Bosnia dhe Hercegovina pas Karaxhiqit: fundi i erës së drejtësisë penale

Burimi: ictj.org

Foça, një qytezë në Bosnjen lindore në buzë të lumit Drina. (AP Foto/Sava Radovanoviq)

Nga Refik Hoxhiq

Foça, Bosnja lindore, 24 dhjetor 1992, rreth mesditës. Një burrë i gjatë me flokë të errët, me vështrim të zemëruar në sy dhe emblemë të njësisë vendore të policisë ushtarake të Ushtrisë Serbe të Bosnjës mbi krah ecën me shpejtësi nëpër qendrën e qytezës së vogël. Me vete ka dy vajza. Janë të zhveshura, shtrëngojnë disa rroba në krahët e tyre. Ai tërheq njërën zvarrë prej flokësh, me një thikë të madhe në dorën tjetër. Vajza e dytë përpiqet të ecë më shpejt, para tij, i rrjedh gjak nga hunda dhe nga një e prerë mbi sy. “Ecni, kurva të qelbura,” ulëret Radomir Kovaç. “Po ju çoj në Drina, t’ua pres fytin dhe t’ju hedh në lumë.”

“Ai rrotulloi thikën dhe më goditi në kokë me të. Kisha një gungë në kokë nga goditja. Isha e dërrmuar dhe e trembur, gjunjët nuk më mbanin. Nuk kisha pikë fuqie,” kujton njëra prej tyre rreth 17 më vonë në dëshminë e saj para Tribunalit Ndërkombëtar Penal për Ish-Jugosllavi (ICTY). Atë kohë, ajo 22 vjeçare, e rrëmbyer nga shtëpia e saj nga ushtarët serbë, bashkë me qindra gra të tjera nga fshatrat myslimane aty rrotull, për t’u mbajtur me dhunë në njërin prej disa kampeve të përdhunimit në dhe rrotull Foças.

“Ai na dërgoi në vendin ku puqeshin lumenjtë Cehotina dhe Drina. Unë ktheva kokën për ta parë, sepse nuk isha në gjendje të vazhdoj. Por gjithnjë mendoja, ‘Nuk ke për të ma prerë fytin. Nuk do të më therrësh.’ Batica ishte ngritur dhe mendova më mirë të hidhem në Drina, më mirë të mbytesha, se sa të më prisnin fytin”, tregon vajza tani e njohur me si dëshmitarja FSW-75c. Në çastin e fundit, Kovaçin e ndalon njëri prej miqve të tij, i cili i thotë se disa malazezë ofronin 500 marka gjermane për secilën nga vajzat. Nuk ia vlen t’i vrasësh. Më mirë shiti.

Dy vajzat, të rrahura dhe të përgjakura, u detyruan sërish të parakalojnë të zhveshura nëpër qendrën e Foças. Duke ecur, ato kaluan para ndërtesës së komunës. Aty kishte njerëz që po kryenin punët e tyre. Disa u kalonin pranë pa thënë asnjë fjalë, disa të tjerë e përshëndesnin Kovaçin gjithë gëzim, duke treguar me gisht dhe duke qeshur me vajzat. Askush nuk u përpoq t’i ndihmojë.

Askush nuk mendon për atë gjë më, pasi tashmë ky është realiteti i ri i pranuar në pjesët e Bosnjes të kapura nga serbët, ku myslimanët (boshnjakët) dehumanizohen në atë pikë saqë e meritojnë çdo gjë që u ndodh, pavarësisht sa e tmerrshme mund të jetë. Në këtë normalitet të ri nuk mund të ketë empati për njerëzit që konsiderohen si virus, si një “sëmundje që historikisht ka gërryer indet e shëndetshme të qenies së kombit serb” sikurse ka deklaruar turpshëm Biljana Plavshiq, anëtare e Presidencës Serbe të Bosnjes.

Krijimi i këtij realiteti të ri ka qenë parakusht për implementimin e strategjisë së “ndarjes së popujve” të dizajnuar nga Radovan Karaxhziq dhe udhëheqësia e Partisë Demokartike Serbe të tij, si një metodë për të arritur qëllimin e tyre final politik – krijimin e një shteti serb “të pastër etnikisht” në territorin e Bosnje dhe Hercegovinës.

 

 

Ish-udhëheqësi serb i Bosnjes Radovan Karaxhziq i drejtohet Tribunalit Ndërkombëtar Penal për Ish-Jugosllavinë në Hagë, Holandë, në këtë foto të nxjerrë nga TV, e mërkurë 1 tetor 2014. (AP Photo/ICTY nga Associated Press Television)


Trashëgimia helmatisëse e Karaxhiqit

Duke qenë nga Prijedor, unë tashmë isha pajtuar me ndikimin shkatërrues që ka patur vizioni i Karaxhiqit tek familja ime, komuniteti im, vendlindja ime, jeta ime. Si gazetar dhe më vonë si pjesëtar i ICTY, krejt ajo që kam bërë në këto 20 vitet e fundit sikur është mbështjellë nga hija e errët e Karaxhiqit. Njoh shumë njerëz që kanë varrosur fëmijët e tyre. Njoh shumë njerëz që ende janë në kërkim të kockave të fëmijëve të tyre për t’i varrosur. Njoh shumë njerëz që kanë vrarë, të dehur nga vizioni i Karaxhiqit për të drejtat e vetë-vendosjes së serbëve të Bosnjes, për të cilët miqtë e fëmijërisë u shndërruan në “armiq historikë”.

