Autor: Irina Subotić

Nuk do të kenë sukses për ta shkatërruar jetën normale!

Në përpjekje për të përkufizuar tiparet e kësaj pranvere të pakapshme të vitit 2021 – largimi i ngadaltë i COVID-19 (a do të largohet përgjithnjë?) – shohim një grumbullim të qëndrueshëm, të vendosur, edhe pse jo mjaftueshëm të trazuar, të njerëzve kudo në Serbi, që kanë kërkesën e njëjtë ose të ngjashme: “Duam cilësi më të mirë të jetës!” 

Ky fillim i “kryengritjes ekologjike” nga organizata të shkëputura dhe të pavarura nga politika është shenja më e dukshme dhe e thellë se qytetarët e kanë kuptuar që është kapërcyer vija e kuqe dhe se institucionet janë “zënë në kurth”. Këta të fundit nuk po i kryejnë detyrat e tyre, nuk po kujdesen për interesin publik të qytetarëve apo për të drejtën e tyre që të jenë pjesëmarrës në vendimmarrje, sidomos kur është fjala për shëndetin dhe hapësirën e tyre të jetesës. 

I gjithë sistemi i kujdesit për qytetarët e ka humbur kuptimin. Nevojat e tyre nuk po merren parasysh: infrastruktura, komunikacioni – kryesisht trafiku, nevojat bazë si furnizimi me ujë dhe kanalizimet, shtëpitë e shëndetit, kopshtet dhe çerdhet, qendrat për të moshuar, si dhe sportet dhe hapësirat rekreative. Çdo kontakt konstruktiv me popullin është eliminuar, deri kur ata bëhen bashkë të revoltuar dhe këmbëngulin në kërkesat e tyre. Mendimet profesionale nuk merren parasysh, si për shembull mendimet e planifikuesve urbanë dhe arkitektëve të respektuar. Të gjitha veprimet udhëhiqen nga një qendër e vetme e pushtetit, që me sukses fsheh të gjitha informatat relevante për qytetin dhe të ardhmen e tij. E gjitha kjo mbahet e fshehtë, si ndonjë sekret shtetëror! Edhe kostoja tmerrësisht madhështore, e frikshme në konceptin e vet të turbullt, e tejmbushur me narrativa historike, e statujës së themeluesit të dinastisë së Nemanjiqëve. E ngritur në sheshin tashmë të zbrazët dhe të ftohtë, Sheshi Sava, para së gjithash ajo shihet si monument i sundimtarit aktual, i atij që i merr të gjitha vendimet, që zemërohet me bashkëqytetarët e tij, që i qorton, që i kërcënon me shpatën e vet të fuqishme, e që nuk përshtatet me murgun e përulur Stefan Nemanja.

E gjitha kjo mjafton për të vënë në dyshim ligjshmërinë e këtyre veprimeve, për të supozuar se në fakt janë përzier interesat personale me korrupsionin e pashmangshëm, përfshirë edhe investime me agjenda të fshehta në të gjitha nivelet. Institucionet përgjegjëse e kanë lejuar, duke i kontribuar kështu shkatërrimit të jetëve tona, të natyrës sonë dhe të mjedisit tonë në përgjithësi, të historisë dhe kulturës sonë. Qytetet e mëdha evropiane po e rrisin përqindjen e hapësirave të gjelbëruara me deri në 50%, ndërkohë që pyjet në Avalla, Koshutnjak, Zvezdara, në zonën rrotull Bariçit po priten; Parku Kombëtar Frushka Gora po shitet: qindra parcela tani janë në pronësi të bizneseve private dhe madje edhe burimet e çmuara të ujërave shëruese janë nën sulm. Ndërtesa të stërmëdha, të paligjshme po ngrihen në zona si Maja e Pançiqit në Kopaonik. 

Kjo nuk ka të bëjë vetëm me ujin, tokën, ajrin, pyjet, por edhe me nevojën maniake për të betonuar parqe, për të zbrazur sheshe qytetesh, për të ndryshuar planet urbane dhe për të ndërtuar objekte banesore të papërshtatshme nën udhëzimin e investitorëve që vendosin se si do të duket qyteti ynë, pavarësisht planifikimit urban, duke shkatërruar zona të tëra të mbrojtura urbane dhe natyrore, jo vetëm shtëpi indviduale me vlerë historike dhe kulturore. Beogradi nuk është qyteti i vetëm që po terrorizohet nga investitorët, por duket se qytetet e tjera në botë kanë patur pak më shumë sukses për t’i shmangur tekat dhe përfitimet e qeverive të korruptuara dhe të të favorizuarve të tyre. Ata kanë folur për “Mrekullinë e Gjelbër” – një “park i gjatë” nga Ura Pançevo deri në Ushqe dhe doli se në fakt ata po planifikonin një rresht të gjatë të ndërtesave banesore në vend të tij, që në fakt do ta ndërpresë kontaktin me Danubin. Cila është logjika pas këtij ndërtimi të shfrenuar të këtyre grumbujve të banesave, kur numri i qytetarëve serbë pakësohet çdo vit me rreth pesëdhjetë mijë, apo sa popullsia e një qyteze mesatare? A do të zhvendoset e gjithë Serbia në kryeqytet?

