Autor: Naum Trajanovski

Vitet 1980-të dhe 1990-të maqedonase: oaz i paqes?

Shkolla për Hulumtime Sociale, Akademia e Shkencave të Polonisë

Për t’i kuptuar më mirë zhvillimet në Maqedoni në prag të, si dhe gjatë luftërave jugosllave, së pari lexuesi do të përfitonte nëse do të kishte një përmbledhje të përgjithshme të viteve 1980-të maqedonase dhe, në mënyrë mjaft ahistorike, të dekadës pasuese: vitet 1990. Duke ia nisur nga kjo e fundit, sidomos me pikën kritike të kthesës në vitin 1991, ekziston një nocion i përhapur se Republika e Maqedonisë, sot Maqedonia e Veriut, shteti federal më jugor i ish-Jugosllavisë, ishte e vetmja republikë që shmangu përgjakjen e armatosur në vitet 1990-të, prandaj shpeshherë i referohen si "oazi i paqes" në Ballkanin e asaj kohe. Parlamenti i parë pluralist maqedonas, që ishte rezultat i të ashtuquajturës “pranverë maqedonase" e fundit të viteve 1980-të dhe fillimit të viteve 1990-të, që shtjellohet më tutje, votoi në janar të vitit 1991 “Deklaratën e Pavarësisë” para se të propozonte referendumin për pavarësi më 8 shtator 1991. Plebishiti i suksesshëm, me më shumë se 95% të votuesve pro Maqedonisë së pavarur dhe sovrane (me “të drejtën për t’iu bashkuar një unioni sovran të shteteve jugosllave”), Kushtetuta e Maqedonisë e nëntorit 1991, prania e shtuar e komunitetit ndërkombëtar në vend dhe roli i Kiro Gligorovit, i cili vetë ishte veteran i L2B-së, anëtar i qeverisë së përkohshme maqedonase të kohës së luftës, zyrtar i lartë në Beograd për një kohë të gjatë dhe presidenti i parë i Maqedonisë pas-jugosllave, shtruan rrugën për marrëveshjen mbi tërheqjen paqësore nga territoret maqedonase të ushtrisë jugosllave të dominuar nga serbët dhe demokratizimin e mëtejshëm të shtetit maqedonas tashmë sovran. Marrëveshja Gligorov-Millosheviq u arrit në shkurt 1992, ndërsa ushtria jugosllave u tërhoq në shkurt dhe mars të të njëjtit vit. Ajo ishte dhe një ngjarje kritike për zbutjen e tensioneve rreth Maqedonisë në vazhdën e luftërave dhe shpërbërjes së Jugosllavisë.[1] 

Megjithatë, një sërë çështjesh të brendshme socio-politike dhe të jashtme, për të cilat mund të argumentojmë se shenjuan vitet 1990-të maqedonase, vunë në pikëpyetje vetë ekzistencën dhe të ardhmen eventuale të shtetit të ri pas-jugosllav: inter alia, skena medikatike e njëzëshme, privatizimi i kontestuar, ritmi i ngadaltë i investimeve të huaja dhe rritja e tensioneve etnike ndërshtetërore, por edhe refuzimi zyrtar grek për të njohur emërtimin e shtetit, Maqedoni, që u pasua nga embargoja e Greqisë në vitin 1994 dhe kriza që po shfaqej në Kosovën fqinje (1995-1999). Të gjitha këto ngjarje tronditën rëndë sigurinë ontologjike të qytetarëve maqedonas në vitet 1990-të. Një vëllim i redaktuar nga Instituti i Fondacionit për Shoqërinë e Hapur në Maqedoni i botuar në vitin 2001 me titullin Maqedonia 1989-1999 parashtron një perspektivë interesante për ngjarjet e lartpërmendura. Redaktorët i kanë pyetur autorët, që në atë kohë ishin ndër politikanët, ekonomistët dhe afaristët më të njohur maqedonas, “[p]se qytetarët maqedonas ndjehen të pasigurtë” dhe, parashikueshëm, të gjithë artikujt japin përgjigje pohuese, duke renditur arsyet e ndryshme për këtë ndjenjë të pasigurisë.[2] Për më tepër, “balanca e brishtë ndëretnike dhe ujditë delikatë politike"[3] të shtetit evoluan në vitin 2001 në një konflikt të armatosur shtatë-mujor që u zhvillua përgjatë vijave etnike: forcat shtetërore maqedonase dhe kryengritësit shqiptarë etnikë. Kryengritja nuk u shndërrua në luftë të hapur civile dhe u zgjidh me të ashtuquajturin Traktati Kornizë i Ohrit, një marrëveshje për paqen që ripërfytyronte realitetin e shtetit shumëetnik dhe institucionalizonte edhe më tej të drejtat e minoriteteve etnike. 

