Autor: Evzi Hani

Roli i ballafaqimit me të kaluarën në sistemin e arsimit të Kosovës

Kur kemi parasysh të kaluarën e vështirë, duhet të pranojmë arritjet që janë bërë në këto vite, lutet Evzi Hani. Puna vullnetare dhe programet e arsimit joformal janë mënyra të mira që të rinjtë të ecin përpara, si ka treguar dhe përvoja e tij…

I/ e dashur lexues/e,

Vendosa ta nis këtë artikull me një histori të shkurtër që ma ka treguar një shoku im i cili jeton në Gjermani:

“Kur isha në shkollë të mesme, u regjistrova në klasën sportive dhe duhej të garonim për vrapimin 100-metërsh. Isha tip sportiv dhe i aftë të vrapoja shumë shpejt. Nga ana tjetër, kisha një shok që në krahasim me mua, ishte shumë më i ngadaltë, sepse nuk ishte atlet profesionist. Në fillim të vitit, profesori ynë mati rezultatet e garës tonë të parë dhe sigurisht, unë isha i pari i klasës.  Në provimin e fundit për atë vit, duhej të garonim sërish. Edhe njëherë, u ndjeva shumë i lumtur dhe krenar, mirëpo gjithçka ndryshoi kur dëgjova profesorin që shpalli rezultatet dhe notat. Shoku im, i cili ishte më i ngadaltë se unë, kishte marrë notën më të mirë, ndërsa unë një notë kaluese. U zemërova dhe u zhgënjeva, i bindur se kjo gjë nuk ishte e drejtë, se meritoja më shumë.  Ende më kujtohet mësimi më i mirë për jetën që më dha profesori atë ditë: “Që nga dita jotë e parë, ti ke përparuar pak, ndërsa shoku yt ka përparuar më shumë se të gjithë këtu, ai tani vrapon shumë më shpejt se në fillim. Që të gjithë kemi pika të ndryshme të nisjes, por është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm se sa larg kemi shkuar kur kemi parasysh prej nga u nisëm”.

Problemi me sistemin aktual formal të arsimit është se përpiqet t’i vërë notë “njohurive” të studentëve. Sipas pikëpamjes time, njerëzit nuk kanë të drejtë t’i vënë notë njohurive të të tjerëve, pasi kjo është diçka personale, studentët duhet të jenë të vetëdijshëm se çfarë dinë dhe ku mund të përmirësohen, sepse, ashtu si në historinë më lart, të gjithë kanë pika të ndryshme të nisjes. Në një botë ideale, sistemi i arsimit do të ofronte mundësi, motivim dhe mbështetje gjatë të gjithë procesit të të mësuarit.

Ballafaqimi me të kaluarën është temë e ndjeshme. Nuk është aspak e lehtë. Megjithatë, ai mund të na japë “mësime” të fuqishme dhe të na ndihmojë në vendimet që marrim se çfarë do të bëjmë në të tashmen dhe të ardhmen. Gabimet e njeriut kanë sjellë dëme katastrofike për jetën në Tokë. Mirëpo nga ana tjetër, jeta ka ecur përpara në shumë drejtime. Po të bëjmë krahasimin me pikën nga jemi nisur, në shumë mënyra ia kemi dalë mbanë të bëjmë përpara. Numri i grave që ndjekin shkollën, si dhe koha sa gjatë rrinë në shkollë është rritur; numri i personave që vdesin nga katastrofat është ulur dhe në 20 vitet e fundit, niveli i njerëzve që jetojnë në varfëri ekstreme pothuajse është përgjysmuar.

Arsimi luan rol kyç për ruajtjen e paqes dhe për përmirësimin e jetës në planetin tonë. Sa më shumë dimë për njëri-tjetrin, aq më shumë do të jemi në gjendje ta kuptojmë njëri-tjetrin dhe të marrim vendime të mençura për njerëzit që na përfaqësojnë dhe vendosin në emrin tonë.

Problemi është se në shoqërinë tonë ka patur shumë ndryshime dhe arsimi formal nuk e ka ruajtur hapin me ato ndryshime. Rezultati është nevoja për metoda të reja mësimore në sistemin aktual të arsimit. Puna vullnetare është një mënyrë mjaft e mirë për ta bërë këtë, pasi u lejon të rinjve të mësojnë në rrugë joformale.

Përmes vullnetarizmit, të rinjtë mund të zgjedhin fushëveprimin e aktiviteteve ku do të donin të përfshiheshin dhe të mësojnë duke u bërë pjesëtarë të rrjeteve që ndajnë vlera të caktuara. Këta elementë luajnë rol kyç në rritjen e motivimit për të mësuar dhe për t’u bërë aktivë.