Intelektualët shkruajnë për “shfarosjen sistematike të normave dhe standardeve evropiane”. A ka dëgjuar dikush për ndonjë sundimtar nga mesjeta që të ketë dy rrugë që mbajnë emrin e tij dhe dy monumente në të njëjtin qytet, ashtu si ka Stefan Llazareviqi në Beograd?  E megjithatë, kryeqyteti ynë ende nuk ka (në nivel të pranueshëm, të pajisur, të kompletuar) një stacion qendror për trenë ose autobusë: që të dy janë jashtë funksionit, për shkak të ndërtimit të paligjshëm të të gjithë kompleksit Breguji i Beogradit që ka zënë një pjesë të stërmadhe të bregut të djathtë të lumit Sava, pothuajse aty ku bashkohet me Danubin, tek Ura Gazela. 

Një sërë veprimesh jotransparente janë të ndërlidhura me këtë projekt megalloman, që është për qytetarët më të privilegjuar dhe që e ndryshon tërësisht pamjen dhe perspektivën e qytetit tonë me grumbullin banesor të vrazhdë, pa imagjinatë në qendër të vendbanimit, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës private, investitorët e panjohur, ndërtuesit e panjohur, planet e paqarta, çfarë po ndërtohet, kush po blen dhe kush po paguan.

Janë duke u instaluar shadërvanet muzikorë më të shtrenjtë, monumente të pakuptimta po ngrihen si respekt i rremë për historinë, po planifikohet direku më i lartë në botë, po ndërtohen kulla të larta që të konkurrojnë me ato në Dubai dhe Abu Dabi, po përgatitet një metro “nga askund për askund”, si dhe e ashtuquajtura gondolë për të shkuar tek qendra tregtare me synimin e qartë që të shkatërrohet monumenti më i rëndësishëm i Beogradit – kalaja e tij. Kullat e Gollubacit veçse janë “modernizuar” me intervenime të papërshtatshme dhe Viminatiumi është shndërruar në Diznilendin tonë antik. Po bëhen përgatitje për të shkatërruar rrethojat e kishës më të vjetër të Shën Pjetrit në Ras, madje edhe ndërtesa prehistorike e Belo Bërdos në Vinça është e kërcënuar.

Nga ana tjetër, kisha ortodokse serbe, krejtësisht në bazë të tekave, vullnetit, shijeve dhe ideologjive të veta, po i ndryshon mjediset e brendshme të manastireve dhe tempujve të mbrojtur, duke krijuar mjedise të reja me shumë xixa të rreme, me mermer të bardhë e shumëngjyrësh, duke fshirë paturpësisht dhe pa asnjë skrupull gjurmët e historisë sonë dhe bukurinë e mbledhur ndër shekuj. E gjitha kjo mundësohet nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë sonë, nën arsyetimin se kisha nuk është nën juridiksionin e tyre.

Serbia është në kaos: mijëra deponi mbeturinash të pakontrolluara bartin mbeturina toksike të padegradueshme, pajisje shtëpiake, produkte plastike; pyjet po mbulohen nga mbeturinat dhe lumenjtë e mëdhenj po ndoten me materie fekale; përrenjtë e pastër të maleve po futen nëpër gypa; teknologjitë e papastra të impianteve të mëdha industrialë, sidomos ato në pronësi të kompanive të huaja, shkaktojnë sëmundje dhe vdekjen e mijëra njerëzve çdo vit; shumë vendbanime nuk kanë kanalizime apo furnizim me ujë. Tejpopullimi e Beogradit pa ndonjë infrastrukturë të përshtatshme dhe me bllokimet e përditshme të komunikacionit është provë se askush nuk kujdeset për cilësinë e jetës.

Vojvodina është lënë pa ujë të pijshëm, kryesisht për shkak të puseve të veta me naftë dhe derdhjeve të naftës. Burimet e ujit të pijshëm për qytetarët e Beogradit që jetojnë në Makish po kërcënohen nga ekskavatorët, metroja dhe vendbanimet e reja me qindra-mijëra banorë. Ishulli i Luftës së Madhe është i rrezikuar, ky oaz i gjelbër me habitate të specieve të shumta të shpendëve migrues dhe të tjera. Ujërat minerale dhe llixhat kudo në Serbi u janë shitur të huajve, bashkë me tokën bujqësore më pjellore, nëse nuk janë riklasifikuar si sheshndërtime.

