Autor: Nađa Duhaček i Daša Duhaček

Lëvizja antiluftë dhe gratë në Serbi gjatë viteve 1990

Mjafton një vështrim shkarazi i të dhënave në dispozicion për lëvizjen antiluftë gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë ndërmjet viteve 1991 – 1999 dhe vijmë në përfundimin se pothuajse në pjesën më të madhe të saj, kjo lëvizje u inicua dhe u zhvillua nga gratë.

Për ta mbështetur këtë pretendim, ia vlen të vëmë në dukje gratë të cilat e meritojnë t’u përmenden emrat, jo vetëm si aktiviste antiluftë, por edhe si gra që ishin dhe disa prej tyre ende janë, udhëheqëse të organizatave të shoqërisë civile, që në vitet 1990-të ndërtuan lëvizjen antiluftë. Në këtë tekst do t’i përmendim shkurtimisht disa nga gratë të cilat i dhanë formën rezistencës antiluftë në Serbi:

Vesna Peshiq[1], në atë kohë veçse ishte figurë e njohur publike, që bashkëthemeloi Qendrën për Veprim Antiluftë në vitin 1991; Stasha Zajoviq[2] ishte bashkëthemeluese e Gratë në Zeza në vitin 1991, dhe më e rëndësishmja, ende sot e kësaj dite mbetet spritus movens e kësaj lëvizjeje; Natasha Kandiq[3] ka themeluar në vitin 1992 Fondin për të Drejtën Humanitare për dokumentimin e krimeve të luftës dhe në vitin 2008 inicoi Komisionin Rajonal për Vërtetimin e Fakteve për Krimet e Luftës (RECOM); Lepa Mllagjenoviq[4], pas më shumë se një dekadë të aktivizmit të palodhur, në vitin 1993 bashkëthemeloi Qendrën Autonome të Grave për të luftuar dhunën kundër grave; në vitin 1994 Sonja Biserko[5] themeloi Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut; në janar 1995 Borka Paviqeviq[6] organizoi në mënyrë simbolike dekontaminimin e parë, duke inicuar kështu një sërë aktivitetesh pranë Qendrës për Dekontaminim Kulturor; në vitin 1995 Jellena Shantiq[7] themeloi Group 484 për t’iu ardhur në ndihmë familjeve refugjate dhe më shumë; Biljana Kovaçeviq Vuço[8], pas pjesëmarrjes aktive në Qendrën për Veprim Antiluftë dhe Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, inicoi në vitin 1997 Komitetin e Juristëve për të Drejtat e Njeriut (YUCOM).

Është me rëndësi të thuhet, ashtu si do të këmbëngulnin edhe gratë e përmendura këtu, se vetë lëvizja jo vetëm përfshiu, por edhe u mbështet konsiderueshëm tek shumë gra të tjera, emrat e të cilave ende duhet të shfaqen. Nga ana tjetër, ka patur edhe gra që jo detyrimisht kanë udhëhequr organizata, por kanë luajtur role të rëndësishme në shumë prej nismave antiluftë në vitet 1990-të, si aktiviste, gazetare, shkrimtare, historiane, për të përmendur disa prej tyre: Biljana Jovanoviq[9], Zharana Papiq[10], Svetllana Slapshak[11], Latinka Peroviq[12], Olivera Milosavljeviq[13], Dubravka Stojanoviq[14], Mirjana Mioçinoviq[15]... Gra të tjera, edhe pse jo në pozita drejtuese, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme tek aktivizmi antiluftë. Një shembull i tillë është Neda Bozhinoviq, partizane e L2B-së, e cila në moshën 70-vjeçare u bë pjesë e lëvizjes Gratë në të Zeza për të marrë pjesë në mënyrë aktive në protestat antiluftë dhe antimilitariste.

