Familjarët e të pagjeturve kërkojnë ndryshimin e ligjeve “diskriminuese”

Familjarët dhe shoqatat e personave të pagjetur po kërkojnë ndryshimin e legjislacionit që rregullon çështjen e personave të pagjetur nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë, sepse e cilësojnë atë diskriminues, pasi i vë ata në pozitë të pabarabartë me kategoritë e tjera të dala nga lufta.

Albonita Aliu

Prej më shumë se dy dekadash, familja e Agron Limanit po përjeton dramën e kërkimit për të atin, vëllain, xhaxhain dhe djalin e xhaxhait, që u vranë mesditën e 26 marsit 1999, së bashku me 104 të tjerë në masakrën e Krushës së  Vogël dhe  më pas trupat e tyre u zhdukën. Deri më tani, nga ata është gjetur vetëm i vëllai, Luani, ndërsa të tjerët janë në mesin e 65 të zhdukurve të kësaj masakre.

Ndërkaq, në skemën pensionale për personat e pagjetur ata janë trajtuar si dy dhe jo si katër të zhdukur. “Nëna ime e ka marrë një kohë të shkurtër pensionin e saj dhe një pension vetëm për babain, jo edhe për vëllain dhe këtë e ka marrë deri në vitin 2017, kur u vendos që një familje duhet të vendosë mes pensionit të vet ose atij për familjarët e zhdukur, pavarësisht sa familjarë të zhdukur ka”, thotë Limani.

Ai thotë se kjo formë e politikave pensionale është diskriminim dhe mungesë respekti për këtë kategori. “Mënyra se si trajtohet një familje që ka 3-4 të zhdukur është fyese. Është përbuzje, sidomos për gratë që kanë humbur burrat dhe janë kryefamiljare”, thotë Limani.

Limani, i cili drejton shoqatën për persona të pagjetur “26 marsi” thotë se nevojitet që ligji aktual, që rregullon këtë çështje, të ndryshohet ose të rikthehet skema e mëhershme pensionale për familjet e të pagjeturve.

Çështja e personave të pagjetur nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë dhe e familjeve të tyre rregullohet me katër ligje, por ato jo vetëm që nuk rregullojnë krejtësisht statusin, të drejtat dhe nevojat e tyre, por një pjesë e dispozitave të tyre bien ndesh me njëra-tjetrën, duke e bërë të vështirë zbatimin e tyre në praktikë.

Një tjetër element që kundërshtohet nga familjarët dhe shoqatat e personave të pagjetur është shkalla e përqindjes për dy ose më tepër familjarë të pagjetur. “Është trajtim jo i barabartë  tyre” thotë Limani.

Legjislacioni në fuqi i vë familjet e personave të pagjetur në pozitë të pabarabartë me kategoritë e tjera të dala nga lufta. Një familjar i personave të pagjetur civil merr 168 euro pension, ndërsa një familjar i një dëshmori merr 448 deri në 672 euro, nëse ka më shumë se një të zhdukur me status të dëshmorit.

Në vitin 2019, Qeveria e Kosovës ka miratuar një koncept-dokument me të cilin synon të ndryshojë ligjet që rregullojnë çështjen e të pagjeturve, të avancojë mekanizmat për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, të zgjidhë statusin e tyre dhe të familjarëve të tyre, si dhe të ruajë gjësendet e personave të pagjetur.

Sipas këtij dokumenti planifikohet që brenda vitit të parë të ndryshohen: Ligji për Persona të Zhdukur, Ligji për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjarëve të Tyre, si dhe Ligji për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

Deri tani, qeveria nuk ka bërë ndonjë lëvizje drejt ndryshimit të këtyre ligjeve.

Familjarët ankohen kryesisht për dispozitat që rregullojnë pjesën ekonomiko-sociale të tyre. “Fakti që familjarëve u duhet të zgjedhin mes së drejtës për pension individual dhe atij familjar, si familjar i personit të zhdukur, është përçmim” thotë Limani.

Bajram Qerkinaj, bashkëkryesues i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, një organizatë që mbledh përfaqësues të familjeve të personave të pagjetur nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë, gjithashtu konsideron se skema pensionale e familjarëve të kësaj kategorie të viktimave është diskriminuese.

“Vazhdimisht po bëhet shkelje e të drejtave të njeriut. Ka njerëz që kanë punuar mbi 40 vite dhe kanë paguar kontributet pensionale dhe në anën tjetër kanë 2-3 familjarë të zhdukur dhe duhet të vendosin cilin pension ta marrin”, thotë Qerkinaj.

Për Qerkinajn, djali i të cilit është gjithashtu i pagjetur, pensioni për familjet e të pagjeturve nuk është pension, por më shumë “një simbolikë” se ata njihen si kategori viktimash. “Ka raste kur një familje ka dy ose më shumë të zhdukur dhe ata marrin vetëm një pension, gjë që e bën edhe më të rëndë dhimbjen e tyre”, thotë ai.

Përderisa nismat qeveritare për t’i ndryshuar ligjet që rregullojnë çështjen e të pagjeturve kanë mbetur në sirtarë, Avokati i Popullit ka paralajmëruar një ankesë në adresë të Qeverisë për dallimet në skemën pensionale. 

“Ne i kemi kërkuar edhe Avokatit të Popullit që ta adresojë këtë çështje. Presim që Avokati i Popullit t’i  përfillë kërkesat tona dhe të ngrejë padi”, thotë Qerkinaj.

Këtë vit, buxheti i Kosovës ka ndarë mbi 387 milionë euro apo rreth 23.5% të buxhetit të përgjithshëm për skemat pensionale e sociale për mbi 290 mijë përfitues, ku përfshihen edhe familjet e të pagjeturve. Kjo listë po shkon duke u rritur.

Ky shkrim është produkt i trajnimit online për raportim gazetaresk në fushën e Ballafaqimit me të Kaluarën (BmK) /Gazetaria e sensibilizuar për konflikte, implementuar nga forumZFD-Programi në Kosovë. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e autorit dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e forumZFD.

FILTRO

READ THIS ALSO