Lufta për të parandaluar kompaninë e paskrupullt shumëkombëshe Rio Tinto nga helmimi i tokës dhe ujit kudo në Serbi vetëm për përfitime të veta, me premtime të rreme se qytetarët e Serbisë do të përfitojnë, ende po pritet të fillojë.

Plani i Përgjithshëm Urban (PPU) i ri i Beogradit po zhvillohet pothuajse në fshehtësi; autori (apo autorët) guximtar(ë) që do të sjellin bazën për planifikimin e qytetit deri në vitin 2041 nuk dihen. Për aq sa dimë, kjo punë u është besuar ekipeve profesionale ose specialistëve të njohur, por në të vërtetë gjithçka u është dhënë investitorëve, të cilët janë ata që në fund fare marrin vendimet për jetët tona. Dhe e gjithë bota e di cilat janë interesat e tyre.

Mund të vazhdojmë pa fund…

Prandaj, nuk është e pazakontë që qytetarët kudo në Serbi janë të revoltuar: ata ndjehen sikur jetët e tyre janë në rrezik, ata mblidhen, grupet e tyre gradualisht po rriten, të gjithë ecin në drejtimin e njëjtë të gjelbër, vijnë nga të gjitha drejtimet, me probleme të ndryshme, por gjithnjë me të njëjtin mesazh për jetë të shëndetshme. Gjithashtu, kjo bën bashkë grupe të shumta në Beograd: në Vraçar, në Rrugën Topolska, kundër uzurpimit të bregut të majtë të lumit Sava për ndërtimin e Bregujit të Beogradit, kundër shkatërrimit të Bllokut 37 në Beogradin e Ri apo të oborreve të shkollave në Zvezdara, të vendbanimit të mbrojtur Cerak Vinogradi, për ruajtjen e Kalemegdanit, Urës së Vjetër, bregut të lumit Zemun, Gardoshit, Topliçin Venacit, Parkut Vojvodi Vuk, pemëve në Dorqol, linjës së autobusit 28, hapësirave të gjelbra rreth sallës "Pionir".

Ka shembuj të panumërt të një numri në rritje të qytetarëve që ngrenë zërin e tyre dhe kjo është e vetmja shpresa se kushtet për jetë normale në Serbi do të rivendosen. Shpresojmë së shpejti...

Beograd, qershor 2021.                                                                                        

Përkthyer në anglisht nga: Luna Gjorgjeviq

Irina Subotiq (1941), historiane e artit dhe profesoreshë emeritus, jep mësim në nivelin master dhe doktoraturë në Beograd, pranë Universitetit të Arteve (Departamenti i UNESCO-s) dhe në Novi Sad, pranë Akademisë së Arteve dhe Departamentit të Dizajnit Skenik pranë Fakultetit të Arkitekturës. Ajo ka punuar si kuratore për Muzeumin e Artit Bashkëkohor dhe për Muzeumin Kombëtar në Beograd për shumë vite. Ajo është anëtare e shumë shoqatave profesionale dhe organizatave të shoqërisë civile: AICA, ICOM, Europa Nostra, Europa Nostra Serbia dhe La Renaissance Française. Fusha speciale e punës dhe interesave të saj përfshin artin modern, avangardën e viteve njëzetë dhe kujdesin joinstitucional për trashëgimi kulturore.

FILTRO

PROČITAJTE I OVO

Çfarë është "Balkan.Perspectives"

 

Balkan.Perspectives është revistë rajonale që fokusohet tek ballafaqimi me të kaluarën në Ballkanin Perëndimor. Revista botohet nga forumZFD në katër (4) gjuhë dhe është bashkëpunim ndërmjet Bosnje e Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Revista ofron hapësirë për shumëllojshmëri të këndvështrimeve lidhur me ballafaqimin me të kaluarën nga i gjithë rajoni. Duke sjellë një sërë pikëpamjesh, ne synojmë të sfidojmë stereotipet dhe narrativat etnocentrike, të inkurajojmë mendimin kritik dhe debatin më të gjerë për këto tema, si dhe të fuqizojmë qasjet konstruktive ndaj ballafaqimit me ngjarjet e të kaluarës së afërme.


Ju mund të abonoheni në versionin elektronik të revistës duke dërguar një e-mail në adresën: balkan.perspectives@forumzfd.de.


Ne mirëpresim dhe çmojmë mendimet tuaja për revistën tonë dhe shpresojmë se do të kënaqeni duke e lexuar!



  Newsletter

BALKAN.PERSPECTIVES