18 VITE MË PAS

Rastet e maqedonasve dhe shqiptarëve të rrëmbyer gjatë konfliktit të vitit 2001 mbeten ende të pazgjidhura

Zoran Andonov

Kanë kaluar 18 vjet që kur babanë tim, Kërsto, e rrëmbyen dhe e vranë. Ende më dhemb shpirti kur kujtoj atë që ndodhi më 24 korrik 2001. Thonë se koha i shëron të gjitha plagët dhe ndoshta është ashtu, por për familjen time dhe për mua, dhimbja vazhdon të jetë aty, sidomos kur e dimë se kriminelët përgjegjës ende nuk janë gjetur dhe as nuk janë dënuar” thotë Vojo Gogovski nga Neproshteno, një fshat pranë Tetovës.

Konflikti në Maqedoni ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), organizatë paramilitare e rebelëve shqiptarëve dhe policisë dhe ushtrisë së Republikës së Maqedonisë (PUM) nisi në Tetovë më 14 mars 2001.

Mbrëmjen e datës 23 korrik, situata në zonën pranë Neproshtenos u përkeqësua dhe popullata maqedonase u evakuua në fshatin fqinj Ratae. Familja ime ishte në mesin e tyre. Ditën tjetër, babai i im, i cili ishte tejet i shqetësuar për shtëpinë dhe pronën tonë në Neproshteno, tha: “Do të shkoj në shtëpi. Gjithçka që kam fituar gjatë jetës është aty. Nuk i kam bërë keq askujt dhe nuk kam arsye t’ia kem frikën askujt”. Rreth orës 5:30 pasdite ai na telefonoi dhe tha se ishte mirë dhe të mos shqetësoheshim. Ishte telefonata e tij e fundit. Sipas informatave që na dhanë më vonë, babai im, Kërsto Gogovski, u rrëmbye pasditen e datës 24 korrik 2001 në shtëpinë tonë nga pjesëtarë me uniformë të UÇK-së. Ende nuk e dimë se çfarë i ndodhi atij me të vërtetë atë ditë,” vazhdon Vojo Gogovski.

Fati i maqedonasve të tjerë të rrëmbyer në korrik dhe gusht të vitit 2001 ishte i njëjtë. Disa u rrëmbyen nga shtëpitë e tyre apo kur ishin duke punuar në ara, në Tetovë dhe në fshatrat rrotull. Në raste të tjera, askush nuk mund të konfirmojë se çfarë ka ndodhur. Ata thjesht u zhdukën.

Sipas të dhënave zyrtare shtetërore, 12 burra me origjinë maqedonase u rrëmbyen në rajonin e Tetovës ndërmjet korrikut dhe gushtit 2001. Mbetjet e Kërsto Gogoskit (*1934), Vasko Mihajllovskit (*1963), Dimitrie Dimovskit (*1941) dhe Simeon Jakimovskit (*1941) u gjetën në një varr masiv pranë fshatit Trebosh. Fati i Andre Ristovskit (*1967), Cvetko Mihajllovskit (*1949), Boban Jeftimovskit (*1972), Vasko Trajçevskit (*1953), Ilko Trajçevskit (*1953), Gjoko Sinadinovskit (*1954) Boshko Dimitrievskit (*1945) dhe Sllavko Dimitrievskit (*1952) ende nuk dihet, edhe pse supozohet se edhe ata u rrëmbyen dhe u vranë.

Më 13 gusht 2001, nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit i dha fund konfliktit. Disa muaj më pas, në tetor 2001, forcat e sigurisë maqedonase zhgroposën një varr masiv në afërsi të fshatit Trebosh, ku besohej se gjendeshin trupat e të pagjeturve. Kur në vendin e ngjarjes arritën ekipet mjeko-ligjore, ishte e qartë se ekskavatorët kishin zhgroposur trupat për të larguar provat e krimit. Sidoqoftë, ekipet mjeko-ligjore arritën të nxjerrin nga ai varr trupin pothuajse të paprekur të një personi dhe mbetjet e pjesshme të tre personave.

