Autor: Lejla Gačanica

Një moratorium për të kaluarën?

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi gjatë vizitës së tij në Kroaci se kroatët dhe serbët nuk kanë interesa të kundërta sa i takon së ardhmes dhe sugjeroi një moratorium gjashtë-mujor lidhur me temat nga e kaluara”. (N1 për intervistën me Globus, 6 shkurt 2018). Po ashtu, Presidenti i Serbisë përmendi çastin e përndritjes që përjetoi në Nju Jork lidhur me Jasenovacin, “temat traumatike” dhe “temat e ndjeshme”. Sipas tij, nëse qëndron larg diskutimeve, kjo hap rrugën drejt dialogut, që është i pazëvendësueshëm për marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy vendeve. Me siguri i menduar si një eksperiment, ai sugjeron gjashtë muaj heshtje për të kaluarën (dhe nëse na duhet të flasim për të kaluarën, të përpiqemi të “dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të ulim tonin çdo herë – që të dyja palët”).

Ka diçka në këtë ndryshim të retorikës që na bën të pyesim veten: si mund të rritet vetëdija e elitave politike që pastaj këto elita t’ia lejojnë vetes të mos flasim për të kaluarën? Apo të paktën të dëshirojnë të ndikojnë mbi mënyrën se si diskutohet për të kaluarën? Duhet të ngremë çështjen se çfarë i motivon ata, çfarë qëllimi kanë dhe çfarë pritet të thonë (gjëra të përshtatshme për raste të veçanta dhe mbi të gjitha, politikisht korrekte). Nga një tjetër vështrim, a do të ishin të gatshme të gjitha palët ndërluftuese (sikurse thotë Vuçiqi: që luftuan kundër njëri-tjetrit edhe 23, edhe 70 vjet më parë) të mos flasin (dhe aq më pak të diskutojnë) për tema dhe data sensitive për gjashtë muaj?

Deri në ç’masë është i pranishëm përbërësi i identitetit në konflikt, në humbjen dhe dhimbjen e qytetarëve nga të gjitha palët dhe nga të gjitha vendet në mënyrë që ata të heshtin, le të themi për gjashtë muaj, për qëllime të korrektësisë politike? A ekziston diçka e quajtur “harresë produktive” (si, për çfarë, nga kush dhe për kë)? Kam frikë se moratoriumi nënkupton mundje – heqje dorë nga ballafaqimi me të kaluarën, nga kultura kritike e kujtesës, eliminim të nevojës për kujtesë negative, të ballafaqimit me traumat, për të cilat këto shoqëri të pas-konfliktit kanë nevojë. Të heshtësh për të kaluarën nuk është i vetmi shans për dialog.

Përkundrazi, ne na duhet të ballafaqohemi me të kaluarën në vend se ta fshehim poshtë qilimit. Dialog nënkupton diskutim. Pjesëmarrësit janë thelbësorë për diskutimin. Pjesëmarrësit nuk janë qëllime plastike apo retorikë mbi përditshmërinë. Nuk ka në rajon dialog të bazuar tek koncepti “marrëveshja mori fund” sipas të cilit ajo që ka ndodhur nuk ka më rëndësi. Një nga qëllimet e Strategjisë për Ballkanin Perëndimor (6 shkurt 2018) është ruajtja e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe, ku përfshihet edhe mbështetja për drejtësinë tranzicionale.

“Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës – ne kemi të njëjtën histori, të njëjtën gjeografi, të njëjtën trashëgimi kulturore dhe të njëjtat mundësi dhe sfida sot dhe në të ardhmen” ka thënë Federika Mogerini (Federica Mogherini), Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë. E vërtetë, por sa histori (interpretime) mund të paraqiten për diskutim këtu? Apo thënë më mirë – të mos paraqiten për diskutim për një periudhë gjashtë-mujore?

Në të njëjtën kohë, TripAdvisor e ka shënjuar Hotel Vilina Vlas in Vishegrad si vend krimi. “Edhe pse dyshekët mund të jenë ndërruar, muret të jenë rilyer, kornizat e shtretërve ku sot flenë turistët janë të njëjtat ku dhjetëra gra janë sulmuar. Holli është i shtruar me të njëjtat pllaka prej të cilave u shpëla gjaku dhe vizitorët përdorin të njëjtën pishinë aty ku vendi u përdor për të vrarë”. (The Guardian, 28 janar 2018). Vilina Vlas sot është hotel. Menaxhmenti ka vendosur të heshtë për këto ngjarje të 22 viteve më parë. A mund ta shohim këtë si shembull të një të “ardhmeje më të mirë” dhe të një “mundësie për dialog”?

 

PROČITAJTE I OVO

Kolumnet ynë

Kolumnet DwP në www.dwp-balkan.org është një produkt i medias së re në platformë online ku flitet për ballafaqimin me të kaluarën. Kolumnet DwP është një platformë rajonale online për reflektime konstruktive lidhur me tema që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, me qëllim të fuqizimit të qasjes së hapur dhe konstruktive në nivel rajonal. Duke përdorur blogun si një mjet, ne synojmë të nxisim diskutime konstruktive në rrjet lidhur me temat aktuale në fushën e ballafaqimit me të kaluarën.

Mohim i përgjegjësisë

Kolumnet “Ballafaqimi me të kaluarën” është pjesë e uebfaqes rajonale për tematikën e ballafaqimit me të kaluarën www.dwp-balkan.org. Ky blog shërben si një platformë online për debate konstruktive rreth temave që kanë të bëjnë me Ballafaqimin me të Kaluarën. Pikëpamjet e shprehura në këtë blog janë të autorëve/blogerëve dhe jo detyrimisht përfaqësojnë pikëpamjet e organizatës forumZFD (forumi për Shërbimin Qytetar për Paqe). Inkurajojmë kopjimin dhe shpërndarjen e këtij materiali, me kusht që teksti të mos modifikohet dhe që të përfshihet referenca e duhur e uebfaqes dhe emri i autorit. Kopjimi dhe rishpërndarja janë pa pagesë.