Ballafaqimi me të kaluarën është i nevojshëm për të arritur pajtimin në Ballkanin Perëndimor

Burimi: Recom.link

Udha e gjatë drejt pajtimit nuk mund të përfytyrohet si një kthim i papritur pas aktgjykimit ndaj një personi të vetëm. Më shumë ajo i përngjan përpjekjes së përbashkët të Bashkimit Evropian dhe shoqërisë civile në Ballkan për të mbështetur aktivitete që denoncojnë gabimet e të kaluarës pa asnjë paragjykim dhe të përgatisin terrenin për një të ardhme të përbashkët dhe bashkëpunuese.

Nga Christian Costamagna, për  European Western Balkans

Aktgjykimet e kohëve të fundit nga ICTY dhe në veçanti lirimi nga akuzat i Vojislav Sheshelit janë kontroverse. Një pjesë e opinionit publik dhe Bosnje dhe Hercegovinë mund të mendojnë se dënimi i Radovan Karaxhiqit me 40 vjet burgim për krime lufte dhe genocid është shumë pak. Të tjerë mund të mendojnë se kjo është dhe një tjetër provë se ICTY është i anshëm në dëm të Serbisë. Pavarësisht, lirimi nga akuzat i Sheshelit ha hapur dyert e indinjatës së thellë, gjithsesi pa e ndryshuar opinionin e atyre që mendojnë se Haga është një lloj konspiracioni antiserb. A munden këto aktgjykime të ndikojnë efektivisht tek procesi i pajtimit në Ballkanin Perëndimor? Apo duhet të surpozojmë se pajtimi kalon nëpër rrugë të ndryshme? Ndoshta mbi këtë mund të hedhë dritë historia e kohëve të fundit.

Sot, në Ballkan dhe më tej ka hedhur rrënjë një narrativë problematike se të gjitha palët e konfliktit në luftërat e Jugosllavisë në vitet 1990 kanë të njëjtat përgjegjësi. Kjo mënyrë e të menduarit se të gjithë kanë të drejtë të pretendojnë se janë viktimë është një faktor që krijon mjaft konfuzion sa i përket përgjegjësisë së shpërthimit të luftës në vitin 1991. Në të vërtetë, kjo narrativë është thjesht një perde tymi prapa së cilës fshihen mekanizmat e konfliktit. Sigurisht, kjo nuk do të thotë se civilët e secilës anë kanë vuajtur në shkallë të ndryshme gjatë luftës, pasi ajo shpërtheu.

Paradoksi i shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luftërave është se gjithçka filloi me pretendime të ndryshme për drejtësi dhe ankesa ndaj formave të ndryshme të diskriminimit. Gjatë viteve 1980, disa dekada pas një regjimi relativisht autoritativ liberal, nxorën krye shumë telashe, si në jetën e qytetarëve të zakonshëm, ashtu dhe në agjendën e politikanëve. Papunësia, inflacioni, mosbesimi ndaj elitave politike dhe një krizë e përgjithshme socio-ekonomike e karakterizuan atë dekadë, që në gjysmën e dytë të viteve 1980 çoi në përhapjen e grevave dhe protestave. Mirëpo, paralelisht me këto çështje të drejtësisë sociale, çështje të tjera u përhapën në vend.

Pas vdekjes së Josip Broz – Titos, aktivitetet e “disidentëve” u rritën pa ndërprerë, sidomos në Serbi dhe në Slloveni. Një linjë e zakonshme në fushën e proto-opozitës ishte kritika e ashpër ndaj simboleve, retorikës dhe historisë zyrtare dhe ndaj rolit të partizanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Regjimi i Titos zgjodhi të mos flasë hapur për luftën, me siguri duke menduar se po të mos flitej për plagët, që ishin ende gjallë në dimensione private dhe familjare, ato do të shëroheshin. Pavarësisht se cilat kanë qenë arsyet, e vërteta monolite dhe zyrtare e regjimit socialist solli dhe pretekstin për të rishikuar historinë moderne, ashtu sikurse vepruan intelektualët Dobrica Qosiq në Serbi, apo Franjo Tugjman në Kroaci. Në qarqet disidente nisi të marrë hov një kundër-narrativë për t’iu kundërvënë lejtmotivit zyrtar të “vëllazërim-bashkimit”.

Në kundër-narrativën serbe, që u mishërua nga shumë intelektualë me ndikim, populli serb paraqitej si viktimë e padrejtësisë. Kjo nënkuptonte se regjimi i Titos i kishte tradhëtuar serbët në Jugosllavi, sepse sipas këtij interpretimi, i kishte vendosur ata në një pozicion të papërshtatshëm dhe të dorës së dytë. Sipas këtij mendimi të intelektualëve serbë, një nga fajtorët ishte Kushtetuta Jugosllave e Kardelit e vitit 1974, sepse ajo i jepte shumë fuqi dhe autonomi provincave serbe të Vojvodinës dhe Kosovës.

