“I ka njeh 145 të vrarë në oborr”

Besim Zymberi e Skender Ferizi, ish-të burgosur politikë të dënuar me 11 dhe 14 vjet burg, panë me sytë e tyre mbi 150 shqiptarë të masakruar nëpër oborrin dhe pavijonet e Burgut të Dubravës në majin e vitit 1999. Por, edhe mbi dy dekada pas këtij krimi të shtetit serb, asnjë institucion i Kosovës nuk i ka ftuar të dëshmojnë tmerrin e atyre ditëve

 

Rexhep Maloku

Për muaj të tërë do t’i mbijetonin format më çnjerëzore të torturës. Ndaj tyre ishin përdorur elektroshoku, kërbaçi, uji valë, privimi i gjumit, shpimi i trupit me gozhda e lloj-lloj mjetesh. Shenjat e keqtrajtimeve brutale nuk u janë shlyer nga trupi as pas më shumë se njëzet vjetësh.

“Nuk kam mundur të gjej një fjalë të vetme në gjuhë që mundet me përshkru torturën që është ushtruar ndaj nesh”, thotë Besim Zymberi, ish-i burgosur politik. “Por, trupi i njeriut ish më i fortë se mund të merret me mend”, shton me qeshje Zymberi, teksa dëshmon bashkë me Skender Ferizin, gjithashtu ish-i burgosur politik. Zymberi rrëfen torturat e kryera ndaj tyre e shokëve në burgjet serbe. Ferizi e plotëson herë pas here me ndërhyrje të shkurtra. Zymberi, i cili në shtatorin e vitit 1998 ishte dënuar me 11 vjet burg si pjesë e grupit të Ferizajt prej 28 personash. Njëmbëdhjetë veprimtarë ishin arrestuar më 28 qershor 1998 nën dyshimin “për terrorizëm”. Të dytë i kishin hedhur poshtë akuzat. Ferizi, i cili ishte dënuar me katërmbëdhjetë vjet, njëherësh ishte pjesë e KMLDNJ-së, duke dokumentuar me aparat e kamerë për vite me radhë krimet kundër shqiptarëve të pafajshëm. Ai shpërthekon pullën e këmishës për të treguar shenjën e vidës së ngulur në gjoks nga inspektorët e UDB-së famëzezë të Serbisë. Shenja të ngjashme ka edhe afër kyçit të dorës së majtë dhe në këmbën e majtë. Grupi i Ferizajt ishte dënuar me 268 vjet burg. Torturat më të mëdha ndaj tyre ishin ushtruar në burgun e Gjilanit. Ferizi tregon fotografi të shkrepura gjatë vizitës që i kishte bërë dhomës së burgut tashmë të kthyer në muze në qytetin e Anamoravës. Në pranverën e vitit 1999, dy shokët kishin parë me sytë e tyre mbi 150 shqiptarë të vrarë e të masakruar në Burgun e Dubravës nga regjimi i Slobodan Milosheviqit, të cilit mediat ndërkombëtare i referoheshin si “Kasapi i Ballkanit” për orkestrimin e luftërave në ish-Jugosllavi.

 

Grumbullimi nga burgjet e Kosovës e të Serbisë

Në ditën e 19 majit 1999, me dy duart mbështetur në gjunjët e Ferizit ishte Abdullah Tahiri nga Malisheva e Gjilanit, në dhomën 2/31 në Dubravë derisa po bisedonin kur ra pllaka e betontë e tavanit. Tahiri nuk u mbijetoi plagëve të rënda. Pllaka ua mori jetën në vend dy shokëve të tjerë të dhomës, Enver Topallit dhe Gjok Ndrecës. Bomba e parë e NATO-s kishte rënë në hapësirën ndërmjet dhomës së Ferizit e Zymberit dhe Drejtorisë së Burgut të Dubravës. Të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë të sjellë – nga 29 prilli deri më 1 maj - nga burgjet e tjera të Kosovës dhe të Serbisë, e kishin pritur se Burgu i Dubravës do të ishte cak i Aleancës Veriatlantike.

“Nja 900—1.100 të burgosur, përfshirë edhe tridhjetë serbë, u mbajtën atje në momentin që filloi bombardimi i NATO-s, por të burgosur të tjerë u transferuan në Dubravë (përfshirë 150 gjakovarë), disa prej të cilëve vinin nga burgjet e vetë Serbisë”, thuhet në raportin prej qindra faqesh, “Nën pushtetin e urdhrave”, të organizatës “Human Rights Watch”. “NATO-ja bombardoi burgun më 19 e 21 maj, duke vrarë të paktën nëntëmbëdhjetë shqiptarë”. Në po të njëjtin raport, shkruhet se Burgu i Dubravës për muaj me radhë ishte përdorur si qendër koordinimi dhe e ndërmarrjes së aksioneve kundër fshatrave shqiptare përreth para fillimit të bombardimeve të aleancës më të fuqishme të botës në emër të së drejtës humanitare.

