Projekti Zetra: Kujtimet e koncertit rrok jugosllav për paqe

Burimi: http://www.balkaninsight.com/

Kujtimet e njerëzve të një koncerti të madh kundër luftës, të organizuar në Sarajevë në vitin 1991, po mblidhen për një projekt i cili vepron gjithashtu si një paralajmërim për rreziqet e nacionalizmit në Europën bashkëkohore, thotë krijuesi i tij.

Sasa Dragojlo BIRN Beograd 

Kur nisi lufta në ish-Jugosllavi në vitin 1991, 14-vjeçari serb Danijel Viseviç ishte me kilometra larg, në Frankfurt, Gjermani, duke dëgjuar Guns N’ Roses, Die Arzte dhe Nirvana dhe i dashuruar me shoqen e tij të klasës Ninën, aspak i ndërgjegjshëm për ato që po ndodhnin në atdheun e prindërve të tij.

Sot, Viseviç është një gazetar gjerman dhe krijues i Projektit Zetra, i cili synon të gjejë njerëz që shkuan në koncertin më të madh rok jugosllav kundër luftës në Pallatin e Sportit Zetra të Sarajevës më 28 korrik 1991, për të mbledhur historitë e tyre 25 vjet më vonë dhe të përpiqet t’i përgjigjet pyetjes: “Pse shpërtheu një luftë që s’e donte askush?”

Viseviç mësoi rastësisht për koncertin në Zetra ndërsa kishte hyrë ne Youtube të kërkonte këngë rrok jugosllave, duke pirë verë dhe dukë festuar mbylljen e romanit të tij, i cili trajton gjithashtu eksperienca të luftës.

“Por gjeta këtë koncertin krejt rastësisht dhe u mrekullova dhe njëkohësisht u zemërova që nuk e kisha idenë se çfarë kishte ndodhur dhe se njerëzit ishin kundër luftës,” tha Viseviç për BIRN.

“Koncerti më ndryshoi me 180 gradë këndvështrimin që kisha për luftën dhe popullin në Ballkan. Kisha idenë tipike perëndimore të luftës dhe kjo ndikohej nga stereotipi që kombet jugosllave thjesht pritën të vdiste Tito që të mund të vrisnin njëri-tjetrin. Por koncerti dhe shumë veprime të tjera individuale apo në grup më treguan se kjo s’është e vërtetë,” tha ai.

Koncerti u organizua dhe transmetua nga stacioni televiziv jugosllav Yutel nën banderolën “Yutel për paqe”.

Ishe kulmi i protestave për paqe në Jugosllavi që bashkonte aktivistë nga i gjithë vendi me grupe të njohura rroku në një përpjekje të përbashkët për të parandaluar luftën.

“Për një luftë, të nevojitet thjesht një numër i vogël ekstremistësh që janë të aftë të krijojnë një incident, një politikan i fuqishëm që luan kartën nacionaliste ndërsa është i aftë ta shfrytëzojë urrejtjen për vetë interesat e tij. Eksperienca e njerëzve me të cilët folëm është e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin, por edhe për Europën,” tha Viseviç.

Kur mendimi praktik dështon

Viseviç dhe 11 kolegë, kryesisht gjermanë, krijuan Projektin Zetra si një hapësirë online ku spektatorë, muzikantë dhe organizues të koncertit të vitit 1991 mund të takohen përsëri për të ndërtuar një memorie kolektive dhe të ndajnë pikëpamjet e tyre mbi luftën çerek shekulli më vonë.

Deri më tani, më shumë se 50 persona kanë ndarë historitë e tyre, ndërsa 46-vjeçarja Alma Suman, e cila përshkroi se si njerëzit në atë kohë kishin shumë besim tek vetja se mendimi praktik do të mbizotëronte.

“Më dukej sikur po më nxirrnin  me dhunë nga jeta ime dhe po më fusnin në një film. Fillimisht e shkujdesur dhe e lumtur duke festuar me miq dhe më pas e shikon veten para ushtarëve që po të terrorizojnë,” tha Suman për Viseviçin në një intervistë për Projektin Zetra.

“Askush s’ishte i detyruar të më bindte se gjithçka do të shkonte mirë. Isha e bindur vetë për këtë. E vetmja pyetje që bëja gjithmonë ishte se kur do të shkoja më në fund në bregdet,” kujton Suman.

Alma Suman në vitin 1992. Foto: Alma Suman/Projekti Zetra.