Ky brez i grave ia kanë përkushtuar aktivizmin e tyre kundërshtimit të politikave luftënxitëse të qeverisë së Serbisë. Ato u kanë bërë ballë dhe u kanë rezistuar pa frikë dhe me forcë nacionalizmit, militarizmit, luftës, rekrutimit dhe për rrjedhojë, krimeve të luftës, përdhunimeve masive, kampeve të përqendrimit dhe spastrimit etnik. Të gjitha këto gra bënë të pamundurën e tyre për t’i minimzuar dhe pakësuar efektet e këtyre politikave të së keqes. Ajo që përçohet që në të gjitha aktivitetet e tyre është refuzimi i tyre për t’u kufizuar nga çfarëdo kufinjsh të shteteve që pasuan Jugosllavinë. Përkundrazi, këta kufinj ishin për to sfida me të cilat u përballën, pavarësisht operacioneve të luftës, dhe të përkushtuara tërësisht ndaj qëllimeve të tyre. Duke kapërcyer kufinjtë, ato krijuan aleanca me aktiviste nga Kroacia, Bosnja, Kosova dhe Mali i Zi.

Në disa raste, përveç pozicioneve të qarta antinacionaliste, antimilitariste, aktivizmi i tyre ishte i rrënjosur fort edhe në perspektivën feministe - Stasha Zajoviq, Lepa Mlagjenoviq, Zharana Papiq, Svetllana Slapshak. Të gjitha këto gra janë ato që duhet të njihen si gratë që bënë historinë paralele në vitet 90-të, edhe pse secila në mënyrën e vet. Kjo është posaçërisht me rëndësi për ato që nuk janë më me ne dhe trashëgimia padyshim e rëndësishme e tyre duhet të eksplorohet dhe ruhet edhe më tej: Borka, Jelena, Biljana, Zharana, Neda, Olivera...

Shpjegimi se përse gratë luajtën rol kyç në lëvizjen antiluftë të viteve 1990-të mund të bazohet ose në stereotipin e njohur tashmë – që në aspektin teorik është po aq i pavlefshëm sa është i rrezikshëm politikisht – se gratë janë për nga “natyra” paqedashëse të kujdesshme. Kjo na çon drejt një kurthi esencialist. Ose shpjegimi do të kërkonte një analizë komplekse, specifike për kontekstin, të thelluar në aspekin shoqëror dhe politik, që ende duhet të shtjellohet. Këtu, mund të ofrojmë vetëm një kornizë të papërpunuar në mënyrë që ky shpjegim të shtjellohet më vonë. Korniza, para së gjithash, do të ndiqte një drejtim të përgjithshëm të procesit të socializimit të grave dhe së dyti, do të ishte me shumë rëndësi të zhvillohej një analizë konkrete e kushteve që formësuan atë socializim në periudhën e kornizës specifike të real socializmit në Jugosllavi. Kjo ishte periudha kur, menjëherë pas L2B-së, gratë në Jugosllavi u përfshinë en masse në proceset arsimore, fituan pavarësi ekonomike, nisën të zotërojnë njohuritë politike dhe fituan rastin të vendosin vet për trupat e tyre.

Pastaj, brezi i bijave të tyre u përball jo vetëm me shpërbërjen e Jugosllavisë, por edhe me krijimin e shteteve që pasuan përmes luftërave brutale të viteve 1990-të, kohë kur ato u grumbulluan rreth lëvizjes antiluftë. Edhe pse qëndron fakti se ishin gratë ato që e organizuan dhe i dhanë jetë kësaj lëvizjeje, pati edhe nisma të tjera të rëndësishme që nuk u udhëhoqën vetëm nga gratë, por ku gratë luajtën rol, sikurse Rrethi i Beogradit.

Një nga ngjarjet kyçe që ilustron vazhdimësinë e lëvizjes antiluftë të viteve 1990-të, kornizën e saj jugosllave dhe shenjën që ka lënë ai brez, ka vijuar edhe në dekadat pasuese dhe në shekullin në vijim. Të gjitha aktivitetet e tyre u kristalizuan në Gjykatën e Grave që u mbajt në Sarajevë në maj 2015. Ajo u organizua nga Gratë në të Zeza, përmes një procesi kompleks që zgjati disa vite dhe që ishte i mbështetur tek dëshmitë e grave për mizoritë që u kishin mbijetuar në vitet 1990-të. Tani, ajo mbetet si trashëgimi e këtij brezi të grave aktiviste antiluftë.

