç po çka me iu bo fëmijëve?” Ai ka pasë pare shumë. Bile thojnë se ia kanë marrë edhe 50 mijë marka, e masanej i kanë pushkatue. 

Me ardhë përpjetë nuk kanë mujtë, se t’ishin ardhë n’Pagarushë ata sot ishin kanë krejt gjallë. Lagjes tyne t’Berishës kur i kanë hi rend, me urdhën të Bobanit ia kanë msy shpisë të Veselit, t’Shabanit.  

T’ish gjallë Mevlydja, ma kish zgjatë jetën. Ajo ka qenë edukatore, çfarë fjalësh ka folë. Kurrë njerin nuk e ka zemru, ka ditë me i eduku tjerët e kurrkush atà s’ka pasë nevojë me eduku. Ni poezi për Mevlydën e kom pasë qitë, me amanetin qi na e len: 

Amanet 

Amanet e porosi, 

Amanet shoqet e mia 

Urime pavarësia e gjysë liria 

 

Pavarësinë kur ta festoni 

Edhe mu mos më harroni 

Veç me fjalë më kujtoni  

Lule s’keni ku t’më çoni 

 

N’Suharekë kurdo që të shkoni 

Këto varreza t’i vizitoni 

Aty i kam dy djemtë e mi 

Kam Gencin e Granitin 

 

Varri im është i zbrazët 

Djemtë e mi janë në varre 

Do të jenë edhe aty jetimë, 

Në mungesë të trupit tim 

 

Amanet, o prindët e mi 

Mos m’i lini eshtrat në Serbi 

Nji tjetër nuk e kam publiku kurrkund. Osht shumë e dhimbshme, thonë për shkak që është familja jeme. E nuk e qes, se ajo e shtin edhe tokën me kajtë. Kallxon qysh i përcjellke Graniti krejt familjen deri vetin kur i vjen ma i mrami. Ndoshta ndoniherë e botoj, po do ta lo ma vonë, ndoshta dikush e ban kangë e knon.  

Kur e kemi çelë tretën e ditës, kam piskatë kur kam dalë: “O kuku për mu, kurrë mo n’këtë derë s’kam me hi”. Ka ardhë nji kojshi i tyni m’ka qetësu. Tash nji vajzë që ka mbijetue, e martume në Suharekë, e kemi shti aty. Ajo i ka dy djem, nji vajzë edhe burrin. Sa here që shkoj aty, asaj i doket që po i shkon baba i vet, e mu po m’doket që p’e gjej Mevlydën aty. Qaq interesant, une atë familje tash e du shumë.  

Nji djalë më ka punu në KFOR. Tremdhetë vjet ka nejtë n’shpi, s’ka punu kurrgjo hiç. Na e kemi tokën, krejt ledinë osht, nuk ka teknikë me punue. Na dikur kemi pasë teknikë, të tana. E ky tjetri osht n’mjerim n’Prishtinë, se tetë vjet n’Samadraxhë shkollën fillore, tre vjet teknikën në Suharekë, tre vjet muzikën në Prizren, katër vjet fakultetin edhe tre vjet Masterin. Sa po bojnë kto? Njo e kam në Zvicër, e me pare t’saj, se s’kam pasë me çka tjetër me shkollu. Tash gruja po kan: “Ku dojna me lonë djalin, pa punë, sa shpenzimet i kemi bo me ia mledhë paret m’u shkollue, tash n’Prishtinë pa punë”.  

Shoqatën, sa herë që takohemi unë i falënderoj. Unë jam ma i thjeshti aty, nji individ krejt. Ata jonë krejt intelektuala, po aq kanë respekt, aq shumë më shoqnojnë. Kur t’shkojmë nëpër hotele që i bojnë ligjëratat, kur t’shkojmë me hongër bukë na vjen përmas Gjyla.  

Kemi pasë takim me nantë deputetë të Suharekës, edhe nji Ali Berisha ka qenë si kryetar i shoqatës me mu, e kemi blloku Kuvendin. E kemi detyru me votu që s’ka dialog pa marrëveshjen e familjarëve, pa fatin e t’pagjetunve. Kanë nënshkru edhe m’kanë mashtru. Mu ma s’forti m’ka mashtrue Hajredin Kuqi. Kemi shkue në Shkup për ligjerata me juristat, edhe m’ka skaju Hajredini e m’ka thonë: “Duhet me ia bo diqysh, se na keni blloku ju, e na duhet me vazhdu punën”.  

E e kanë bo punën me Prenk Gjetën e me mue, pesë veta me shkue me bisedu me Hashimin. Kur e ka marrë fjalën Nysretja, i ka thanë: “Ti e ki shkelë me dy komë gjakun tonë, ti që nuk je tu u kujdesë”. Tjetri e tjetri, po ashtu i kanë thanë: “Ti e ki kry luftën, e ki bo Rambujenë edhe duhesh me marrë përgjegjësinë”. E ka marrë punën n’dorë edhe në fëmijë e n’familje e  n’komb e n’Zot u betue që çështja jonë ka m’u marrë parasysh.  

