Autor: Eugen Jakovčić

KROACIA – BALLAFAQIMI ME TË KALUARËN


 

AUTOR: EUGEN JAKOVÇIQ

Isha në Ahmiqi (Bosnje dhe Hercegovinë) me rreth njëzetë aktivistë nga organizatat e të drejtave të njeriut në Kroaci. Pastaj, u bëmë nderimet tona edhe viktimave në Trusina (Bosnje dhe Hercegovinë). Në Ahmiqi na pritën ngrohtë dhe mesazhi i popullatës vendase ishte: “Jeni treguar guximtarë që erdhët këtu. Ju falenderojmë që ndani dhimbjen me ne”. U prekëm sidomos nga mesazhi në Trusina, ku kryetari i Shoqatës së Viktimave deklaroi: “Të gjitha viktimat janë njësoj të rëndësishme, pavarësisht se cilit grup etnik i përkasin. Secila nënë vajton vdekjen e tyre”. Që nga krimet në Ahmiqi (Bosnje dhe Hercegovinë) ka kaluar një çerek shekulli. Në këtë fshat të Bosnjes Qendrore, Batalioni i Katërt i Policisë ushtarake të Këshillit Kroat të Mbrojtjes dhe “Xhokerët”, një njësi speciale e forcave policore të lartpërmendura, vranë 116 civilë boshnjakë, prej të cilëve 32 ishin gra dhe 11 fëmijë (fëmija më i vogël ishte vetëm tre muajsh), mëngjesin e datës 16 prill 1993.

 

Dy orë pas krimit në Ahmiqi, ushtarët e Forcave të Armatosura të Bosnje dhe Hercegovinës, Njësia Zulfikar, vranë 15 civilë kroatë dhe shtatë ushtarë në fshatin Trusina pranë Konjicit (Bosnje dhe Hercegovinë). Kryesit e krimeve në Ahmiqi dhe Trusina, sidomos komandantët, u dënuan me burgim të gjatë dhe disa prej tyre u futën në burg pas një periudhë të gjatë që kishin kaluar të fshehur, kohë gjatë së cilës organet shtetërore u kishin siguruar logjistikë dhe forma të ndryshme të ndihmës. Kriminelët nga Ahmiqi iu shmangën për ca kohë Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) sa ishin në Kroaci, me ndihmën e qeverisë së ish-presidentit kroat Franjo Tugjman. Kryesit direktë të krimeve të luftës – Pashko Ljubiçiq, Vllado Qosiq, Ante Slishkoviq dhe Tomo Vllajiq – jetuan nën identitete të rreme në periferitë e Zagrebit dhe Zarës. Operacioni për shpëtimin e kriminelëve të Ahmiqit u udhëhoq nga Markica Rebiq, ish-shefi i shërbimit ushtarak dhe të inteligjencës së Ushtrisë Kroate.

 

Duke iu referuar kësaj përvoje, sociologu i njohur kroat dhe bashkëudhëtari im në udhëtimin që e përmenda, Drazhen Llalliq (autor i hulumtimit “Ballafaqimi me të kaluarën – pikëpamjet dhe opinionet e akterëve dhe publikut në periudhën e pas-luftës”), shkruajti këto fjalë nmë tekstin e tij që u botua në gazetën ''Večernji list'': “Gjatë vizitës në Ahmiqi, u shqetësova shumë. E kuptova arsyen kryesore të shqetësimit tim sapo vura këmbë në vendin e vizitës: krimet në atë fshat i kishin bërë burra nga grupi im etnik; fakti që ata ishin nga një vend tjetër nuk e ndryshonte këtë fakt”.

 

Ashtu si ka thënë kolegu Llalliq, pavarësisht faktit që “kriminieli gjithnjë është veçse një individ… dhe se nuk është logjike që t’i bëhen akuza morale një populli të tërë (Karl Jaspers)” gjërat nuk janë aq të thjeshta dhe këtu arrijmë në pikën që e konsideroj si jashtëzakonisht të rëndësishme në proceset e ballafaqimit me të kaluarën, përkatësisht se “edhe pse të gjithë personat që i përkasin një populli të caktuar nuk janë fajtorë për krime e kryera në emrin e tyre, ata nuk duhet të ndjehen tërësisht të pafajshëm”.

