Autor: Arbër Sadiki

Si të lexohet Bogdan Bogdanoviqi sot

Në kuadër të festivalit “Mirëdita – Dobar dan” që mbahet për nder të aktorit Bekim Fehmiu e me qëllim të promovimit të bashkëjetesës dhe tolerancës mes serbëve dhe shqiptarëve, u promovua edhe përmbledhja me pjesëza nga intervistat e arkitektit, urbanistit, urbanologut, idealistit, profesorit Bogdan Bogdanoviq, përzgjedhur dhe përgatitur për botim nga Shkëlzen Gashi. Duke qenë dikush që edukimin e personal dhe rrjedhimisht, edhe një pjesë të jetës, e ndan në mes këtyre dy hapësirave një gjë e tillë s’ka si të mos më gëzonte dhe rrjedhimisht të më ikte pa qenë i pranishëm në një ngjarje si kjo. Pavarësisht se isha interesuar për librin që në çastin që ishte lajmëruar se do të dilte në shtyp, nuk kisha arritur ta gjeja atë deri në ditën e promovimit. Edhe pse dyshoja se vështirë se mund të më kishte ikur pa lexuar çkadoqoftë nga një prej personaliteteve më me ndikim tek unë edhe në formimin tim profesional, kjo nuk ma shuante aspak kureshtjen që të shoh copëza të mendimeve të tij të bashkuara në një vëllim të vetëm për t’ju prezantuar publikut prishtinas.

Në një format të lezetshëm me kopertina modeste prej kartoni ngjyrë kafe, ishin mbështjellë pjesëza nga 16 intervista të tij të radhitura kronologjikisht dhe të prezantuara në tri gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht. Në ballinë qëndronte një fotografi e Bogdanit prej fisniku me ato syzet e tij duke parë në horizont që ngjante sikur me keqardhje po vështronte realizimin e gjithë katastrofave për të cilat vazhdimisht na kishte paralajmëruar. Me t’u kthyer në banesë i lexova edhe njëherë, sepse më interesonte si tingllonin lexuar përnjëherësh fjalë të thëna nga viti 1989 të botuara në “Valter” të Sarajevës deri tek ato të vitit 2008 të thëna për Notre Europe’s Research Program on European Identity. Në fakt, këtu ishin përmbledhur të gjitha intervistat ku ai ishte shprehur rreth problemit të Kosovës dhe pozicionit të shqiptarëve brenda ish-Jugosllavisë, më saktësisht Serbisë, sepse siç dihet, të gjitha të drejtat federative Kosovës iu suprimuan nga Serbia në vitin 1989. Si një nga kundërshtarët e parë të politikave, fillimisht nacionaliste e më vonë edhe fashiste dhe shfarosëse të Sllobodan Millosheviqit, ai i kishte dalë në mbrojtje gjithmonë të drejtës së shqiptarëve për trajtim të barabartë me të gjithë popujt tjerë të federatës së dikurshme. Intervistat fillojnë me eksperiensat e tij personale të viteve të tetëdhjeta të përjetuara gjatë kthimit nga Mitrovica e Kosovës për në Beograd me një shofer shqiptar, ku siç shprehet, përjetoi çka do të thotë të qenurit shqiptar në Jugosllavi. Vazhdon me nënvizimin e anës më të mirë të rugovasve të cilët pavarësisht se në masën më të madhe ishin të besimit mysliman, me shekuj kishin mbrojtur dhe ishin përkujdesur për Patrikanën e Pejës dhe gjithmonë e kishin konsideruar si vend të shenjtë edhe të tyre. Rrjedhat e viteve të fundit të tetëdhjetave dhe fillimit të nëntëdhjetave bënë që ai me shqisen e hollë të nuhatjes së të ardhmes të konstatonte se nëse shpejt pushteti i Beogradit nuk do ta ndalonte diskriminimin dhe shtypjen e shqiptarëve në Kosovë, do të rrëshqasim drejt luftës dhe atëherë do të jetë vonë për të pasur Kosovën Republikë brenda Jugosllavisë. 

