Autor: Milena Popović

KUJTESË SELEKTIVE

Kjo pranverë shënon përvjetorin e tetëmbëdhjetë të bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Republikës Federale të Jugosllavisë. Ky përvjetor i sulmeve ajrore u përkujtua me një ngjarje në Grdelička klisura, gjatë së cilës u goditën vagonët e trenit të pasagjerëve, si dhe me disa takime përkujtimore anë e mbanë Serbisë.

Serbia e përdori këtë përvjetor, ashtu sikurse ka përdorur dhe përvjetorët e tjerë më parë, për të thelluar dhe forcuar narrativën e ''vuajtjeve të popullit të pafajshëm serb, një viktimë e konspiracionit të fuqive perëndimore dhe pretendimeve për Shqipërinë e Madhe'' dhe për t’i kujtuar bombardimet si një ngjarje tërësisht të shkëputur nga i gjithë dhjetëvjeçari që u parapriu atyre. Këtë vit, përfaqësuesit e shtetit, të njëjtët persona që udhëhiqnin shtetin në vitet 1990, u përpoqën të shkaktojnë histerinë më të madhe të mundshme nacionaliste për të thelluar dhe konsoliduar pozicionin e Serbisë si viktimë.

Çdo përvjetor i ri duket se thellon dhe më tej tezën e një “ndërmarrjeje kriminale kundër Serbisë së vogël, të brishtë, por krenare'' edhe në vetëdijen e atij brezi që lindi në vitet 1990. Hendeku ndërmjet përvojave të personave nga Serbia gjatë sulmeve të NATO-s dhe luftës së vërtetë që shpërtheu në Kosovë duket se po zgjerohet nga viti në vit.

Kujtesa kolektive e “çështjes së Kosovës” në Serbi shkon deri në mars 1999, periudha kur ushtria dhe policia u tërhoqën, kur u krijuan radhët e refugjatëve serbë dhe filluan bombardimet që padyshim, rezultuan me viktima civile. Pavarësisht faktit që përveç forcave ushtarake dhe të policisë në luftë morën pjesë edhe disa mijëra burra të mobilizuar, të gjitha ato ngjarje që nuk përputhen me mitin e “marrjes së tokave të shenjta serbe'' janë fshirë nga kujtesa e shoqërisë tonë.

Duke promovuar vazhdimisht diskursin nacionalist dhe saktësinë e historisë së 'anës tonë'', Serbia sërish e humbi rastin të shihet në pasqyrë dhe të paktën të hedhë sytë pas tek dhjetëvjeçari i përgjegjësisë së saj për çmendurinë e luftës në territorin e ish-Jugosllavisë.

Duke këmbëngulur vetëm tek të dhëna dhe dukuri individuale, shoqëria jonë po harron dhe po i fshin nga mendja tmerret e kryera ndaj popullsisë jo-serbe në Kosovë për tetëmbëdhjetë vjet me radhë. Radhët e refugjatëve shqiptarë nga Kosova janë çrrënjosur tërësisht nga kujtesa jonë. Versioni serb i “konflikteve” në Kosovë madje nuk ka as ekzekutimin e familjeve të tëra apo vrasjet e civilëve.

Faktet që të sjellin ndër mend spastrimin etnik, përndjekjen dhe shkeljen në masë të të drejtave të njeriut nga regjimi i kaluar lihen në skajet e shoqërisë, jashtë narrativës mbizotëruese politike. Rrallëherë ndonjë individ apo grup i referohen vetë-përgjegjësië për gjithçka që ka ndodhur në Kosovë gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, duke guxuar të kundërshtojnë mitin kombëtar të ''pjesës së vjedhur në territorit''.

Personat që kanë nxitur ato pak nisma aktiviste dhe e kanë pranuar makinerinë e luftës në kohën kur të gjithë janë të dehur nga dalldia nacionaliste dhe narcisiste dhe kanë vënë dukje fatalitetin e saj, janë dëbuar nga sfera publike. Protestat anti-luftë, veprimet paqësore dhe dezertimi ende shihen si tradhëtia më e tmerrshme ndaj vendit, ashtu si dhe atëherë.

Në kohën kur ndodhnin tmerret ndaj popullsisë jo-serbe, mungesa e njohurisë dhe informacionit të qytetarëve të Serbisë për këtë çështje deri diku edhe mund të arsyetohet. E gjithë makineria e medias i shërbente qëllimit për t’i paraqitur publikut një pamje të shtrembëruar. Mungesa e informacionit të saktë dhe fshehja e ndërgjegjshme e të vërtetës, sipas udhëzimeve të shtetit, mbolli në kujtesë një nocion të rremë të përgjegjësisë sonë. Sot, pothuajse dy dhjetëvjeçarë pas luftës, ne kemi informacion dhe të dhëna për gjithçka që ka ndodhur gjatë luftës. Ekzistojnë dhe arkiva që në mënyrë të padiskutueshme tregojnë përfshirjen e shtetit dhe të individëve në krimet e kryera në Kosovë. Mirëpo, as provat materiale, si varret masive me trupa të shqiptarëve që janë gjetur në territorin e kryeqytetit të Serbisë nuk mjaftojnë që ne të shihemi në pasqyrë dhe të krijojmë një kujtesë të mbështetur tek faktet.

 

Autore e blogut është
Milena Popoviq
gazetare nga Beogradi
dhe bashkë-autore e filmit ''Gratë shqiptare janë motrat tona''

PROČITAJTE I OVO

Kolumnet ynë

Kolumnet DwP në www.dwp-balkan.org është një produkt i medias së re në platformë online ku flitet për ballafaqimin me të kaluarën. Kolumnet DwP është një platformë rajonale online për reflektime konstruktive lidhur me tema që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, me qëllim të fuqizimit të qasjes së hapur dhe konstruktive në nivel rajonal. Duke përdorur blogun si një mjet, ne synojmë të nxisim diskutime konstruktive në rrjet lidhur me temat aktuale në fushën e ballafaqimit me të kaluarën.

Mohim i përgjegjësisë

Kolumnet “Ballafaqimi me të kaluarën” është pjesë e uebfaqes rajonale për tematikën e ballafaqimit me të kaluarën www.dwp-balkan.org. Ky blog shërben si një platformë online për debate konstruktive rreth temave që kanë të bëjnë me Ballafaqimin me të Kaluarën. Pikëpamjet e shprehura në këtë blog janë të autorëve/blogerëve dhe jo detyrimisht përfaqësojnë pikëpamjet e organizatës forumZFD (forumi për Shërbimin Qytetar për Paqe). Inkurajojmë kopjimin dhe shpërndarjen e këtij materiali, me kusht që teksti të mos modifikohet dhe që të përfshihet referenca e duhur e uebfaqes dhe emri i autorit. Kopjimi dhe rishpërndarja janë pa pagesë.