Shumë nga sa u përmend më sipër ishte rezultat i viteve 1980-të maqedonase. Dekada pas vdekjes së Titos ishte pika kulmore e “moszhvillimit ekonomik” të shtetit[4] me rritje të papunësisë dhe të borxheve të huaja dhe vendore, por edhe periudhë e përkeqësimit të marrëdhënieve ndëretnike në shtet. Vendimi i fundit të viteve 1980-të për të pezulluar Nenin 49 të Kushtetutës Jugosllave të vitit 1974 në Maqedoninë sociale, që e përkufizonte Maqedoninë si shtet-komb të maqedonasve dhe shtet të shqiptarëve, turqve dhe kombësive të tjera, është një nga episodet që shpeshherë anashkalohen në literaturën shkencore. Këtu, vepra e Sllavko Millosavleskit është me rëndësi të posaçme. Profesor i sociologjisë dhe anëtar i të ashtuquajturit fraksion liberal i Lidhjes së Komunistëve Maqedonas në vitet 1960-të dhe 1970-të, ai ishte ndër autorët e parë që vuri në dukje politikat jokonsistente, konservatore dhe madje nacionaliste të elitave sunduese maqedonase në vitet 1980-të.[5] 

Seria e ngjarjeve që pasuan Kongresin e 10-të të Lidhjes së Komunistëve Maqedonas duhet të shihen kundrejt kësaj prapavije. Paralelisht me rënien e Murit të Berlinit, ngritjen e Millosheviqit dhe trazirat në Rumaninë fqinje në atë kohë, partia sunduese në Maqedoninë socialiste votoi për ndryshimin e të ashtuquajturës elita “dogmatike” dhe solli në pushtet në fundin e vitit 1989 një brez të ri të politikanëve, duke zhvendosur kështu në mënyrë kritike rrjedhën politike të partisë dhe të shtetit. Pasuan një sërë reformash strukturore të tipit glasnost që mundësuan pluralizmin politik (fillimisht brenda Lidhjes së Komunistëve Maqedonas, në nivel shtetëror deri në fillim të viteve 1990), zgjedhje demokratike (që u mbajtën më 11 nëntor 1990 dhe përfunduan në dhjetor 1990, pas tri raundeve të votimit, ndërkohë që qeveria e parë pas-jugosllave, ekspertë, u krijua më 20 mars të vitit vijues) dhe një referendum për pavarësinë (që u votua me brohorima nga parlamenti maqedonas në gusht 1991, pak pas fillimit të veprimeve ushtarake në Jugosllavi).[6] 

