Autor: Suada Kapić

Kultura e rezistencës dhe kultura e kujtesës

Njëra luftë sapo kishte përfunduar (Slloveni, qershor 1991) dhe tjetra po zhvillohej në Kroaci. Sapo kishim përjetuar rënien e Dubrovnikut, Vukovarit dhe procesionin e refugjatëve kur ia nisi testimi i barrikadave në qytet në Sarajevë dhe kur për shkak të tij, më 5 prill 1992, shpërthyen protestat civile.

Edhe pse të gjitha shenjat tregonin se ishte radha e Bosnje e Hercegovinës, shumë njerëz nuk ishin në gjendje t’i lexonin shenjat e shkatërrimit masiv që do të pasonte. Sot, pas mijëra dëshmive, aktgjykimeve nga gjykata e Hagës, librave, arkivave me video dhe filmave për atë periudhë të rënies së përgjakshme dhe të vështirë të Jugosllavisë, mund të shohim si në pasqyrë se ç’kuptim kishin protestat e prillit. Një masë njerëzish, të emocionuar, të paqëndrueshëm, të zemëruar, kundërshtarë të luftës dhe shpërbërjes, e sërish pavarësisht gjithçkaje, ata nuk mund ta dinin se me çfarë po përballeshin. Një strategji dhe plan masiv i shkatërrimit nisi gjatë atyre protestave me të shtënat nga përkrahësit e SDS-së dhe njësive paramilitare të serbëve të Bosnjes nga një hotel mbi kodër, të cilët shënjestronin masën e njerëzve, duke e lënë qytetin të pambrojtur dhe të zbrazët.

Kështu, protesta paqësore civile u përplas pas murit të betonit të katër viteve shkatërrimtare që do të pasonin.

Sigurisht, për studimin historik të ish-Jugosllavisë dhe për fillimet e katër luftërave është me rëndësi të dihet që qytetarët, apo një pjesë e tyre, dëshironin diçka tjetër, ndërsa kundërshtarët e tyre mizorë i lejonin të shpreheshin dhe më pas, i asgjësonin me kënaqësi. Errësira nuk pllakosi përnjëherë, një ditë pati revolta kur u shfaqën ata që ishin ndryshe, mirëpo kishte dhe emocione, humanizëm dhe dashuri ndaj atdheut, kishte që ishin kundër vrasjeve në të ardhmen, kundër kampeve të përqendrimit dhe shfarosjeve…

Qyteti u mbyll për katër vite. Qytetarët trajtoheshin si gjah me snajperë dhe granata. Ata u lanë pa ushqim, pa ujë, pa elektricitet, pa ngrohje, pa transport... Armiku i padukshëm nga kodrat po e vriste qytetin me të gjitha ato mjete.

Pas tronditjes filleatare, qytetarët e Sarajevës u përshtatën me rrethanat anormale dhe ndodhi një transformim revolucionar: çdo njeri e jetonte rezistencën e vet të vogël ndaj terrorit të paimagjinueshëm ndërkohë që kreativiteti dhe inteligjenca e tyre me këmbëngulje u bënë mburojë e shëndetit mendor dhe me fuqinë e shpirtit të tyre ata krijuan rezistencën civile spontane ndaj terrorit që vinte nga kodrat.

Dikush mbillte perime në kopsht (nën zjarrin e snajperëve), dikush e ndante ujin e vet me lulet, dikush luante në piano, dikush organizonte festival të filmit, dikush ndërtonte shtëpi boshnjake me gurë rrënojash, dikush shkruante libër nën dritën e qiririt, dikush vinte në skenë shfaqjen “Flokët”, dikush ndërtonte “Centaurët Luftëtarë”, i vendoste ata në platformën e tramit dhe i shëtidte nëpër qytet (nën zjarrin e snajperëve dhe granatave), dikush mësonte një grup fëmijësh në shtëpi, dikush diplomonte nga universiteti, dikush bënte postera, mbante orë vallëzimi, atletët praktikoheshin për gara ndërkombëtare…

E gjitha kjo krijoi imazhin e dukurisë së kulturës së mbijetesës qytetare dhe një NISMË PËR PAQE masive kundër 4 viteve të terrorit të pandërprerë 24 orë në ditë 7 ditë në javë. Pra, kjo dukuri e Sarajevës duhet të studiohet si nismë e paqes avangardë dhe si rezistencë civile për t’u përballur me krizë të skajshme, afatgjatë. Mbyllja e parë ghatë pandemisë na tregoi se i gjithë planeti, në panik, iu kthye kreativitetit, si mjeti më direkt për mbijetesën e shëndetit mendor.                                           

Ai imazh i qytetarëve të Sarajevës që u kundërviheshin vrasësve të padukshëm nëpër kodrat që rrethonin qytetin vuri në lëvizje shumë aksione, protesta dhe demonstrata në mbarë botën. Sarajeva u shndërrua në një nga sinonimet e vujajtes dhe rezistencës shpirtërore e kulturore. Të gjitha ato veprime patën ndikim indirekt tek opinioni publik në një botë që kërkonte nga udhëheqësit dhe politikanët e vet të ndërmerrnin veprime dhe më në fund të bënin diçka.

Është e rëndësishme të përmendet se lëvizja antiluftë në Beograd, vetë strofkulla e gjarpërinjve, ishte shumë domethënëse dhe pati ndikim afatgjatë mbi rënien e regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Vizitat e tyre në Sarajevë gjatë katër viteve të rrethimit u ndihmuan njerëzve atje që ta ndjenin se nuk ishin vetëm.