Tri dekada pasi filloi lufta e parë në Slloveni, në vend se të përballej me përgjegjësinë për luftërat ku Serbia mori pjesë në mënyrë aktive, publiku i përgjithshëm këtu di ose kupton edhe më pak. Brezat e rinj po rriten, ndërkohë që sistemi arsimor dhe media pandërprerë i furnizojnë me fakte të deformuara dhe me narrativa nacionaliste. Kur lexojmë ose dëgjojmë aktivistët e viteve 1990-të, mund ta kuptojmë se rezistenca e tyre ndaj nacionalizmit dhe luftës ishte pikërisht procesi përmes të cilit ata u bënë qytetarë aktivë. Për më tepër, aktivistët dhe hulumtuesit, kryesisht nga shoqëria civile, vazhojnë të eksplorojnë, dokumentojnë dhe t’ia përkujtojnë publikut krimet e luftës dhe më e rëndësishmja, kontekstin më të gjerë që çoi drejt luftërave. Shumë nga këta aktivistë dhe hulumtues janë gra që u takojnë brezave të ndryshëm.

 

Dasha Duhaçek është një nga bashkëthemelueset e Qendrës për Studime të Grave në Beograd. Ajo është një nga themelueset dhe drejtuese prej një kohe të gjatë e programit të masterit në studimore gjinore dhe të grave në Universitetin e Beogradit dhe bashkëdrejtuese e kursit të Analizës Kritike Feministe pranë Qendrës Ndëruniversitare (IUC) në Dubrovnik. Ajo ka ligjëruar në universitetet e vendlindjes dhe jashtë vendit, si dhe ka udhëhequr programe hulumtimi dhe ka organizuar një sërë konferencash ndërkombëtare dhe lokale. Ajo është aktiviste e lëvizjes Gratë në të Zeza dhe ka qenë pjesëmarrëse aktive e Gjykatës së Grave. Fushat e saj të hulumtimit janë teoria politike dhe filozofia feministe, sidomos çështjet e përgjegjësisë dhe teoria politike e Hana Arendit.

Nagja Duhaçek është edukuese feministe, hulumtuese dhe aktiviste. Ajo ka diplomuar në studime të Evropës Juglindore nga Universiteti Amerikan në Bullgari dhe mban gradë të dyfishtë të masterit në studime të grave dhe çështjeve gjinore (programi GEMMA) nga Universiteti i Granadës dhe Institutum Studiorum Humanitatis, Lubjanë. Që nga viti 2016, ajo është koordinatorja edukative pranë Qendrës për Studime të Grave në Beograd. Në mesin e publikimeve të saj është bashkëautore e Nga partizane në amvisa: përfaqësimi i grave në kinemanë jugosllave bashkë me Marijana Stojçiqin.

 

PROČITAJTE I OVO

Çfarë është "Balkan.Perspectives"

 

Balkan.Perspectives është revistë rajonale që fokusohet tek ballafaqimi me të kaluarën në Ballkanin Perëndimor. Revista botohet nga forumZFD në katër (4) gjuhë dhe është bashkëpunim ndërmjet Bosnje e Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Revista ofron hapësirë për shumëllojshmëri të këndvështrimeve lidhur me ballafaqimin me të kaluarën nga i gjithë rajoni. Duke sjellë një sërë pikëpamjesh, ne synojmë të sfidojmë stereotipet dhe narrativat etnocentrike, të inkurajojmë mendimin kritik dhe debatin më të gjerë për këto tema, si dhe të fuqizojmë qasjet konstruktive ndaj ballafaqimit me ngjarjet e të kaluarës së afërme.


Ju mund të abonoheni në versionin elektronik të revistës duke dërguar një e-mail në adresën: balkan.perspectives@forumzfd.de.


Ne mirëpresim dhe çmojmë mendimet tuaja për revistën tonë dhe shpresojmë se do të kënaqeni duke e lexuar!



  Newsletter

BALKAN.PERSPECTIVES