 

Kryesisht synoj të them se kjo formë e purifikimit duhet të pritet nga udhëheqësit e një populli të caktuar. Kur është fjala për popullin kroat, qoftë në Kroaci apo Bosnje dhe Hercegovinë, atij i mungojnë politikanët që do ta pranonin këtë kërkesë njerëzore dhe të arsyeshme, pasi një numër i madh i krimeve në vitet 1990 janë bërë në emër të popullit në fjalë gjatë luftërave në të gjithë ish-Jugosllavinë. Kjo ka qenë veçanërisht e theksuar në vitet e fundit, sidomos gjatë situatave kur Tribunali i Hagës ka shpallur aktgjykimet në bazë të përgjegjësisë penale individuale, pavarësisht faktit a ishin aktgjykime që dënonin apo lironin nga akuzat të ashtuquajturit “djemtë tanë”. Akti tragjik i pirjes së helmit që bëri një nga kryesit e dënuar për krime luftë gjatë një prej aktgjykimeve të fundit të tribunalit ad hoc të përmendur të OKB-së në rastin e Përlliq dhe të tjerët [1], rast ku kam qenë personalisht i pranishëm në sallën e gjykimit gjatë shpalljes së aktgjykimit, ka treguar se në këtë rajon ne ende jetojmë në një kulturë sipas së cilës është më e rëndësishme që me fanatizëm të dëshmosh “të vërtetën” tënde dhe heroizmin se sa të kujdesesh për njerëzit e tu, njerëz që të duan dhe që të besojnë. Ky akt individual tragjik për fat të keq i ka privuar vetë viktimat nga mundësia për të arritur drejtësinë. Ashtu si ka paralajmëruar Mille Llasiq, profesor pranë Fakultetit të Filozofisë së Univesitetit të Mostarit, gjatë një interviste me “Slobodna Dalmacija” në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, “aktgjykimi i Hagës në rastin e kroatëve nga Bosnje dhe Hercegovina, i ngarkuar me aktin tragjik të vetëvrasjes së gjeneralit Pralljak, do t’i kontribuojë fitores së kulturës selektive të kujtesës në rastin e të tri etnike në Bosnje dhe Hercegovinë, që do të thotë se viktimat do të vazhdojnë të harrohen nga të gjitha palët dhe ata që ishin përgjegjës për turpin dhe rikthimin në barbari do të glorifikohen si heronj. Kundrejt kulturës së kujtesës selektive, që në thelb është harresë e kultivuar në mënyrë të ndërgjegjshme, kultura vërtetë kritike e kujtesës kryesisht nënkupton ndjenjën e turpit për krimet dhe mizoritë e tjera që janë kryer kundër të drejtës humanitare në emrin tonë”. Ai gjithashtu ka shtuar se “ne vajtojmë vetëm viktimat tona dhe përkujtojmë vetëm heronjtë tanë, që zakonisht janë thjesht shfajësime në sytë e njërës apo tjetrës etni”.

 

Aktgjykimi i përmendur në rastin e Përlliq dhe të tjerëve është ende temë që nxit kundërshti në radhët e publikut kroat, edhe pse është më se i qartë. Dhoma e Ankesave ka vërtetuar shumicën e konkluzioneve më të rëndësishme të aktgjykimit të shkallës së parë lidhur me karakterin ndërkombëtar të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë për shkak të përfshirjes së Kroacisë, gjë që, sipas konkluzionit, “pati fuqi aktuale në disa komuna nëpërmjet Këshillit Kroat të Mbrojtjes”. Po ashtu është konfirmuar se presidenti Franjo Tugjman, por edhe zyrtarë të tjerë kroatë kishin të njëjtin qëllim me ndërmarrjen e përbashkët kriminale të të akuzuarve, si dhe në disa komuna ekzistonte “gjendja e pushtimit”. Në vend të keqardhjes, këtë herë sërish patëm reagime prej disa prej politikanëve më përgjegjës në Kroaci dhe Bosnje dhe Hercegovinë, që gjithnjë mohojnë faktet e vërtetuara nga gjykata, ndërsa viktimat janë harruar krejtësisht, edhe pse faktet e thonë qartë, më shumë se kurrë, se aktgjykimi në fjalë ishte kryesisht përgjegjësi e individëve të dënuar dhe ish-udhëheqjes politike të Republikës së Kroacisë dhe jo e popullit kroat. Edhe njëherë, nuk pati përballje me faktet në emër të komunitetit. Pjesëtarë të popullit të tyre, kriminelët e dënuar të luftës, në fakt u viktimizuan në një vajtim kolektiv të besimit të popullit kroat që nuk mund të kishte kryer krime në luftën e supozuar për mbrojtje. Ashtu si dhe kemi parë në shembujt nga Serbia, në rastin e Mlladiqit dhe disa raste të tjera, për fat të keq politikanët vazhdojnë të barazojnë popujt me kriminelë të luftës, gjë që është e papranueshme dhe e turpshme.

