ISSUE 13
Autor: Dr. Lejla Turčilo

RAPORTIMI NË MEDIA PËR TË KALUARËN: VAZHDIMËSI E KONFLIKTIT APO NDËRTIM I PAQES?

Media është pushteti që e paraqet botën në një mënyrë të caktuar. Kjo është arsyeja pse ka aq shumë mënyra të ndryshme dhe të kundërta se si mund të ndërtohet të kuptuarit e botës. Është me rëndësi thelbësore se çfarë paraqitet dhe kush e paraqet, çfarë lihet anash dhe kur e bën atë dhe se si paraqiten gjërat, njerëzit, ngjarjet dhe marrëdhëniet.[1]

Ky përkufizim nga Dagllas Kellner (Douglas Kellner) ilustron rolin dhe përgjegjësitë e medias për të formësuar vetëdijen tonë dhe perceptimet që kemi për realitetin. Përgjegjësia e medias është veçanërisht e rëndësishme kur është fjala për raportimin e ngjarjeve dhe konflikteve nga e kaluara. Media është një nga aktorët apo agjentët më të rëndësishëm të ballafaqimit me të kaluarën dhe mënyra se si ajo e raporton atë të kaluar përcakton në masë të madhe mënyrën se si audienca dhe publiku e konfrontojnë atë të kaluar dhe mënyrën se si e kaluara ndikon të tashmen dhe të ardhmen.

Përgjegjësia e medias nuk ka të bëjë vetëm me qasjen e saj ndaj ngjarjeve nga e kaluara, me mënyrën se si paraqiten ngjarjet e kaluara apo me gjuhën që përdoret. Media ka rol shumë më të rëndësishëm në ballafaqimin me të kaluarën, që ka të bëjë me krijimin narrativave dominuese rreth së kaluarës dhe abuzim-përdorimit të atyre narrativave sot. Thënë thjesht, raportimet në media për të kaluarën mund të stërzgjasin, ngulitin apo thellojnë konfliktin ose mund të shndërrohen në mjet për ndërtimin e paqes. Se cilën qasje marrin media dhe gazetarët, kjo varet nga gjendja e tyre morale, kodi i tyre etik dhe vetëdija e tyre dhe si e kanë përbrendësuar përgjegjësinë e medias që të luajë në shoqëri rol emancipues dhe jo shtypës apo nxitës.

Kur është fjala për mënyrën se si media raporton për të kaluarën në Bosnje e Hercegovinë, madje dhe një vështrim sipërfaqësor në përmbajtjen e medias dhe qasjeve gazetareske, tregojnë shembuj të shumtë të gazetarisë joetike, joprofesionale, luftënxitëse dhe urrejtëse që mbështeten tek rikthimi i ngjarjeve nga e kaluara e afërt që u kanë shërbyer qëllimeve politike të ditës, si glorifikimi i kriminelëve, viktimizimi ekskluziv i njërës palë dhe mënyra përgjithësis joprofesionale e raportimi,t që nuk i kontribuon pajtimit apo nuk mundëson ndërmarrjen e hapave pozitivë përpara apo larg së kaluarës së luftës në Ballkanin Perëndimor.

Sigurisht, ka shembuj ekstremë, edhe pse organet mediatike që nuk raportonin për të kaluarën në mënyrë kaq joprofesionale në të kaluarën, kryesisht raportojnë vetëm në “raste speciale” (përkujtim i ngjarjeve të caktuara, gjykimet për krime lufte etj.), gjë që nuk i ndihmon të kuptuarit që ka publiku për ngjarjet e së kaluarës, por që kryesisht i paraqet si diçka që e pengojnë shoqërinë nga përparimi në aspekt politik dhe ekonomik (lufta si “shfajësim” për mosfunksionimin sot të shtetit dhe të shoqërisë apo lufta si “barrë” për të vazhduar jetën me të në kuptimin individual dhe kolektiv) pse, për më tepër, diçka që duhet të harrohet në interes të vazhdimësisë së bashkekzistencës dhe pajtimit (disa media e shmangin krejtësisht që të flasin për ngjarjet nga e kaluara ose e bëjnë këtë gjë në mënyrë “sterile”, duke mos përmendur emrat e kryesëve dhe viktimave, a thua se po flasin për ndonjë katastrofë natyrore, duke besuar se kjo qasje parandalon konfliktet e tjera). Qasjet e shumë organeve mediatike, kur raportojnë për të kaluarën, përfshijnë edhe fajësinë kolektive dhe sensacionin e vuajtjes, si dhe qasjen dominuese “ne dhe ata” – “ne” si viktima dhe luftëtarë për lirinë dhe drejtësinë dhe “ata” si pala fajtore dhe kryese e krimeve. Këto qasje nuk i kontribuojnë ndërtimit të paqes, por shtangies dhe vazhdimësisë së konfliktit.     

Si mundet media ose në ç’mënyrë duhet media të përpiqet të tejkalojë narrativa të tilla dominuese, dikotomike? Si mundet media të zhvillojë praktikë në përputhje me gazetarinë e paqes dhe të marrë përgjegjësi për raportimin e së kaluarës? Hapi i parë është të pranojnë përgjegjësinë, jo vetëm sa i përket interepretimit mediatik të ngjarjeve të së kaluarës, por edhe për rolin që ka luajtur media në krijimin e kushteve mundësuese për dhunë dhe luftë. Më 23 maj 2004, revista Nju Jork Tajms (New York Times) u kërkoi falje lexusve të vet, sepse i kishte shtyrë drejt konkluzioneve të pasaktë për ekzistencën e armëve të shkatërrimit masiv në Irak, që ishte dhe arsyetimi kryesor nga administrata e SHBA-ve për të pushtuar Irakun.

