Autor: Hata Kujraković

Rëndësia e drejtësisë tranzicionale për anëtarësimin e Bosnje e Hercegovinës në BE

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE), apo më saktë, procesi i integrimit të Bosnje e Hercegovinës (BH) në BE është shtytësi kryesor për reforma, që përfshijnë edhe politikat e ballafaqimit me të kaluarën dhe trashëgiminë nga e kaluara. Kjo kryesisht nënkupton drejtësinë tranzicionale, që është një varg i tërë me procese që i ndihmojnë shoqërisë t’i kapërcejë ngjarjet tragjike nga e kaluara në mënyrë të tillë që të sigurojë dhe të mbrojë të drejtat e viktimave, të shpërfaqë të vërtetën, ndërkohë që përgjegjësit ndiqen dhe dënohen me synimin për të fuqizuar sundimin e ligjit në një mjedis pas konfliktit. Edhe pse drejtësia tranzicionale ende nuk është përfshirë formalisht në kapitujt e negociimit për anëtarësim në BE, ndërmarrja e hapave konkretë për përmirësimin e mjedisit të favorshëm për pajtim është pjesë e Opinioneve të Komisionit Evropian për kërkesën e Bosnje e Hercegovinës për anëtarësim, ndaj nuk ka asnjë shfajësim për shtyrjen e reformave. Duke mbajtur parasysh se anëtarësia në BE është një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Bosnje e Hercegovinës, puna aktive për tejkalimin e trashëgimisë së luftës duke themeluar mekanizmat e lartpërmendur është e nevojshme për këtë rrugë dhe rëndësia e saj parashtrohet në artikullin në vijim.

Për të arsyetuar pritshmëritë dhe për të përmbushur detyrimet që ka ky vend në rrugën e tij drejt Evropës, duhet bërë shumë më tepër. Është fakt se përveç tranzicionit nga lufta në paqe, Bosnje e Hercegovinës i është dashur të kalojë edhe nëpër tranzicionin nga një regjim autoritar në atë demokratik, që ende mban barrën e pasojave të luftës dhe të krizave të shpeshta politike. Organizimi institucional kompleks dhe mungesa e vullnetit politik janë arsyet kryesore për implementimin e ngadaltë të çdo lloj reforme, përfshirë dhe ato që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën.

Opinioni i BE-së për këtë çështje është i qartë – përkrahja e procesit të drejtësisë tranzicionale lëviz drejt krijimit të një kornize për ballafaqimin me të kaluarën që favorizon pajtimin dhe ndërtimin e së ardhmes për Bosnje e Hercegovinën në përputhje me vlerat evropiane. Lloji më aktual i mbështetjes për procesin në fjalë mund të shihet në kuadër të programit të përkrahjes IPA 2019 me titull “EU4 Drejtësinë Tranzicionale”, nëpërmjet të cilit BE-ja siguroi katër milionë euro për përmirësimin e gjykatave dhe prokurorive që merreshin me rastet e krimeve të luftës. Kjo është faza e katërt e përkrahjes që do të implementohet nëpërmjet projektit “Përmirësimi i punës me rastet e krimeve të luftës” deri në fund të vitit 2022 dhe është tregues i partneritetit të BE-së në implementimin e procesit të drejtësisë tranzicionale.

Miratimi i Strategjisë Shtetërore për Trajtimin e Rasteve të Krimeve të Luftës në vitin 2008 ishte hapi i parë drejt arritjes së drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës. Strategjia në fjalë parasheh trajtimin e rasteve më komplekse dhe më me prioritet të krimeve të luftës brenda shtatë viteve, ndërsa përfundimi i trajtimit të rasteve të tjera është planifikuar deri më 2023. Përcaktimi i përgjegjësisë së individëve për shkelje të të drejtave të njeriut dhe krimeve të luftës është një mekanizëm me rëndësi për drejtësinë tranzicionale që ofron mbrojtje ligjore dhe siguri në vend, duke fuqizuar kështu sundimin e ligjit. Për fat të keq, për shkak të problemeve si mungesa e planifikimit strategjik dhe numrit të pamjaftueshëm të prokurorëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë, hetuesve të patrajnuar si duhet dhe aktakuzave të shkruar dobët që citohen në analizën e Departamentit të Mbrojtjes Penale, periudha shtatëvjeçare skadoi në vitin 2015 pa e arritur qëllimin e përcaktuar.