“Na nuk ia thoshim njëri-tjetrit, por krejt me vete e mendonim këtë. Na kishin grumbulluar në Dubravë, sepse për muaj me radhë ishte përdorur prej JSO-së, eskadrilës së UDB-së, që kishin ardhur nga Beogradi”, thekson Zymberi. “Kanë qenë krejt antenat, radarët, domethënë ka qenë cak ushtarak. Pra neve na kanë grumbulluar në Burgun e Dubravës se e kanë ditur se NATO-ja do të bombardojë”.

 

Gardianët dhe drejtoria “ikën pesë minuta para sulmit”

Ferizi e Zymberi thonë se të burgosurit serbë – të dënuar për krime të tjera – ishin dërguar para bombardimeve në një pjesë të burgut që nuk ishte cak sulmesh. “Por çka është interesant; pesë minuta para se të bombardonte NATO-ja, gardianët kanë dalë prej karaullës së objektit, çka do të thotë se ata e kanë pasur informacionin e saktë pak para sulmit”, tregon Zymberi. “Është interesant gjithashtu se në drejtori, që ishte përballë dhomës sonë ku ra bomba, ishte vetëm zëvendësdrejtori, që ka qenë Nexhmedin Kaliqanini, mysliman, por jo edhe drejtori dhe stafi tjetër”.

Të burgosurit e mbijetuar shqiptarë do të përballeshin me sulmet e tjera të NATO-s dy ditë me radhë. Personeli serb shikonte përanash. Ferizi e Zymberi kanë parë me sytë e tyre se si një cifël e bombave të NATO-s ia kishte prerë kokën një të burgosuri të palëvizshëm shqiptar. “Ishte në karrocë. Kam shkuar ia kam marrë kokën, ia kam tërhequr xhemperin përpjetë dhe ia kam futur kokën që ta kishte afër trupit kur ta gjenin”, tregon ai. “A një cifël, na ka kaluar mua e Skenderit ndërmjet kokave. Nuk i kemi pasur as pesë a dhjetë centimetra distancë, derisa po mundoheshim të mbroheshim me një xhup timin të lëkurës që e mbanim sipër kokës për t’u mbrojtur prej dheu që e hidhte plasja e bombave”, thotë Zymberi. Të dytë tregojnë se gjatë krejt kësaj kohe personeli i burgut dhe të burgosurit serbë të kthyer në vrasës kishin përgatitur planin për të bërë kërdi mbi qindra shqiptarët e mbledhur në Dubravë.

 

Masakër e planifikuar masive

“Të burgosurit serbë i kishin kthyer në ushtarë. Ata kanë vrarë bashkë me ta”, thekson Ferizi. “E më 22 dhe 23 maj kryhen tri sulme prej serbëve. Një paradite dhe një pasdite më 22 maj, dhe një paraditen e 23 majit”, thotë Zymberi.

“Më 22 maj, forcat e sigurimit serb rreshtuan afërsisht një mijë të burgosur në oborr dhe qëlluan mbi ta me snajperë, me mitraloza e me granata nga muret e burgut e nga kullat e rojës, duke vrarë 70 veta”, shkruan në raportin “Nën pushtetin e urdhrave” të HRW-së, ku ka edhe dëshmi të të mbijetuarve të masakrës. “Të paktën një dyzinë tjetër të burgosurish u vranë gjatë 24 orëve të ardhshme, ndërsa rojat e burgut, policët specialë e ndoshta 151 paraushtarakët sulmuan të burgosurit, të cilët fshiheshin në ndërtesat, bodrumet, kanalet e padëmtuara të burgut”.

“Të burgosurit ishin fshehur në puse të mëdha”, konfirmon Zymberi. “Ta zëmë në pusetë rrethore ishin futur dhjetë persona. Serbët hidhnin granata dhe i vrisnin të gjithë. A ta zëmë në puseta me tuba ishin dhjetë persona dhe vetëm i pari vritej prej granatës, të shpëtonin”, thekson Zymberi, duke thënë se atëherë në Burgun e Dubravës ishin mbledhur 953 të burgosur politikë shqiptarë. “121 të vrarë njihen me emra në lista. Por edhe dhjetëra të tjerë që nuk janë në lista”, thekson Ferizi. “Por kur e kanë shti një të burgosur me i njeh, ai vetëm brenda oborrit i ka njeh 145 të vrarë”, thekson Zymberi. “Por edhe disa të tjerë ishin te dera. Kishe i kanë vrarë duke ikur”, shton Ferizi, duke treguar se më 23 maj të gjithë të burgosurit ishin urdhëruar të rreshtoheshin për katër afër njërës prej kullave të vrojtimit me pretendimin e zyrtarëve të burgut se do të dërgoheshin në Burgun e Nishit. “Dhe aty kanë filluar të gjuajnë me mitraloza dhe armë të tjera. Aty janë vrarë më shumë se njëqind të burgosur”, thekson Ferizi, i cili ishte fshehur pastaj në kuzhinë. Ndërkohë disa të burgosur, përfshirë Ferizin të plagosur e Zymberin, kishin improvizuar një kurth me pjesë metalike të shtretërve në rast se do t’u afroheshin paramilitarët e gardianët. “E më 23 maj na kanë dërguar te salla e sportit. “Aty edhe jemi hallashtisur njëri me tjetrin, sepse menduam se tash do të na vrasin, por ndërkohë iu erdhi një urdhër, sepse i dëgjonim në radiolidhje derisa flisnin. Duket se kanë menduar se kanë vrarë boll se aty ishim rreth pesëqind, gjysma e të burgosurve”, thotë Ferizi, i cili me shumë të burgosur të tjerë, përfshirë të plagosurit, më 24 maj do të transferohej me kamionë në Burgun e Lipjanit