Pavarësisht se të gjitha këto qëndrime ai i mbështeste bazuar në të drejtat universale të lirive të njeriut për të jetuar të lirë dhe me dinjitet në cilindo cep të globit dhe asnjëherë si mbështetës i programeve kombëtare të kujdoqoftë, sepse natyra i tij kozmopolite shkonte përtej guacave hermetike kombëtare apo fetare, kjo nuk e shpëtoi atë nga etiketimi si mbështetës i njërës palë dhe armik i palës tjetër. Fundja, në Ballkan nuk ke nevojë të marrësh anë, atë ta përcaktojnë të tjerët! Çfarëdo argumenti të kesh për mbrojtjen e një kauze universale, ti nuk mund të jesh në anën e njerëzve të mirë nga të dyja palët. Ose je me ne ose me ata! Kështu, idealisti partizan i Luftës së Dytë Botërore, kryetari i suksesshëm i Beogradit, projektuesi i memorialeve të jashtëzakonshme kushtuar viktimave të LDB-së, një nga profesorët më të mirë të Fakultetit të Arkitekturës pranë Universitetit të Beogradit, përnjëherë u shëndërrua në tradhëtarin e kombit të tij. Sipas ligjit ose me ne ose me ata, kjo automatikisht e zhvendos atë si hero të palës tjetër. Kështu, shqiptarët e Kosovës jo pse e kuptonin mirë doktrinën dhe filozofinë mbi të cilat ai kishte ndërtuar qëndrimin në mbrojtje të tyre e aq më tepër se vërtet besonin thellë në to, por thjesht e pranuan atë sepse ishte refuzar nga pala tjetër. Këtu vijmë në pikën, që ndoshta edhe intervistat që përfshin libri në fjalë, edhe sot (keq)kuptohen në këtë mënyrë. Dikush që lexon vetëm këto copëza intervistash, pa e njohur Bogdanin filozof, idealist, autor të dhjetëra librave mbi urbanologjinë, do e kuptojnë vetëm sipërfaqësisht si dikush që thjesht në një moment, politikisht paska mbajtur anën tonë!

Kjo do të thotë ta keqkuptosh Bogdanin rrënjësisht. Çdo keqkuptim, apo të themi moskuptim i thelbit, sado që mund të të hyjë në punë në një moment të caktuar kohor, në kuptimin afatgjatë dhe përmbajtësor nuk është se të ndihmon shumë. Pra, ne nga Bogdani kemi pranuar si të drejtë dhe bëhemi se i kemi kuptuar, vetëm qëndrimet e tij politike që lidhen me ne, por asgjë përtej tyre. Se si duhet trajtuar qyteti, qytetari, ambienti, memorialet, trashëgimia e luajtshme dhe e paluajtshme, zhvillimet tona të njëzet viteve të fundit tregojnë se asgjë nga këto ne nuk kemi mësuar. Nëse memorialet e tij ishin të bazuara në simbole tejetnike dhe tejfetare duke tentuar të jenë sa më larg shenjëzave politiko-ideologjike, por të inspiruara nga materialet arkeologjike të bazura thellë në prototipet arkaike duke manifestuar pamposhtjen e gëzimit jetësor në raport me vdekjen, memorialet tona të njëzet viteve të fundit nuk them se manifestojnë qoftë edhe grimca nga këto parime. Nëse shohim zhvillimin e qyteteve tona në dy dekadat e fundit, lëre që nuk mësojmë asnjë nga urbanizmi i vogël (1958) i tij se si t’i trajtojmë sheshet, si t’i vendosim shtatoret, si të krijojmë marrëdhënie në mes të resë dhe së vjetrës, si ta trajtojmë pejsazhin arkitektonik, etj., por bëjmë krejtësisht të kundërtën, shpesh duke lëvizur në drejtimin më të keq për të cilin ai na kishte paralajmëruar të mos shkonim. Qytetet tona u mësynë nga masat e mëdha të popullatës, mu siç flet ai tek “Për qytetin ose kundër tij” (“Za grad ili protiv grada”) ku vërtet nuk u dogjën dhe rrënuan siç bënin hunët, por vetëm moskontrolli i këtyre dyndjeve i dërgoi qytetet në vetëshkatërrim duke u rritur deri në madhësi të pakontrolluara malinje. Nëse në të njëjtin tekst, ai vazhdon duke na tërhequr vëmendjen se vetëm nga lindja e qyteteve njeriu i ka krijuar vetes mundësi që ta shohë veten retroaktivisht dhe se para paraqitjes së qyteteve ai ishte qenie pa histori, sa jemi përkujdesur ne në njëzetë vitet e fundit që të ruhen shtresat historike të qytetit në mënyrë që ai ta luajë këtë rol historik?! Nëse duke vëzhguar bombardimin e Dubrovnikut ai konstaton se qytet-urryesit dhe qytet-shkatërruesit nuk janë fantazma librash, por të gjallë dhe në mesin tonë, a jemi të sigurtë se në qytetet tona sot ata janë zhdukur?! Mos ata nga bombardimi me artileri tani kanë kaluar në bombardim me ndërtesa vend e pa vend duke ia zënë frymën qytetit?!

A jemi të sigurtë që ai primitivi i cili nuk pranon assesi se ka ekzistuar çkadoqoftë para tij, sot nuk është bosi i qyteteve tona?! Nëse tek “Mbytja me ritual e qytetit” (“Ritualno ubijanje grada”) ai qartas na tregon se urbaniteti si themeli i qytetit në shumicën e gjuhëve më të rëndësishme europiane ka kuptimin e përputhshmërisë në mes të mendimit dhe fjalës, fjalës dhe ndjenjës, ndjenjës dhe veprimit, cilën nga këto virtyte e manifestojnë qytetet tona sot?! Apo pikërisht ndodh ajo që ai parasheh, se kur dikush nuk mundet ti përshtatet rregullave të urbanitetit më së lehti është ta shfarosë atë!