Në laboratorin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) u bë analiza e ADN-së së mbetjeve për të përcaktuar identitetet e individëve të gjetur në Trebosh. Edhe pse Instituti i Mjekësisë Ligjore kishte vërtetuar se gjetjet ishin 99 përqind të sakta, familjet e të rrëmbyerve nuk i pranonin rezultatet. Pastaj, mbetjet u dërguan në Bosnje e Hercegovinë, në Institutin e Tuzllës, ku analizat e ADN-së u konfirmuan plotësisht. Pavarësisht konfirmimit, familjet refuzuan t’i pranonin dhe t’i varrosnin ato mbetje.

Unë i pashë mbetjet e burrit tim Dimitrie, por vetëm 30% e kockave të tij ishin gjetur. Pjesët e tjera të trupit mungonin. Pra, ç’të bëja? Të bëja një funeral për disa kocka të burrit tim? Po sikur, pasi ta varrosnim, të gjendeshin pjesë të tjera të trupit të tij? Të organizonim një tjetër funeral? Sa funerale duhej të bënim: një, dy, pesë? Kjo do të ishte një traumë e madhe për familjen time dhe për mua pas gjithë asaj që i mbijetuam”, thotë me zë të hidhur Vena Dimovska, gruaja e Dimitrie Dimovskit, i cili u rrëmbye dhe u vra.

Familja e Vojo Gogovskit refuzoi të merrte mbetjet e Kërsto Gogovskit për shumë vite.

Trupi i babait tim u gjet në fund të varrit masiv në Trebosh, kështu që kur kriminelët e zhgroposën varrin, ata nuk arritën deri tek trupi i tij. Mirëpo për një kohë të gjatë ne nuk donim t’i merrnim mbetjet e tij, kryesisht për shkak të nënës time. Deri në çastet e fundit të jetës së saj, ajo besonte se burrin e kishte gjallë dhe se një ditë ai do të rikthehej tek ajo. Ne e organizuam funeralin e babait vitin e kaluar, pasi nëna ime vdiq”, shpjegoi Vojo Gogoski.

Në vitin 2014, në Neproshteno u ndërtua një park memorial, dedikuar viktimave të konfliktit të vitit 2001. 17 vjet pasi u gjetën, mbetjet e Kërsto Gogoskit dhe Vasko Mihajllovskit u varrosën në varrezën e fshatit Neproshteno. Ato pak kocka të Simeon Jakimovskit dhe Dimitrie Dimoskit, të gjetura para 18 vjetësh në vitin 2001, janë në frigoriferët e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Shkup.

Disa vite pas konfliktit u bënë zhgroposje pranë Neproshtenos, por kërkimet nuk dhanë asnjë rezultat. Që nga ajo kohë, autoritetet nuk kanë kërkuar më për trupat e 8 maqedonasve ende të pagjetur.

Familjet e të pagjeturve janë përfshirë në një betejë të gjatë me institucionet shtetërore që të mësojnë për fatin e të dashurve të tyre. Ata ende kërkojnë përgjigje nga policia, ushtria, politikanët dhe zyrtarët e huaj që kanë jetuar në Maqedoni në kohën e konfliktit, por askush nuk u jep informacion.

Në këtë vend nuk kemi me kë të flasim. Jemi grindur, kemi qarë dhe jemi lutur. Kemi folur me presidentin e asaj kohe, Boris Trajkovskin dhe me asistentin e tij në atë kohë, Stevo Pendarovskin, që tani është Presidenti këtu; kemi folur edhe me udhëheqësit e Organizatës së Brendshme Revolucionare Maqedonase—Partia Demokratike për Bashkimin Kombëtar Maqedonas (VMRO-DPMNE), me Partinë Social-Demokrate (SDSM) dhe me udhëheqësit partiakë shqiptarë, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, kujton Vena Dimovska, dukshëm e shqetësuar.

Familjet e maqedonasve të pagjetur janë përpjekur të gjejnë drejtësinë edhe përmes gjykatave. Ka qenë një proces i gjatë dhe i vështirë. Goditja e parë ligjore për familjet erdhi në vitin 2002, kur Parlamenti miratoi Ligjin për Amnisti, që i falte luftëtarët paramilitarë shqiptarë etnikë (UÇK) që luftuan kundër forcave të siugirsë maqedonase në vitin 2001. Goditja e dytë dhe më e rënda erdhi në korrik 2011, pikërisht 10 vjet pas rrëmbimeve dhe vrasjeve. Parlamenti i Maqedonisë miratoi një interpretim autentik të Nenit 1 të Ligjit për Amnisti, duke votuar për hedhjen poshtë të katër rasteve për krime lufte që ishin kthyer nga Haga, duke iu dhënë kështu amnistinë udhëheqësisë dhe luftëtarëve të UÇK-së që akuzoheshin se kishin orkestruar dhe zbatuar rrëmbimin dhe vrasjen e 12 maqedonasve etnikë (dhe një bullgari) në rajonin e Neproshtenos.

