Autor: Fjollë Caka

Varrezat e Dëshmorëve në Velani: park memorial në dëshpërim, apo hapësirë potenciale për riparim?

Prej kohësh, hapësira publike ka shërbyer për të inkurajuar shkëmbimet shoqërore dhe kulturore, por edhe si vend ku ushtrohet apo kundërshtohet pushteti. Pas Luftës së Dytë Botërore, shumë hapësira publike në zonat urbane të Kosovës, ashtu si edhe kudo tjetër në ish-Jugosllavi, u përdorën si vende për të përkujtuar luftën kundër fashizmit, për të festuar fitoren dhe për të përkrahur kombndërtimin e ri. Monumentet e ngritura, me stilet e tyre unike dhe avangardë, me forma abstrakte dhe futuriste, mishëronin kuptime të thella simbolike dhe universale, që synonin promovimin e respektit, barazisë, njëjtësisë dhe identitetit të përbashkët të të gjitha kombeve. Mirëpo, pas luftërave të viteve 1990-të dhe rënies së Jugosllavisë, ato e humbën rëndësinë e tyre dhe që nga ajo kohë janë braktisur. Dikur pika referimi madhështore në qytet, sot të fshira nga historia dhe hapësirat urbane, mbetje të një të kaluare të harruar.

Monumentet e mbetura nga Lufta e Dytë Botërore në Prishtinë. Foto: Fjollë Caka

Varrezat e Dëshmorëve Partizanë në Velani, Prishtinë, e projektuar nga Svetisllav Liçina dhe e ndërtuar në vitin 1961, është një nga këto monumente të harruara. Ky kompleks prej 240 m2 përbëhet nga disa mure harkore betoni (që kur i sheh nga lart simbolizojnë një lule të çelur), që rrethojnë një sferë të kuqe të formësuar nga disa shufra metalike. Poshtë tij janë varrosur eshtrat e 220 partizanëve të etnive shqiptare, serbe dhe çifute. Monumenti i dedikohet revoltave të ushtrisë partizane vendase në vitet 1941-1944, por të rinjtë që i kalojnë ditët e tyre duke ndenjur mbi muret e monumentit apo nëpër shkallët në hyrje të tij nuk e kanë idenë se çka përfaqëson ai. Ndaj dhe ata e shprehin pa u lodhur praninë e tyre në atë vend duke vizatuar grafiti apo duke bërë shkrime fyese nëpër mure. 

Varreza e Partizanëve Dëshmorë në Prishtinë. Foto: Spomenik Database

Një braktisje e tillë e monumenti të Luftës së Dytë Botërore, izolimi dhe ishullëzimi i tij bëhen edhe më të dukshme kur analizojmë raportin që ka me kontekstin më të gjerë. Në një rreze prej rreth 50 metrash, monumenti rrethohet nga varri i Presidentit Ibrahim Rugova (2006), varret e rreth 26 dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga lufta e vitit 1999 dhe të heronjve dhe figurave të tjera të shquara të Prishtinës (që janë rilokuar/zhvendosur apo varrosur ndërmjet viteve 2013-2019), të cilat ndajnë së bashku 3 hektarët e Parkut të Velanisë. 

Parku i Velanisë në Prishtinë. Foto: Fjollë Caka

Varrezat e Dëshmorëve Partizanë nuk lidhet fizikisht me asnjë nga varrezat apo vendet përkujtimore; as nuk mirëmbahet njësoj apo i kushtohet e njëjta vëmendje si të tjerave, edhe pse zyrtarisht njihet si trashëgimi arkitekturore, por me  me mbrojtje të përkohshme. Monumenti ka pësuar ndryshime nga gjendja burimore (sidomos bazamenti i sferës) dhe i mungon mirëmbajtja e duhur. Po ashtu, i mungojnë elemente kyçe, si pllaka informuese në hyrje të kompleksit dhe medalionët me emrat e dëshmorëve mbi muret harkore  të  betoni.

Në kontekstin fizik, të gjitha grupet e varrezave kanë dizajn, stil dhe materiale ndërtimore të ndryshme. Ato nuk lidhen me njëra-tjetrën apo me asetet e tjera  të parkut (amfiteatrin dhe pellgun e vogël) ashtu si duhet. Parkut i mungon qasja e hapur dhe e përshtatshme, pasi është pothuajse i rrethuar i tëri me gardh. Shtigjet e brendshme jo gjithnjë janë të ndërlidhura, duke e pakësuar kështu përshkueshmërinë e tij. Aty nuk ndodhin aktivitete dhe as nuk ofrohen shërbime cilësore. Nuk ka mjaftueshëm vende për t’u ulur apo shporta për mbeturina, e as  hije apo gjelbërim. Gjithashtu, brenda parkut nuk ka ndriçim të mirë, me përjashtim të zonës së varrit të Presidentit. Sa i përket aspekteve të përfaqësimit, aty ka personalitete të ndryshme: dëshmorë, heronj kombëtarë, figura të shquara, aktivistë politikë, të cilët përfaqësojnë ideologji të ndryshme. Disa prej tyre përkujtohen me ngjarje publike, ndërsa të tjerë, sikurse Varrezat e Dëshmorëve Partizanë, me nisma më të vogla. Edhe gjatë ditëve të rëndësishme përkujtimore, përfaqësuesit e qeverisë e anashkalojnë monumentin teksa lëvizin nga një varr në tjetrin.

