Autor: Serbeze Haxhiaj

Intervistë: E kaluara ende lëngon në diversitetin gjuhësor të Kosovës

Në Kosovë, shumëgjuhësia ende shihet si përgjegjësi e sistemit arsimor, megjithatë shumica e shkollave praktikojnë përdorimin e vetëm një gjuhe në klasë.

Çështja e shumëgjuhësisë në Kosovë, në një sistem arsimi kryesisht të ndarë përgjatë vijave etnike, ende pasqyron të kaluarën dhe ndasitë që peshojnë mbi diversitetin gjuhësor.

Komisioneri për Gjuhët në Qeverinë e Kosovës, Sllavisha Mlladenoviq, në një intervistë për blogun Dealing with the Past të forumZFD-së, thotë se politikat gjuhësore në Kosovë përqendrohen tek standardet e gjuhëve zyrtare, por situata sa i përket respektimit të dygjuhësisë është ende e zymtë. Ai thotë se duhet më shumë kohë për ta lënë pas të kaluarën dhe se mësimi i gjuhës së njëri – tjetrit do ta ngushtojë hendekun e ndarjes.


Serbeze Haxhiaj: Si është aktualisht gjendja e respektimit të gjuhëve zyrtare në Kosovë, në të gjitha nivelet e administratës së shtetit si dhe në sistemin gjyqësor?

Sllavisha Mlladenoviq: Nuk nevojitet shumë për të kuptuar që situata është e keqe. Mjafton një shikim në faqet e institucioneve qeveritare, jo të gjitha, dhe status quo-ja është e qartë. Nga vlerësimi që bëjmë pastaj, si Zyrë e Komisionerit për Gjuhët, situata del edhe më e zymtë, sepse i kuptojmë rrënjët e problemit. Ai pak nivel i respektimit të ligjit vjen më shumë nga mbështetja që bëhet nga projekte të jashtme, e jo nga burimet dhe vullneti institucional. Ka mungesë të theksuar të stafit, stafi është i dekurajuar për të punuar në këtë sektor dhe kemi tani një gjeneratë që ka njohuri më të mirë të serbishtes, por që po plaket. Fatkeqësisht, gjenerata e viteve pas të 90-ve kanë shumë më pak njohuri të gjuhës shqipe apo serbe. Por në zemër të këtij problemi është mosvullneti i shumë prej zyrtarëve politikë për ta zbatuar ligjin për dygjuhësinë dhe për të mos e shkelur parimin e mosdiskriminimit të gjuhëve në Kosovë. 
E njëjta vlen edhe për komunat me shumicë serbe. Njëjtë edhe ato nuk e respektojnë ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Si mund të ndihet një shqiptar në Zubin Potok, njëjtë ndihet edhe një serb në Gjakovë. 

SH: Çfarë i kontribuon më së shumti kësaj situate të ndasive dhe përjashtimeve gjuhësore?

SM: Gjatë gjithë kësaj kohe nuk është përçuar mesazhi i respektimit të gjuhëve zyrtare dhe i respektimit të gjuhës së tjetrit. Ligji për Gjuhët nuk ka lindur natyrshëm apo si diçka që e kemi bërë vetë, por diçka që është imponuar nga Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, apo siç quhet Pakoja e Ahtisarit. Derisa është kjo frymë, as ligji nuk do të respektohet.

SH: Kriza e përkthyesve po vërehet në gjithçka që ndërlidhet me administratën e shtetit dhe gjyqësorin. Si mund të zvogëlohet më shpejt ky hendek?

SM: Aktualisht po përballemi me trende negative. Nuk po mund të krijojmë kapacitete të reja. Është e pakuptimtë kjo që po ndodh. Edhe nëse nuk do të kishte asnjë serb në Kosovë, vendi rrethohet me fqinj që e flasin gjuhën serbe apo kroate. Siç është albanistika në Beograd, kjo do të duhet të ishte edhe në Mitrovicë, Nish apo Vranjë. 

