Autor: Arbër Selmani

Prej faljes së gjaqeve te pajtimi, zgjatja e dorës, e sotmja

Para pak ditësh, kujtuam Anton Çettën. Më shumë ses Anton Çettën, kujtuam Pajtimin e Gjaqeve dhe 20-të vjetorin e nismës e cila i pajtoi shqiptarët dhe i liroi prej hasmërisë së tyre, i liroi prej burgut ku kishin zënë vend me vite, prej skllavërimit të vetmisë, prej izolimit të gjeneratave të reja, prej gjaknxehtësisë.

Gjeneratat e reja megjithatë sot nuk kanë shumë informacion mbi këtë periudhë të ndritur shqiptare.

Kjo ndoshta sepse në librat e historisë ka shumë pak informata në raport me nevojën e gjeneratës së re për të mësuar mbi Anton Çettën, bashkëpunëtorët e tij, ata që lanë anash krenarinë dhe falën gjakun e familjarëve, dhe pa dashur të futem në historikun e kësaj ngjarjeje, për të cilën do duhej lexuar secili në moshë të re për edukim të mëtutjeshëm, dua të mendoj se gjeneratat e reja kanë kuriozitet dhe dëshirë ta hulumtojnë më shumë këtë kohë të fillimviteve 90-të.

***

 

Për mua, njashtu gjeneratë e re, është shpesh e pabesueshme se si dikush arriti ta ndalte hovin e nxehtë të shqiptarit. Mbi të gjitha një burrë, burrë shqiptar i lindur në kohë regjimi dhe i rrekur me shovinizmin serb, por megjithatë me plot vullnet që ta gjente emëruesin e përbashkët për familjet që nuk guxonin të lëviznin prej njëra tjetrës. Pajtimi. Shtrëngimi i dorës. Harresa. Pranimi.

Për mua, i lindur në vitin 1991, pikërisht në mesin e kësaj periudhe lulëzimi për shqiptarët, është e pabesueshme se si shqiptarët e përdorën brenda përbrenda elementin e pajtimit, faljes, përqafimit, lotit të fundit për një vuajtje, përtypjes së tërë vuajtjes që mund të ketë vazhduar dhe sigurisht ka përcjellë këta njerëz por megjithatë tentimin për të vazhduar jetesën në liri fizike – më pak mendore.

 

***

Dhe kur reflektoj, e mendoj se ku është sot një Anton Çettë? A ka sot një burrë në këtë shoqëri që mund t`na pajtojnë në dallimet dhe budallallëqet tona akute? A ekziston sot një mekanizëm që të mund të pajtojë së pari shqiptarët brenda Kosovës, në mes vete, e më pas të mund të gjejmë një paqe edhe në Ballkanin e stërmbytur me politikë të zbraztë në përmbajtje, në dukje dhe në sipërfaqe?

 

***

Sot, si mund ta falësh një burrë që dhunon? Si mund ta falësh një grua që dhunon? A mund ta falësh një mësues që nuk ligjëron në mënyrën më të mirë? A ekziston një territor i përbashkët ku falja dhe pajtimi vijnë si emërues i përbashkët?
Se prej faljes, ndoshta e largojmë edhe të keqen. Se prej faljes, se po ta mësonim faljen si nocion vite më parë, ndoshta sot do të gabonim më pak e s’do të kishim frikë të sulmoheshim nga të gjithë në secilin hap e gabim, qoftë njerzor apo monstruoz.

Se ndoshta kur marrim dy njerëz që nuk kanë raporte të mira mes vete, mund të provojmë që ata ta falin njëri tjetrin. Se pikërisht kjo falje, që nuk vjen kurrë, reflekton gjendjen shpirtërore të rrënuar të të dyja palëve. Të dyja shteteve, të dyja mendjeve që ndryshojnë prej njëra tjetrës.