Ndonjë ditë, hulumtuesit do ta masin ndikimin e të gjitha veprimeve të bëra nga lëvizja antiluftë në Beograd: panele, konferenca, libra, ekspozita, shfaqje... ndikimi i të gjitha atyre veprimeve ishte afatgjatë dhe mund të ndjehet ende sot. Kurrë nuk duhet të themi se shkuan dëm, apo se fjalët dhe imazhet dhe e vërteta dhe drejtësia nuk mund t’i bëjnë ballë forcës, vrasjeve dhe kampeve të përqendrimit.

Drita duhet t’i bëjë ballë errësirës dhe vetëm këmbëngulja mund të tregojë cila palë është më e forta.

Ajo që duhet të mësojmë në mijëvjeçarin e tretë (sikurse thekson gjithnjë historiania Branka Përpa, ne kemi hyrë me vonesë në mijëvjeçarin e tretë) është se tani po jetojmë në kohë të ndryshme dhe se pandemia na ka shpalosur pikat e dobëta dhe paaftësinë e të gjithë planetit dhe se mjetet me të cilat i kundërvihemi dhunës, popullizmit dhe fashizmit në rritje duhet të kenë mjete afatshkurtra dhe afatgjata, sepse nuk kemi më kohë.

Nismat për paqe dhe aktivizmi civil dhe shoqëria civile duhet të kenë strategji serioze. Nuk jemi në duar të mira dhe planetit po i mbaron koha. Nuk duhet ta ndryshojmë titullin dhe kuptimin e veprimeve për paqe, por duhet të krijojmë një strategji të MENÇUR (unë njoh Svjetllana Nedimoviqin, e cila sipas mendimit tim, është shembull i shkëlqyer i filozofes aktiviste në këto kohëra). Ajo ia ka dalë të organizojë disa aksione civile me grupin e saj të vogël, por që kanë patur rëndësi jetike për qytetin. Ajo është stratege. Një nga aksionet e saj ishte UJË PËR NJERËZIT! që ishte edhe manifestim për ruajtjen dhe mbrojtjen e ujërave të Bosnje e Hercegovinës. Ajo më ka shpalosur mjetin më të rëndësishëm për aktivistët e mijëvjeçarit të tretë.

Në përfundim të shekullit 20, kemi tregur se një qytet i tërë mund të bëjë rezistencë spontane ndaj terrorit të çdo lloji (Sarajeva nuk do të bjerë!) përmes kreativitetit, inteligjencës dhe humorit. Kemi qenë dëshmitarë të përfundimit të rrethimit, ndaj nga kjo ditë në vitin 2021 dhe më tutje duhet të shtojmë mjetin më të rëndësishëm: këtë herë, të menduar me hollësi, një STRATEGJI inovative dhe guximtare për çdo aksion tematik, sepse plani është në një krizë si kurrë më parë: pandemia, ndryshimet klimatike, popullizmi, terrori, gjuha e urrejtjes në media sociale, fashizmi në rritje...

Kjo është arsyeja përse individët dhe grupet duhet të pajisen në tërësi dhe të këmbëngulin në betejën për të gjitha llojet e sfidave shoqërore.

 

Suada Kapiq, analiste, redaktore, hulumtuese, drejtoreshë, producente, bashkëthemeluese e Metodologjisë FAMA, shoqëata për edukim dhe media.

Suada Kapiq ka lindur në Sarajevë, Bosnje e Hercegovinë. Ajo ka diplomuar nga Fakulteti i Filozofisë në Sarajevë dhe Fakulteti i Arteve Dramatike në Beograd, Departamenti i Regjisë. Ajo është redaktore dhe bashkëautore e koleksionit FAMA dhe arkivit FAMA, hulumtimi i të cilëve mbulon periudhat e luftërave gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë 1991-1999 (temat që mbulohen nga enciklopeditë, hartat, historia e gjuhës, udhëzues, arkiva pamore, kronologji, albume, dokumentarë, ekspozita). Projektet dhe arkivat FAMA janë bartur në formatin digjital në domeinin e koleksionit FAMA, një bankë virtuale e njohurive për brezat e ardhshëm. Sot, Suada punon me ekipin e FAMA-s për projektin multimedial “Koha Mbaroi-Para Frikës”, që eksploron çështje rajonale dhe globale që kërkojnë zgjidhje kolektive.

Për më shumë informacion, vizitoni:

www.famacollection.org

www.famamethodology.net

www.aheadoffear.com

PROČITAJTE I OVO

Çfarë është "Balkan.Perspectives"

 

Balkan.Perspectives është revistë rajonale që fokusohet tek ballafaqimi me të kaluarën në Ballkanin Perëndimor. Revista botohet nga forumZFD në katër (4) gjuhë dhe është bashkëpunim ndërmjet Bosnje e Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Revista ofron hapësirë për shumëllojshmëri të këndvështrimeve lidhur me ballafaqimin me të kaluarën nga i gjithë rajoni. Duke sjellë një sërë pikëpamjesh, ne synojmë të sfidojmë stereotipet dhe narrativat etnocentrike, të inkurajojmë mendimin kritik dhe debatin më të gjerë për këto tema, si dhe të fuqizojmë qasjet konstruktive ndaj ballafaqimit me ngjarjet e të kaluarës së afërme.


Ju mund të abonoheni në versionin elektronik të revistës duke dërguar një e-mail në adresën: balkan.perspectives@forumzfd.de.


Ne mirëpresim dhe çmojmë mendimet tuaja për revistën tonë dhe shpresojmë se do të kënaqeni duke e lexuar!



  Newsletter

BALKAN.PERSPECTIVES