Shpeshherë kam ëndërruar për ditën kur ai do të paguante për të gjitha këto, kur të ndahej drejtësia për të, e ftohtë dhe e pamëshirshme. Dhe atëherë, më shumë se 20 vite pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij, ajo ditë erdhi. Apo për t’u shprehur më mirë, u shemb mbi të gjithë ne, me tërbimin e medias, me qindra oportunistë të etur për të qenë pjesë e spektaklit në çfarëdo mënyre, me një kakofoni zërash që klithnin për kokën e tij, që kërkonin që ai të shenjtërohej, zëra që ulërinin “genocid”, zëra që paralajmëronin për pasoja shumë të rënda nëse aktgjykimi do të përdorej për të ndryshuar status quo-në e krimeve që ka bërë ai, zëra që kërkonin, luteshin, kërcënonin…

Në mes të këtyre zhurmave shurdhuese, Karaxhiqi hyri në sallën e gjykimit duke buzëqeshur vesh më vesh, me siguri në pritje të rezultatit të ditës, i kënaqur që frytet e punës së tij të përgjakshme në Bosnje dhe Hercegovinë – normaliteti i tij i ri i përçarjes, urrejtjes, mosbesimit dhe ndarjes – ishin gjallë dhe duke lulëzuar.

Aktgjykimi nuk solli asnjë befasi, nëse heqja e akuzave për genocid në komuna si Prijedori nuk konsiderohet befasi. Për mua jo. Sipas gjyqtarëve, dëshmitë ishin të pamjaftueshme për të treguar se Karaxhiqi dhe bashkëpunëtorët e tij kishin patur synim të shkatërronin fizikisht boshnjakët myslimanë dhe kroatët në këto komuna. Në Srebrenicë po, thanë gjyqtarët dhe për këtë ai u dënua për genocid për shfarosjen në vitin 1995 të rreth 8,000 burrave dhe djemve. Ndërsa në vendet e tjera thjesht ka patur synim të zhdukë, jo të shkatërrojë fizikisht, thoshte vendimi i gjyqtarëve. Po, përdorim i papërtypshëm i nuancës ligjore, por jo befasues.

“Frytet e punës së përgjakshme të [Karaxhiqit] në Bosnje dhe Hercegovinë...janë gjallë dhe duke lulëzuar.”

   

Çfarë është më e rëndësishmja, Karaxhiqi u dënua se kishte udhëhequr sipërmarrjen e përbashkët kriminale që sillte zhdukje, vrasje, torturë, përdhunim, deportim të dhunshëm dhe persekutim në shkallë të gjerë të boshnjakëve myslimanë dhe të kroatëve, për të implementuar vizionin e parashtruar në dokumentin me titull “Qëllimet strategjike të popullit serb në Bosnje dhe Hercegovinë” prej të cilëve dy janë me rëndësi kyçe: krijimi i një shteti serb në territorin e Bosnjes dhe ndarja fizike e serbëve nga popujt e tjerë që jetojnë në këto territore.

Natyra drastike e metodave të parapara për implementimin e kësaj strategjie janë kapur më së miri nga reagimi i komandantit të sapoemëruar të Ushtrisë së Serbëve të Bosnjes, Gjenerali Ratko Mladiq. Ai u ngjit në podium gjatë mbledhjes së kuvendit serb më 12 maj 1992, vendi ku dokumenti u prezantua së pari herë dhe iu drejtua politikanëve përballë tij: “Nuk mund t’i kaloni njerëzit në sitë që njëra palë të bjerë dhe tjetra të mbetet në të. Ajo çka po më kërkoni të bëj është genocid i pastër dhe i thjeshtë”. Kjo nuk do të thoshte se Mladiqi do ta refuzonte kërkesën; pasi vendimi u mor, ai e implementoi me furi dhe fanatizëm.

Një pjesë e madhe e vendimit ndaj Karaxhiqit është shkruar në aktgjykimet e mëparshme ndaj bashkë-kryerësve të tij, anëtarë të udhëheqjes politike dhe ushtarake të serbëve të Bosnjes: Momçillo Krajishnik, Biljana Plavshiq, Radoslav BrgjaninStojan Zhupljanin dhe të tjerë. Edhe pse dolën fare pak fakte të reja, vendimi paraqiste me hollësi rolin e Karaxhiqit në krijimin e një ideologjie që dehumanizonte jo-serbët në atë pikë saqë zhdukja e tyre shndërrohej në një përpjekje legjitime dhe të domosdoshme në aspektin kombëtar.

Gjyqtarët ishin precizë gjatë përshkrimit të këtyre provave: “Radovan Karaxhiq ka qenë në vijën e parë të zhvillimit dhe të promovimit të ideologjisë dhe të politikave të SDS-së dhe të krijimit të strukturave paralele qeveritare, ushtarake, policore dhe politike që u përdorën për të krijuar dhe ruajtur autoritetin mbi territorin e pretenduar nga serbët e Bosnjes dhe më tutje për objektivën e [largimit të jo-serbëve me anë të kryerjes së krimeve]. Ai ka patur rol qendror në përcaktimin e qëllimeve të udhëheqjes së serbëve të Bosnjes, përfshirë dhe ndarjen nga boshnjakët myslimanë dhe kroatët e Bosnjes, marrjen e territorit të pretenduar nga serbët e Bosnjes dhe krijimin e një shteti serb kryesisht homogjen në Bosnje. Po ashtu, Karaxhiq ka qenë figura qendrore për shpërndarjen e propagandës kundër myslimanëve të Bosnjes dhe kroatëve të Bosnjes, që i ka identifikuar ata si armiqtë historikë të serbëve duke këmbëngulur se bashkë-ekzistenca është e pamundur. Ai ka luajtur me narrativën historike dhe retorika e tij është përdorur për të mbjellë frikë dhe urrejtje ndaj myslimanëve dhe kroatëve të Bosnjes si dhe ka patur si efekt përkeqësimin e ndarjeve dhe tensioneve etnike në BeH.”

