Pse Maqedonia nuk është e interesuar për procesin e pajtimit në rajon?

Burimi: Recom.link

Nga Ljubica Spaskovska

Në vitin 2002, Human Rights Watch i drejtoi një peticion Presidentit të Maqedonisë Trajkovski, duke shprehur shqetësimin se një ligj i lënë pezull për amnistimin e krimeve të ndërlidhura me konfliktin e armatosur të vitit 2001 mund t’i mbronte kriminelët e luftës nga ndjekja penale. Frika e tyre u realizua. Nëntë vite më vonë, në korrik 2011, Parlamenti i Maqedonisë votoi për zbatimin e Ligjit të Amnistisë të vitit 2002 për të gjitha rastet e kthyera në Maqedoni për ndjekje penale nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime në Ish-Jugosllavi (ICTY). Vendimi ndërpreu hetimin dhe ndjekjen penale në katër raste të krimeve të luftës – “Udhëheqësia e NLA”, “Punëtorët e rrugës së Mavrovës”, “Rezerva e ujit në Lipkovo” dhe “Neprošteno”, që Maqedonia kishte kërkuar t’i dërgoheshin Tribunalit në vitin 2002, por u kthyen sërish në Maqedoni në vitin 2008. Amnesty International me të drejtë ka argumentuar se vendimi parlamentar ishte pjesë e marrëveshjes pas-zgjedhore ndërmjet dy partive në pushtet, partisë konservatore të qendrës së djathtë VMRO-DPMNE dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), që është partia më e madhe e shqiptarëve etnikë të Maqedonisë, udhëheqësit e së cilës kishin drejtuar luftën guerilase në vitin 2001. Sikurse kam argumentuar, Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001 na nxiti drejt një periudhe të ‘shtetësisë së frakturuar’, që në thelb ka të bëjë me jetë politike të segmentuar dhe identitete të cimentuara etno-nacionale në vend. Në të ardhmen kjo mund të lëvizë ose drejt një shtetësie më të integruar demokratike ku frakturat të ‘shërohen’ ose bashkohen me një dimension etnik të dobësuar për nga rëndësia, ose drejt një shtetësie vërtet të fragmentuar, me identitete të përcaktuara dhe të veçuara qartë, me institucione dhe forma të përkatësisë politike dhe kulturore.

“Ndjekja penale e shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare humanitare nuk mund të jenë subjekt i ndërhyrjeve politike” ka konkluduar Amnesty International në vitin 2011. Mirëpo ajo që ka ndodhur ka qenë veçse ndërhyrja politike. BDI ka mbetur në pushtet bashkë me VMRO-DPMNE, duke përqafuar ndërkohë një retorikë dukshëm nacionaliste. Sidoqoftë, ‘idiomat konkurruese të kombësisë’ në Maqedoni dhe realiteti i dy partive politike të definuara etnikisht që udhëheqin bashkë në një koalicion pothuajse stabil, pa ndonjë platformë të përbashkët apo program të përbashkët para-zgjedhor, i kanë dhënë jetë një ndarjeje autoritare të pushtetit që është specifike për këtë kontekst. Në këtë hapësirë të multikulturalizmit feudal, me abuzimet e veta të rënda të pushtetit dhe korrupsionit sistematik që kanë çuar drejt krizës së vazhdueshme politike, përpjekjet e vërteta për pajtim apo sjellje të drejtësisë kanë qenë joekzistente. Kur Johan Tarculovski, një zyrtar i policisë që ka qenë i vetmi qytetar maqedonas i akuzuar për krime lufte në ICTY, u lirua në vitin 2013, ai u prit nga Kryeministri Nikola Gruevski dhe Ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankulovska personalisht që i dhanë atij pasaportën e re maqedonase. Megjithatë, partneri shqiptar në koalicion me VMRO-në nuk protestoi. Që të dyja partitë duket se janë zhytur në politika kriminale, me pak apo aspak interesim ta çojnë vendin përpara në kuptim të përmirësimit të standardit të jetës apo fuqizimit të bashkëekzistencës përmes arsimit dhe medias. Përkundrazi, ata duken se inkurajojnë përleshjet etno-populiste për përfitime politike afatshkurtra.

Mungesa e interesimit nga ana e tyre për bashkëpunim rajonal të mirëfilltë dhe për pajtim bashkohet me jokompetencën e tyre të përgjithshme në pothuajse çdo sferë të qeverisjes, sikurse u pa qartë pas skandalit të përgjimit, që nxori në pah korrupsionin shokues të sistemit dhe shpërfilljen e hapur për sundimin e ligjit. Për më tepër, elitat konservatore politike dhe intelektuale rreth VMRO-DPMNE vazhdimisht kanë denoncuar diskursin e moderuar të elitave socialiste të Maqedonisë në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe përpjekjet e tyre për të parandaluar shpërbërjen e dhunshme dhe reformimin e federatës.  Në dhjetë vitet e fundit, ato kanë qenë edhe pioniere të revizionizmit të paprecedentë historik, kanë ngritur një muzeum për ‘viktimat e komunizmit’, kanë fshirë trashëgiminë kulturore dhe arkitekturore socialiste/internacionaliste të Shkupit dhe nuk kanë humbur asnjë mundësi për të sitgmatizuar të kaluarën jugosllave.

Me rastin e dënimit të Radovan Karaxhiqit me 24 mars, Philippe Sands QC, Profesor i së Drejtës dhe Drejtor i Qendrës për Gjykata dhe Tribunale Ndërkombëtare pranë University College, Londër, ka vëzhguar se Tribunali Ndërkombëtar Penal për Ruandën (ICTR), që ka krijuar një sistem të gjykatave të komunitetit Gacaca nëpër fshatrat e Ruandës, ka qenë më i suksesshëm se ICTY për promovimin e pajtimit. Edhe pse ICTY mund të ketë grumbulluar të dhëna shumë të çmueshme për krimet e kryera, takimet dhe diskutimet e çështjeve në lëndinat plot bar të fshatrave mund t’i kenë afruar më shumë komunitetet dhe fqinjët se sa gjykimet nga Haga e largët apo politikanët populistë pushteti i të cilëve varet nga përçarja dhe pajtimi i dështuar.

Autorja, PhD, është Hulumtuese e Asociuar pranë Universitetit Exeter dhe anëtare e ekipit hulumtues të projektit ‘1989 pas 1989 – të rimenduarit e rënies së socializmit shtetëror në perspektivë globale’

 

FILTRO

READ THIS ALSO