Novi Sadi monument për viktimat e partizanëve të Luftës së Dytë Botërore

Burimi: balkaninsight.com

Qyteti verior i Novi Sadit do të ndërtojë një monument për të përkujtuar njerëzit e vrarë nga forcat partizane të Josip Broz Titos në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Milivoje Pantovic BIRN Beograd

Foto: Arkiva Historike; Partizanë duke marshshuar drejt Novi Sadit në vitin 1944.

Komisioni lokal i kulturës në Novi Sad vendosi të martën të ndërtojë monumentin për njerëzit e pafajshëm që u vranë nga forcat komuniste të Titos në vitin 1994 dhe 1945 pas çlirimit të qytetit nga nazistët, edhe pse arsyet për vdekjen e tyre nuk janë përcaktuar ende si duhet.

Presidenti i komisionit, Djula Kis, një anëtar i Aleancës së Hungarezëve të Vojvodinës, e cila propozoi nismën, tha se monumenti nuk kishte qëllim të ishte politik.

"Nuk do t’i hyjmë se kush, kur apo pse dikush është vrarë. Dimë që ka pasur vrasje njerëzish të pafajshëm dhe prandaj e bëmë këtë propozim," tha Kis për Radio 021.

Historianët duhet ende të hedhin dritë mbi atë që ndodhi pas çlirimit të Novi Sadit në vitin 1944, pavarësisht faktit se varre të pashënuara janë gjetur në pyllin Rajina në afërsi të qytetit.

Ka pasur spekulime se varret përmbajnë eshtrat e njerëzve që ishin kundër regjimit të ri komunist dhe se u vranë nga partizanët.

Megjithatë, ka edhe të dhënat historike që sugjerojnë se bashkëpunëtorë të shumtë me pushtuesit nazistë u ekzekutuan.

Pas një apeli nga anëtarët e partisë Lëvizja për Ripërtëritje Serbe në vitin 2015, kuvendi në Novi Sad miratoi një deklaratë që dënon krimet e kryera në pyllin Rajina.

Por opozita në kuvend argumentoi se historianët duhet fillimisht të përcaktojnë se kush u vra në pyll dhe përse.

Mbishkrimi në monumentin e ri do të shkruhet në gjuhët zyrtare të njohura në Novi Sad - serbisht, gjermanisht, hungarisht, sllovakisht dhe rusin, një gjuhë minoritare sllave.

FILTRO

READ THIS ALSO