SH: Gjuha serbo-kroate për kohë të gjatë ka qenë një lloj “lingua franca”. Në të njëjtën kohë, sidomos pas viteve të 90-ta, gjuha shqipe është përjashtuar dhe mohuar. Pas luftës së viteve 1998-99 kjo situatë u përmbys. Si ka ndikuar kjo në shumëgjuhësinë në Kosovë?

SM: Ballafaqimi me të kaluarën në aspektin gjuhësor do të thotë se ne duhet të ballafaqohemi me një sistem që ishte Jugosllavia, që nuk ekziston. Në atë kohë, gjuha serbo-kroate ishte gjuha e administratës dhe e komunikimit zyrtar dhe shumica kishin të njëjtën gjuhë. Ka qenë gjuha e shumicës së popullsisë. Vetëm hungarezët dhe shqiptarët kanë qenë më të mënjanuar. Kjo ka ndikuar në atë që shumica e shqiptarëve të komunikonin në gjuhën serbo-kroate. Tani ka një inercion që shkon në rrjedhë të kundërt me atë që ka qenë për më shumë se gjysmë shekulli.

SH: Çfarë mund të krijojë një urë më të qëndrueshme në përdorimin e gjuhëve dhe komunikimin ndëretnik?

SM: Ka dy gjëra kryesore: ekziston një grup njerëzish nga të dyja anët që duan ta mësojnë gjuhën e tjetrit. Këtë na e tregojnë analizat dhe interesimi i njerëzve për kurse të gjuhës. Vetëm për platformën tonë “Voc- Up”, që është një platformë digjitale për mësimin e gjuhës shqipe dhe serbe në internet, kanë aplikuar mbi 800 persona për 300 vende. E ndjej që ngadalë akulli po thyhet. Por ajo që duhet është një mesazh më i fortë nga lidershipi politik. Një prej gabimeve që kanë bërë lidershipi në Kosovë e Serbi është përjashtimi i gjuhës.

SH: Zyra juaj ka hartuar një strategji për forcimin e mekanizmave që promovojnë shumëgjuhësinë, por pse kjo strategji nuk po miratohet nga qeveria?

SM: Kjo jep të njëjtin mesazh. Ky mesazh do të thotë se mosmiratimi i kësaj strategjie prej vitesh tregon se respektimi i gjuhëve zyrtare dhe gjuhëve të komuniteteve të tjera nuk janë prioritet. Secili duhet ta kuptojë se shumëgjuhësia është gjithashtu një fuqi për ata që hyjnë në tregun e punës, sepse janë gjithmonë më konkurrentë se të tjerët. Në këtë mënyrë, ne do të jemi më konkurrentë në tregun rajonal.

SH: Pse mendoni se ka rezistencë ndaj këtij dokumenti?

SM: Nuk është aspak prioritet. Nëse një kryeministër nuk dërgon mesazhin se ka vullnet për ta zbutur një problem, që pikësëpari është problem i administratës së shtetit, as nivelet më të ulëta në hierarkinë institucionale nuk do ta respektojnë këtë ligj. Por kjo është një shfaqje e një lloj patriotizmi joreal, që në fakt i bën dëm vetë shtetit të Kosovës, sesa që i sjell ndonjë përfitim.

SH: Megjithatë ju po vazhdoni të realizoni disa nga pikat e kësaj strategjie. Një nga këto ka qenë bashkëpunimi juaj në hapjen e Programit të Ballkanistikës në kuadër të Fakultetit të Filologjisë. A besoni se ky program mund të ndihmojë zbutjen e krizës së përkthyesve?

SM: Ballkanistika është një hap tejet i rëndësishëm, por nuk është i mjaftueshëm. Nevojiten të paktën 5 vite për ta mësuar një gjuhë siç duhet. Por gjithashtu ka rëndësi krijimi i një qendre të gjuhëve që mund të certifikojë njohurinë e gjuhës. Ballkanistika që ka 11 studentë, shumica shqiptarë, ishte një lloj kompromisi, por nuk është tamam mësimi i gjuhës serbe. Pati shumë të interesuar serbë për këtë program, por atyre nuk u njihen diplomat e shkollave të mesme (të sistemit paralel serb).

