Autor: Dragan Markovina

Këto shoqëri po dëshmojnë çdo ditë dhe në çdo kuptim se nuk janë ballafaquar aspak me të kaluarën

Foto: Srgjan Veljoviq

 

Ekzistojnë një sërë arsyesh për një tekst me këtë tiull, sepse këto arsye shfaqen pothuajse çdo ditë. Mund të kishim shkruar për të gjitha këto edhe pas shpalljes së aktgjykimit në rastin e Mlladiqit, ashtu si mund ta kishim bërë edhe pas aktgjykimeve në rastin e zyrtarëve të Herzeg-Bosnjas ose të Sheshelit. Mund të kishim shkruar për këtë temë pas vizitës së Vuçiqit në Zagreb ose pas përfundimit të papritur të  vizitës së Jandrokoviqit në Beograd. E njëjta vlen për çastin pas vrasjes së Ivanoviqit në Kosovë, lojës së vazhdueshme me luftë të Izetbegoviqit, si dhe talljes që i bëri Plenkoviqi një gazetari të televizionit N1 dhe refuzimit për t’iu përgjigjur pyetjes vetëm pse ai ishte nga Beogradi. Të gjithë këta shembuj të lartpërmendur vazhdimisht tregojnë se asnjëra nga këto tri shoqëri: kroate, serbe dhe boshnjake-hercegovinase as që janë përballur ndonjëherë me pasojat e zgjedhjeve të tyre politike, të luftës dhe veprimeve nacionaliste të kryera në emrin e tyre. Megjithatë, ne do të fokusohemi tek shoqëria serbe dhe kroate, sidomos në kontekst të përdorimit aktual të Jasenovacit për grindje politike mendjengushta ndërmjet dy politikave të paafta që janë në axhendën e Zagrebit dhe Beogradit.

 

Për fat të keq, e vërteta është se as gjatë periudhës sociale, deri nga mesi i viteve 1980 dhe dobësimit të autoritetit nuk ka patur fuqi apo arsye të mjaftueshme për të inicuar diskutime serioze për të gjitha vendet traumatike të së kaluarës në kuptimin e plotë të fjalës, përfshirë edhe Jasenovacin. Kurrë nuk ka patur gatishmëri për të diskutuar gabimet e veta. Kjo është një nga gjërat që ka patur ndikim shumë të madh, si për inerci, tek i njëjti refuzim për ta bërë këtë edhe sot e kësaj dite, mirëpo në mënyrë indirekte kjo e ka bërë të mundur stigamitizimin e hapur dhe të dhunshëm të periudhës së antifashizmit dhe asaj socialiste, që gjithnjë e më shumë po portretizohen në mënyrë të rreme si një nga dy totalitarizmat shkatërrimtarë nga ana e historiografisë institucionale dhe e autoriteteve shtetëore. E gjitha kjo po bëhet me qëllimin për të arsyetuar disi rehabilitimin e hapur dhe të vazhdueshëm të ushtrive dhe regjimeve kolaboracioniste.

 

Çfarë tjetër përveçse mungesës së traditës në ballafaqimin me të kaluarën mund të jetë origjina e një qëndrimi kaq poblematik ndaj së kaluarës? Kryesisht është një kombinim i besimit të sinqertë për saktësinë e qëndrimeve dhe politikave nacionaliste dhe oportunizmit të thjeshtë të udhëheqësve politikë që nuk janë në gjendje të kundërshtojnë gjendjen shpirtërore të masave. Kështu, udhëheqësit politikë shndërrohen në asgjë tjetër pos populistë të zakonshëm që me dëshirë zotërojnë dëshirat më primitive të shoqërisë, të rritur në një atmosferë jotolerance e madje urrejtjeje në vitet 1990, por edhe pas asaj periudhe. Duke e patur këtë në mendje, është e qartë se diagnoza më e saktë e shoqërive lokale është ajo e sjellë nga Mirko Kovaçi shumë kohë më parë, përkatësisht se elita është më e keqe se një turmë.

 

