MUNDËSI PËR TË ZHVILLUAR MENDIMIN KRITIK

Në Bosnje e Hercegovinë, institucionet arsimore janë shndërruar në vende të mungesës së tolerancës. Për këtë arsye, nisma si projekti “Arsimi për Paqe” janë shumë të nevojshme, shkruan Aleksandra Letiq, menaxhere e programit të Komitetit të Helsinkit për të Drejta të Njeriut.

Edhe pse lufta në Bosnje e Hercegovinë ka përfunduar 22 vjet më parë, pasojat e saj janë ende shumë të dukshme në të gjitha segmentet e shoqërisë. Përvojat e dhimbshme të luftës, krizat politike dhe varfëria kanë rezultuar në shovinizëm, armiqësi mbi baza etnike, ksenofobi, mungesë të tolerancës dhe diskriminim, duke u shndërruar në modelin mbizotërues të sjelljes dhe të të menduarit. Komunitetet lokale, si qelizat bazë të ndërveprimeve shoqërore, janë ende të ndara. Edhe pse vendi ka shenjuar disi progres sa i përket reformave drejt demokratizimit të shoqërisë, Bosnje e Hercegovina vazhdon të mbetet thellësisht e ndarë përgjatë vijave etnike dhe politike, gjë që shtron rrugën për radikalizim të mëtejshëm, e madje edhe ekstremizëm.

 

Këto ndarje kanë ndërlikime të drejtpërdrejta në përditshmërinë e qytetarëve, sidomos për zhvillimin e personaliteteve dhe qëndrimeve të brezave më të rinj, të cilëve nuk u kujtohet periudha të bashkëekzistencës paqësore, mirëpo mbajnë mend vetëm periudha të tensionit, konfliktit dhe ndarjes. Të rritur në komunitete monoetnike, ku gjithçka që ka të bëjë me grupin etnik mbizotërues glorifikohet dhe ekzistenca e “të tjerëve” minimizohet ose shpërfillet krejtësisht, bën që të rinjtë të mos jenë në gjendje të perceptojnë një ardhme të bashkëekzistencës paqësore. Në të vërtetë, ajo mënyrë e rritjes përbën një bazë të fortë për marrëdhënie jotolerante, të mbyllura, dyshuese, madje të dhunshme në bazë të paragjykimeve dhe stereotipeve ndaj atyre që nuk i përkasin grupit “të tyre”.

 

Në të njëjtën kohë, proceset e ballafaqimit me të kaluarën – që i pranojnë faktet e vërtetuara për krime, kuptojnë modelet e konfliktit, çmitizojnë betejat dhe heronjtë e luftës, dekonstruktojnë narrativat e gjeneruesve të konflikteve në të kaluarën dhe të tashmen – janë sporadike dhe ekskluzivisht të pranishme vetëm në sferën e aktiviteteve të shoqërisë civile. Ka pak OJQ vendore dhe ndërkombëtare që përpiqen të nxisin ngritjen e kapaciteteve në sistemin arsimor të Bosnje e Hercegovinës për të mundësuar ruajtjen e statusit të kompleksitetit gjatë procesit të ballafaqimit me të kaluarën e dhunshme dhe për t’u distancuar prej saj. Megjithatë, përpjekjet e tilla janë kryesisht të izoluara, afatshkurtra dhe pa ndonjë mbështetje të konsiderueshme institucionale.

 

Në vend të mbështetjes për qasje të tilla, institucionet arsimore që janë më përgjegjëset për ''rrënjosjen'' e shkathtësive që nevojiten për të ndërtuar dhe ruajtur paqen tek brezat e rinj, janë shndërruar në vende të ndarjes, jotolerancës, etnocentrizmit dhe mosbesimit. Materialet mësimore që mbulohen në shkollat e mesme kryesisht fokusohen tek historia dhe kultura e komunitetit etnik dhe fetar mbizotërues, pa ndonjë vlerësim kritik apo kundërshtim të ngjarjeve apo akterëve nga vetë grupi i tyre etnik dhe fetar. Qasjet institucionale ndaj studimit të së kaluarës së afërt të dhunshme janë pothuajse joekzistuese.