Shtigjet antiluftë të arratisë

Mund të argumentohet se diskursi, aktivizmi dhe politika antiluftë në fundin e viteve 1908-të dhe fillimi i viteve 1990-të maqedonase ishin përpjekje kryesisht nga lartë-poshtë, të shtytura nga elitat. Në këtë drejtim mund të identifikohen dy trajektore kryesore. Së pari, është një tjetër vërejtje e rëndomtë se politikanët maqedonas të profilit të lartë kërkonin të negocionin, ose ndoshta, të zgjidhnin tensionet nacionaliste në rritje brenda organeve dhe strukturave shtetërore jugosllave. Në renditje kronologjike, mund të përmendim aktivitetet e Vasil Tupurkovskit, profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe anëtar i Presidencës Jugosllave në fundin e viteve 1980-të, i cili krahas me homologun e tij nga Bosnje e Hercegovina, Bogiq Bogiqeviq, “vepruan si negociatorë/arbitra” ndërmjet kampeve të procentralizimit (Serbia, Mali i Zi) dhe pro-decentralizimit (Kroacia, Sllovenia) në fillimin e periudhës së konflikteve të armatosura në Slloveni dhe Kroaci.[7] Tupurkovski ishte dhe një ndër anëtarët e presidiumit të cilët kundërshtuan shtytjen e Millosheviqit për ta margjinalizuar këtë organ kolektiv vendimmarrës në mars 1991 dhe për të marrë kontrollin e plotë mbi ushtrinë jugosllave.[8] 

Vetëm pak muaj më pas, në maj 1991, Presidenti maqedonas Kiro Gligorov, së bashku me Alija Izetbegoviqin, në atë kohë kryetar i Presidiumit të Bosnje e Hercegovinës, i propozuan një grupi të ashtuquajtur “Dymbëdhjetëshja Evropiane”, që drejtohej nga kryesuesi i Komunitetit Evropian Zhak Delor, projektin për rimodelimin e Jugosllavisë. Kjo nismë erdhi pas një sërë samitesh presidenciale ku Gligorovi dhe Izetbegoviqi “mbajtën qëndrime ndërmjetësuese” ndërmjet kampeve të procentralizimit (Serbi, Mali i Zi) dhe pro-decentralizimit (Kroaci, Slloveni).[9] Prandaj, duke u mbështetur tek parimi 2+2+2, dyshja e ashtuquajtur Gligorov-Izetbegoviq projektuan një federatë asimetrike si mjet për të shmangur shpërbërjen e Jugosllavisë, apo, sipas fjalëve të Misha Glenit, “e vetmja zgjidhje për krizën jugosllave që do të kishte mundur të përfundonte në mënyrë paqësore”.[10]

Disa autorë pajtohen për arsyet e këtyre hapave nga politikanët dhe elitat politike maqedonase. Ishte Federata Jugosllave që ndihmoi me finalizimin e ndërtimit të kombit dhe shtetit në periudhën pas L2B, që e strehoi shtetin nga grindjet dypalëshe përgjatë historisë dhe kujtesës dhe lundroi nëpër marrëdhëniet e ndërlikuara ndëretnike.[11] Prandaj, nuk është për t’u befasuar që nga fundi i viteve 1980-të, qytetarët maqedonas, kryesisht të etnisë maqedonase, i shihnin identitetet kombëtare (maqedonase) dhe mbikombëtare (jugosllave) si plotësues të njëri-tjetrit. Ljubica Spaskovska, në veprën e saj thelbësore Brezi i fundit jugosllav: të rimenduarit e politikave rinore dhe kulturave nga fundi i socializmit, shpalos qartë se edhe pse jugosllavët e rinj kishin “besim themelor tek projekti jugosllav” në vitet 1980, ishin të rinjtë maqedonas ata që kishin përqindjen më të lartë të përgjigjeve pohuese ndaj programit jugosllav për hulumtim mbi deklaratën e të rinjve: "Ndjenjat e përkatësisë jugosllave dhe përkatësia ime kombëtare nuk janë e njëjta gjë, por kam emocione për të dyja" (69%, me 61% mesatarja jugosllave).[12] Në të njëjtën frymë, do të ishte në Maqedoni (dhe Bosnje e Hercegovinë) ku “i vetmi opsion politik panjugosllav dhe joetnik” – Aleanca e Forcave Reformiste të Jugosllavisë e udhëhequr nga Kryeministri i fundit jugosllav Ante Markoviq – fitoi numër të konsiderueshëm të votave në vitin 1990.[13] 