Kjo është trashëgimia më helmatisëse dhe më e rëndësishme e Karaxhiqit: krijimi i një realiteti të ri ku Radomir Kovaçi shihej si hero dhe ku vajzat në pronësinë e tij kishin vlerë sa një krimb, jeta dhe dinjiteti i të cilave ishin pa vlerë për fqinjët e tyre serbë. Të gjitha krimet, vrasjet, torturat, përdhunimet sistematike dhe genocidi ishin të mundura për shkak të këtij realiteti të ri që i shndërronte jo-serbët në një problem që duhej zgjidhur në mënyrë që serbët të fitonin lirinë dhe sigurinë.


 

Arkivat e ICTY kanë miliona faqe me dokumenta, mijëra orë të materialeve të regjistruara në video dhe dëshmi të tjera. (Susan Schuppli)


Fundi i erës së drejtësisë penale

Teksa shkruaj këto fjalë në tryezën time, mund ta dëgjoj bijën time që këndon nën zë në dhomën ngjitur melodinë e “Mr. Brightside” nga The Killers, ndërsa në dhomën e fjetjes, gruaja ime po ushqen djalin tonë të porsalindur. Është një mbrëmje e zakonshme, e përkryer në thjeshtësinë e saj, por që askush prej nesh nuk ka për ta regjistruar si të “paharrueshme”. E megjithatë, për njerëz si Radovan Karaxhiq, një mbrëmje e tillë do të mbetet ëndërr e paarritshme deri në fund të jetës së tyre natyrale. Në atë pjesë të jetës që i ka mbetur, ai do të gjallojë me ekzistencën e mjeruar të një njeriu të dënuar për krime lufte, i destinuar ta mbyllë jetën në një qeli të zymtë, të zhveshur në një prej burgjeve të Evropës.

Një fund i denjë për një njeri që ka shkatërruar qindra mijëra jetë të zakonshme ndërsa ndiqte ëndrrën e tij për një shtet etnik homogjen etnikisht? Nuk e di. Në fakt, cili do të ishte fundi i denjë për një njeri me një trashëgimi të tillë helmatisëse? Di vetëm se 20 vjet zemërim dhe etje për hakmarrje janë shkrirë në një kuptim të ri: thjesht dua që ky njeri të dalë nga jeta ime. Nuk e di se çfarë mund të jetë dënimi i duhur për dikë si ai, mirëpo ndjej njëfarë qetësie duke ditur se me përfundimin e gjykimit ndaj tij, ai nuk do të marrë më pjesë në realitetin që kanë krijuar krimet e tij. Është ky realitet ai që ne duhet të dekonstruktojmë, ta shpërbëjmë dhe ta transformojmë.

Pika e fillesës për një përpjekje të tillë duhet të vijë duke kuptuar se fundi i gjykimit ndaj Karaxhiqit sjell përfundimin e “erës së drejtësisë penale” në kërkimin tonë për të gjetur serumin që shëron helmin e tij. Kjo nuk do të thotë se erdhi fundi i gjykimeve për krime lufte e të tilla, por në të vërtetë se erdhi fundi i pritjes tonë se drejtësia penale do ta transformojë shoqërinë tonë.

Në këtë erë kemi fituar shumë: ka male dëshmish të mbledhura, fakte të panumërta për krimet dhe që janë vërtetuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Një sërë kryerësish janë larguar nga mesi ynë dhe gjyqësori në Bosnje dhe Hercegovinë është në gjendje relativisht të mirë për të ndjekur kryerësit e këtyre krimeve për sa kohë që ata dhe viktimat e tyre janë gjallë.

Në të njëjtën kohë, na duhet ta pranojmë se në këto 20 vite të përpjekjeve të drejtësisë penale, normaliteti i ri i Karaxhiqit në Republika Srpska – dhe jehona e tij në komunitetet boshnjake dhe kroate nuk është prekur dukshëm.

Ka patur shumë pritshmëri të pabazuara dhe manipulime të pakujdesshme në mesin e boshnjakëve se çfarë do të sjellin këto gjykime: që nga katarsisi i drejtësisë penale në kombin serb, deri tek dëshmitë finale të historisë së konfliktit, deri tek prishja e Republika Srpskas. Asnjë prej këtyre nuk kanë qenë të bazuara në precedentë solidë dhe as nuk kanë patur ndonjë “hartë” realiste që të piketojë qartë marrëdhënien shkakësore ndërmjet gjykimeve dhe rezultatit të dëshiruar.