Në ndërkohë, në nivel të bazës, ndërthurja e problemeve sociale me diskriminime të perceptuara ose reale nxori në sipërfaqe edhe njëherë herë problemin e zgjidhur, por ende të pazgjidhur, të kombeve dhe kombësive në Jugosllavi. Vala e parë goditëse erdhi nga Kosova në vitin 1981 kur popullsia vendase shqiptare kërkoi atë që ata e konsideronin si të drejtën e tyre: ngritjen e statusit të Kosovës nga provincë në republikë. Sigurisht, ajo që ata kërkonin konsiderohej tabu, sepse ishte krejtësisht kundër ndjenjave serbe që mendonin se shqiptarët veçse kishin tepër pushtet, pasi Kosova ishte pjesë përbërëse e federatës dhe shtet brenda shtetit.

Për rrjedhojë, serbët dhe malazezët në Kosovë protestuan kundër diskriminimeve që përjetonin në përditshmërinë e tyre për shkak të shqiptarëve që kinse ushtronin presion ndaj tyre për t’u larguar nga provinca dhe për të shitur shtëpitë e tyre. Në të vërtetë, dhjetëra mijëra serbë u larguan nga Kosova në vitet 1970 dhe 1980 dhe shkaku i tyre për largim së pari u pranua nga intelektualët disidentë serbë. Në të njëjtën kohë, autoritetet në Prishtinë deklaruan se në shumicën e rasteve, motivet që i shtynin serbët të largoheshin ishin në radhë të parë ekonomike, sepse ekonomia lokale kishte mbetur prapa. Ndërkohë që termi kontrovers “genocid” i popullsisë serbe në Kosovë kishte filluar të përdorej nga kryeudhëheqësi i Lidhjes së Komunistëve të Serbisë në mesin e viteve 1980 (si veproi për shembull Ivan Stamboliq gjatë një vizite në Kosovë në vitin 1985), vetëm në vitin 1987 udhëheqësi i ri i komunistëve serbë Slobodan Milosheviqi i vuri serbët e Kosovës në krye të agjendës së tij politike. Po ashtu, në mesin e viteve 1980 intelektualët serbë i ngritën akuzat në një tjetër nivel, sepse disa prej tyre pretendonin se edhe në Kroaci, serbët vendorë vuanin nga “genocidi kulturor”.

Sigurisht, gjatë viteve 1980 në Jugosllavi, tema e të qenit viktimë e ndonjë padrejtësie nuk ishte privilegj i serbëve apo shqiptarëve. Edhe sllovenët për shembull mendonin se shfrytëzoheshin ekonomikisht nga pjesa tjetër e federatës. Një ndjenjë e ngjashme ishte e pranishme edhe në Kroaci, ende një “republikë e heshtur” pas traumës së Pranverës Kroate që u shtyp në vitin 1971.

Pra, nga fundi i viteve 1980, Jugosllavia, një bashkim i 6 republikave dhe 2 provincave, me formën e një shteti pothuajse federativ, e prekur nga probleme të thella ekonomike, u shndërrua në terren pjellor për pretendime kontroverse për padrejtësi. Elitat politike, të ngulitura thellë në nivel republikan, që nga kushtetuta e fundit federale, nuk bënë sa duhet për të shuajtur këto pretendime për drejtësi. Përkundrazi, disa prej këtyre udhëheqësve i hodhën zjarrit benzinë. Mosbesimi ndërmjet republikave të ndryshme arriti nivele të habitshme nga fundi i vitit 1989. Media u shndërrua thjesht në një makinë të propagandës së urrejtjes.

Udhëheqësi i parë komunist pas vdekjes së Titos që shpalli një kauzë nacionale eksplicite me sukses pothuajse të pakundërshtueshëm ishte Slobodan Milosheviqi. Revolucioni i tij anti-burokratik (1988-1989) theu skemat e vjetra të pushtetit dhe dëmtoi rëndë marrëdhëniet ndërmjet popujve jugosllavë. Edhe në vitin 1990 ai ishte kundër sjelljes së sistemit shumëpartiak, pasi ai mendonte se shqiptarët në Kosovë do të krijonin ndonjë parti nacionale dhe të shpallnin pavarësinë. Ai u përpoq të risillte në jetë legjitimimin e pushtetit të tij përmes euforisë nacionaliste, përmes hegjemonizmit nacionalist. Në fakt, ai dhe aleatët e tij në thelb po e zhvendosnin vëmendjen nga problemet e vërteta, nga kriza ekonomike dhe papunësia. Për vite të tëra, retorika e Milosheviqit vuri në rend të parë të drejtat e serbëve të Kosovës dhe pozicionin e Serbisë në Jugosllavi. Ai pretendonte drejtësi për serbët dhe Serbinë, mirëpo në fund, politika e tij solli urrejtje, frikë dhe një luftë të pashmangshme. Dhe sigurisht, padrejtësi të tjera edhe më të mëdha.