Ne ngritëm pranë gjykatave dy padi për maqedonasit e rrëmbyer gjatë konfliktit të vitit 2001. Njëra ishte padi civile kundër shtetit, e quajtur Neproshteno’, që kërkonte zhdëmtim për rrezikim nga terrorizmi. Në vitin 2005, padia përfundoi me urdhërin e gjykatave që shteti t’u jepte familjeve të personave të rrëmbyer shumat e duhura të kompensimit. Po ashtu inicuam edhe procedurë penale për rastin ‘Neproshteno’ dhe për rastin e dytë ‘Udhëheqësia e UÇK-së’, me të cilat kërkonim që palët përgjegjëse për krime lufte kundër civilëve të nxirreshin para gjyqit. Qëllimi ishte që këto raste të shkonin në Hagë, por u kthyen në Maqedoni. Në përputhje me interpretimin autentik të Nenit 1 të Ligjit për Amnisti, Parlamenti i Maqedonisë votoi për hedhjen poshtë të rasteve të kthyera për krime lufte dhe të gjithë pjesëtarët e UÇK-së u falën. Por le të dihet se krimet e luftës të kryera kundër popullsisë civile asnjëherë nuk vjetërohen, që do të thotë se ky rast mund të rihapet kurdo në të ardhmen”, thotë avokati Vanço Sehtanski, i cili ka përfaqësuar familjet në gjykatë.

Në vitin 2005, gjykata e Tetovës i shpalli zyrtarisht të vdekur të gjithë maqedonasit e rrëmbyer gjatë konfliktit të vitit 2001.

Nga konflikti i vitit 2001 nuk pësuan vetëm civilët maqedonas. Edhe komunitetet shqiptare etnike pësuan viktima dhe zhdukje. Hajredin Halimi nga Shkupi, Sulltan Mehmeti nga Struga dhe Xhelil Osmani nga Gostivari ende janë të pagjetur, ndërsa mbetjet e Ibrahim dhe Zekirija Veliut nga Shkupi dhe Islam Veliut nga Struga u gjetën në vitin 2004 në lokacione të ndryshme. Në vitin 2004 u gjet edhe trupi i një shtetasi bullgar, Radosllav Ballev.

Në fillim, familjet e shqiptarëve dhe maqedonasve të rrëmbyer punuan së bashku për të kërkuar përgjigje nga autoritetet lidhur me fatin e të dashurve të tyre. Por për arsye ende të paqarta, këto familje e ndërprenë bashkëpunimin e mëparshëm, ndaluan së kontaktuari me autoritetet dhe nuk janë në dispozicion për komente.

Edhe pse kanë kaluar 18 vjet, plagët e konfliktit të vitit 2001 ende nuk janë shëruar. Trupat e tetë maqedonasve të rrëmbyer ende nuk janë gjetur dhe mbetet e paqartë se përse u vranë ata shtatë shqiptarë. Edhe maqedonasit, edhe shqiptarët vazhdojnë të mbajnë zi për të dashurit e tyre.

Zoran Andonov është gazetar dhe korrespondent nga Tetova. Karriera e tij 30-vjeçare përfshin punën për gazetat Ve

er dhe Dnevnik, për stacionet televizive Kanal 5 dhe MTV dhe aktualisht, për portalin ‘Сакам да кажам’ (‘Dua të them’), një platformë me burim të hapur. Andonovi është edhe fotograf që ka mbajtur disa ekspozita solo dhe në grup.

____________________________________________________

The article is published in the regional magazine Balkan.Perspectives number 12.

The magazine can be found on the link: http://www.dwp-balkan.org/ko/bpm.php?cat_id=6&text_id=2

FILTRO

READ THIS ALSO