Kjo është arsyeja përse në vitin 2020, pas dy vjet pritjesh, Strategjia Shtetërore për Trajtimin e Rasteve të Krimeve të Luftës e Rishikuar u miratua me qëllimin për t’iu dhënë përgjigje sfidave që cenonin trajtimin efikas të këtyre rasteve. Ajo u miratua bashkërisht me Shtojcën B, që nga afër përkufizon pjesët e ndërlidhura me raste nga Rregullat e rrugës së kategorisë A dhe për të cilat, Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) ka gjetur se ka prova të mjaftueshme për të ndjekur penalisht 848 persona mbi dyshimin e bazuar se kanë kryer shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Në Strategjinë fillestare, rastet nga kategoria A ishin klasifikuar bashkë me shumë raste të tjera të pazgjidhura që nuk i përkisnin kësaj kategorie, sipas vlerësimit të TPNJ-së, ndërsa Strategjia e Rishikuar, pra Shtojca B, është bërë prioritet në punën e prokurorive në Bosnje e Hercegovinë. Po ashtu, është përkufizuar edhe bashkëpunimi rajonal në ndjekjen penale të kriminelëve të luftës, si dhe mënyra e punës së Organit Mbikëqyrës për monitorimin e implementimit të Strategjisë së Rishikuar. Në mënyrë që Strategjia Shtetërore për Trajtimin e Rasteve të Krimeve të Luftës e Rishikuar të mos mbetet një formalitet i thjeshtë, është e domosdoshme që në periudhën në vijim të punohet për implementimin efektiv të saj në mënyrë që të mbyllen të gjitha rastet e krimeve të luftës brenda afatit të dhënë. Edhe pse ky mund të karakterizohet si një hap i vogël drejt arritjes së njërit nga 14 prioritetet e Opinionit të Komisionit Evropian, nuk mjafton që të arrihen qëllimet e drejtësisë tranzicionale.

Çka do t’i kontribuonte këtij procesi është miratimi i Strategjisë së Drejtësisë Tranzicionale, një dokument i cili që në vitin 2012 ka paraparë krijimin e një platforme për aktivitetet që ndreqin padrejtësitë, shërojnë traumat dhe parandalojnë përsëritjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe krimeve të luftës. Po ashtu, qëllimi i kësaj Strategjie është që të punojë me mekanizma jashtëgjyqësorë për të konstatuar faktet dhe për të thënë të vërtetën lidhur me ngjarjet që kanë ndodhur ndërmjet viteve 1992-1995, për të siguruar të drejtën për reparacion dhe për të ruajtur kujtesën kolektive si dhe për të implementuar reformat institucionale. Për fat të keq, kjo Strategji ende nuk është miratuar për shkak të mungesës së pajtimit politik. Miratimi dhe implementimi i këtij dokumenti e vendos fokusin tek të drejtat dhe interesat e viktimave dhe interesave të tyre, që do të ndikonte në punën aktive për zgjidhjen e problemeve ekzistuese dhe fuqizimin e besimit tashmë të dëmtuar rëndë në institucione. Deri atëherë, shkelja e të drejtave të njeriut do të vazhdojë dhe procesi i pajtimit drejt shërimit të shoqërisë pas konfliktit si dhe procesi i afrimit me BE-në do të mbesë në vendnumëro. 

Përveç sa u përmend më lart, situata aktuale në skenën politike është pengesë e madhe për zhvillimin politik të këtij vendi dhe i zhvlerëson viktimat e luftës dhe qytetarët e tij. Glorifikimi i i kriminelëve të luftës, mohimi dhe mosrespektimi i vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe dasitë rreth Amendamentit të Kodit Penal të Bosnje e Hercegovinës lidhur me ndalimin e mohimit të gjenocidit, krimeve të luftës dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës tregojnë për ekzistencën e politikave që nuk duan pajtim në Bosnje e Hercegovinë. Analiza e bërë nga forumZFD dhe TRIAL International lidhur me rregullimin e ndalimit të mohimit të gjenocidit dhe krimeve të luftës e përmend këtë sjellje si arsyetim të gjenocidit dhe mohim të krimeve të luftës për të ruajtur gjendjen e konfliktit që është bërë pjesë e aktivitetit të përditshëm politik. Kjo është një nga arsyet se përse ndalimi i kësaj sjelljeje ishte i nevojshëm.