Media mundet (dhe duhet) të reflektojë objektivisht për rolin e tyre në ngjarjet e së kaluarës. Vetëm media dhe gazetarët që janë përballur vetë dhe që ia kanë dalë të analizojnë me objektivitet rolin e tyre në ngjarjet e së kaluarës dhe të kuptojnë përgjegjësinë e tyre në të tashmen dhe për të ardhmen mund të ndërmarrin rol aktiv në metodat e krijimit të gazetarisë për paqe dhe qasje që janë në përputhje me të. Kjo gjë do të kërkonte vendim të ndërgjegjshëm nga ana e redaktorëve dhe gazetarëve se për çfarë të raportojnë dhe si, në mënyrë që të krijojnë mundësi për shoqërinë që të zhvillohet në përputhje me vlerat jo të dhunshme dhe të ndërtojë qasje të përgjegjshme dhe objektive ndaj interpretimit të konflikteve të së kaluarës. Thelbi i gazetarisë për paqe mbështetet tek raportimi i balancuar, i drejtë dhe objektiv, tek kanalizimi i komunikimit për të kaluarën në mënyrë të tillë që i kontribuon paqes pozitive dhe jo asaj negative, tek edukimi i publikut dhe ndërtimi i besimit, tek dekonstruktimi i interpretimeve të rreme dhe keqdashëse të ngjarjeve të së kaluarës dhe tek analizimi i konflikteve në bazë të fakteve dhe jo në bazë të narrativave dikotomike apo opinioneve të njëanshme. Është punë e vështirë, por punë ku media dhe gazetarët mund ta marrin përsipër menjëherë dhe të merren me të vazhdimisht, për hir të publikut dhe për të ndërtuar paqe të qëndrueshme dhe pozitive.

Roli i gazetarisë për paqe nuk është thjesht interpretimi i duhur i ngjarjeve dhe ballafaqimi me të kaluarën. Gjithashtu,  media ka edhe potencial “parandalues”, që pasqyrohet në aftësinë e publikut për të reaguar ndaj ngjarjeve të së kaluarës në mënyrë edhe emocionale, edhe të arsyeshme, që nuk i thellon tensionet, por që e përcakton dhe shtjellon konfliktin në mënyrë të përgjegjshme, që gjen zgjidhje për pyetje dhe interpretime të pazgjidhura të së kaluarës dhe arrin konsensus për të kaluarën me qëllimin që të parandalojë konfliktet në të ardhmen. Media duhet ta shfrytëzojë plotësisht këtë potencial. Përndryshe, media shndërrohet në bashkëpunëtore të thellimit dhe stërzgjatjes së konfliktit.

Dr. Lejla Turçillo është profesore pranë Departamentit të Komunikologjisë dhe Gazetarisë pranë Fakultetit të Shkencave Politike, Universiteti i Sarajevës, ku ajo ligjëron këto lëndë: Teoria e Medias, Gazetaria e TV-së, Gazetaria Online dhe Media dhe Politika për studentë të nivelit BA dhe MA, si dhe lëndët Formësimi i Publikut të Ri dhe PR për nivelin PhD. Ajo është autore e tre librave të botuar dhe bashkautore në dy të tjerë, si dhe ka nxjerrë një doracak dhe pesë publikime hulumtuese. Përveç kësaj, Dr. Turçillo ka publikuar mbi dyzetë artikuj shkencorë dhe me ekspertizë në Bosnje e Hercegovinë, Serbi, Kroaci, Mal të Zi, Francë, Belgjikë, Gjermani, SHBA dhe Kolumbi. Ajo ka marrë pjesë në disa konferenca shkencore dhe të ekspertëve, si dhe në simpoziume në Bosnje e Hercegovinë dhe jashtë vendit. Ajo është drejtuese e Qendrës për Mësim Tërëjetësor pranë Fakultetit të Shkencave Politike, Universiteti i Sarajevës dhe Udhëheqëse e Departamentit të Komunikologjisë dhe Gazetarisë. Fushat e saj të interesit përfshijnë komunikimin online, komunikimin ndërkulturor, njohuritë për media dhe liria e medias.

Foto: Portret i autorit, Fakulteti i Shkencave Politike, uebfaqja e Universitetit të Sarajevës

 

[1] Lutemi të vëreni: Ky tekst është përkthim nga përkthimi, ndaj nuk është “citim i drejtpërdrejtë” në këtë formulim.

FILTRO

PROČITAJTE I OVO

Çfarë është "Balkan.Perspectives"

 

Balkan.Perspectives është revistë rajonale që fokusohet tek ballafaqimi me të kaluarën në Ballkanin Perëndimor. Revista botohet nga forumZFD në katër (4) gjuhë dhe është bashkëpunim ndërmjet Bosnje e Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Revista ofron hapësirë për shumëllojshmëri të këndvështrimeve lidhur me ballafaqimin me të kaluarën nga i gjithë rajoni. Duke sjellë një sërë pikëpamjesh, ne synojmë të sfidojmë stereotipet dhe narrativat etnocentrike, të inkurajojmë mendimin kritik dhe debatin më të gjerë për këto tema, si dhe të fuqizojmë qasjet konstruktive ndaj ballafaqimit me ngjarjet e të kaluarës së afërme.


Ju mund të abonoheni në versionin elektronik të revistës duke dërguar një e-mail në adresën: balkan.perspectives@forumzfd.de.


Ne mirëpresim dhe çmojmë mendimet tuaja për revistën tonë dhe shpresojmë se do të kënaqeni duke e lexuar!



  Newsletter

BALKAN.PERSPECTIVES