Pra, elitat politike në vitet e fundit të ekzistencës së Jugosllavisë afirmuan diskursin nacionalist, sepse mendonin se ajo ishte mënyra më e mirë për të siguruar mbështetje të re popullore. Media shërbente si altoparlant për atë qëllim. Episodet e para të dhunës që u shfaqën në muajt e parë të vitit 1991, në zonën e populluar me serbë në Kroaci, sa hapën siparin. Mirëpo paradoksi qëndronte në faktin se presidenti i Serbisë pretendonte që po mbronte serbët në Jugosllavi, pasi ata ishin viktima të padrejtësisë. Për ta arritur këtë, ai ishte gati të shpallte luftë për hir të popullit serb, sikurse kishte thënë Milosheviqi në mars 1991.

Pra, duhen marrë parasysh të paktën dy nivele të analizës. Niveli i parë është fakti se traumat e pazgjidhura të Luftës së Dytë Botërore përgatitën terrenin për pretendime destruktive nga disidentët. I dyti është se vetë koncepti i drejtësisë u abuzua nga ish-komunistët në Serbi dhe si rrjedhojë, edhe në republikat e tjera. Pastaj, në emër të drejtësisë, lufta nuk mund të sillte gjë tjetër pos traumave të reja, më të mëdha dhe nevojave të reja për drejtësi dhe të vërtetën. Në fakt, të gjitha problemet socio-ekonomike u lanë anash. Së fundmi, pothuajse të gjitha elitat politike mbetën për një kohë të gjatë në pushtet, ose ende janë në pushtet.

Ky është qarku i plotë. Gjithçka filloi me nevojën për drejtësi dhe abuzimi i saj prodhoi më shumë krime dhe më shumë nevojë për drejtësi dhe më shumë nevojë për pajtim. Kjo është arsyeja që do të ishte naive të pritej që lirimi nga akuzat i Sheshelit (si dhe rastet e tjera kontroverse në Hagë) të fillonin një trend pozitiv për pajtimin, sidomos duke patur parasysh përmbajtjen e aktgjykimit.

Historia duhet të na mësojë se nevoja për drejtësi, nëse keqmenaxhohet, mund të na çojë drejt një padrejtësie edhe më të madhe. Ky është rasti i ish-Jugosllavisë. Pas më pak se 20 vjetësh nga përfundimi i konfliktit të fundit të hapur në ish-Jugosllavi (Maqedoni, 2001), këto vende duhet të përballen në mënyrë më të hapur me të kaluarën e tyre, por procesi është shumë larg arritjes së kësaj. Procesi më i rëndësishëm i pajtimit do të ishte që çdo komunitet dhe shtet të pranojë gabimet dhe përgjegjësitë e veta dhe t’i ndajë ato publikisht, nëpër institucione, shkolla e kështu me radhë. Mirëpo, ajo që po ndodh ende në rajonin e ish-Jugosllavisë është shpeshherë një proces i mohimit publik të gabimeve, përgjegjësive dhe krimeve të veta, duke ua hedhur fajin vetëm fqinjëve.

Prandaj, ICTY nuk mund të jetë zëvendësim për procesin e pajtimit rajonal. Mirëpo narrativat që sistematikisht mohojnë gabimet e vendit të vet dhe narrativa që nënkupton se faji duhet të ndahet barabar nga të gjithë janë të vështira për t’u kundërshtuar, pasi do të thyente mitin legjitimitetit të elitave politike që kanë patur përgjegjësi për shkatërrimin e Jugosllavisë dhe luftërat dhe sepse të njëjtët politikanë apo pasardhësit e tyre janë ende në pushtet.

Udha e gjatë drejt pajtimit nuk mund të përfytyrohet si një kthesë e papritur, pas aktgjykimit ndaj një personi të vetëm. Më shumë ajo i përngjan përpjekjes së përbashkët të Bashkimit Evropian dhe shoqërisë civile në Ballkan për të mbështetur aktivitete që denoncojnë gabimet e të kaluarës pa asnjë paragjykim dhe përgatisin terrenin për një të ardhme të përbashkët dhe bashkëpunuese. Pavarësisht problemeve të shumta, ka ende hapësirë për optimizëm, pasi udhëheqësit politikë në Ballkanin Perëndimor, sidomos nëse krahasohen me të kaluarën e afërt, kanë zgjedhur dialogun dhe konfrontimet e pavlera.

Christian Costamagna, PhD, është profesor vizitues i historisë bashkohore në Universitetin e Piemontit Lindor (Università degli Studi del Piemonte Orientale “Amedeo Avogadro”) dhe editorialist për EaST Journal, një portal në gjuhën italiane që merret me Evropën Qendrore-Lindore, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

(Publikuar në European Western Balkans, 11.04.2016.)

FILTRO

READ THIS ALSO