“Më 10 qershor, dy ditë para se NATO-ja të hynte në Kosovë, nja 2.000 të burgosur shqiptarë u transferuan nga Kosova në burgjet e Serbisë”, thuhet “Nën pushtetin e urdhrave”.

 

Indiferenca e Kosovës

Zymberi ishte dërguar në Burgun e Mitrovicës së Sremit. Ferizi në atë të Zabeles së Pozharecit në Serbi. Do të liroheshin në vitin 2002. Zymberi thotë se deri tani nuk e ka thirrur askush – e as ndonjërin nga të burgosurit me të cilët ka ruajtur kontaktet – për të dëshmuar për krimin serb në Dubravë. Thotë se një padi ishte ngritur më 2003 në Gjykatën e Pejës. Një kallëzim penal e kishte ngritur edhe Shoqata e të Burgosurve Politikë. Më 2011 edhe EULEX-i njoftoi për nisjen e hetimeve pa ndonjë rezultat konkret deri tani.. Një përpjekje më serioze ka bërë Fondi për të Drejtën Humanitare i aktivistes serbe, Natasha Kandiq, që i ka ofruar sistemit të drejtësisë në Serbi dëshmi dhe dokumentacione për krejt zinxhirin e përgjegjësisë për masakrën e Dubravës. Janë dhjetëra emra. (Fondi i së Drejtës Humanitare kishte vlerësuar se grupi i Ferizajt ishte më i torturuari në burg në ish-Jugosllavi prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, thotë Zymberi. Bilall Shala, Cen Dugolli e Rexhep Bislimi vdiqën prej torturave, ndërkaq Ahmet Hoxha e Enver Topalli në masakrën e Burgut të Dubravës).

Masakra e Dubravës ishte pjesë e procesit gjyqësor kundër Milosheviqit, regjimi i të cilit kishte ftuar në majin e vitit 1999 gazetarët e huaj në vendin e krimit, derisa po mundohej që të gjithë të vrarët t’i paraqiste si viktima të bombardimeve të NATO-s. Por Jacky Rowland, gazetare e BBC-së që gjatë dy vizitave të saj i kishte parë me sytë e vet shqiptarët e masakruar në Burgun e Dubravës, ia kishte thënë në sy se tmerri që kishte parë provonte përgjegjësinë e shtetit serb. “Po të qëllohesh nga një bombë – mos e bëftë Zoti – mendoj se do të mund të tregoja duke parë trupin tuaj nëse keni vdekur si pasojë e asaj mënyre të vdekjes”, do t’i thoshte Rowland, Milosheviqit, i cili vdiq pa iu shqiptuar dënimi meritor.

Zymberi beson se Tribunali i Hagës nuk ishte e interesuar ta vinte drejtësinë në vend për masakrën e Dubravës, sepse ishte e qartë se brenda një institucioni nën kontroll shtetëror ishte kryer gjenocid me urdhër të shtetit të Serbisë. “Kujt të duash jepja rastin, jepja kualifikimin, jepja parametrat, (Burgu i Dubravës,v.j.) ka qenë nën kontroll të shtetit, kishte të burgosur me aktgjykime shumica dhe nën procedurë, dhe ta vërteton se ishte gjenocid”, thekson me pezëm Zymberi. “Jemi grumbulluar qëllimisht prej krejt burgjeve. Sipas të gjithë parametrave të konventës ndërkombëtare të gjenocidit, ishte akt i pastër gjenocidal. Gjenocid i shtetit serb”.

© KOHA Ditore

(Ky shkrim botohet në bashkëpunim me forumZFD Kosovë, në kuadër të angazhimit “Përballja me të kaluarën”)

 

Fotolegjenda: Skender Ferizi (majtas) dhe Besim Zymberi para dy vjetësh në dhomën 15 – ku ishte mbajtur Ferizi - në Burgut e Gjilanit, të kthyer në muze. Aty kishin përjetuar torturat më çnjerëzore gjatë procesit gjyqësor më 1998

FILTRO

READ THIS ALSO