Fushata për pajtimin e gjaqeve 1990-1991: historia orale dhe kujtesa

Erëmirë Krasniqi, Oral History Kosovo

Foto nga: Ekspozita për fushatën e pajtimit të gjaqeve 1990-1991 që u mbajt nga 25 prilli deri me 21 maj 2018, në vendlindjen e fushatës, në Pejë

Fushata për pajtimin e gjaqeve:

Fushata për pajtimin e gjaqeve nisi në vitin 1990 si thirrje për bashkim ndërmjet shqiptarëve të Kosovës. Ndërsa Millosheviqi merrte fuqi, Kushtetuta e vitit 1974 u shfuqizua, duke e bërë Kosovën të cënueshme brenda asaj që ende konsiderohej si hapësirë jugosllave. Fushata pati rol emancipues, pasi bënte thirrje për bashkim dhe falje dhe i ftonte njerëzit të ripozicionoheshin politikisht. Ajo vinte në dukje se si kodi i nderit të shqiptarëve ishte keqpërdorur për t’i portretizuar shqiptarët si popull më pak i qytetëruar përbrenda Jugosllavisë.

 Qëllimi ishte që të gjithë njerëzit e arsimuar t’u qaseshin komuniteteve të tyre dhe t’i inkurajonin familjet të falnin gjakmarrjet, me theksin tek përfshirja e studenteve vajza në këtë proces. Procesi i ndërmjetësimit zakonisht bëhej nëpër oda, kur deri në atë kohë, gratë nuk ishin lejuar të hyjnë. Në shumë mënyra, fushata delegjitimizoi autoritetet që ruanin kodin e nderit dhe u mundësoi njerëzve të mendonin sërish për atë se si e kuptonin kodin e nderit brenda komuniteteve të tyre.

Shqiptarët që jetonin në diasporë e merrnin me vete kodin e tyre të nderit dhe asnjëherë nuk i kishin falur gjakmarrjet, derisa një delegacion i pajtuesve nga Kosova, me në krye Anton Çettën u ftuan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht në Nju Jork dhe Detroit, për të pajtuar familjet.

Rezultati ishte me mijëra pajtime dhe çlirimi i familjeve nga detyra e përcaktuar me kodin e nderit: të merrnin hak dhe të nxirrnin gjak. Akti i faljes siguronte një shkallë të sigurisë në hapësira publike brenda komuniteteve më të vogla në Kosovë, që në atë kohë mungonin për shkak të regjimit të Millosheviqit. Ndikimi i fushatës ishte aq i gjerë, saqë edhe njerëzit në diasporë e përcillnin më vëmendje dhe falnin gjakmarrjet atje.

Si mund të përdoret sot si shembull kjo fushatë?

Fushata për pajtimin e gjaqeve është një histori e shkëlqyeshme, nga e cila mund të nxjerrim shumë mësime të rëndësishme, ndër to për faljen, nderin dhe solidaritetin. Kjo histori mishëron vlera dhe procese kulturore që në vetvete ngrenë pyetje për çdo kohë – këto jo detyrimisht kërkojnë vëmendjen tonë sot, por mund t’u kthehemi vazhdimisht, kur mendojmë se nga çfarë përbëhet ndjenja jonë e humanitetit dhe cilat janë vlerat themelore që e mbajnë të bashkuar këtë komunitet.