SH: Nga këndvështrimi i kohezionit social, kulturor e politik në Kosovë, si i ka formësuar e kaluara marrëdhëniet e qytetarëve me gjuhët? A mund të ndihmojë dygjuhësia e balancuar në zbehjen e armiqësive?

SM: Për asgjë nuk është vetëm njëra palë fajtore. Ajo që ka sjellë luftën e ka bërë edhe këtë dëm. Kjo po vazhdon fuqishëm të ndjehet kudo. Mësimi i gjuhës së njëri – tjetrit do të zvogëlojë barrierat dhe do ta ngushtojë hendekun e ndarjes. Ndoshta duhet një kohë akoma më e gjatë për të lënë pas ndarjet dhe të kaluarën, por në përgjithësi do të ndihmojë për ta ngrohur raportin mes komuniteteve. Sigurisht që ajo që ka ndodhur peshon fort në të sotmen, por dikush duhet ta ndërpresë këtë zinxhir të gjatë të përjashtimit të tjetrit dhe mosrespektimit të gjuhës së tjetrit. Raportet ndëretnike janë më të mira se që prezantohen. Është një pakicë e zhurmshme që shfaq raportet e këqija, mbjell urrejtje dhe me zhurmë mbjellin ndarje. 

SH: Shumë diskriminim ka edhe ndaj gjuhëve të tjera zyrtare në nivel lokal, sidomos ndaj gjuhës rome që është zyrtare në Graçanicë. Është një gjuhë që ka një lloj statusi të paqartë edhe ligjor, por çfarë po bëhet për të lehtësuar këtë ngatërresë?

SM: Gjuha rome si gjuhë e dytë zyrtare në përdorim në Graçanicë nuk po respektohet plotësisht. Mungon stafi përkthyes. Ministria nuk i pranon kërkesat e komunës për një përkthyes të gjuhës rome. Pastaj ka një problem tjetër. Kush do të pranohej si ekspert i gjuhës rome kur nuk kemi një standard gjuhësor zyrtar nga ndonjë institucion i nivelit akademik në Kosovë apo diçka të ngjashme? Është e paqartë se çka nënkupton gjuhë tradicionale. Sipas ligjit nuk definohet qartë se çka do të thotë gjuhë tradicionale. Ajo që nevojitet është që ligji ta përcaktojë më qartë këtë çështje.

PROČITAJTE I OVO

Kolumnet ynë

Kolumnet DwP në www.dwp-balkan.org është një produkt i medias së re në platformë online ku flitet për ballafaqimin me të kaluarën. Kolumnet DwP është një platformë rajonale online për reflektime konstruktive lidhur me tema që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, me qëllim të fuqizimit të qasjes së hapur dhe konstruktive në nivel rajonal. Duke përdorur blogun si një mjet, ne synojmë të nxisim diskutime konstruktive në rrjet lidhur me temat aktuale në fushën e ballafaqimit me të kaluarën.

Mohim i përgjegjësisë

Kolumnet “Ballafaqimi me të kaluarën” është pjesë e uebfaqes rajonale për tematikën e ballafaqimit me të kaluarën www.dwp-balkan.org. Ky blog shërben si një platformë online për debate konstruktive rreth temave që kanë të bëjnë me Ballafaqimin me të Kaluarën. Pikëpamjet e shprehura në këtë blog janë të autorëve/blogerëve dhe jo detyrimisht përfaqësojnë pikëpamjet e organizatës forumZFD (forumi për Shërbimin Qytetar për Paqe). Inkurajojmë kopjimin dhe shpërndarjen e këtij materiali, me kusht që teksti të mos modifikohet dhe që të përfshihet referenca e duhur e uebfaqes dhe emri i autorit. Kopjimi dhe rishpërndarja janë pa pagesë.