Një sërë zhvillimesh të ngjashme mund të identifikohen si ajo që mund të përkufizohet në vija të trasha si embrioni i shoqërisë civile në Maqedoninë pas-jugosllave. Ana Devic, për shembull, vëren krijimin në vitin 1991 të të ashtuquajturit “Forumi Maqedonas për Lirinë e Informimit dhe Demokracisë” në Shkup nga një grup simpatizantësh të partisë së Markoviqit dhe Gligorovit, si "qendër për diskutime dhe takime të intelektualëve jonacionalistë". Ajo gjithashtu rendit edhe të përjavshmen Puls, krahas Forumit, si një tjetër platformë që mblodhi bashkë një grup më të ri të intelektualëve publikë, të cilët nga ana e tyre, ishin në gjendje të “shtjellonin dhe promovonin koordinatat ligjore për Maqedoninë shumëetnike, duke u fokusuar tek kritika ndaj përpjekjeve të partive nacionaliste të Maqedonisë për të penguar autonominë kulturore të popullsisë shqiptare të Maqedonisë”.[14]

Zgjedhjet e para demokratike dhe platformat e lartpërmendura ilustrojnë trajektoren e dytë: përpjekjet e shtytura nga elitat për të shmangur një luftë civile në Maqedoni, përgjatë vijave etnike dhe fetare. Përplasjet në fillimin e viteve 1990-të “për idenë bazë prapa konceptit të shtetit” ndërmjet elitave maqedonase dhe shqiptare u materializuan në bojkotim të votimit për kushtetutën dhe regjistrimit të popullsisë nga maqedonasit dhe shqiptarët,[15] ndërsa arriti kulmin në 1990 me episodet e fushatave politike kur tensionet nacionaliste arritën në kufijtë e konfrontimeve të armatosura. Sërish, do të ishte veprimi i elitave dhe trashëgimia socialiste e përfaqësimit politik, krahas me praninë e bashkësisë ndërkombëtare në shtet që ndihmuan në tejkalimin e tensioneve në rritje në fillim të viteve 1990-të: edhe pse përfaqësuesit e "minoriteteve etnike" morën pjesë në grupet e punës që hartuan kushtetutën, regjistrimin e popullsisë dhe disa nga ligjet më të kundërshtuara[16] vendimi i Partisë për Prosperitet Demokratik të shqiptarëve etnikë që të merrte pjesë në koalicionin qeverisës në vitin 1992 ishte “çelësi për stabilitetin e Republikës së Maqedonisë” dhe kështu i dha legjitimitet qeverisë së parë politike në historinë e vet demokratike.[17] 

Pasojat

Cilat janë sot narrativat publike mbizotëruese rreth fundit të viteve 1980-të dhe fillimit të viteve 1990-të maqedonas? Një shtjellim i shpejtë i diskurseve dhe i aktiviteteve përkujtimore shpalos tendencat mbizotëruese dhe propozon agjendën eventuale për hulumtim. Nga njëra anë, edhe pse 8 Shtatori festohet masivisht si festë shtetërore në Maqedoninë pas-jugosllave, ajo ka mbetur si festë që pothuajse ekskluzivisht përkujtohet brenda kampit etnik maqedonas që nga fillimi i viteve 1990-të: kryesisht si mjet për rilegjitimimim e identitetit etnik maqedonas.[18] Edhe pse përkujtimi i fundit shtetëror para pandemisë në vitin 2019 u shenjua nga përpjekjet për ta zhvendosur paradigmën përkujtimore rreth 8 Shtatorit, ngjarja kryesore u organizua në skenën e hapur “Guaska e detit” në parkun e qytetit të Shkupit (u përdor edhe metafora e “hapjes së guaskës” për të theksuar karakterin transetnik të ngjarjes), nën parrullën (në shumës!) "Ngjyrat e pavarësisë". Megjithatë, fjalimet e vitit 2020 me rastin e 8 Shtatorit riafirmuan narrativat politike mbizotëruese të pas-vitit 2001 lidhur me 8 Shtatorin: rezultatet e referendumit për pavarësi paraqiten si piketë e rëndësishme në historinë e ndërtimit të kombit dhe të shtetit maqedonas, ndërsa arsyet për bojkot të plebishitit, sikurse dhe atmosfera e përgjithshme para dhe pas referendumit, pothuajse shpërfillen.

