Autor: Linda Gusia

Ekspozita “Data: Mars” - protestat dhe aktivizmi i grave në Kosovë

Foto: Ardit Hoxha and Majlinda Hoxha

Aktivizmi feminist ka histori të gjatë të fshirjes në harresë dhe të margjinalizimit. Amnezia historike që rrethon lëvizjet e grave i shndërron të gjitha përpjekjet për t’i nxjerrë në dritë gjenealogjitë dhe përvojat e tyre në një akt ndërhyrjeje në vetvete. Mirëpo, të argumentuarit për lëvizjet e grave kërkon trajtim të kompleksiteteve dhe të kontekstit historik ku janë shfaqur këto lëvizje. Përpjekjet akademike dhe artistike për të krijuar hartën e lëvizjeve dhe përvojave të grave duke i vendosur ato brenda kontekstit të tyre historik mund të japë një mundësi për t’i nxjerrë zbuluar strukturat e ndryshme që e bëjnë të mundur shtypjen e shumëanshme në jetët e grave.

“Data: marsi, aktivizmi i harruar i grave — Kosovë, mars 1998” u hap për publikun nga 30 gushti deri në 30 shtator 2018. Ekspozita ishte një përpjekje kuratoriale kolektive, e krijuar përmes bisedash rreth tryezave në kuzhina dhe restorante në Prishtinë, teksa kaloja me imtësi nëpër hulumtimin dhe arkivat e mi për doktoraturën. Ekspozita u shfaq në Galerinë Kombëtare të Kosovës përmes punës kuratoriale të artistëve Majlinda Hoxha dhe Nurhan Qehaja, hulumtuesve Linda Gusia dhe Korab Krasniqi dhe inxhinierit të zërit Dritero Nikqi. Miq të tjerë të panumërt: Nita Luci, Lirika Demiri, Jeta Rexha, Eliza Hoxha, Nita Zeqiri, Eremire Krasniqi, për të përmendur vetëm pak prej tyre, dhanë këshilla, ndihmuan dhe ndanë rrëfimet, kujtimet, fotot dhe idetë e tyre se si të krijohej një ekspozitë që rinis më shumë biseda gjithëpërfshirëse. 

Në kërkim për të krijuar një ekspozitë nxitëse, që i fton vizitorët të ndajnë përvojat, kujtimet dhe përshtypjet e tyre, ishim të vetëdijshëm se si dialogu reciprok e transformon të kuptuarin tonë të së kaluarës. Në hapjen e ekspozitës, ne nisëm të mbledhim reagime, kujtime dhe përshtypje të frymëzuara nëpërmjet bisedave joformale në ekspozitë, si dhe dokumentuam disa prej bisedave dhe takimeve. #datamarch u nis të kapë aspekte të ekspozitës dhe të çdo materiali apo kujtimi tjetër që pjesëmarrësit dhe vizitorët dëshironin të ndanin. Ekspozita po ashtu përfshinte edhe një grumbull me 5,000 fletë të bardha, pothuajse sa numri i grave që kishin qenë të pranishme në protestën “Thirrja për paqe” organizuar më 1 mars 1998. Fletët e bardha të letrës dhe lapsat ishin vendosur mënjanë mbi një stol, duke i ftuar njerëzit që të shkruanin, vizatonin dhe reflektonin. Në sfond, luheshin tingujt e fëshfëritjes së atyre fletëve të bardha, që shoqëronin fotografi të zmadhuara dhe të futura në kornizë nga njëra prej protestave më simbolike të asaj kohe.

Ekspozita u mor me protestat si një prej formave më të dukshme të aktivizmit, duke u fokusuar në një periudhë kohore specifike: mars 1998, kur lëvizja e grave organizoi 13 protesta nëpër rrugët e Prishtinës. Duke dokumentuar dhe nxjerrë në pah aktivizmin politike të grave, ekspozita nxori në dritë dhe shpalosi arkiva, duke i bërë të dukshme mënyrat se si gratë i kanë përvijuar hapësirat publike dhe kanë manifestuar subjektivitetin e tyre politik të asaj kohe. Duke theksuar artikulimet dhe simbolikën që përçonin këto protesta, ekspozita u ndërtua si një ftesë e hapur drejtuar hulumtimit dhe ndërveprimit me dokumenta, narrativa dhe përvoja personale dhe kolektive.

Ekspozita paraqiste katër protestat më të mëdha të organizuara nga gratë: ‘Është ora 12 për Kosovën — thirrja për paqe”, një protestë e mbajtur me qirinj aty ku tani është sheshi Nëna Tereze, marshin e njohur ‘Bukë për Drenicën’ dhe ‘Divorci paqësor’.