Komuniteti profesional, përfshirë arkitektët dhe historianët, kanë mendime të ndara sa i përket Varrezave të Dëshmorëve Partizanë, pra, a duhet mbajtur apo jo. Prandaj, ka patur edhe plane për ta larguar monumentin dhe për ta ridizajnuar të gjithë Parkun e Velanisë si një memorial që do të përfaqësonte periudhën nga vitet 1990-të e tutje. Mirëpo, pas kundërshtimeve të shumta nga veteranët e Luftës së Dytë Botërore dhe nga organizata të tjera të shoqërisë civile që përkrahin një përfaqësim më tërësor historik dhe artistik, monumenti ia ka dalë të mbijetojë deri sot e kësaj dite. Ndërtimet selektive dhe të pakoordinuara në park kanë dalë të jenë të pasuksesshme; Parku i Velanisë mbetet i fragmentuar si në kontektin fizik, ashtu edhe në aspektet e përfaqësimit. 

Mirëpo artistët dhe sociologët, si edhe turistët, kanë një interesim të thellë për monumentin. Është e qartë se monumenti mishëron potencial për të paraqitur historinë, për të tërhequr turistët dhe për të folur për artin, por edhe për transformimet shoqërore. Edhe banorët nuk duan varre shtesë në park dhe kanë protestuar disa herë kundër zgjerimit të varrezave. Ata thjesht duan një hapësirë publike të projektuar mirë, të sigurtë dhe të gjelbër, nevojë kjo që u bë edhe më e dukshme gjatë masave për mbyllje nga COVID-19!

Pra, si mund ta transformojmë parkun në një hapësirë publike të suksesshme, të sigurtë dhe të projektuar mirë, që përveçse shërben si vend për të përkujtuar të kaluarën e pasur dhe për të reflektuar për të ardhmen, të mund t’i kontribuojë edhe përmbushjes së nevojave aktuale të qytetarëve, të përmirësojë shëndetin dhe mirëqenien e tyre dhe të forcojë lidhjet në komunitet? Kur ballafaqohemi me hapësira të tilla të ngarkuara, duhet t’ia nisim nga e para: nga krijimi i një hapësire publike nga njerëzit për njerëzit, një park që të jetë i projektuar mirë, me qasje të lehtë për të gjithë (pa gardhe), i përshkueshëm dhe i lidhur mirë, që siguron shërbimet e duhura urbane dhe mundësi për argëtim. Me rritjen e dendësisë urbane në Prishtinë dhe të lagjeve fqinje, patjetër që do të ketë rritje të kërkesës për ta shfrytëzuar këtë hapësirë të gjelbër. Po ashtu, një dizajn dhe tregim i duhur për parkun mund ta shndërrojë atë edhe në një hapësirë edukative apo destinacion turistik më të frekuentuar, që me të gjitha përfaqësimet e veta të shumëllojshme të mund të paraqesë një tregim më tërësor të historisë së Kosovës.

Parku i Velanisë e ka potencialin që të shndërrohet në vend memorial, mirëpo procesi i transformimit duhet të adresohet bashkërisht nga disa palë të interesit, përfshirë institucionet e qeverisë qendrore dhe lokale (Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale), akademia, ekspertët (arkitektët, planifikuesit urbanë, artistët, historianët, sociologët, ekonomistët), OSHC-të (për trashëgimi kulturore, turizëm, zhvillim ekonomik, ballafaqim me të kaluarën), bizneset, banorët e lagjes dhe qytetarë apo palë të tjera të interesuara. Mirëpo si mund t’i dizajnojmë vendet aktuale përkujtimore që përmbajnë përfaqësime të përziera (periudha kohore, kontekste, narrativa)? Çfarë historish apo kujtimesh kolektive përfaqësohen? Si angazhohen institucionet për t’i mbajtur gjallë këto vende përkujtimore dhe kujtime për brezat e ardhshëm (mirëmbajtja, menaxhimi, aktivitetet)? Të gjitha këto pyetje mund të shtjellohen më tej nëpërmjet vizionimit pjesëmarrës dhe bashkëpunimit ndërmjet palëve të ndryshme të interesit për konceptin e parkut dhe zhvillimin e tij të ardhshëm. Është e rëndësishme të mbajmë mend se nuk mundemi thjesht t’i fshijmë pjesët e historisë sonë, mirëpo duhet t’i bartim ato me krenari teksa përpiqemi të krijojmë një të ardhme më të mirë. 
 

PROČITAJTE I OVO

Kolumnet ynë

Kolumnet DwP në www.dwp-balkan.org është një produkt i medias së re në platformë online ku flitet për ballafaqimin me të kaluarën. Kolumnet DwP është një platformë rajonale online për reflektime konstruktive lidhur me tema që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, me qëllim të fuqizimit të qasjes së hapur dhe konstruktive në nivel rajonal. Duke përdorur blogun si një mjet, ne synojmë të nxisim diskutime konstruktive në rrjet lidhur me temat aktuale në fushën e ballafaqimit me të kaluarën.

Mohim i përgjegjësisë

Kolumnet “Ballafaqimi me të kaluarën” është pjesë e uebfaqes rajonale për tematikën e ballafaqimit me të kaluarën www.dwp-balkan.org. Ky blog shërben si një platformë online për debate konstruktive rreth temave që kanë të bëjnë me Ballafaqimin me të Kaluarën. Pikëpamjet e shprehura në këtë blog janë të autorëve/blogerëve dhe jo detyrimisht përfaqësojnë pikëpamjet e organizatës forumZFD (forumi për Shërbimin Qytetar për Paqe). Inkurajojmë kopjimin dhe shpërndarjen e këtij materiali, me kusht që teksti të mos modifikohet dhe që të përfshihet referenca e duhur e uebfaqes dhe emri i autorit. Kopjimi dhe rishpërndarja janë pa pagesë.