"Dominimi i drejtësisë penale si mjekimi i preferuar për shoqërinë tonë duhet të përfundojë”

 

 

Nxitur nga opinionbërësit oportunistë nga media dhe akademia, udhëheqësit fetarë dhe politikë, këto pritshmëri shpeshherë kapeshin me ndonjë pushtet të fortë që papritmas zgjohej nga gjumi duke parë padrejtësitë e mëdha dhe vuajtjet e konfirmuara nga gjykimet e ICTY dhe që vepronin disi për të hedhur poshtë rezultatet e përpjekjeve genocidale të Karaxhiqit. Vite të tëra kanë humbur me riciklimin e këtyre miteve, duke u mbështetur kryesisht tek viktimizimi si shtylla kurrizore e identitetit boshnjak, që në fakt ka paralizuar bisedimet e duhura për pajtim dhe ka anatemizuar nocionin e pranimit dhe faljes. Në mënyrë perverse, gjykimet e ICTY u panë nga shumë vetë si një mundësi për të fituar sërish territoret dhe kornizën kushtetuese që u humbën gjatë luftës.

Në të njëjtën kohë, serbëve u është shitur e njëjta histori nga liderët e tyre, por e thënë nga një tjetër perspektivë: që gjykimet e ICTY në njëfarë mënyrë ishin hartuar për të kriminalizuar secilin serb që ka luftuar në luftë dhe se do të përdoreshin në njëfarë mënyre për të sabotuar Republika Srpskan dhe Serbinë. Sigurisht, çdo lider, që nga Slobodan Milosheviqi tek Milorad Dodik (ndoshta me përjashtim të Zoran Gjingjiqit), gjithnjë janë pozicionuar si i vetmi person në gjendje për të “mbrojtur” popullin serb, duke e shpëtuar Serbinë nga poshtërimi dhe duke mbrojtjur RS nga zhdukja.

Sa herë që zbutej kjo frikë dhe manipulim dhe njerëzit fillonin të merreshin me jetën e tyre të varfër, me korrupsionin dhe vjedhjet e frikshme, menjëherë prodhohej ndonjë krizë për t’i tërhequr sërish në realitetin e krijuar nga Karaxhiqi të një kombi nën rrethim dhe të rrethuar nga “armiq historikë” dhe aleatët e tyre të komunitetit ndërkombëtar. Në vend që të ecnin para dhe të krijonin sa më shumë largësi mes vetes dhe metodave të Karaxhiqit për arritjen e synimeve serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, klasa politike e serbëve të Bosnjes i ktheheshin rrethit nga e para dhe fillonin të përqafonin ideologjinë e tij, duke rehabilituar idetë e tij dhe duke ngritur në qiell si heronj kombëtarë ata që i implementonin.

Pasojat e kësaj dinamike bipolare kanë qenë shkatërruese. Paraliza e proceseve sociale pozitive të cilave u ka kontribuar kjo dinamikë u ka lejuar elitave politike nga të dyja anët që të grabisin, pa u kontrolluar nga popullata e ri-traumatizuar vazhdimisht. Brezi më i ri, që është gjithnjë agjenti më i rëndësishëm për ndryshime sociale, ose është detyruar të mendojë të largohet ose është infektuar rëndë me format më virulente të nacionalizmit dhe urrejtjes, shpesh duke u rritur në komunitete “të pastra etnikisht” të krijuara nga konflikti. Shoqëria civile kryesisht është e atrofizuar, e ngarkuar nga axhenda e donatorëve dhe nga mungesa e legjitimitetit në mesin e njerëzve. Ekstremizmi militant është në rritje në të gjitha grupet etnike, flakëve të të cilit u fryn pandërprerë gjuha e urrejtjes në media dhe rrjetet sociale.

E vërtetë, ka procese organike përmes të cilave njerëzit rilidhen: tregtia, sportet dhe disa nisma të shoqërisë civile. Mirëpo këto avancime janë të dobëta dhe të brishta, vazhdimisht nën sulm nga makineria e rëndë e klasës politike dhe e institucioneve që ajo kontrollon. Në vend që politikat për të drejtat e njeriut të kërkojnë reparacion për viktimat dhe të parandalojnë përsëritjen e konfliktit, shoqëria është zënë në kurthin e vazhdimit të luftës “me mjete të tjera”.

Kjo duhet të marrë fund nëse nuk duam të rrëshkasim sërish drejt ndonjë konflikti të armatosur. Nuk do të thotë se ndjekja e drejtësisë për krimet e luftës duhet të braktiset në të mirë të harresës, por do të thotë që dominimi i drejtësisë penale si kura e preferuar për shoqëritë tona të thyera duhet të marrë fund dhe se energjia kolektive duhet të drejtohet në mënyra të tjera për të shpërbërë trashëgiminë e Karaxhiqit. Do të thotë që në vend se të sillemi rrotull pandërprerë nëpër gjykime të ICTY, ne duhet të hapim një debat publik serioz për njohje dhe reparacione.


 

Familjet e të burgosurve të vrarë në kampet e Prijedorit lëshojnë qindra balona me emrat e tyre si simbol i kërkesës së tyre për memoriale publike. (Ndal mohimin e genocidit)


Rasti i pranimit dhe reparacionit

Disa vite më parë kam intervistuar me dhjetëra të mbijetuar të kampeve famëkeqe të Prijedorit dhe familjet e atyre që u vranë në vitin 1992. Përpiqesha të kuptoj se si e perceptonin ata drejtësinë e ndarë nga gjykimet për krime lufte në Hagë dhe në gjykatat e Bosnjes. Edhe pse ata të gjithë kishin mendime të ndryshme se sa të rëndësishme ishin dënimet, si akti i dëshmisë kishte formësuar pikëpamjet e tyre dhe shumë aspekte të tjera për procedura gjyqësore, ata pajtoheshin për një gjë: sa i përket rëndësisë, drejtësia e gjykatës vinte në rend të dytë pas pranimit të vuajtjeve të tyre nga autoritetet dhe fqinjët e tyre serbë. Një ish-i burgosur në Omarska e përmblodhi në këtë formë: “Pranimi i vuajtjeve të mia është më i rëndësishëm për mua se çfarëdo kompensimi material. Po të kishte ndonjë përpjekje publike të serbëve lokalë për të thënë ‘po, ne e dimë se çfarë ka ndodhur, e pranojmë’, kjo për mua do të kishte më shumë vlerë se të gjitha dënimet me burgim apo paratë e botës. Kjo do të çonte drejt pajtimit.”