Porosia jeme, sikur e të gjithëve që osht, kish me qenë: “Familjarët kërkojnë zbardhjen e fatit, kërkojnë të paktën përkrahje, punësim”. Unë e di, ka nanë në Mitrovicë, i kanë metë njimëdhetë fëmijë, pa burrë pa kurrfarë përkrahje. Po me 170 euro çka bon ajo? Njihere ka qenë 103 tash asht 170. Unë kam qenë në Durrës, bash për punën e ligjeve. E erdhi me vendim atje n’Durrës, krejt familjarët u çuen, i kërkojshin pagat. Unë ma së mramti, thashë: “Krejt tjerët nuk e kanë keq, unë kërkoj ma së shumti. Nuk du as dymijë euro rrogën me e pasë, as qetà që e kom, po kërkoj djali me pasë punë”. E tha: “Ti e ke ma s’miri prej krejtve, kur t’vish në Prishtinë, hajde te Ministri”. Kam shku te ministri: “Kërkoj të paktën punësim!”. Të gjithë këta që janë sot, që e gëzojnë këtë jetë, e gëzojnë krejt në emën të gjakut tonë.  

A po luftohet në Siri, ushtria me ushtri, a po ka kush m’i ra mas sikur neve? Jo! Këtu u çu bota ndërkombëtare, e amerikanët, krejt botën e çuen n’komë me ‘Çështja e Kosovës’. Në emën të qetyne fëmijëve o fitu qekjo pavarësi, kurrë në emën tonë kush nuk o dalë me thanë: “Kadale more se jonë edhe do tjerë si unë”. Sikur ta shti djalin n’punë, se unë po vdes, po shkoj, po kurrgjo s’po lo hiç. Ia jap dorën Ramushit para dy dite që e pranoi për kunatën që e ka punësu në Telekom, por edhe m’erdh çudi. Masanej thashë me veti: “Ky gruen e vllaut s’e paska pasë në punë qe nizet vjet, ky vetë sa ka pasë opcione e sa ka pasë mundësi”. Po çka ti bojsh atij. E di që Telekomi osht korrupsioni ma i madh, veç ajo aty i kish shti duert.  

Krejt, krejt, kërkesa jonë osht që vajzës t’paktën, nji asht, nji gju, nji kockë me ditë që ia kom. T’ishin konë eshtnat n’vorr, për mu kjo osht e para. Jeta osht jetë, e skamja ndoshta me t’gjitha do të vijë, po duhet m’i përballu, s’kemi çka bojmë. Qeky djalë, tash që osht në Prishtinë, as banesën s’mundet me pagu e duhet m’i ndihmue. Qe faqja e zezë asht qeshtu. Edhe kërkoj ndjesë, se qaq i traumatizum jam, megjithatë po duhet me shty jetën. 

Baladë për të pagjeturit 

Kushedi sa ditë e net, 

Kemi pritur të pagjumë 

Kushedi sa orë e çaste 

Në një pritje të pafund. 

 

Sa e sa lotë për ju derdhëm 

Sa ju qanim për të vdekur, 

Asnjë fjalë e as adresë 

Ju dhanë emrin “të pagjetur”. 

 

Njëzet vite ikën pa ju parë 

Njëzet vite rrodhën lotët si lumë 

Njëzet vite shpirtrat na u vranë 

Njëzet vite vuajtja s’po ka fund, 

 

Njëzet vite koha mbeti varur 

Njëzet vite dhimbja mbeti pezull 

Njëzet vite shpresat i ushqyem 

Njëzet vite qirinjtë mbetën ndezur, 

 

Njëzet vite bora nuk është shkrirë 

Gushti duket si janar, 

Rreze të forta lëshon dielli 

Në zemrat tona plot acar! 

 

Nënëlokja lëshon ofshamën: 

-A ka kush që mund të ma thotë 

Ku janë djemtë me ua ba gjamën 

Se do të iki nga kjo botë. 

 

A më dëgjoni pushtetarë 

Djemtë e mi ku kanë mbetur 

Janë të gjallë apo të vdekur 

Mos m’i quani të pagjetur. 

 

Tash njëzet vjet po pres e shkreta 

Nuk e gëzoj të shtrenjtën liri, 

Peng do t’më mbetet nëse vdes 

Eshtrat në varr mos me ua shti. 

 

Nebih Morina 

(Ky rrëfim është pjesë e “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve: Libër kujtimi me rrëfime të familjarëve të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë”, të realizuar nga forumZFD programi në Kosovë dhe Integra, në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Persona të Pagjetur, me mbështetje nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Rockefeller Brothers Fund dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë) 

Kolumnet ynë

Kolumnet DwP në www.dwp-balkan.org është një produkt i medias së re në platformë online ku flitet për ballafaqimin me të kaluarën. Kolumnet DwP është një platformë rajonale online për reflektime konstruktive lidhur me tema që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, me qëllim të fuqizimit të qasjes së hapur dhe konstruktive në nivel rajonal. Duke përdorur blogun si një mjet, ne synojmë të nxisim diskutime konstruktive në rrjet lidhur me temat aktuale në fushën e ballafaqimit me të kaluarën.

Mohim i përgjegjësisë

Kolumnet “Ballafaqimi me të kaluarën” është pjesë e uebfaqes rajonale për tematikën e ballafaqimit me të kaluarën www.dwp-balkan.org. Ky blog shërben si një platformë online për debate konstruktive rreth temave që kanë të bëjnë me Ballafaqimin me të Kaluarën. Pikëpamjet e shprehura në këtë blog janë të autorëve/blogerëve dhe jo detyrimisht përfaqësojnë pikëpamjet e organizatës forumZFD (forumi për Shërbimin Qytetar për Paqe). Inkurajojmë kopjimin dhe shpërndarjen e këtij materiali, me kusht që teksti të mos modifikohet dhe që të përfshihet referenca e duhur e uebfaqes dhe emri i autorit. Kopjimi dhe rishpërndarja janë pa pagesë.