Këtu, përveç oportunizmit, hipokrizia është përcaktuesi i dytë më i zakonshëm i veprimeve të tilla. Kjo është e lehtë të perceptohet në bazë të asaj se si Shesheli quhet kriminel lufte, që arsyetohet dhe bazohet në fakte, ndërsa i njëjti vendim i Tribunalit të Hagës në rastin e zyrtarëve të Herzeg-Bosnjes nuk pranohet. Sërish, Vuçiqi imiton zemëratën e njeriut të drejtë kur është fjala për qëndrimin e politikanëve kroatë ndaj Jasenovacit, por ai nuk ka kurajo të mjaftueshme, dëshirë apo urti që të kërkojë falje për deklaratat e veta dhe për veprimet e luftës në atë kohës. Sërish, Plenkoviqi me të drejtë tmerrohet nga deklaratat nacionaliste të Vulinit për kampin e vdekjes në Jasenovac dhe në të njëjtën kohë ai nuk i sheh efektet e veprimeve të veta, për shkak të të cilave për të tretin vit me radhë në Jasenovac u krijuan tri radhë për përkujtim. I gjithë problemi me shoqëritë kroate dhe serbe qëndron në faktin se ato priren të marrin vetëm ato elemente të së kaluarës që u vijnë për shtati, i spastrojnë nga konteksti origjinal dhe pastaj i përdorin kryesisht për qëllime politike. Problemi kyç për të dyja shoqëritë është qëndrimi ndaj rezistencës së partizanëve dhe Jugosllavisë socialiste. Ata do të preferonin të mos flisnin për këto të dyja, mirëpo meqë kjo gjë është pothuajse e pamundur, së pari dhe para së gjithash për shkak të faktit se të dy vendet shtrihen në ish-territorin e Këshillit Anti-Fashist për Çlirimin Kombëtar të Jugosllavisë dhe se ata ende jetojnë nga infrastruktura e asaj periudhe, ata përpiqen të falsifikojnë vlerat dhe realitetin e vendit dhe trashëgiminë e tij. Sigurisht që kjo nuk është aspak ideale apo demokratike, mirëpo vlerat e veta kushtetuese anti-fashiste, përfshirë vëllazërimin dhe besimin ndërmjet popujve të Jugosllavisë janë tërësisht në përputhje me themelet mbi të cilat është ndërtuar Evropa moderne nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër janë tërësisht në kundërshtim me vlerat ende mbizotëruese nacionaliste në të dyja shoqëritë. Përpjekjet për të përmbushur së jashtmi normat civilizuese evropiane ndërkohë që vazhdojnë të ushqejnë nacionalizëm klerik endemik, në bazë të vlerave kolaboracioniste dhe të politikave të brendshme, kjo situatë nuk mund të përfundojë në mënyrë tjetër veçse në dështim.

 

Gjëja më e trishtueshme në të gjithë këtë situatë është fakti se politika të tilla, dukshëm të mbështetura mbi qëndrimin ndaj minoriteteve, në fund të fundit dëmtojnë edhe vetë popullin e tyre në një mjedis ku janë minoritet. Për këtë arsye, më e pakta që politikanët bëjnë do të ishte para së gjithash të shqyrtonin disa nga faktet, shkaqet dhe proceset e njohura të Luftës së Dtë Botërore, por edhe të luftërave të kohëve të fundit mbi trashëgiminë jugosllave në vend se në mënyrë tragjike të bëjnë thirrje për hulumtime të reja, sikurse po vepron presidentja kroate Grabar Kitaroviq kur është fjala për Jasenovacin. Duke patur parasysh dokumentimin serioz të gjithçkaje që ka ndodhur, sidomos gjatë luftërave të viteve 1990, ku Tribunali i Hagës ka luajtur rol kyç, pranimi i ndershëm i përgjegjësisë vetjake për diçka që padyshim është dëshmuar, do të përbënte hapin e parë, por të rëndësishëm drejt jetës normale në këto shoqëri. Kjo duhet bërë sa më parë të jetë e mundur, duke patur parasysh faktin se periudha e ngitjes gjithnjë lidhet me bashkëpunimin, bashkëekzistencën dhe respektin e ndërsjellë në mesin e popujve vendas, ku çdo politikë tjetër ka sjellë shkatërrimin si dhe katastrofa ekonomike, shoqërore dhe demografike. Edhe pse në dukje ky është proces i dhimbshëm, është thjesht e pabesueshme se deri në ç’shkallë shoqëritë dhe politikanët vendas që i udhëheqin këto shoqëri ende këmbëngulin tek e fundit,  ndërsa zërat e mbetur të arsyes dhe të rezistencës po heshten me akuza për tradhëti kombëtare, term ky popullor në Kroaci, ose se janë mercenarë të të huajve, term më popullor në Serbi.

Dragan Markovina është historian dhe publicist kroat.

PROČITAJTE I OVO

Kolumnet ynë

Kolumnet DwP në www.dwp-balkan.org është një produkt i medias së re në platformë online ku flitet për ballafaqimin me të kaluarën. Kolumnet DwP është një platformë rajonale online për reflektime konstruktive lidhur me tema që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, me qëllim të fuqizimit të qasjes së hapur dhe konstruktive në nivel rajonal. Duke përdorur blogun si një mjet, ne synojmë të nxisim diskutime konstruktive në rrjet lidhur me temat aktuale në fushën e ballafaqimit me të kaluarën.

Mohim i përgjegjësisë

Kolumnet “Ballafaqimi me të kaluarën” është pjesë e uebfaqes rajonale për tematikën e ballafaqimit me të kaluarën www.dwp-balkan.org. Ky blog shërben si një platformë online për debate konstruktive rreth temave që kanë të bëjnë me Ballafaqimin me të Kaluarën. Pikëpamjet e shprehura në këtë blog janë të autorëve/blogerëve dhe jo detyrimisht përfaqësojnë pikëpamjet e organizatës forumZFD (forumi për Shërbimin Qytetar për Paqe). Inkurajojmë kopjimin dhe shpërndarjen e këtij materiali, me kusht që teksti të mos modifikohet dhe që të përfshihet referenca e duhur e uebfaqes dhe emri i autorit. Kopjimi dhe rishpërndarja janë pa pagesë.