Nga ana tjetër, kohëve të fundit po shtyhet përpara nga palë të ndryshme formale dhe joformale të interesit një qëndrim më i gjerë dhe më gjithëpërfshirës përkujtimor rreth fundit të viteve 1980-të dhe fillimit të viteve 1990-të maqedonase. Ia vlen të përmendet seria e intervistave me palë të ndryshme të interesit që kanë qenë aktive gjatë referendumit për pavarësi, që u zhvillua online nga platforma Sakam da kažam në mesin e viteve 2010.[19] Këto lloje të intervistave jo vetëm që ndihmojnë me demokratizimin e diskursit publik rreth 8 Shtatorit dhe vitet e para të sovranitetit të Maqedonisë, por i kontribuojnë edhe çelitizimit të diskursit për aktivizmin antiluftë jugosllav in toto – ku “rrëfimet e orientuara nga elita” janë një ndër arsyet kryesore për margjinalizimin e aktivizmit antiluftë në studimet e fundit të luftërave jugosllave.[20] Tashmë janë të dukshme disa rezultate paraprake: përkujtimet e kohëve të fundit të Shashko Geshovskit, një maqedonas 19-vjeçar, viktima e parë e luftërave jugosllave dhe një nga 54 maqedonasit që vdiqën si rekrutë të ushtrisë jugosllave në vitet 1990-të,[21] por edhe prania e shtuar në media e emrit të Dragoljub Bocinovit, gjeneral maqedonas i ushtrisë jugosllave dhe i pari Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Maqedonase, i cili kaloi 18 muaj në burg pasi refuzoi të bombardonte Splitin.[22] Këto ngjarje përkujtimore nga ana e tyre ofrojnë platforma për të diskutuar dhe kuptuar më mirë dinamizmin kompleks të diskurseve dhe praktikave antiluftë në fundin e viteve 1980-të dhe fillimin e viteve 1990-të maqedonase.

Naum Trajanovski është kandidat për doktoraturë në sociologji pranë Shkollës për Hulumtime Sociale pranë Institutit të Filozofisë dhe Sociologjisë të Akademisë së Shkencave të Polonisë. Ai ka punuar si koordinator i projekteve për Rrjetin Evropian të Kujtesës dhe Solidaritetit (2017) dhe si hulumtues pranë Fakultetit të Filozofisë, Universiteti Shën Kirili dhe Metodi, Shkup (2018-2020). Interesat më të mëdha akademike të tij përfshijnë politikat e kujtesës në Maqedoninë e Veriut dhe bartjen e njohurive sociologjike në vitet 1960 në Evropën Lindore. Ai është autor i një libri në maqedonisht të titulluar Operacijata Muzej: Muzejot na makedonskata borba i makedonskata politika na sekjavanje (Operacioni Muzeum: Muzeumi i Përpjekjes Maqedonase dhe politikat maqedonase të kujtesës; Shkup: Templum, 2020).


[1] Në kujtimet e tij, Gligorov përmend dy episode interesante nga fundi i viteve 1990-të: nga ana e një grupi të përkrahësve forcave politike djathtiste pati përpjekje të organizuar për të sulmuar shtabin e ushtrisë jugosllave në Shkup, që sipas Gligorovit, u ndalën nga kabineti i tij vetëm në çastin e fundit; Gligorovi gjithashtu kishte frikë nga ndonjë puç ushtarak gjatë tërheqjes së ushtrisë jugosllave nga Maqedonia, ndaj në një çast kritik, ai ka regjistruar një intervistë të vetën, që do të transmetohej vetëm në rast se e arrestonin. Në atë intervistë ai u bënte thirrje qytetarëve maqedonas për rezistencë jo të dhunshme dhe paqësore, ndaj puçistëve. Më shumë në Kiro Gligorov, Makedonija e sè što imame (Shkup: Kultura, 2002), 189-190.  