E pra, kështu është: nëse, sikurse i pëlqen Kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq të përsërisë, klasa politike serbe me sinqeritet kërkon pajtimin me boshnjakët, hapi i parë kryesor është pranimi. Është një imperativ moral, që dëshmon se njerëzimi i ka mbijetuar tmerreve, por nuk është zbrazur nga vlerat pragmatike: është në interesin afatgjatë të Republika Srpskas të pranojë që krimet e Karaxhiqit janë përdorur për të arritur synime politike në fillim të luftës që u shpall me 12 maj 1992.

“Pranimi është hapi i parë i rëndësishëm. Është një imperativ moral, që vërteton se njerëzimi i ka mbijetuar tmerreve, por nuk është zbrazur nga vlerat pragmatike.”

   

Arsyetimi për këtë është fare i thjeshtë, pasi ka të bëjë me paralizën aktuale dhe perspektivën për të ardhmen. Nëse nuk ka pranim; nëse metodat e Karaxhiqit për shfarosje dhe genocid nuk delegjitimizohen në diskursin politik serb; nëse udhëheqja politike e serbëve të Bosnjes nuk hedh poshtë tërësisht metodat e tij; nëse vazhdohet me mohimin dhe me rehabilitimin e kryerësve; nëse ka frikësim të vazhdueshëm dhe diskriminim të joserbëve, atëherë boshnjakët (apo njerëz të tjerë të arsyeshëm) duhet të arrijnë në përfundimin se në fakt kjo Republika Srpska është vazhdimësi e projektit të Karaxhiqit, e dizajnuar për të përfunduar punën e tij dhe për të cimentuar rezultate e përpjekjeve të tij për shfarosje.

Nëse është kështu, atëherë boshnjakët nuk kanë alternativë tjetër pos ta konsiderojnë Republika Srpskan si një prani armiqësore dhe kërcënim ndaj sigurisë. rrjedhimisht, çdo përmendje nga Republika Srpska për mundësinë e pavarësisë apo ndjekja në çfarëdo mënyre e autonomisë apo lidhjeve më të ngushta me Serbinë përbën akt përshkallëzimi, që në teori mund të rezultojë në kufij të një shteti armiqësor që kalojnë, për shembull, përmes kodrave mbi Sarajevë. Tingëllon e njohur, apo jo?

Është thjesht e paimagjinueshme që boshnjakët të lejojnë ndonjëherë që të vihen sërish në të njëjtën situatë. Pa ndonjë luftë dhe këtë herë lufta me siguri do të kishte pasoja shkatërruese për të gjithë, por kryesisht për Republika Srpskan, duke patur parasysh pozitën e saj aktuale gjeostrategjike dhe bilancin ushtarak në krahasim me vitin 1992.

Për ta theksuar, për Republika Srpskan pranimi nuk është vetëm çështje e detyrimit që ka ndaj qytetarëve të vet jo-serbë që janë shënjestruar për shfarosje dhe genocid nga ushtria dhe policia e vet, por është dhe çështje e nevojës politike. Alternativat janë të zbehta: paraliza aktuale dhe/ose përsëritja e konfliktit të armatosur.

Nuk është se liderët serbë duhet të kthehen shumë prapa në histori për të gjetur frymëzim: ka qenë një periudhë nga 2003 deri prill 2006 kur Republika Srpska (edhe pse nën presion nga komuniteti ndërkombëtar) hodhi hapat e parë të pasigurtë në këtë drejtim pasi presidenti i atëhershëm Dragan Caviq pranoi në televizion genocidin e ndodhur në Srebrenicë. Ky akt i paprecedentë i pranimit publik rrodhi nga një hetim i ngjarjeve që kishin të bënin me rënien e Srebrenicës që u zhvillua dhe pagua nga RS. Gjatë atyre viteve, transmetuesi publik RTRS paraqiste rregullisht raporte të SENSE Agency nga gjykimet në ICTY. Ka patur përpjekje serioze për të krijuar një komision të së vërtetës në nivel shtetëror dhe në Prijedor për shembull, ka patur diskutime substanciale për një memorial në vendin e kampit të përqendrimit në Omarska . Gjërat po shkonin në drejtimin e duhur.

Mirëpo pas rënies së reformave kushtetuese në vitin 2006 që njihen si “paketa e prillit”, strategjia politike serbe në Bosnje u largua nga pranimi drejt mohimit agresiv. Presidenti i RS-së Milorad Dodik e personifikoi këtë ndryshim – njëherë ishte kundërshtar i ashpër i Slobodan Milosheviqit dhe Radovan Karaxhiqit, një njeri që publikisht ka pranuar genocidin në Srebrenicë, ndërsa sot njihet si mohuesi më i zëshëm i genocidit që nuk humbet asnjë mundësi për të vënë në lojë viktimat boshnjake dhe për të arsyetuar metodat e Karaxhiqit.

