ISSUE 13
Autor: Dafina Halili

Të sfidosh të vërtetën

Në fillim të vitit 2015 pata lexuar një artikull në “Balkan Insight” për 170 serbë, 90 prej të cilëve nga Kosova, që po e mirëprisnin edhe një tjetër Vit të Ri në Kërnjaça, e fundit qendër kolektive për refugjatë që kishte mbetur në kryeqytetin e Serbisë. Gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, shumë serbë etnikë ikën nga shtëpitë e tyre në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

Sipas të dhënave nga UNHCR-ja, në vitin 1999, mbi 200,000 civilë serbë ikën nga Kosova dhe udhëtuan në drejtim të Veriut, teksa trupat paqeruajtëse të NATO-s hynin në vend. Unë studiova raportimin e kufizuar lidhur me gjendjen e rrezikshme të ndoshta qindra serbëve të zhvendosur, të harruar, si nga Serbia, ashtu edhe nga Kosova.

Në shtator 2015, e gjeta veten në qendrën kolektive në Beograd, që konsiderohet si kampi më i keq i refugjatëve në Serbi, duke dokumentuar kushtet e jetesës së më shumë se 150 serbëve. Mbi 80 prej tyre ishin zhvendosur nga Kosova. I ndërtuar në vitet 1990 për të strehuar serbët e shndërruar në refugjatë brenda natës, kushtet e mjeruara të kampit i atribuoheshin faktit se barrakat e tij të thjeshta ishin ndërtuar shumë shpejt.

Pamjet tronditëse para meje dhe bisedat që pata me banorët e dëshpëruar, që jetonin në këtë qendër kolektive, ndikuan tek unë ashtu si nuk e kisha përjetuar më parë. Vura në pikëpyetje atë çka unë kuptoja se si gazetarët e dokumentojnë jetën pas luftës në ish-Jugosllavi dhe sa dija unë në të vërtetë për gamën e përvojave me të cilat janë përballur njerëzit gjatë luftës në Kosovë.

A nuk ishin edhe serbët e Kërnjaçës viktima të regjimit të Millosheviqit? Në përpjekjet e tij për të krijuar Serbinë e Madhe për të gjithë serbët, politikani famëkeq serb e shndërroi rajonin në teatrin më të përgjakshëm të luftës që kishte parë Evropa që nga Lufta e Dytë Botërore. Kur forcat serbe u tërhoqën, duke i dhënë fund fushatës së tyre për spastrim etnik dhe krime lufte në Kosovë, shumë civilë serbë u larguan nga frika e hakmarrjes së shqiptarëve të Kosovës. A nuk arsyetohej frika e tyre, duke patur parasysh përndjekjen që kishte ndodhur dhe vrasjet që u bënë pas përfundimit të luftës?

Artikulli që shkruajta në Kërnjaça në vitin 2015 ishte i dyti përmes të cilit eksplorova temën e ballafaqimit me të kaluarën. Artikullin e parë e kisha shkruar disa muaj më herët, për personat e pagjetur në Kosovë, të rrëmbyer nga forcat serbe, dhe për ankthin që ndjejnë familjet e tyre teksa vazhdojnë të presin informacione për më të dashurit e tyre.

Gjatë katër viteve të fundit kam raportuar më shpesh për tema të drejtësisë tranzicionale në Kosovë, kam shkruar artikuj për të mbijetuarit e dhunës seksuale të kohës së luftës, të mbijetuarit e vrasjeve masive të kohës së luftës, për njerëz, jetët e të cilëve kanë ndryshuar në mënyrë dramatike për të mbijetuar, që përpiqen të tejkalojnë traumat që kanë përjetuar dhe që rezultojnë në ankthet që i ndjejnë edhe sot, dhe për ata që nuk reshtin së kërkuari drejtësi.

Më është dashur kohë të kuptoj kompleksitetet e drejtësisë tranzicionale dhe të mekanizmave ekzistues për trajtimin e abuzimit masiv të të drejtave të njeriut. Pavarësisht specializimit të gazetarit apo njohurisë së tyre për terminologjinë e saktë, është jashtëzakonisht e rëndësishme që gazetarët, të cilët raportojnë për këto raste, ‘të jenë me këmbë në tokë’, të vëzhgojnë, të flasin me njerëzit dhe të përpiqen të kuptojnë përvojat e ndryshme dhe nevojat e atyre që kanë vuajtur dhe vazhdojnë të vuajnë nga pasojat e luftës.

Shumica e të mbijetuarave të dhunës seksuale të kohës së luftës në Kosovë janë gra shqiptare etnike. Thënë këtë, rastet e dhunës seksuale kundër burrave dhe grave joshqiptare, sidomos serbe dhe rome, gjithashtu meritojnë vëmendjen e mediave dhe diskutimeve publike.

