Përpjekja e dytë brenda vitit për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës

Politikanët në Kosovë vazhdojnë ta akuzojnë Serbinë për gjenocid dhe mizori të kryera gjatë luftës, duke paralajmëruar edhe padi në gjykatat ndërkombëtare.  Megjithatë, për më shumë se dy dekada nuk kanë arritur krijojnë një mekanizëm që të mbledhë dhe dokumentojë krimet e kryera.

Rinesa Qorri

Kur e motra e tij, viktimë e mitur e dhunës seksuale, kishte dërguar rastin në prokurori menjëherë pas luftës së vitit 1999 në Kosovë, Nafi Krasniqi kishte besuar shumë se dëshmitë e shumë grave të tjera viktima po regjistroheshin. Por më shumë se dy dekada pas, motra e tij Vasfije Krasniqi Goodman është ndër të paktat që ka dhënë dëshmi, ndonëse deri tani dhuna seksuale dhe krimet e tjera nuk janë mbledhur apo dokumentuar në Kosovë.

Krasniqi, që drejton organizatën ”Drejtësi për të Gjithë” thotë se në Kosovë nuk pati asnjëherë ndonjë nismë serioze për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera. “Një proces i mirëfilltë i hulumtimit dhe dokumentimit ka mundur të bëhet edhe nëse ai nuk do të kishte mision parësor drejtësinë, por që në fazat e mëvonshme do të shërbente edhe për një gjë të tillë”, thotë Krasniqi.

Sipas Krasniqit, është paradoksale që në Kosovë nuk ka ende burime të verifikuara dhe të zyrtarizuara për shumë krime të kryera gjatë luftës. “Nuk ka të dhëna të sakta dhe zyrtare. Shpesh, për krime të ndryshme ka informata të paverifikuara dhe të pazyrtarizuara”, thotë Krasniqi.

Në një përpjekje të re, e dyta brenda këtij viti (2020) në nivel të Qeverisë, është krijuar një grup punues i ngarkuar për të përgatitur një analizë që do të ndihmonte në themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, dy vite pas mbylljes së tij për shkaqe “mosefikasiteti”.

Në maj, Ministria e Drejtësisë krijoi një ekip përgatitor për të bërë analizën për themelimin e Institutit të ri për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, pasi një përpjekje e mëparshme e nisur nëntë vjet më parë u përmbys duke e mbyllur institutin me arsyetimin se nuk dha rezultate aq të rëndësishme.

Në kohën e themelimit të këtij ekipi, Qeveria që udhëhiqej nga Albin Kurti, ishte në detyrë dhe me largimin e Qeverisë, u shua edhe përbërja e ekipit përgatitor.

Në tetor, Qeveria themeloi për të dytën herë një grup punues që të  bënte një analizë të procesit përgatitor për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ky grup punues do të ngarkohet të bëjë një analizë për mundësinë e themelimit të këtij Instituti dhe identifikimin e praktikave që mund të përdoren në rastin e Kosovës.

Gjithashtu, sipas Ministrisë së Drejtësisë, në detyrat e këtij grupi bie edhe identifikimi i praktikave më të mira krahasuese dhe të pasqyrojë elementet dhe  specifikat që mund të përfshihen në rastin e Kosovës.

Më shumë se një dekadë pasi lufta e viteve 1998-1999  mori fund pas një fushate ajrore të NATO-s që i dha fund regjimit serb në Kosovë, në vitin 2011, Qeveria  e Kosovës themeloi Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, si pjesë e Ministrisë së Drejtësisë. Në mandatin e këtij Instituti ishte hulumtimi, mbledhja,  përpunimi, klasifikimi dhe arkivimi i informacioneve për krimet e kryera gjatë viteve të luftës në Kosovë.

Pas shtatë vitesh, instituti u cilësua i paaftë për të përmbushur mandatin e tij, ndonëse ish-kreu i këtij Instituti, Ismet Salihu, thotë se kishte rezultate, pavarësisht mungesës serioze të fondeve dhe stafit.

Salihu thotë se një mekanizëm i tillë hulumtues dhe dokumentues është i domosdoshëm në Kosovë. “Nuk ka kohë për të humbur, ngase është i domosdoshëm rithemelimi i këtij instituti. Ky duhet që të punojë me kapacitete të shtuara që të mund të arrijë hulumtimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë”, thotë Salihu.

Ai thotë se Instituti duhet të rithemelohet urgjentisht dhe se atij i nevojitet staf i kualifikuar dhe kushte optimale për punë. “Brenda 5 viteve duhet të përfundojnë evidentimet e krimeve, si dhe në kuadër të Institutit të themelohet Muzeu i Luftës”, shton ai.

Kur me vendim të ish-Kryeministrit Ramush Haradinaj u vendos që Instituti për Krime të Luftës të shuhej, thuhej se në vend të Institutit do të themelohej Departamentit për Drejtësi Tranzicionale, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Por kjo ende nuk ka ndodhur.

Ministria e Drejtësisë ka paralajmëruar se nëse themelohet Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, ai do të ndryshojë nga instituti i mëparshëm, duke mos dhënë ndonjë informacion të detajuar në lidhje me formatin e ri të tij.

Politikanët në pushtet në Kosovë vazhdojnë ta akuzojnë Serbinë për gjenocid dhe mizori të kryera gjatë viteve 1998-1999, madje kanë paralajmëruar disa herë padi në gjykatat ndërkombëtare. Megjithatë, për më shumë se dy dekada nuk kanë arritur të bëjnë të mundur që krimet e kryera nga forcat serbe të mblidhen dhe të dokumentohen.

Salihu, në kohën e të cilit Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës kishte vetëm gjashtë persona në staf, thotë se mbyllja e Institutit ishte një nga gabimet më të mëdha të autoriteteve në Kosovë. “Nëse ky Institut do të ishte themeluar në vitin 2001 ashtu siç duhej dhe jo në vitin 2011, e më pas përsëri të shuhej, tani do të kishim të gjitha krimet e dokumentuara”, thotë Salihu.

Për  më pak se 7 vite të punës, Instituti i mëparshëm për Hulumtimin e Krimeve të Luftës publikoi nëntë monografi mbi shkallën e vrasjeve gjatë luftës, personat e zhdukur, dëmet ekonomike dhe shkatërrimin e trashëgimisë kulturore.

Viktimat e luftës dhe të afërmit e tyre presin të shohin krimet e dokumentuara në mënyrë të plotë dhe të paanshme duke përjashtuar paragjykimet etnike e politike.

Xhevat Qorri nga Drenasi që ka humbur katër familjarë në luftë: vëllezërit dhe  nënën, thotë se themelimi i Institutit të Krimeve të Luftës dhe dokumentimi i krimeve të luftës në mënyrë të pavarur është dashur të jetë detyrë parësore e shtetit dhe shoqërisë.

“Hulumtimi dhe dokumentimi do të ishte një lehtësim për familjarët e viktimave të të gjitha etnive dhe këto dokumentime do të kishin rëndësi historike për gjeneratat që do të vijnë”, thotë Qorri.

Ky shkrim është produkt i trajnimit online për raportim gazetaresk në fushën e Ballafaqimit me të Kaluarën (BmK) /Gazetaria e sensibilizuar për konflikte, implementuar nga forumZFD-Programi në Kosovë. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e autorit dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e forumZFD.

FILTRO

READ THIS ALSO