[2] Më shumë në Fani Karanfilova-Panovska (red.), Makedonija 1989-1999 (Shkup: Institut otvoreno opštestvo, 2001).

[3] Ljubica Spaskovska, “Shtetasit, minoritetet dhe refugjatët e Maqedonisë në labirintet post-komuniste të shtetësisë” seri e punimeve, Universiteti i Edinburgut (2010/05), 2.

[4] Ljubica Jançeva dhe Aleksandar Litovski, “Maqedonia dhe maqedonasit në Jugosllavi” në Jugosllavia nga perspektiva historike, red. Latinka Peroviq dhe të tjerë. (Beograd: Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, 2017), 179-180. Shih edhe Misha Gleni, “Çështja maqedonase” në Perspektiva ndërkombëtare për konfliktin jugosllav, redaktorë Aleks Dançev dhe Tomas Halverson (Londër – Nju Jork: Macmillan – St. Martin’s Press, 1996), 134-147.

[5] Shih monografitë e tij Dvete lica na sobitijata (Shkup: Zumpres, 1996); Istočna Evropa pomeu egalitarizmot i demokratijata (Shkup: IP Ljuboten, 1993), 133-179 dhe Makedonski kontroverzi 1990-2003 (Shkup: IP Ljuboten, 2004), 9-98. Shih edhe vëllimin e redaktuar të tij (bashkëredaktuar me Mirçe Tomovskin), të titulluar Albancite vo Republika Makedonija 1945-1995: Legislativa, politička dokumentacija, statistika (Shkup: NIP Studentski zbor, 1997).

[6] Më shumë për vijën kohore të viteve 1989-1991 maqedonase në Katerina Bllazhevska, “Deset godini makedonski pluralizam” në Makedonija 1989-1999, red. Fani Karanfilova-Panovska (Shkup: Institut otvoreno opštestvo, 2001), 121-132.

[7] Më shumë nga Ljubica Spaskovska, “Peisazhe të rezistencës, shpresës dhe humbjes: mbinacionalizmi dhe antinacionalizmi jugosllav” në Rezistenca ndaj së keqes: Grindjet antiluftë [pas-]jugosllave, redatorë Bojan Bilic dhe Vesna Jankovic (Baden-Baden: Nomos, 2012), 37-62.

[8] Blejn Harden, “Trazira politike jugosllave zgjerohet” The Washington Post, 19 mars 1991.

[9] Spaskovska, “Peisazhe të rezistencës,” 46.

[10] Misha Gleni, Rënia e Jugosllavisë: Lufta e Tretë Ballkanike (Londër – Nju Jork: Penguin Books, 1992), 153. Shih edhe: Vera Katz, “Platformë për të ardhmen e komunitetit jugosllav (Plani Izetbegovic-Gligorov): këndvështrim nga perspektiva e Bosnje e Hercegovinës” Politeja 30:4 (2014): 191-210; dhe Adriane Rubeli, “Kërcënimet ndaj sovranitetit: Çështja e Maqedonisë në vitet 1990-të” në Një çast në kohë, redaktorë Adriane Rubeli dhe Nina Vucenik (Vjenë: IWM, 2000), 1-15.

[11] Për një vështrim të përgjithshëm, shih Naum Trajanovski, Operacijata Muzej: Muzejot na makedonskata borba i makedonskata politika na seavanje (Shkup: Templum, 2020).

[12] Ljubica Spaskovska, Brezi i fundit jugosllav: rimendimi i politikave rinore dhe kulturës nga fundi i socializmit (Mançester: Manchester University Press), 92-97.