Kur është fjala për të pagjeturit, mediat në Kosovë rrallëherë janë guximtare të raportojnë për 400 personat nga komuniteti serb dhe komunitete minoritet, që janë në radhët e 1,600 personave ende të pagjetur nga lufta. 

Në të gjithë rajonin, mediat vazhdojnë të shfaqin njëanshmëri kur raportojnë për ngjarjet, me zërat që zgjedhin të citojnë dhe t’u japin publicitet dhe se cilën anë të historisë tregojnë. Zërat dhe përvojat e grupeve minoritet pothuajse hiqen. Gazetarët kanë nuk ia kanë dalë të distancohen nga kujtesa kolektive e komunitetit të vet dhe nga narrativat sunduese që ndërlidhen me grupin etnik të cilit i përkasin.

Media zyrtare priret të përqendrohet tek rindërtimi dhe ridhënia publicitet e traumës, gjë që mund të viktimizojë dhe (ri)traumatizojë të mbijetuarit. Masakrat, varrezat masive dhe dëbimet që kanë ndodhur gjatë luftës mund të jenë njohuri që i kanë të gjithë, por media rrallëherë ndan informacion të duhur apo objektiv se si sistemet e drejtësisë në Kosovë dhe në Serbi i trajtojnë viktimat, se si legjislacioni i ka lënë në baltë disa grupe, apo se si, 19 vjet pas luftës, të mbijetuarat e dhunimeve ende nuk kanë qasje në kujdes shëndetësor pa pagesë, konfidencial dhe të sigurtë.

Nga gazetarët pritet të kërkojnë të vërtetën. Është në interesin e publikut që të konstatojmë të vërtetën për të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut dhe këto të vërteta t’i përfshijmë në kujtesën tonë më të madhe kolektive. Historia duhet të shkojë përtej dokumentimit, pavarësisht a raportojnë për dhunim, humbje të jetës apo persona të pagjetur. Konsiderata për jetën pas luftës, që përfshin progresin dhe dështimin e gjykimeve për krimet e luftës, dënimin e kryesëve, reparacionet për viktimat dhe përkrahjen e dhënë (ose jo) nga shteti, duhet të shoqërojnë çdo hetim gjithëpërfshirës gazetaresk për krimet që kanë ndodhur gjatë kohës së luftës.

Përkushtimi i vërtetë për dokumentim të saktë shpesh i çon gazetarët nga një histori tek tjetra. Raportimi për drejtësinë tranzicionale në Kosovë dhe në rajon vjen me përgjegjësinë intelektuale për t’u sjellë lexuesve histori dhe këndvështrime të reja, jo vetëm histori që thjesht riprodhojnë narrativat dominuese, të njëanshme. Gazetarët e përgjegjshëm dhe me etikë duhet të jenë të përgatitur të gërrmojnë dhe ta ekspozojnë të vërtetën, edhe kur e vërteta bie ndesh me narrativat dominuese të kohës së luftës apo kujtesën kolektive.

Dafina Halili është gazetare nga Prishtina, Kosova, e cila ka fituar çmime. Ajo punon si gazetare dhe redaktore kontribuuese për Kosovo 2.0, një platformë mediale e pavarur, ku mbulon kryesisht çështje të të drejtave të njeriut dhe drejtësisë sociale. Halili ka diplomë masteri në Diversitet dhe Media nga Universiteti Westminster Londër, MB.

Foto: Limbo e zhvendosur në Krnjaca, Dafina Halili

PROČITAJTE I OVO

Çfarë është "Balkan.Perspectives"

 

Balkan.Perspectives është revistë rajonale që fokusohet tek ballafaqimi me të kaluarën në Ballkanin Perëndimor. Revista botohet nga forumZFD në katër (4) gjuhë dhe është bashkëpunim ndërmjet Bosnje e Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Revista ofron hapësirë për shumëllojshmëri të këndvështrimeve lidhur me ballafaqimin me të kaluarën nga i gjithë rajoni. Duke sjellë një sërë pikëpamjesh, ne synojmë të sfidojmë stereotipet dhe narrativat etnocentrike, të inkurajojmë mendimin kritik dhe debatin më të gjerë për këto tema, si dhe të fuqizojmë qasjet konstruktive ndaj ballafaqimit me ngjarjet e të kaluarës së afërme.


Ju mund të abonoheni në versionin elektronik të revistës duke dërguar një e-mail në adresën: balkan.perspectives@forumzfd.de.


Ne mirëpresim dhe çmojmë mendimet tuaja për revistën tonë dhe shpresojmë se do të kënaqeni duke e lexuar!



  Newsletter

BALKAN.PERSPECTIVES