“Kohë e re” për të pagjeturit nga Kosova

Photo: Al Jazeera

Milica Kostiq

Njëzetë vite pas luftës në Kosovë, mbi 1,600 njerëz ende raportohen si të pagjetur. Prej tyre, më shumë se 1,100 janë shqiptarë të Kosovës, rreth 450 serbë dhe mbi 100 viktima boshnjake dhe rome. Sot, një nga pengesat kryesore për të kuptuar fatin e tyre është mungesa e gatishmërisë politike për të ekspozuar të vërtetën për veprimet shtetërore që çuan në zhdukjen e mijëra civilëve.

Në mars 1999, në përpjekje për të penguar hetimin e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), udhëheqësia e Republikës së Serbisë i urdhëroi ushtrinë dhe shërbimet e sigurisë serbe që të largonin çdo dëshmi për krime lufte të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Trupat u zhgroposën dhe u dërguan në Serbi në përpjekje për të mbuluar vrasjen masive të shqiptarëve etnikë në Kosovë. Deri më tani, operacionet për t’i gjetur këto trupa kanë rezultuar në zbulimin e katër varrezave masive në Serbi ku gjendeshin rreth 1,000 trupa të viktimave shqiptare të Kosovës.

Hetimi i policisë serbe të vitit 2001 është shembulli më i qartë se si mund të zhvillohet kërkimi për të pagjeturit në kushtet e duhura. Brenda vetëm një muaji, në Batajnicë, Petrovo Sello dhe pranë Liqenit Peruqac u zbuluan tre varreza masive ku gjendeshin trupat e rreth 900 shqiptarëve të Kosovës. Që atëherë, e vetmja varrezë masive tjetër që është zbuluar në Serbi është ajo në Rudnicë, pranë Rashkës, e zbuluar në vitin 2010. Këtu u gjetën mbetjet njerëzore të pak më shumë se 50 personave.

Përse ishte aq efektiv hetimi i vitit 2001? Sepse, faktikisht, pati vullnet politik për të gërrmuar në të kaluarën. Gjatë hetimit, grupi punues i ngritur nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë mori në pyetje njerëzit e duhur – brenda radhëve të veta. Deklaratat nga policët e përfshirë në lëvizjen e trupave treguan se atyre iu bënë pyetjet e duhura, të cilave ata iu përgjigjën me ndershmëri, duke qenë të vetëdijshëm se kishte ardhur një “kohë e re”. Në bazë të rezultateve të hetimit, tani ne e dimë se kush i përgatiti trupat për transport, kush i transportoi, kush i pranoi, kush i (ri)varrosi dhe, më e rëndësishmja, kush ishte përgjegjës për këtë operacion.

“Koha e re” tani ka kaluar.

Elitat politike dhe ushtarake të kohës së luftës në vitet 90-të, përfshirë kriminelët e luftës përgjegjës për vrasjen e civilëve shqiptarë të Kosovës dhe fshehjen e trupave të tyre në varreza masive tani janë rikthyer në poste publike. Media kryesore është nën kontrollin e tyre dhe sot, për shembull, ata u referohen varrezave masive në Batajnicë si “të supozuara”.

Zhvarrosja e varrezave masive në Rudnicë ilustron politikën e sotme, “kohën e re” më të fundit. Kur u zbuluan varrezat masive (në bazë të informacionit nga EULEX dhe jo të organeve të veta hetimore), zyrtarët serbë zhvarrosën trupat, i identifikuan dhe ua dërguan familjeve, pa hapur hetim se kush ishte përgjegjës për vdekjen dhe varrimin e tyre. Atëherë, Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) konstatoi se viktimat e gjetura në Rudnisë ishin vrarë në katër krime të ndryshme në rajonin e Drenicës. FDH-ja, gjithashtu, gjeti se në kohën e krimeve, rajoni kontrollohej nga Brigada e 37-të e Ushtrisë, nën komandën e Ljubisha Dikoviqit, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë në kohën kur u zbulua varreza masive. E gjithë “struktura” – politikanët në pushtet, përfshirë presidentin e asaj kohe, ushtria, prokuroria për krimet e luftës dhe media – mbajtën anën e Dikoviqit.

Ka shumë të ngjarë që së paku disa nga 1,000 të pagjeturit viktima shqiptarë të Kosovës të jenë nëpër varreza masive të pazbuluara në Serbi. Për më tepër, mund të supozojmë se këto varreza të fshehta janë brenda ose pranë hapësirave ushtarake dhe policore, sikurse ka qenë rasti me shumicën e varrezave masive të gjetura deri tani. Megjithatë, autoritetet shtetërore sistematikisht kanë bllokuar përpjekjet për t’i gjetur këto viktima, kryesisht duke u mohuar qasjen në arkivat ushtarake dhe policore, ku ka informacion lidhur me “sanitizimin e terrenit” dhe jo për ndjekjen penale të përgjegjësve për krime lufte.

Rreth 450 serbë nga Kosova që janë të pagjetur përfaqësojnë dëmet anësore nga policia e shtetit serb, që i jep prioritet mbrojtjes së individëve dhe strukturave shtetërore përgjegjëse për krimet e luftës kundrejt drejtësisë për viktima, përfshirë edhe për viktimat serbe. Pasojë e konfliktit ndërkufitar në ish-Jugosllavi është arritja e suksesit të kufizuar në kërkimin për të pagjeturit, që kërkon bashkëpunim ndërmjet vendeve si informacion dhe vetë viktimave që gjenden në territore të ndryshme. Kështu, një shtet si Serbia, që nuk është e interesuar të gjejë viktimat e të tjerëve nuk mund të presë reciprocitet kur të kërkojë të vetët.

Është e qartë se nuk do të shohim progres në kërkimin për viktimat e pagjetura ende, as për shqiptarët e Kosovës apo serbët, derisa nuk do të ketë vullnet politik për këtë. Nëse kjo ndodh ndonjëherë – nëse shohim ndonjë hetim të përkushtuar për kërkimin e trupave dhe për të zbuluar varreza të reja masive – kjo do të jetë një shenjë e qartë se Serbia e ka reformuar ushtrinë, policinë, strukturat gjyqësore dhe politike dhe kështu është e gatshme t’i bashkohet Bashkimit Evropian. Deri atëherë, ne do të vazhdojmë të shohim në televizion pritjet e ngrohta për kriminelët e luftës që kthehen nga Haga, të vetë atyre njerëzve që kanë vrarë civilë shqiptarë të Kosovës dhe i kanë larguar trupat e tyre nga Kosova në Serbi.

Milica Kostiq është ish-drejtoresha e programit ligjor të Fondit për të Drejtën Humanitare. Aktualisht, ajo është drejtoreshë e programit për drejtësi tranzicionale pranë Koalicionit Ndërkombëtar të Vendeve të Ndërgjegjes.

_____________________________________________________

The article is published in the regional magazine Balkan.Perspectives number 12.

The magazine can be found on the link: http://www.dwp-balkan.org/ko/bpm.php?cat_id=6&text_id=2

FILTRO

READ THIS ALSO