Përderisa të gjitha pyetjet e sipërshtruara, për fat të keq, nuk kanë nevojë për përgjigje se ato janë fare të ditura për secilin që jetojmë në qytetet e ditëve të sotme, sepse tashmë janë e kundërta e gjithë asaj për të cilat Bogdani është përpjekur gjithë jetën e tij. Po e ardhmja e qyteteve?! Padyshim edhe këtu ai na del në ndihmë duke na tërhequr vëmendjen tek “Aleksandria e re apo Babiloni i vjetër”, (“Nova Aleksandrija ili stari Vavilon”) se nëse e ardhmja nuk do të jetë kozmopolite,  pax urbana,  atëherë do të jetë barbare. Por, pax urbana, vazhdon ai, nuk mund të arrihet pa detribalizimin dhe denacionalizimin rrënjësor të mendësisë. Duke parë promovimin e përditshëm të lagjeve të kushërinjve të rrethuara me mure mesjetare si lagjet e qytetit të së ardhmes, mbushjen e hapësirave publike me simbole njënacionale, gumëzhimin e shesheve qendrore nga muzika religjioze, nuk është vështirë të prognozohet as e ardhmja e qytetit.  

Pra, po t’i kuptonim ne qëndrimet e tij, përfshirë edhe këto politike të përmbledhura në librin e sapobotuar, si pjesë e një kornize logjike të ndërtuara mbi vlerat universale të humanizmit dhe jo si tifozllëk ndaj njërës apo tjetrës palë, ne nuk do të përpiqeshim ta poziciononim atë nëse është me ne apo me ata. Vet idea për ta ndarë Bogdanin me ne apo me ata në thelb është anti-bogdaniane, sepse ai nuk ishte as me ne as me ata! Ai ishte me të gjithë ata me të cilët i takoheshin idealet e tij universale dhe këtë kishte guxim ta thoshte hapur në çfarëdo rrethane pa kalkuluar fare për pasojat individuale. Ai ishte mbi të gjitha me VETEN E TIJ. Ai pranoi t’i “tradhëtojë” ata - kur konsideroi se nuk kishin të drejtë, po të gjurmojmë thellë do e gjejmë diku ku na ka “tradhëtuar” edhe ne - sipas variantit të cektë të të vlerësuarit të gjërave në ne dhe ata, por ai nuk pranoi asnjëherë të tradhëtonte VETVETEN. Ai e ndërtoi personalitetin e vet mbi të vërtetat në të cilat besoi me tërë qenien e tij dhe për të cilat nuk pranoi asnjë kompromis pavarësisht çmimit që iu desh të paguante. Tërë trashëgiminë intelektuale që na la e ndërtoi mbi këto të vërteta, trashëgimi të cilën nuk është se e kemi përdorur dhe po e përdorim më së miri as ne as ata. 


Arbër Sadiki (*1977) arkitekt, ligjërues, kritik. Mban gradën Doktor i Shkencave Teknike në Fushën e Arkitekturës dhe Urbanizmit nga Universiteti i Beogradit. Fusha e ngushtë hulumtative e tij lidhet me marrëdhëniet në mes rrethanave shoqërore dhe arkitekturës. Asistent kurator i pavionit të Kosovës në Bienalen e 14-të të Venecias. Nominues në Aga Khan Award for Architecture, Gjenevë. Fitues i “Çmimit Vjetor për Vepër Shkencore në fushën e Trashëgimisë Kulturore”, 2020, ndarë nga Ministria e Kulturës për botimin me titull: “Arkitektura e Ndërtesave Publike në Prishtinë: 1945-1990, Faktorët Shoqëror dhe Formësues”. 

PROČITAJTE I OVO

Kolumnet ynë

Kolumnet DwP në www.dwp-balkan.org është një produkt i medias së re në platformë online ku flitet për ballafaqimin me të kaluarën. Kolumnet DwP është një platformë rajonale online për reflektime konstruktive lidhur me tema që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, me qëllim të fuqizimit të qasjes së hapur dhe konstruktive në nivel rajonal. Duke përdorur blogun si një mjet, ne synojmë të nxisim diskutime konstruktive në rrjet lidhur me temat aktuale në fushën e ballafaqimit me të kaluarën.

Mohim i përgjegjësisë

Kolumnet “Ballafaqimi me të kaluarën” është pjesë e uebfaqes rajonale për tematikën e ballafaqimit me të kaluarën www.dwp-balkan.org. Ky blog shërben si një platformë online për debate konstruktive rreth temave që kanë të bëjnë me Ballafaqimin me të Kaluarën. Pikëpamjet e shprehura në këtë blog janë të autorëve/blogerëve dhe jo detyrimisht përfaqësojnë pikëpamjet e organizatës forumZFD (forumi për Shërbimin Qytetar për Paqe). Inkurajojmë kopjimin dhe shpërndarjen e këtij materiali, me kusht që teksti të mos modifikohet dhe që të përfshihet referenca e duhur e uebfaqes dhe emri i autorit. Kopjimi dhe rishpërndarja janë pa pagesë.