Unë sugjeroj që të rinjtë të angazhohen në programe të ndryshme vullnetare si Shërbimi Vullnetar Evropian (Erasmus+ Program).  Prapavija ndërkombëtare e këtij programi sjell edhe një qasje të re dhe dimension të ri se si të rinjtë nxënë njohuri. Zakonisht, këto programe fokusohen tek përmirësimi i komunikimit në gjuhë të huaja, të nxënit për të mësuar, përgjegjësitëe sociale dhe qytetare, nxitjen e nismës dhe ndërmarrësisë, vetëdijen kulturore dhe kreativitetin (në kuadër të programit, këto përkufizohen si kompetencat kyçe).

Gjatë jetës time kam bërë punë vullnetare për një periudhë gjashtë vjeçare dhe një vit kam qenë vullnetar në Vjenë. Atje, për herë të parë në jetën time, nisa të bashkëpunoj me një grup njerëzish nga 15 shtete të ndryshme, përfshirë vende si Kosova, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Ne na u caktua detyra për të rritur vetëdijësimin lidhur me parandalimin dhe shkatërrimin e armëve bërthamore, si dhe me identifikimin e temave dhe projekteve që kishin të bënin me pajtimin në vendet tona. Ne krijuam miqësi të thella dhe me sukses implementuam një sërë aktivitetesh. Nga vetë procesi mësova shumë: mësova gjermanisht dhe përmirësova shkathtësitë e mia në anglisht, mësova si të përshtatem në një vend të huaj, si të planifikoj dhe si të dëgjoj. Ishte një përvojë e  mrekullueshme, ku mësova për kulturën e popujve nga kontinente të ndryshme. Kjo gjë u bë e mundur nga përjetimi dhe përfshirja fizike dhe emocionale në atë proces. Ato aktivitete më ndihmuan të përcaktohem për rrugën e karrierës që kam këto katër vitet e fundit. Dhe për të parën herë kemi një rrjet prej më shumë se 300 partnerësh që vijnë nga vende të ndryshme të BE-së dhe jo të BE-së. Kështu, në njëfarë mënyre, dëshira për bashkëpunim dhe nevoja për të sjellë ndryshime mund të tejkalojë çështjet që kanë mbetur pezull nga e kaluara.

Shumica e njerëzve mësojnë nga përvojat e tyre. Ata mësojnë duke u përballur me pengesa dhe duke i tejkaluar ato, ata mësojnë duke dëgjuar të tjerët, mësojnë nga gabimet, duke punuar, mësojnë si të dështojnë dhe të ringrihen, mësojnë si të ëndërrojnë dhe të ecin përpara. Secila kulturë dhe secili person në të ka diçka që t’ia ofrojë botës dhe bota sot është më e mirë se sa ka qenë 100 vite më parë dhe shumë më e mirë se 1,000 vite më parë.

Unë e besoj se mundësia për paqe dhe pajtim është e ndërlidhur ngushtë me aftësinë për të ofruar arsim të duhur për brezat e rinj.

Evzi Hani

Evzi Hani është Udhëheqës i Departamentit të Projekteve pranë Qendrës për Zhvillim Ekonomik dhe Shoqëror dhe ka koordinuar më shumë se 15 projekte ndërkombëtare për vullnetarë me fokus tek gjithëpërfshirja dhe diversiteti. 

Z. Hani ka më shumë se 10 vjet përvojë në arsimin joformal dhe të nxënit joformal. Ai është punëtor social dhe po studion për shkallën PhD në Menaxhim të Njohurisë. 

PROČITAJTE I OVO

Kolumnet ynë

Kolumnet DwP në www.dwp-balkan.org është një produkt i medias së re në platformë online ku flitet për ballafaqimin me të kaluarën. Kolumnet DwP është një platformë rajonale online për reflektime konstruktive lidhur me tema që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, me qëllim të fuqizimit të qasjes së hapur dhe konstruktive në nivel rajonal. Duke përdorur blogun si një mjet, ne synojmë të nxisim diskutime konstruktive në rrjet lidhur me temat aktuale në fushën e ballafaqimit me të kaluarën.

Mohim i përgjegjësisë

Kolumnet “Ballafaqimi me të kaluarën” është pjesë e uebfaqes rajonale për tematikën e ballafaqimit me të kaluarën www.dwp-balkan.org. Ky blog shërben si një platformë online për debate konstruktive rreth temave që kanë të bëjnë me Ballafaqimin me të Kaluarën. Pikëpamjet e shprehura në këtë blog janë të autorëve/blogerëve dhe jo detyrimisht përfaqësojnë pikëpamjet e organizatës forumZFD (forumi për Shërbimin Qytetar për Paqe). Inkurajojmë kopjimin dhe shpërndarjen e këtij materiali, me kusht që teksti të mos modifikohet dhe që të përfshihet referenca e duhur e uebfaqes dhe emri i autorit. Kopjimi dhe rishpërndarja janë pa pagesë.