Elementi ndërfetar sërish po shndërrohet në shqetësim në këtë rajon, një shqetësim ky që duhet trajtuar me kujdes. Fushata për pajtimin e gjaqeve është mbështetur fuqishëm mbi paradigmën e zgjimit kombëtar të shekullit të 19-të “feja e shqiptarit është shqiptaria” dhe pikërisht këtë është përpjekur të paraqesë gjatë viteve 1990: bashkimi mbi të gjitha, duke e vënë theksin tek gjuha shqipe si përbërësi homogjenizues i kombit. Ajo inkurajon zgjidhjen që është e thjeshtë, por e vështirë për t’u arritur, vendos vlerën tek ajo që na bën bashkë dhe jo tek ajo që na ndan. Kjo zgjidhje është e ndërlidhur me kontekstin dhe për këtë arsye është e suksesshme, mirëpo nuk shoh se si mund të përkthehet në kontekste të tjera kulturore dhe kjo ndodh pasi shumica e vendeve të Ballkanit i kanë homogjenizuar identitetet e tyre kombëtare rreth fesë dhe jo rreth gjuhës dhe shpeshherë, feja shndërrohet në bazën e përjashtimit në kontekste ku feja ka prioritet mbi kulturën.

Organizimi i projektit

Aktivistët dhe anëtarët e familjeve që kanë dhënë faljen ishin në qendër të narrativës së ekspozitës. Në fazën e kurimit të projektit, ishte me rëndësi që të shmangej glorifikimi apo lartësimi i disa figurave të caktuara njerëzore, si edhe dimensioni përkujtimor që është qasja e zakonshme në ekspozita. Këto vendime të kuratorit nuk duhen parë si mungesë respekti ndaj protagonistëve kryesorë të fushatës, por si një mënyrë për t’i dhënë historisë pamjen humane dhe për ta hapur atë për histori të tjera, për nën-fabula dhe nën-personazhe. Jam përpjekur të krijoj më shumë hapësirë për protagonistët e harruar; gratë kanë qenë vendimtare për lëvizjen dhe edhe pse janë në qindra fotografi nga fushata e pajtimit, disi askujt nuk i kujtohen emrat e tyre dhe vështirë që dikush të ketë ndonjë histori me gra në të.

Dhënia fund e dimensionit përkujtimor të ekspozitës ishte zgjidhje që kishte të bënte me mënyrën se si unë e kuptoj historinë bashkëkohore; historitë që ne kujtojmë dhe me të cilat ndërveprojmë dhe ushqejmë pikëpamjet e botës së sotme. Unë nuk i përjetoj si diçka statike, ndaj është e pamundur t’i monumentalizoj në një narrativë të vetme dhe të ndërtoj kujtesën dhe përvojën nga një pozicion i vetëm. Natyra e gabueshme dhe e papërcaktuar e vetë kujtesës është pasqyruar në narrativën e ekspozitës dhe në zgjidhjet kuratoriale që krijova. 

Ndërtimi i komunitetit të kujtesës

Ishte e rëndësishme që të ndërtoja një komunitet të kujtesës. Mendoj se e kemi arritur. Ditë pas dite, ekspozitën e vizitonin njerëz që ishin pjesë e fushatës, por të cilët, si nismë e Historisë Orale, një ekip i vogël, nuk patëm rastin t’i takojmë. Mirëpo hapësira e ekspozitës u shndërrua në një vendtakim, ku ata mund të shfletonin Librin e Fotove, një album me fotografi që i mblodhëm nga të gjithë njerëzit të cilët intervistuam. Këto takime na sollën histori të tjera dhe vende për pajtim.

Intervistat për historitë orale

Metodologjia e intervistimit për histori orale është proces ku ndërthurren subjektet, ku intervistuesi dhe folësi hyjnë në një proces të bashkëproduksionit. Rrëfimi është pjesë e rëndësishme e procesit të intervistimit. Si intervistuese, unë ekspozohem ndaj rrëfimeve dhe imazheve dhe këto pikëpjekje personale shndërrohen në një mënyrë të prodhimit të njohurive për komunitetin tonë. Sigurisht, ajo çka ti mendon si hulumtues apo kurator është si të krijosh një mjedis për narrativën dhe t’u mundësosh të tjerëve të gjallojnë në këto hapësira. Gjatë projektimit të hapësirës së ekspozitës që mbështetet tek hulumtimi, shqetësimi kryesor nuk është të ngarkosh publikun me shumë infomacion, por të kesh mjaftueshëm informacion për të mbajtur gjallë kureshtjen dhe dëshirën për zbulime.