Sa i përket Ligjit për Ndalimin e Mohimit të Gjenocidit dhe Krimeve të Luftës, që u imponua nga Përfaqësuesi i Lartë Valentin Inzko, është me rëndësi të shtohet se kjo nuk do të kishte ndodhur po të kishte patur vullnet politik për miratimin e këtij akti ligjor. Ligji është shumë domethënës, sepse parasheh dënime me burgim për mohimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës, por edhe për glorifikimin e kriminelëve të luftës. Përveç se ofron ndjesinë e drejtësisë për viktimat e luftës, ky ligj ofron edhe zgjidhje për problemin e gjuhës së urrejtjes, sepse parasheh sanksione për ata që nxisin dhunë ose urrejtje kundër një grupi apo një pjesëtari të një grupi në bazë të racës, ngjyrës së lëkurës, fesë, prejardhjes apo përkatësisë kombëtare ose etnike. Krijimi dhe trajtimi i rasteve do të jetë sfidues për Prokurorinë e Bosnje e Hercegovinës në ditët që do të vijnë për shkak të grumbullimit të tyre të mundshëm. Në të njëjtën kohë, revolta dhe refuzimi i përfaqësuesve politike nga Republika Srpska që të marrin pjesë në punën e institucioneve shtetërore të Bosnje e Hercegovinës tregon se nuk ka përgjegjësi për funksionin që ato kryejnë dhe se ende marrin kompensim financiar për rezultate të dobësta ose të munguara të punës.

Kjo lloj situate në vend është komplekse dhe nuk ka zgjidhje universale që do të ishte efektive brenda natës. Mirëpo qëllimi është që të arrihet statusi i vendit kandidat dhe në fund, anëtarësimi në BE, pastaj është më se e nevojshme që veprimet e zyrtarëve të përputhen me fjalët që thonë dhe me qëllimet e politikës së jashtme, që vetëm se janë shkruar e zeza mbi të bardhë për një kohë shumë të gjatë. Është e qartë se revizionimi dhe mohimi i së kaluarës janë kundërthënës në rrugën drejt BE-së për Bosnje e Hercegovinën, ndaj dhe është e nevojshme që të punohet për ta tejkaluar hendekun ndërmjet rrymave politike duke kuptuar rëndësinë e procesit të pajtimit dhe të ballafaqimit me të kaluarën, jo vetëm për anëtarësim në BE, por edhe për progresin shoqëror në përgjithësi.

Hata Kujrakoviq është studente e masterit në Çështje Evropiane pranë Universitetit Lund në Suedi dhe aktualisht punon si Zyrtare për Projekte për Iniciativën e Politikave të Jashtme të BH-së. Ajo ka diplomuar nga Departamenti për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Studime Evropiane pranë Universitetit Ndërkombëtar Burch në Bosnje e Hercegovinë. Ajo ka punuar për projekte që kanë të bëjnë me promovimin dhe përmirësimin e të drejtave të njeriut dhe njohuri e shkathtësi tek të rinjtë e Bosnje e Hercegovinës. Interesat e saj përfshijnë proceset politike në BE. Hata është bursiste e Fondacionit Njerëzimi në Veprim BH dhe e Iniciativës për Politika të Jashtme BH.

FILTRO

PROČITAJTE I OVO

Çfarë është "Balkan.Perspectives"

 

Balkan.Perspectives është revistë rajonale që fokusohet tek ballafaqimi me të kaluarën në Ballkanin Perëndimor. Revista botohet nga forumZFD në katër (4) gjuhë dhe është bashkëpunim ndërmjet Bosnje e Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Revista ofron hapësirë për shumëllojshmëri të këndvështrimeve lidhur me ballafaqimin me të kaluarën nga i gjithë rajoni. Duke sjellë një sërë pikëpamjesh, ne synojmë të sfidojmë stereotipet dhe narrativat etnocentrike, të inkurajojmë mendimin kritik dhe debatin më të gjerë për këto tema, si dhe të fuqizojmë qasjet konstruktive ndaj ballafaqimit me ngjarjet e të kaluarës së afërme.


Ju mund të abonoheni në versionin elektronik të revistës duke dërguar një e-mail në adresën: balkan.perspectives@forumzfd.de.


Ne mirëpresim dhe çmojmë mendimet tuaja për revistën tonë dhe shpresojmë se do të kënaqeni duke e lexuar!



  Newsletter

BALKAN.PERSPECTIVES