 

 

Shkollat jo vetëm që ndjekin axhendat dhe skemat politike në Bosnje e Hercegovinë, por po e vendosin veten në asi pozicioni ku ato janë mjete për të manipuluar faktet dhe historinë. Ato janë shndërruar në vende ku aktet çnjerëzore mbrohen dhe arsyetohen dhe kështu, e bëjnë rilindjen shoqërore të paskonfliktit të pamundur. Detyra për t’u ballafaquar objektivisht me të kaluarën për të krijuar një të ardhme të përbashkët më të mirë dhe për të nxitur të kuptuarin ndërkulturor, kërkon mendje kritike që sfidon dhe eksploron, që u bën pyetje të ndjeshme, por kyçe, atyre që e rrethojnë. Ky lloj shpirti duhet të krijohet nëpër shkolla, mirëpo është diçka që rrallëherë gjendet këto ditë nëpër institucionet arsimore të Bosnje e Hercegovinës.

 

Pra, fakti që shoqëria në përgjithësi dhe politika shpërfillin aktivitetet që përqendrohen tek ballafaqimi me të kaluarën dhe ndërtimi i paqes ka një ndikim të drejtpërdrejtë tek mënyra se si sistemi arsimor i adreson këto tema. Rrjedhimisht, të rinjtë gjithnjë e më shumë janë të prirur të riprodhojnë urrejtjen, jotolerancën, frikën ndëretike dhe ndërfetare, izolimin dhe madje të mbështesin gjeneruesit e konfliktit në nivel lokal dhe vendor. Shpërfillja e nevojës për të hapur për diskutim tema të ndjeshme dhe të dhimbshme nga e kaluara e afërt, sidomos mes të rinjve dhe sidomos në kuadër të arsimit formal, po ia mbyll derën mundësive për të arritur ndryshim shoqëror pozitiv në afat të gjatë, diçka që është më se e nevojshme, nëse duam të përparojmë.

 

Projekti ''Arsimi për Paqe'', që implementohet nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut gjatë viteve të fundit ka si synim të rikthejë funksionin arsimor të shkollave përmes bashkëpunimit me mësimdhënësit. Ai i kontribuon ngritjes së kapaciteteve të tyre në aspekt të ballafaqimit me të kaluarën dhe iu mundëson të rinjve të inicojnë dialog kritik rreth të kaluarës. Jemi shumë të bindur se mësimdhënësit e ndershëm e kuptojnë rëndësinë e këtij dialogu, mirëpo edhe rolin e tyre në të.

 

Ndryshimet duhet të ndodhin në nivel institucional, personal dhe strukturor. Besojmë se mësimdhënësit që kanë përftuar shkathtësi të ndërlidhura me ndërtimin e paqes, bashkëpunimin ndërkulturor dhe pajtimin kanë aftësinë të krijojnë orë mësimore inovative. Ata mund të shndërrohen në avokues të ndryshimeve pozitive dhe t’u mësojnë studentëve vlerat kyçe për një bashkëjetesë paqësore në Bosnje e Hercegovinë sipas shembullit të tyre. Besojmë se të rinjtë që kanë mundësinë të mësojnë për të kaluarën në mënyrë të paanshme, të kuptojnë dhe të kontekstualizojnë faktet për modele dhe politika të krimeve që u kryen, kanë një mundësi për të zhvilluar mendimin kritik. Kjo gjë nuk i rrezikon identitetet e tyre, por çon drejt dialogut, bashkëpunimit, respektit dhe mirëkuptimit. Besojmë se shkollat që zbatojnë metodat e ndërtimit të paqes, pajtimit dhe të kuptuarit ndërkulturor do të shndërrohen në vende më të mira për të nxënë dhe për t’u shoqëruar. Me kalimin e kohës, ato bëhen çfarë është dashur të jenë që nga fillimi, pra, institucione arsimore që edukojnë brezat e rinj për t’i bërë individë të ndërgjegjshëm dhe të aftë. Këta individë do të formësojnë vendin tonë në të ardhmen dhe do ta bëjnë një vend të këndshëm për jetesë për të gjithë qytetarët e vet.

 

--

Aleksandra Letiq është menaxhere e programit të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Ajo është marrë me proceset e ballafaqimit me të kaluarën në Bosnje e Hercegovinë dhe në vendet e ish-Jugosllavisë për më shumë se dhjetë vjet dhe ka qenë anëtare e Grupit Punues të Ekspertëve të Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës që ka patur si detyrë të zhvillojë Strategjinë e Drejtësisë Tranzicionale të Bosnje e Hercegovinës. Ajo angazhohet rregullisht në programe edukative për të rinj që lidhin proceset formale dhe joformale të arsimimit.

FILTRO

READ THIS ALSO