Arti dhe e kaluara

Me raste, unë përdor strategji kuratoriale që tradicionalisht konsiderohen të zakonshme në botën e artit, por të pazakonta për një ekspozitë për historinë. Këtu, arti ndihmon për të përcjellë informacion të ngjeshur, duke thënë shumë me më pak. Po ashtu, strategjitë e artit përmbajnë njëfarë shkalle të pasigurisë, sepse vlerësojnë procesin e prodhimit dhe ndonjëherë këtë e bëjnë duke mbuluar pyetjet e vështira dhe duke i përcjellë ato përmes strategjive që vijnë nga bota e artit, papritmas disa pyetje humanizohen dhe bëhen të vetëdijshme për papërsosmërinë e tyre. Ta pranosh këtë në një mjedis ekspozues mendoj se është shumë me rëndësi, sepse e bën ekspozitën një hapësirë performuese ku publiku mund të prodhojë po aq njohuri.

Arti dhe kultura si mjete për t’u angazhuar me të kaluarën?

Në rajonin tonë, pyetjet që kanë të bëjnë me të kaluarën janë gjithnjë të vështira. Strategjitë kuratoriale që shfrytëzohen e paraqesin përmbajtjen në atë formë që i mban pyetjet e hapura për diskutim dhe lë hapësirë për më shumë se sa një narrativë. Për ta bërë këtë, kultura dhe ajo çka nxjerrim prej saj na ndihmon të kuptojmë kontekstin tonë brenda të cilit veprojmë. Sigurisht, kjo ushqen ndjenjën time të përgjegjësisë ndaj narrativës që po përpiqem të kuroj.

Qasja ime kuratoriale është mjaft ndërdisiplinore, ndaj nuk arrij t’i shoh qartë këto ndarje disiplinore. Unë lejoj hulumtimin të më udhëheqë gjatë punës si kuratore. Përpiqem të trajtoj nevojat e përmbajtjes me të cilën po punoj. Përmbajtja e hulumtimit dikton mënyrën se si paraqitet diçka. Sidoqoftë, të gjesh një mënyrë për të shpalosur materialin që përputhet me hulumtimin dhe që arrin të theksojë aspektet e rëndësishme të hulumtimit, sigurisht që ky dimension është  vizual, e megjithatë, është i ndërlidhur intimisht me përmbajtjen, është shumë i rëndësishëm, sepse pavarësisht se çfarë fasiliton apo jo mënyra se si paraqitet përmbajtja: marrëdhënien ndërmjet publikut dhe vetë hulumtimit.

Reagimet ndaj ekspozitës

Çdo ekspozitë muzeale përpiqet të jetë një mundësi për foto të vetvetes (selfie), ku vizitorët bëjnë fotografi dhe i postojnë ato në rrjet. Ekspozita kishte një mur qendror, me një fotografi të madhe nga takimi për pajtim në Nabërgjan, një fshat në komunën e Pejës. Fotografia tregonte një turmë të madhe njerëzish që shikonin në drejtim të njerëzve të cilët supozojmë po pajtoheshin, meqë nuk e shohim se çfarë po shikojnë, mirëpo situatën e lexojmë duke vështruar fytyrat e tyre. E kam zgjedhur atë fotografi, sepse pasqyron të qenit bashkë në ato çaste dhe dëshirën për të qenë pjesë e saj. Vizitorët, shumica prej tyre nga Peja, njohën njerëzit në fotografi, duke i dhënë asaj kështu dimension interaktiv që unë as e kisha përllogaritur, as e kisha parashikuar. Shumicën e kohës, muri qendror përdorej si sfond, ku vizitorët pëlqenin të përfshiheshin në fotografinë e takimit për pajtim.

FILTRO

READ THIS ALSO