Sot, duhet të na falin gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, sepse i kemi tmerruar me gjithcka që ka ndodhur në këto vite të pasluftës. Sot, duhet ta falim, por ta dënojmë me drejtësi, një mësues dhe një polic dhe një gjyqtar dhe një psikolog që nuk e ka kryer punën e vet si duhet. Sot duhet të na falë secila vajzë e re të cilës nuk i siguruam jetën, e lejuam ta humbiste rrugën në qorrsokak dhe vazhdojmë ta gjykojmë në mënyrën e saj të jetesës. Sot e gjithmonë, le të gjejmë ata që kanë humbur në luftën e fundit në Kosovë dhe të marrim faljen e fundit të familjarëve të tyre. Dje kemi mundur ta falim një dhunues, që të mos shumohen të tjerët pas tij, në një shoqëri ku dhunimi e përdhunimi duket se hyjnë si normë e pranuar.

A bën të mos e falim edukimin e dështuar? A bën të mos e falim urrejtjen? Por me bisedë, e me dialog, e me një grua a burrë, a bën të shtrijmë dorën e të betohemi se kur shkojmë në shtëpi e qesim në peshore mendimin tonë strikt për diçka, për gjithcka?

Të sjellësh falje në tavolinën e diskutimit, ka nevojë fillimisht për një mirëkuptim të dyfishtë. Ka një armik të përbashkët të të gjithëve, dhe kjo është urrejtja. Dhe në mënyrë që të mos urrejmë, duhet të falim, duhet të edukojmë veten dhe të tjerët – me anë të një cilësie më të lartë arsimi, në mënyrë formale dhe joformale

 

***

E di se edhe sot ka fëmijë dhe familje që janë të mbytura në gjakmarrje. Në vitin 1990, njerëzit falnin për hatër të atdheut. Pse të mos falim ne sot, për hatër të vetes, unit tonë, qenies tonë, qetësisë dhe paqes brenda kësaj qenieje.

Është komplekse ndjenja e faljes ndër shqiptarë. Sikur nuk dijmë të falim shpesh, nuk dijmë të pajtohemi ose t’i pajtojmë të tjerët. Themi se nuk është përgjegjësi e jona, por edhe në jetët tona, falim pak. Nuk falim dhe shumëzojmë inatin tonë me 100.

Keni ndjesë njerëz, keni ndjesë me veten dhe të tjerët, me të kaluarën dhe të tashmen e të ardhmen. Keni faljen si element për një jetë më të mirë. Duhet ta falim sot veten edhe për njerëzit që shkuan, që na vranë, që nuk po na kthejnë, që i vramë ne. Keni zemërbutësi për zemrat që rrahin rëndë në këtë Ballkan. Politikanët e Ballkanit, pse nuk falni ju? Pse nuk kërkoni edhe faljen tonë, na jepni faljen tuaj për ato që na bëtë? Viktima në Kosovë, në Bosnje, në Kroaci, në Serbi….a është shitur zemra e gjithësecilit apo ka ende dozë të faljes, pajtimit, përqafimit mes shteteve që e humbën toruan dhe humbën, mes tjerash, edhe veten….?

PROČITAJTE I OVO

Kolumnet ynë

Kolumnet DwP në www.dwp-balkan.org është një produkt i medias së re në platformë online ku flitet për ballafaqimin me të kaluarën. Kolumnet DwP është një platformë rajonale online për reflektime konstruktive lidhur me tema që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, me qëllim të fuqizimit të qasjes së hapur dhe konstruktive në nivel rajonal. Duke përdorur blogun si një mjet, ne synojmë të nxisim diskutime konstruktive në rrjet lidhur me temat aktuale në fushën e ballafaqimit me të kaluarën.

Mohim i përgjegjësisë

Kolumnet “Ballafaqimi me të kaluarën” është pjesë e uebfaqes rajonale për tematikën e ballafaqimit me të kaluarën www.dwp-balkan.org. Ky blog shërben si një platformë online për debate konstruktive rreth temave që kanë të bëjnë me Ballafaqimin me të Kaluarën. Pikëpamjet e shprehura në këtë blog janë të autorëve/blogerëve dhe jo detyrimisht përfaqësojnë pikëpamjet e organizatës forumZFD (forumi për Shërbimin Qytetar për Paqe). Inkurajojmë kopjimin dhe shpërndarjen e këtij materiali, me kusht që teksti të mos modifikohet dhe që të përfshihet referenca e duhur e uebfaqes dhe emri i autorit. Kopjimi dhe rishpërndarja janë pa pagesë.