[13] Spaskovska, “Peisazhe të rezistencës” 46.

[14] Ana Devic, “Nismat antiluftë dhe zhbërja e identiteteve qytetare n ëish-republikat jugosllave” Journal of Historical Sociology 10:2 (1997), 138.

[15] Zhidas Daskalovski, "Konsolidimi demokratik dhe problemi i ‘pashtetësisë’: çështja e Maqedonisë” Global Review of Ethnopolitics 3:2 (2004), 52.

[16] Gejl Stokes përmend githashtu se Maqedonia ishte i vetmi shtet paskomunist në Evropën Lindore me kabinet shumëetnik në fund të vitit 1992 në punimin e vet Murët u rrëzuan: Kolapsi i komunizmit në Evropën Lindore (Oksford – Nju Jork: Oxford University Press, 1993), 252.

[17] Teuta Arifi, “Bezbednosta na zborot” në Makedonija 1989-1999, red. Fani Karanfilova-Panovska (Shkup: Institut otvoreno opštestvo, 2001), 137-143.

[18] Për më tepër, në vitin 2014, Aida A. Hoziq ka vërejtur se mungesa në Maqedoni e narrativave përkujtimore rreth shpërbërjes së Jugosllavisë në krahasim me përkujtimet globale të vitit 1989 në Evropën Qendrore dhe Lindore është e ndërlidhur ngushtë me mungesën e ndryshimit të prerë të ndërrimit të regjimit komunist/paskomunist në Maqedoni. Më shumë në kapitullin e saj “Ka ndodhur dhe diku tjetër: kujtimi i 1989 në ish-Jugosllavi” në Njëzetë vite pas komunizmit: politikat e kujtesës dhe përkujtimit, redaktorë Majkëll Bernhard dhe Jan Kubik (Oksford – Nju Jork: Oxford University Press, 2014), 149-151.

[19] Projekti, i titulluar 25 vjet pavarësi, shpalosi intervista ndër të tjerë edhe me organizatorët e ceremonies pas referendumit, politikanë maqedonas të etnisë shqiptare dhe me koordinatorin e pare.  

[20] Më shumë nga Bojan Biliq, “Angazhimi antiluftë (pas-)jugosllav: temë hulumtimi në pritje të vëmendjes” Filozofija i Društvo 4 (2011), 83-84.

[21] Sinisa Jakov Marusic, “Maqedonia e Veriut përkujton ushtarët e vrarë në luftërat jugosllave” BalkanInsight, 15 nëntor 2019.

[22] Shih, për shembull, “Trenerot na MZT Skopje Nazor go poseti grobot na general Bocinov,” Sloboden Pečat, 25 maj 2017.

PROČITAJTE I OVO

Çfarë është "Balkan.Perspectives"

 

Balkan.Perspectives është revistë rajonale që fokusohet tek ballafaqimi me të kaluarën në Ballkanin Perëndimor. Revista botohet nga forumZFD në katër (4) gjuhë dhe është bashkëpunim ndërmjet Bosnje e Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Revista ofron hapësirë për shumëllojshmëri të këndvështrimeve lidhur me ballafaqimin me të kaluarën nga i gjithë rajoni. Duke sjellë një sërë pikëpamjesh, ne synojmë të sfidojmë stereotipet dhe narrativat etnocentrike, të inkurajojmë mendimin kritik dhe debatin më të gjerë për këto tema, si dhe të fuqizojmë qasjet konstruktive ndaj ballafaqimit me ngjarjet e të kaluarës së afërme.


Ju mund të abonoheni në versionin elektronik të revistës duke dërguar një e-mail në adresën: balkan.perspectives@forumzfd.de.


Ne mirëpresim dhe çmojmë mendimet tuaja për revistën tonë dhe shpresojmë se do të kënaqeni duke e lexuar!



  Newsletter

BALKAN.PERSPECTIVES