Kosova mund "të bashkojë" Boron me Ramizin

Burimi: http://www.balkaninsight.com/

Autoritetet e Prishtinës do të marrin në konsideratë rivendosjen e një monumenti që tregon bashkëpunimin antifashist serb dhe shqiptar në Luftën e Dytë Botërore pas protestës nga ana e kreut të Unionit të Malazezëve të Kosovës.

Die Morina BIRN Prishtinë

Kreu i Unionit të Malazezëve të Kosovës, Slobodan Vujiciç, tha se komuna e Prishtinës ka premtuar se do të shqyrtojë mundësinë e rikthimit të bustit të një serbo-malazezi të kohës së luftës, partizani jugosllav Boro Vukmiroviç, në monumentin në kryeqytetin e Kosovës.

Bustet e Vukmiroviçit dhe shokut të tij partizan shqiptar Ramiz Sadiku qëndruan krah për krah në park për dekada me radhë, por busti i serbit u hoq pas përfundimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me forcat e Beogradit në vitin 1999.

"Mendoj se busti i Boro Vukmiroviç duhet të kthehet pranë bustit të Ramiz Sadikut pasi ata janë një simbol i luftës kundër fashizmit dhe një simbol i bashkëjetesës së mundshme të të gjitha komuniteteve në Kosovë,” tha Vujiciç për BIRN.

Vujiciç e kaloi natën e të hënës i vetëm në park në shenjë proteste, duke bërë thirrje gjithashtu edhe për rivendosjen e një pllakade që e emërton një rrugë sipas poetit malazez Radovan Zogoviç.

Ai tha se të martën pati një vizitë nga drejtori i kulturës i komunës së Prishtinës, Besart Vllahinja, i cili premtoi atij se autoritetet "mund ta rikthejnë bustin dhe pllakadën”.

Por zëdhënësi për komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, tha për BIRN se autoritetet fillimisht duhet të zbulojnë se si dhe pse u hoq busti.

"Ne nuk i dimë kushtet në të cilat u hoq busti, kështu që fillimisht duhet të zbulojmë këtë,” tha Tahiri për BIRN.

Vujiciç tha se rivendosja e bustit në vendin që i takon do të tregonte tolerancë.

"Kosova duhet të ndërtohet mbi bazat e antifashizmit dhe duhet të kultivojë dhe ruajë këto vlera në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian,” tha ai.

Tahiri tha gjithashtu se nuk ishte hera e parë që pllakada që tregon emrin e rrugës së emërtuar pas Radovan Zogoviç hiqet, por konfirmoi se komuna do ta zëvendësojë atë.

“Në Prishtinë ekziston një rrugë me emrin Radovan Zogoviç. Ne i kemi identifikuar problemet me heqjen e pllakadës dhe sa herë që kjo të ndodh, ajo do të zëvendësohet nga ne,” tha ai.

Për dekada me radhë, Boro dhe Ramizi ishin simbole të Jugosllavisë multi-entike.

Në kohën e Jugosllavisë, nxënësit në Kosovë mësonin poezi patriotike për dy ushtarët partizanë.

Poezia – që mësohej nga nxënësit e shkollave në serbisht dhe shqip – e përshkruante serbin Vukmiroviç dhe shqiptarin Sadiku si “dy trupa me të njëjtin gjak”.

FILTRO

READ THIS ALSO