 

Askush nuk mërzitet që faktet e vërtetuara në aktgjykimet e Hagës përbëjnë burim të besueshëm materialesh për të luftuar mohimin e krimeve, për rindërtim të hollësishëm të së kaluarës dhe për përballjen e vërtetë me të kaluarën. Nuk duhej fajësuar Tribunali se përse këto burime përdoren kaq pak ose nuk përdoren aspak sot dhe se publiku i gjerë në rajon apo ata që formësojnë vetëdijën e publikut janë ekskluzivisht të interesuar në rezultatin final të procedurave ligjore – dënimi ose lirimi nga akuzat dhe tek kohëzgjatja e dënimit. Këtu, gjithçka që ka çuar drejt këtij rezultati është shpërfillur: gjithë ato fakte nga aktgjykimet, të vërtetuara përmes një procesi rigoroz të grumbullimit të provave duke respektuar në të njëjtën kohë të drejtat e të akuzuarve.

 

Për fat të keq, kjo e gjitha është shumë e vështirë në Kroaci. Në qershor të vitit 2014, aktivistët për të drejtat e njeriut ftuan qytetarët e Zagrebit të merrnin pjesë në një protestë paqësore përballë katedrales së Zagrebit, protestë kjo me titullin “Në këmbë për t’i përkujtuar viktimat e luftës në fshatin Ahmiqi”.

Përkatësisht, Dario Kordiqi[2], i cili u dënua për krime lufte me aktgjykim përfundimtar, përfshirë edhe për krimet e kryera në Ahmiqi, erdhi në Kroaci në atë kohë, pasi kishte vuajtur 2/3 e dënimit me burgim. Peshkopët e Kishës Katolike në Kroaci e pritën si hero në aeroportin e Zagrebit dhe në katedralen e Zagrebit, ku u mbajt një meshë për njeriun e dënuar nga Tribunali i Hagës për masakrimin e civilëve në Ahmiqi. Ashtu si kolegu Llalliq ka thënë, në Kroaci dhe gjendja nuk është aspak më e mirë në vende të tjera të ish-Jugosllavisë (sidomos në Serbi, që i ka nisur luftërat në vendet e ish-Jugosllavisë), ekziston ende paradoksi sipas të cilit “disa intelektualë, aktivistë për paqe nga shoqëria civile, teologë, gazetarë si dhe të tjerë që nuk kanë marrë pjesë në dhunë, ndjehen përgjgjës për dhunën e rëndë dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, ndërsa ata  që i kanë kryer krimet ose ata që politikisht dhe moralisht janë përgjegjës për këto mizori, mohojnë se ‘ana e tyre’ t’i ketë kryer ose përpiqen t’i justifikojnë dhe t’i glorifikojnë kriminelët”.

 

Nga ana tjetër, drejtësia kroate ende është e stërngarkuar nga një numër i madh i krimeve të luftës që nuk janë ndjekur penalisht. Nga 490 krime të regjistruara, në 169 krime kryesit janë të panjohur. Ndërsa koha kalon, do të jetë gjithnjë e më e vështirë të hetohen krimet e kryera në fillimin e viteve 1990, provat materiale do të pakësohen gjithnjë e më shumë, po ashtu edhe viktimat e mbijetuara dhe dëshmitarët. Në raportet vjetore paraprake, Documenta ka shkruar për lodhjen e viktimave dhe dëshmitarëve që duhet të dëshmojnë disa herë gjatë procedurave penale. Në shumë raste, pjesëtarë të forcave serbe u shmangen organeve gjyqësore në Republikën e Kroacisë dhe gjykohen në mungesë, gjë që thekson nevojën për përmirësim të bashkëpunimit rajonal. Trendi i gjykimeve në mungesë është një pengesë serioze në praktikën e gjykimeve të krimeve të luftës sa i përket respektimit të parimit të gjykimit të drejtë. Për vite me radhë nuk ka patur ndonjë kornizë ligjore gjithëpërfshirëse që do të garantonte statusin dhe të drejtën për reparacion të të gjithë viktimave civile të luftës. Po ashtu, procesi i ratifikimit të Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukja e Detyrueshme nuk është inicuar dhe Ligji për Personat e Zhdukur gjatë Luftës për Mbrojtje nuk është miratuar. Kjo zbrazëti ligjore e bën të pamundur për familjet e më shumë se 1600 viktimave të sigurojnë pranim të vuajtjeve dhe të drejtën për reparacione.