Materiali arkivor i shtypur në format të madh i shpalosur nëpër mure krijonte tension të rafinuar në sallë, me kujdesin për të kapur ndjesinë e të qenit pjesë e atyre protestave. Tingujt shërbenin si ngjitësi dhe përcaktonin tonin e ekspozitës për ato që kryesisht kishin qenë protesta të heshtura, shpeshherë duke përfunduar me thirrjen e pazëshme të fjalës “Lavdi!”. Tingujt fëshfëritës të fletëve të letrës që fluturonin në ajër mund të dëgjoheshin nëpër sallën e ekspozitës. Vetëm ata që kishin marrë pjesë në protesta i njihnin ata tinguj. Në një televizor të vjetër me një pajisje për video shfaqeshin video nga arkiva, duke i bërë jehonë jo vetëm nostalgjisë së ngjyrave dhe cilësisë së videos, por edhe natyrës së fragmentuar të asaj që regjistrohet, që përcillej në një qark të pandërprerë (kjo sidomos shihet në videon e marshit të famshëm ‘Bukë për Drenicën’). Nga ana tjetër dhomës, shiriti i kuq shtrihej në qendër të njërit prej mureve, duke shumëfishuar imazhin e grave gjatë protestës duke ngritur bukët lart në ajër. Muri me shiritin e kuq sillte në kujtesë edhe kordonët policorë që i ndalonin gratë të kalonin përtej, edhe fjongot që organizatoret e protesës lidhën në krahë për t’u vetëidentifikuar, për ta mbajtur protestën paqësore dhe për të shenjuar radhën e turmës së protestuesve. Në qendër të skenës së ekspozitës, vizitorët mund të uleshin krah më krah dhe të dëgjonin fragmente të intervistave nga pjesëmarrësit dhe organizatorët e protestave, në bashkëpunim me Iniciativa e Historisë Gojore në Kosovë. Këto intervista shpalosnin përvojat e ndryshme të së njëjtës protestë, duke ofruar pozicione dhe këndvështrime të ndryshme nga udhëheqëset e lëvizjes dhe protestueset: Albertina Binaku, Edita Tahiri, Eliza Hoxha, Flora Brovina, Lendita Cena dhe Vjosa Dobruna.

Kurimi i një shfaqjeje me material nga arkivat, fotografi, video dhe zë për të krijuar një platformë të narrativës kolektive të atyre protestave dhe për takime ndërbreznore të grave aktiviste ishte pika e nisjes për atë ekspozitë. Qëllimi ishte portretizimi i kompleksiteteve dhe kontradiktave të organizimit të lëvizjes së grave nga një vend i dhunës. Sot, teksa përballemi me aktivizmin e papërfunduar të lëvizjeve të grave, teksa njohim dhe mësojmë nga kufizimet, mendimet dhe praktika e tyre, kjo para së gjithash përfshin të gjithë të kuptuarin e ndërlidhshmërisë së padrejtësisë gjinore me të gjitha format e tjera të padrejtësisë. Sikurse kemi mësuar, për t’i rezistuar padrejtësisë, kërkohet prania e zërave dhe trupave tanë nëpër lëvizje.

Linda Gusia është sociologe dhe studiuese feministe. Ajo ligjëron në Universitetin e Prishtinës. Hulumtimi i saj ka në fokus temat gjinore, feminizmin, aktivizmin, hapësirën, kujtesën dhe dhunën. Ajo ka bashkëthemeluar Programin Universitar për Studime dhe Hulumtime Gjinore, UP. Aktualisht po hulumton dhe po punon për “Zhvillimi i Muzeumit të Arsimit: kujtesa, dhuna dhe rezistenca në sytë e artistëve, rinisë dhe institucioneve”. Ajo është edhe bashkëhetuese në ReSpace Rianimimi i Hapësirave të Kontestuara (ReSpace): dizajnimi i edukimit qytetar pjesëmarrës për dhe me të rinjtë në Kosovë dhe Ruanda, një projekt i një granti të madh në fazën e dytë që hulumton se si konceptet e hapësirës, metodave pjesëmarrëse përmes arteve mund t’i angazhojnë brezat ‘pas kujtesës' në Ruanda dhe Kosovë për të riimagjunuar hapësira specifike. 

PROČITAJTE I OVO

Çfarë është "Balkan.Perspectives"

 

Balkan.Perspectives është revistë rajonale që fokusohet tek ballafaqimi me të kaluarën në Ballkanin Perëndimor. Revista botohet nga forumZFD në katër (4) gjuhë dhe është bashkëpunim ndërmjet Bosnje e Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Revista ofron hapësirë për shumëllojshmëri të këndvështrimeve lidhur me ballafaqimin me të kaluarën nga i gjithë rajoni. Duke sjellë një sërë pikëpamjesh, ne synojmë të sfidojmë stereotipet dhe narrativat etnocentrike, të inkurajojmë mendimin kritik dhe debatin më të gjerë për këto tema, si dhe të fuqizojmë qasjet konstruktive ndaj ballafaqimit me ngjarjet e të kaluarës së afërme.


Ju mund të abonoheni në versionin elektronik të revistës duke dërguar një e-mail në adresën: balkan.perspectives@forumzfd.de.


Ne mirëpresim dhe çmojmë mendimet tuaja për revistën tonë dhe shpresojmë se do të kënaqeni duke e lexuar!



  Newsletter

BALKAN.PERSPECTIVES