Në një atmosferë të tillë, kërkimfalja e Dragan Caviqit sot shihet nga shumica e serbëve të Bosnjes si një akt tradhëtie. Udhëheqja politike e RS-së shfrytëzon çdo rast për të refuzuar faktet për krimet e kryera nga institucionet e RS-së kundër jo-serbëve dhe mohon të drejtat themelore të viktimave për memorializim. Rasti i Prijedorit dhe refuzimi i autoriteteve lokale serbe për të lejuar memorialin për 102 fëmijë të vrarë atje në vitin 1992 dallon si një ilustrim i kësaj politike pa zemër dhe raciste. Veprimet e tyre po lejojnë që politikat e normalitetit të ri të krijuar nga Karaxhiqi të ngrenë sërish kokën e tyre të shëmtuar.


 

Aktivistë nga nisma “Sepse ka vlerë” që mbledh të rinj nga prejardhje etnike të ndryshme, protestojnë për të drejtat e viktimave të kujtohen. (Stop Genocide Denial)


Cila është rruga përpara?

Pra, çfarë forme duhet të ketë pranimi? Kërkimi i faljes nga udhëheqësit politikë të lartë ka rëndësi simbolike, për aq sa sjelljet e tyre janë të sinqerta dhe mund të shërbejnë si katalizatorë për procese të tjera të përballjes me të kaluarën. Megjithatë, duke patur parasysh farsat e përpjekjeve për kërkim faljeje në të kaluarën, si për shembull murmuritjet e ish-presidentit të Serbisë Boris Tadiq apo fiaskon  e Kryeministrit aktual të Serbisë Aleksandar Vuçiq gjatë vizitës në Potoçari për përmbylljen e fushatës së etij të ethshme kundër rezolutës së MB-së për Srebrenicën në KS të OKB-së, ne duhet të shohim përtej këtyre akteve të mëdha ceremoniale. Për të përmbysur efektet e krimeve të Karaxhiqit dhe vite të tëra të mohimit, duhet bërë shumë më tepër.

Së pari, mohimi publik duhet të ndërpritet, sot. Tallja me viktimat është një nga mizoritë më të këqija, përfshirë Srebrenicën, masakrën e tregut Markalemasakrën në Tuzla Kapija dhe të tjera që transmetohen pothuajse çdo ditë nga politikanët serbë dhe përsëriten nga televizioni dhe radio publike dhe media të tjera në RS dhe Serbi, që s’janë gjë tjetër veçse mbjellje e urrejtjes. Efektet e saj mbi çdo perspektivë të pajtimit janë gërryese dhe zvogëlojnë, për të mos thënë që shkatërrojnë tërësisht, aftësinë e viktimave për të falur. Po ashtu, një gjuhë e tillë krijon një vazhdimësi me praktika të ngjashme të rrethit të Karaxhiqit dhe medias së tij gjatë konfliktit, duke betonuar më tutje perceptimin në mesin e boshnjakëve se në Republika Srpskan e sotme vazhdon të jetojë e njëjta prani armiqësore forcat e së cilës kanë kryer mizori të panumërta.

Janë disa hapa konkretë që duhen ndërmarrë.

Media publike përbën sferën kryesore ku duhet të ndodhë lëvizja nga mohimi drejt pranimit, duke patur parasysh rolin shkatërrimtar të medias në Serbi dhe RS gjatë procesit të dehumanizimit në jo-serbëve, mohimin e pandërprerë nga ana e tyre të vuajtjeve që u janë shkaktuar jo-serbëve dhe përpjekjet e tyre për të rehabilituar kriminelë të luftës të dënuar. Përveç përhapjes së mesazheve të pranimit nga udhëheqës politikië, transmetuesit publikë duhet të prodhojnë dhe të sigurojnë përmbajtje që paraqet fakte për krimet e forcave serbe në bazë të provave të mbledhura nga ICTY dhe burime të tjera të besueshme. Duhet të prodhohen me zëra të viktimave jo-serbe për t’i humanizuar ata sërish dhe për të demonstruar se empatia për tjetrin nuk është akt tradhëtie ndaj serbizmës, sikurse mëson ideologjia e Karaxhiqit. Këto janë thjesht shembuj se si duhet të jetë një përpjekje e koordinuar e medias për t’u sinjalizuar audiencave serbe dhe jo-serbe se normaliteti i ri i Karaxhiqit po shpërbëhet.

Një tjetër betejë me rëndësi është në sistemin e arsimit. Dëshmi të krimeve të kryera nga forcat serbe, natyra e tyre sistematike dhe impakti që kanë tek popullata e Bosnje dhe Hercegovinës duhet ta gjejnë rrugën në kurrikulumin e historisë në shkolla fillore dhe të mesme. Librat shkollorë të këtyre niveleve duhet të spastrohen nga gjuha nxitëse kundër jo-serbëve, që i pasqyron ata si “armiqtë historikë” të serbëve. Kurrikulumi universitar në fakultetet e drejtësisë dhe shkencave politike, që tani shërbejnë si terreni ku ushqehet nacionalizmi dhe revizionizmi i skajshëm duhet të reformohen për të përfshirë edhe studimin e krimeve sistematike kundër jo-serbëve, duke analizuar arsyet pse dhe pasojat. Po ashtu, universitetet në Beograd dhe Banja Luka duhet të këshillohen që të krijojnë një institut të përbashkët për studimin e genocidit që do të kishte programe specifike në nivel universitar dhe pasuniversitar të fokusuar tek hulumtimi i aspekteve të ndryshme të krimeve kundër njerëzimit që janë kryer në Bosnje dhe Hercegovinë.

