Autor: Selman Repišti

BALLAFAQIMI ME TË KALUARËN NGA PERSPEKTIVA E PSIKOTERAPISË

Përballimi i ngjarjeve stresuese, që lënë shenja psikologjike, mund të jetë fare mirë përballim me vetë të ardhmen. Nëse veten e shohim si viktimë të përvojave negative të së kaluarës, ndodh që edhe të ardhmen ta shohim me sy depresiv e me ndjenja të angështisë dhe anasjelltas. Mirëpo, ''dhurata natyrore'' më e madhe që i është dhënë njerëzimit është liria për të zgjedhur ndërmjet alternativave të ndryshme. Kështu, ne mund të vendosim nëse duam t'i pranojmë ngjarjet negative nga e kaluara ashtu si janë, apo t'i shndërrojmë në përvoja më të pranueshme (d.m.th. më të shëndetshme). Disa prej nesh, këtë e bëjnë në mënyrë automatike dhe të pavetëdijshme, ndërsa të tjerë kanë nevojë për dikë (një mik, prind, motër ose vëlla, psikoterapist, këshilltar, udhëzues për jetën etj.) që t'i kuptojë dhe t'i mbështesë gjatë ballafaqimit me përvoja të tilla.

Para së gjithash, ata që e përjetojnë të kaluarën e tyre si një barrë të rëndë që duhet të tejkalohet apo refuzohet, duhet të kuptojnë se nuk kanë pse të jenë skllevër të saj. Ata kanë vullnetin e tyre; pra, mund të jenë të hapur dhe të rriten në aspektin psikologjik. Së dyti, secila përvojë negative është një lloj mësimi nga jeta dhe që duhet të mësohet dhe zotërohet. Së treti, ballafaqimi me të kaluarën duhet të perceptohet si sfidë e cila mund të vërë në provë kapacitetet tona psikologjike dhe fiziologjike. Me fjalë të tjera, është një ushtrim intrapersonal dhe ndërpersonal që fuqizon mekanizmat psikosocialë të përballimit të përvojave, mendimeve dhe emocioneve të pakëndëshme. Së katërti, ngaqë tashmë kemi fituar përvojë me këtë kategori të problemeve psikologjike, mund t'ju ndihmojmë të tjerëve që kanë vështirësi të ngjashme. Në psikologjinë njerëzore, kjo praktikë quhet vetë-transhendenca dhe rekomandohet për natyrën e saj prosociale. Bashkë me të, edhe terapia në grup është një shembull i ndihmës për të tjerë ndërkohë që ballafaqohemi me probleme të ngjashme psiko-sociale. Sigurisht, terapia në grup preferohet që të udhëhiqet nga ndonjë psikolog, psikoterapeut ose psikiatër i trajnuar.

Po ashtu, kemi dhe një tjetër strategji (të vetë-ndihmës) që mund të zbatohet në raste të problemeve të kësaj natyre, e ashtuquajtura krahasimi social me ata në gjendje më të rëndë se vetja. Kjo strategji e përballimit përfshin krahasimet mes vetes dhe atyre që kanë probleme më të rënda se tonat. Për të qenë më specifikë, nëse bëjmë krahasime të kësaj natyre (me ata më keq se vetja), mund t'i perceptojmë problemet tona si më të përballueshme se sa i kemi menduar më parë.

Nga këndvështrimi i psikoterapisë psikoanalitike, njerëzit duhet të përpiqen që përvojat e tyre negative t'i nxjerrin në sipërfaqe të vetëdijes dhe të merren me to me ndihmën e psikoanalistit. Mirëpo së pari duhen kapërcyer mekanizmat mbrojtës, sepse ata pengojnë depërtimin në mendjen e pandërgjegjshme. Nga ana tjetër, mekanizmat mbrojtës (shtypja, regresioni, projeksioni, racionalizimi...) e mbrojnë egon tonë nga përmbajtja shkatërruese e mendjes së pandërgjegjshme. Kjo është arsyeja se përse psikoterapia psikoanalitike zhvillohet ngadalë. Shprehur me fjalë të tjera, mendja e ndërgjegjshme e një personi nuk duhet të jetë e tejmbushur me trauma apo përvoja të tjera të pakëndëshme. Kështu, psikoterapia është proces me hapa, i përshtatur për kapacitetet dhe burimet psikologjike të secilit klient.

Nga perspektiva e terapisë konjitive-biheviorale (CBT), ekziston një rreth keqbërës i mendimeve tek personat që janë të ngarkuar me përvoja negative nga e kaluara. Ky model negativ i të menduarit (që përmban mendime automatike vetëshkatërruese) duhet të riprogramohet dhe të shndërrohet në një proces të të menduarit pozitiv. Përmes CBT-së, klientët bëhen të vetëdijshëm për mendimet e tyre toksike dhe gjendjet e pakëndëshme emocionale dhe fillojnë të punojnë me to në mënyrë sistematike dhe të mirëplanifikuar në bazë të marrëveshjes ndërmjet klientit dhe psikoterapistit.

Dihet se ballafaqimi me një të kaluar të vështirë është proces i dhimbshëm. Mirëpo ekzistojnë mekanizma që mund ta lehtësojnë këtë proces. Është përgjegjësia jonë (ndaj shëndetit mendor) dhe jo zgjedhja për t'i përdorur apo për të kontaktuar ndonjë profesionist që është në gjendje të ofrojë ndihmë. Duhet të mbajmë gjithnjë parasysh se në mesin të drejtave tona themelore është edhe e drejta për të kërkuar ndihmë kur jemi në situata të palakmueshme. Mbështetja emocionale, konkrete dhe e informuar shoqërore janë disa nga format e reciprocitetit kolektiv që e bëjnë jetën tonë më të lehtë për t'u jetuar dhe në përgjithësi, më të përmbushur.

Selman Repishti (1987) është psikolog boshnjako-malazez, statisticien dhe shkrimtar. Ai ka botuar pesë libra, më shumë se 20 punime shkencore si dhe rreth 100 artikuj shkencorë për publik. Fushat kryesore të interesit të tij profesional janë personaliteti, pozitiviteti dhe psikologjia shkencore. Ai promovon të nxënit gjatë të gjithë jetës dhe metodat dhe ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të mirë mendor.

 

PROČITAJTE I OVO

Kolumnet ynë

Kolumnet DwP në www.dwp-balkan.org është një produkt i medias së re në platformë online ku flitet për ballafaqimin me të kaluarën. Kolumnet DwP është një platformë rajonale online për reflektime konstruktive lidhur me tema që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, me qëllim të fuqizimit të qasjes së hapur dhe konstruktive në nivel rajonal. Duke përdorur blogun si një mjet, ne synojmë të nxisim diskutime konstruktive në rrjet lidhur me temat aktuale në fushën e ballafaqimit me të kaluarën.

Mohim i përgjegjësisë

Kolumnet “Ballafaqimi me të kaluarën” është pjesë e uebfaqes rajonale për tematikën e ballafaqimit me të kaluarën www.dwp-balkan.org. Ky blog shërben si një platformë online për debate konstruktive rreth temave që kanë të bëjnë me Ballafaqimin me të Kaluarën. Pikëpamjet e shprehura në këtë blog janë të autorëve/blogerëve dhe jo detyrimisht përfaqësojnë pikëpamjet e organizatës forumZFD (forumi për Shërbimin Qytetar për Paqe). Inkurajojmë kopjimin dhe shpërndarjen e këtij materiali, me kusht që teksti të mos modifikohet dhe që të përfshihet referenca e duhur e uebfaqes dhe emri i autorit. Kopjimi dhe rishpërndarja janë pa pagesë.