UDIK-ICMP: NË SARAJEVË SHËNOHET DITA NDËRKOMBËTARE PËR PERSONA TË PAGJETUR

Asociacioni për Hulumtim Social dhe Komunikim (UDIK), në bashkëpunim me Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur (ICMP) dhe Rrjetin për Ndërtimin e Paqes, organizoi më 30 gusht shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Persona të Pagjetur. Ngjarja u shënua para një memoriali për fëmijët e vrarë të Sarajevës gjatë rrethimit të saj.

Me këtë rast, u prezantuan “skulpturat e gjalla”, që janë instalacione të dizajnuara nga anëtarët e familjeve të personave të pagjetur. Këo instalacione paraqesin më të dashurit e tyre dhe kanë për qëllim përfshirjen e qytetarëve në dialog, ndërkohë që shpjegojnë rëndësinë e problemit të personave të pagjetur.

Gjatë përkujtimit, u theksua edhe një herë se familjet e personave të pagjetur kanë të drejtën të dinë të vërtetën mbi fatin e më të dashurve të tyre. Shoqëria në përgjithësi e ka për obligim ligjor e moral t’iu ndihmojë atyre në kërkimin për fatin e familjarëve. Pjesëmarrësit në ngjarje u ftuan ta nënshkruajnë një peticion që u bën thirrje autoriteteve të vazhdojnë përpjekjet për lokalizimin dhe identifikimin e personave që janë ende të regjistruar si të pagjetur.

 

“Për ne, është rrënuese që edhe pas 20 vjetëve, ne si përfaqësues të shoqërisë civile jemi ende duke folur për një numër aq të madh të personave të pagjetur në Bosnjë e Hercegovinë dhe në rajonin e ish-Jugosllavisë. Për këtë arsye, kjo mbledhje, por edhe kjo formë e përkujtimit, ka për qëllim t’i bëjë shtetit sa më shumë presion që është e mundur për një kërkim më gjithëpërfshirës e më të shpejtë për të pagjeturit në Bosnjë e Hercegovinë”, tha koordinatori i UDIK-ut, Edvin Kanka Qudiq.

 

Numri total i të pagjeturve në Bonjë e Hercegovinë sillet rreth 34,965. Kërkimet janë duke vazhduar për 7 mijë persona. Për këtë arsye, ne përkujtojmë të gjithë personat e pagjetur dhe shprehim mbështetjen për familjet e tyre që ende nuk kanë qenë në gjendje ta jetësojnë të drejtën e tyre themelore njerëzore – gjetjen e së vërtetës mbi fatin e më të dashurve të tyre.

Ne kujtojmë faktin se Kombet e Bashkuara, me nismë të asociacioneve latino-amerikane që mblodhën familjet e personave të pagjetur dhe të njerëzve të zhvendosur me dhunë, e përcaktuan 30 gushtin si Ditën Ndërkombëtare për Personat e Pagjetur. Kjo ditë është një ngjarje me rëndësi madhore e vitit që shërben për ta risjellë ndër mend rëndësinë e zgjidhjes së rasteve të personave të pagjetur, por edhe për të rritur vetëdijësimin e publikut për çdo informatë mbi personat e pagjetur.

FILTRO

READ THIS ALSO