Së fundmi, duhen bërë përpjekje të konsiderueshme nga autoritetet lokale në Republika Srpska për të memorializuar vuajtjet e qytetarëve të vet jo-serbë. Memorialet duhet të zhvillohen në bazë të konsultimeve të kujdesshme me familjet e viktimave dhe me të mbijetuarit, në vende të vuajtjes, si për shembull vendet ku kanë qenë kampet e përqendrimit, por edhe në hapësira të përbashkëta ku do të jenë të dukshme për banorët aktualë dhe të shërbejnë për qëllime edukative. Për të theksuar rolin e tyre të reparacionit dhe rikthimin e jo-serbëve si qytetarë të barabartë ndaj të cilëve autoritetet kanë detyrime, këto memoriale duhet të financohen nga fondet publike.

Efekti pozitiv i këtyre akteve të thjeshta të pranimit do të shumëfishohet dukshëm nëse shoqërohet me një sërë reparacionesh. Qëllimi kryesor duhet të jetë që të adresohet dëmi që u është shkaktuar jo-serbëve nga sipërmarrja kriminale e udhëhequr nga Karaxhiqi dhe ata të shndërrohen nga armiq në bashkë-qytetarë.

Ndryshe nga propaganda që ka shoqëruar padinë e GJND-së që Bosnia paraqiti kundër Serbisëpër genocid dhe agresion, këto reparacione nuk arrijnë në qindra bilionë dollarë, por mund të jenë një përzierje e reparacioneve simbolike dhe materiale që Republika Srpska dhe Serbia mund t’i përballojnë.

Hapi i parë do të mund të përfshinte zgjidhjen e shumë rasteve nga ish-të arrestuar të kampeve që kanë ngritur padi kundër RS për dëme jo-materiale pranë gjykatave vendore. Vendimet e tilla mund të përmbajnë një kombinim të pagesave simbolike dhe benefiteve nga programe të dizajnuara së pari dhe kryesisht për të pranuar detyrimin që ka RS ndaj atyre që kanë pësuar vuajtje në duart e aparatit të vet të sigurimit. Një burim i fondeve për të mbështetur një program të tillë mund të jenë milionat e eurove që qeveria e RS-së paguan çdo vit për familjet e të akuzuarve dhe të të dënuarve për krime lufte, ndërsa pjesa tjetër mund të vijë nga një fond i krijuar për këtë qëllim me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar.

Këto fonde mund të përdoren për të mbështetur punësimin e familjeve të viktimave që jetojnë në RS si dhe bursa për fëmijët e viktimave dhe të të mbijetuarve. Po ashtu, familjet dhe të mbijetuarit e viktimave duhet të kenë benefite si kujdes shëndetësor falas, lirim nga taksat dhe asistencë me strehimin. Në realitet, kjo nuk do të shkaktonte kosto të mëdha për buxhetin e RS-së, pasi numri i familjeve të viktimave dhe të mbijetuarve që jetojnë në RS është relativisht i vogël, por pranimi i të drejtave të tyre do të kishte një impakt të stërmadh në distancimin e qeverisjes aktuale nga politikat e Karaxhiqit.

Së fundmi, zonat e banuara kryesisht nga jo-serbë që janë targetuar specifikisht për shkatërrim nga forcat serbë duhet të klasifikohen si zona të interesit të posaçëm për qeverinë e RS sa i përket zhvillimit dhe rindërtimit. Kjo ka potencialin për të inkurajuar kthim më të përhershëm të jo-serbëve, që deri tani janë lënë t’ia dalin mbanë vetë, si dhe asistencë ndërkombëtare për të riparuar dëmet e shkaktuara nga shkatërrimi dhe grabitja e qëllimshme. Politikat e miratuara nga autoritetet lokale aktuale s’janë tjetër veçse diskriminuese, ku Prijedori është shembulli më i mirë: këtë vit, buxheti komunal ka alokuar më shumë para për një strehimore për qentë e braktisur se sa për asistencën për refugjatët jo-serbë. Zhvillimi i këtyre fushave mund t’u sjellë vetëm përfitime komuniteteve lokale, pasi infrastruktura e përmirësuar dhe ndryshimi i qëndrimit nga autoritetet lokale mund të tërheqë investime nga jo-serbët që aktualisht jetojnë jashtë, potenciali ekonomik i të cilëve është i madh.

"Në afat të gjatë, mund të kemi një mundësi për paqe jetëgjatë dhe të qëndrueshme, përfshirë marrëveshje kushtetuese në bazë të konsensusit që pasqyron faktorët aktualë politikë, ekonomikë dhe kulturorë, se sa themelet e kalbura të trashëgimisë së Radovan Karaxhiqit."

Është koha për të vepruar

Efektet e mundshme të një qasjeje të tillë të re nga autoritetet e Republika Srpskas dhe Serbisë mund të jenë transformative dhe jo vetëm për shpërbërjen e realitetit që ka krijuar Karaxhiqi. Kjo qasje do të sinjalizonte një shkëputje të pastër nga metodat e tij për ndjekjen e qëllimeve politike, që tani janë dokumentuar me autoritet dhe janë gjykuar si krijminale nga aktgyjimi i ICTY.