 Në maj 1992, ajo u largua nga Sarajeva në Londër për të punuar dhe përmirësuar anglishten e saj. Disa muaj më vonë ajo u shpërngul në Vjenë, ku qëndroi deri në vitin 1997, kur vendosi të rikthehej në Sarajevë ndërsa ishte tetë muajshe shtatzënë, që djali i saj të lindte në atdheun e saj.

“Përralla ime u shkatërrua. Për këtë arsye s’dua që të shkatërrohet edhe ëndrra e të rinjve. Ne jemi të detyruar t’i ndihmojmë fëmijët tanë të jetojnë një jetë të lirë nga helmimi ideologjik nacionalist,” tha ajo.

Viseviç tha se nuk ishte e vështirë të gjeje njerëz që flasin për kujtimet e tyre, por risjellja në mendje e këtyre kujtimeve ishte traumatike për shumë prej tyre.

“Këto janë të gjitha histori personale dhe tronditëse. Njerëzit nuk flenë natën sepse kujtimet i zgjojnë ata pas bisedave tona,” shpjegoi ai.

Edhe pse ditën e koncertit binte shumë shi, rreth 30,000 persona u mblodhën brenda Pallatit të Sportit Zetra më 28 korrik 1991, ndërsa rreth 50,000 të tjera u mblodhën jashtë tij për të dëgjuar koncertin.

Maja Jusufbegoviç ishte vetëm 13 vjeçe në atë kohë. Megjithatë, prindërit e saj e lejuan atë të bënte 200 km me autobus për të marrë pjesë në koncert.

Sot ajo ende pyet veten me mosbesim se si politikanët mbyllën veshët para lutjeve të tyre për paqe.

“Si ka mundësi që askush nuk e ka dëgjuar një turmë të tillë njerëzish? Edhe sot e kësaj dite nuk e kuptoj se si lejuam të na ndanin. Njerëzit që i doja para luftës i dua edhe sot. Askush s’mund ta ndryshojë këtë gjë,” tha Jusufbegoviç.

Disa nga protestat e paqes në Sarajevë dhe Pallati Sportiv Zetra ishin ndër shënjestrat e para për sulmet me snajper dhe bombardimet në luftën boshnjake në vitin 1992.

Para luftës, 64-vjeçari Milan Triviç punonte për Yutel, programi i fundit i lajmeve në ish-Jugosllavi. Bashkë me një grup rrokerësh nga Sarajeva, ai nisi idenë e koncertit “Yutel për paqe”.

Kujtimet e tij konfirmojnë ndjesinë dominuese të asaj kohe se askush s’mund të ishte aq i çmendur sa ta çonte vendin drejt ferrit.

Milan Triviç, një nga nismëtarët e koncertit 'Yutel për paqe'. Foto: Sylvie Gagelmann/LoveThatPeople.

“Edhe kur filluan shkëmbimet e zjarrit, thosha: “Kjo do të mbarojë brenda 15 dfitësh.” Më pas mendova se Europa nuk do të lejonte një luftë në fund të shekullit të 20-të. Fatkeqësisht, të gjitha këto ishin zhgënjime,” tha Triviç në një intervistë për projektin Zetra.

“Sot e di që lufta mund të krijohet brenda një sekonde në çdo vend në botë, për aq kohë sa ke një numër të mjaftueshëm budallenjsh. Shkatërrimi është shumë më i lehtë sesa ndërtimi. Paqja ndërtohet me shumë ngadalë dhe kujdes, por mund të shkatërrohet jashtëzakonisht lehtë,” shtoi ai.

Një paralajmërim për Europën

Viseviç thotë se Projekti i Zetra duhet të na kujtojnë brishtësinë e paqes para forcave shkatërruese të nacionalizmit dhe intolerancës që janë në rritje në të gjitha vendet e Europës në ditët e sotme.

"Edhe në Gjermani po përballemi me Alternativën për Gjermaninë, AFD, retorika nacionaliste dhe anti-refugjate e të cilës është plot urrejtje dhe më shqetëson vërtet. Shumë njerëz me të cilët kam folur më thanë se fundi i viteve tetëdhjetë në Jugosllavi ngjan shumë me Europën e ditëve të sotme,” tha Viseviç.

"Kjo është arsyeja pse mendoj se kjo është koha e përkryer për të dëgjuar të gjithë këta njerëz,” përfundoi ai.

Koncert: Yutel za mir - Sarajevo (Zetra) 28.07.1991. (HQ VHSRip)

FILTRO

READ THIS ALSO