 

Disa raste në Tribunalin e Hagës që gjithashtu përfshin edhe krimet e kryera në Republikën e Kroacisë nuk e kanë përmirësuar procesin e ballafaqimit me të kaluarën apo qëndrimin kritik ndaj krimeve të veta. Kjo gjë nuk e ka nxitur gjyqësorin kroat që të inicojë procedura penale në bazë të fakteve të vërtetuara me aktgjykime përfundimtare dhe që kanë të bëjnë me krimet e kryera. Në aktgjykimin e shkallës së parë (Ivan Çermak) dhe në aktgjykimin përfundimtar të datës 16 nëntor 2012, Ante Gotovina dhe Mlladen Markaçi u liruan nga akuzat dhe TPNJ-ja ia kaloi vazhdimin e ndjekjes penale për krimet e kryera pa asnjë dyshim gjyqësorit në Kroaci. Prokuroritë kompetente kanë nxjerrë vetëm tri aktakuza, ndërsa deri më tani, gjykatat kroate kanë nxjerrë dy aktgjykime përfundimtare sa i përket krimeve të luftës.

Ashtu si ka deklaruar Mirko Klarin, themeluesi i agjencisë së lajmeve të Hagës SENSE, në një prej publikimeve të Documenta-s – Qendra për Ballafaqimin me të Kaluarën, organizatat për të drejtat e njeriut ku kam punuar për një dekadë të tërë dhe që merren me temën e ndjekjes penale të krimeve të luftës, prokuroritë në rajon kanë trashëguar nga Haga rastet e qindra, për të mos thënë mijëra, të dyshuarve që janë hetuar nga prokuroria e Tribunalit gjatë dy shekujve të fundit, mirëpo janë lejuar të kalojnë përmes rrjetës së saj që është paraparë vetëm për peshqit e mëdhenj. Krimet e luftës nuk janë subjekt i parashkrimit dhe deri kohëve të fundit, ka patur gjykime të personave të akuzuar për krime lufte të kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore në Gjermani, Hungari, Itali dhe në vende të tjera. Nuk ka arsye që në dekadat në vijim në rajonin tonë të mos zhvillohen gjykime të tilla.

Eugen Jakovçiq / Documenta – Qendra për Ballafaqimin me të Kaluarën

 

Eugen JAKOVÇIQ, gazetar dhe aktivist i Documenta – Qendra për Ballafaqimin me të Kaluarën. Ai ka themeluar dhe ka implementuar projektin medial CENZURA nga Spliti për shumë vite. Gjatë kësaj periudhe, ai ka bërë më shumë se 400 intervista dhe programe televizive. Ai ka fituar çmimin e gazetarisë nga HND Forum 21 për programet televizive më të mira. Si aktivist dhe gazetar, ai ka përcjellë tema që kanë të bëjnë me trashëgiminë e luftës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirinë e medias. Që nga viti 2009 ai punon si koordinator për media pranë Documenta, duke marrë pjesë në shumë nisma të shoqërisë civile kroate dhe rajonale që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ka implementuar disa fushata me rëndësi kyçe të Documenta-s që kanë të bëjnë me të drejtat e viktimave civile të luftës.

PROČITAJTE I OVO

Kolumnet ynë

Kolumnet DwP në www.dwp-balkan.org është një produkt i medias së re në platformë online ku flitet për ballafaqimin me të kaluarën. Kolumnet DwP është një platformë rajonale online për reflektime konstruktive lidhur me tema që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, me qëllim të fuqizimit të qasjes së hapur dhe konstruktive në nivel rajonal. Duke përdorur blogun si një mjet, ne synojmë të nxisim diskutime konstruktive në rrjet lidhur me temat aktuale në fushën e ballafaqimit me të kaluarën.

Mohim i përgjegjësisë

Kolumnet “Ballafaqimi me të kaluarën” është pjesë e uebfaqes rajonale për tematikën e ballafaqimit me të kaluarën www.dwp-balkan.org. Ky blog shërben si një platformë online për debate konstruktive rreth temave që kanë të bëjnë me Ballafaqimin me të Kaluarën. Pikëpamjet e shprehura në këtë blog janë të autorëve/blogerëve dhe jo detyrimisht përfaqësojnë pikëpamjet e organizatës forumZFD (forumi për Shërbimin Qytetar për Paqe). Inkurajojmë kopjimin dhe shpërndarjen e këtij materiali, me kusht që teksti të mos modifikohet dhe që të përfshihet referenca e duhur e uebfaqes dhe emri i autorit. Kopjimi dhe rishpërndarja janë pa pagesë.