Ky distancim nga krimet e Karaxhiqit do të ndihmonte në legjitimizimin e pozicionit politik të serbëve të Bosnjes brenda Bosnje dhe Hercegovinës dhe komunitetit ndërkombëtar. Ai do të shërbente shumë për të delegjitimizuar perceptimin boshnjak për Republika Srpskan si një kërcënim për sigurinë dhe do t’u ofronte serbëve një platformë për të kërkuar me të drejtë reciprocitetin për pranim dhe reparacion nga Federata e BeH lidhur me viktimat serbe të krimeve të luftës. Së fundmi, do t’i detyronte boshnjakët të heqin dorë nga të qenurit viktimë si burimi parësor i legjitimitetit politik në ndërtimin e marrëdhënieve të tyre me homologët në Bosnje dhe Hercegovinë dhe ndërkombëtarisht, duke i detyruar ata të dallojnë interesat legjitime politike serbe nga përpjekjet për genocid të ndërmarrjes kriminale të Karaxhiqit.

Ky është vetëm fillimi. Në afat të gjatë, mund të kemi një mundësi për një paqe jetëgjatë dhe të qëndrueshme, me marrëveshje kushtetuese në bazë të një konsensusi që pasqyron faktorët aktualë politikë, ekonomikë dhe kulturorë dhe jo themelet e kalbura të trashëgimisë së Radovan Karaxhiqit.

E kuptoj plotësisht se ky propozim mund të hidhet poshtë si naiv në dritën e realitetit aktual që ka marrë formë jo vetëm nga krimet e Karaxhiqit, por edhe nga plaçkitja e dhunshme që në këto 20 vitet e fundit ka krijuar një Hidra të interesave të ndërthurrura politike, kriminale dhe afariste. Po ashtu, një kontekst gjithnjë e më shumë kaotik në rajon dhe më gjerë në hapësirën gjeopolitike nuk e përkrah aspak vullnetin e nevojshëm politik për ndryshime të tilla, për të mos thënë gjë për sfida më të gjera që paraqiten nga ndryshimet e klimës dhe popullsia që po vjetërohet. E kam të qartë se ky tekst ndoshta vetëm sa do të bëjë për të qeshur njerëzit që aktualisht janë në pushtet, të cilëve supozohet se ky tekst u adresohet, si dhe politikave të tyre.

Sigurisht që reagime të tilla janë të kuptueshme. Këto zgjidhje kërkojnë shtetarë të vërtetë, vizioni i të cilëve shkon përtej përfitimeve afatshkurtra politike dhe materiale për vete dhe për kolegët e tyre në parti, si dhe merr parasysh benefitet për njerëzit e tyre dhe njerëzit e tjerë që ndajnë këtë vend me ta.

Mirëpo, nëse përpjekja e Radovan Karaxhiqit për të shuar tek ne çdo aftësi për të patur konsideratë për dhimbjen e tjetrit nuk na ka ndryshuar përfundimisht, atëherë ne do ta përqafojmë këtë domosdoshmëri morale dhe detyrim për të drejtat e njeriut që duhet të jenë katalizatorët e këtyre politikave. Në të njëjtën kohë, alternativa e zbehtë e konfliktit të ngrirë dhe perspektivës reale të përshkallëzimit të saj mund ta bëjnë këtë një nevojë politike. Madje urgjente.


 

Paneli në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd. Nemanja Stjepanoviq duke iu drejtuar studentëve. (Foto: YIHR)


Beograd, mbrëmja e 29 marsit 2016, amfiteatri i Fakultetit të Shkencave Politike. Salla është përplot njëzet-e-ca-vjeçarë, studentë të vitit të parë dhe të dytë, të etur për të dëgjuar panelistët tek kryqëzojnë shpatat mbi një pyetje të ngarkuar “A ekziston ligji dhe drejtësia në Hagë?” Paneli përbëhet nga Kosta Çavoski, një profesor ultranacionalist i së drejtës dhe mbështetës i zjarrtë i Karaxhiqit, Goran Petronijeviq, një nga avokatët e Karaxhiqit dhe Nemanja Stjepanoviq, gazetar dhe hulumtues nga Qendra për të Drejtën Humanitare në Beograd. Diskutimi arrin shpejt në atë pikë ku Çavoski dhe Petronijeviq bëjnë gara me njëri-tjetrin se kush ta fyejë më shumë ICTY dhe haptazi keqinterpretojnë pothuajse gjithçka në aktgjykimin ndaj Karaxhiqit. Thëniet e tyre vulgare nxisin duartrokitje të fuqishme nga studentët. Stjepanoviq përpiqet ta kthejë diskutimin tek provat mbi të cilat është mbështetur aktgjykimi, mirëpo zëri i tij mbytet nga ulërimat e audiencës dhe të dy panelistëve të tjerë.

Në një çast, Çavoski fillon të përqeshë aktgjykimin ku bëhet fjalë për fushatën e përdhunimeve sistematike të grave dhe vajzave myslimane në Foça (ku është përfshirë dhe dëshmia e dëshmitares FSW-75). “Shakatë” e tij për gratë e Foças pasohen nga të qeshurat shurdhuese dhe përqeshjet e audiencës. Studentët e Universitetit të Beogradit qeshin me historitë pikëlluese të përdhunimeve dhe skllavërimit seksual të vajzave edhe 12 vjeçare. I shtangur, Stjepanoviq pyet se si mund të qeshin me diçka aq të tmerrshme, me të gjitha ato prova që gjenden në aktgjykim. Një vajzë e re, e bukur, e ulur në rreshtin e tretë përgjigjet: “Ne kemi qeshur kur lexuam aktgjykimin, pse të mos qeshim tani?”

Po na mbaron koha.

 

FILTRO

READ THIS ALSO