Autor: Lejla Gačanica

Pasqyra të kujtesës sonë

Nuk keni për të marrë udhëzime për jetë në Bosnje e Hercegovinë. Madje nuk ka as ndonjë etiketë për këshillat prindërore, edhe pse do të ishin të dobishme. Dikush që e kam për zemër, kur ishte nxënës i klasës së parë, e ka përshkruar me dëshpërim ditën e tij të parë të shkollës në kantonin e Sarajevës: ''Ata luajtën një këngë për ne, ne u ngritëm në këmbë dhe vendosëm dorën mbi zemër''. E çfarë di një fëmijë për himnin! Në përfundim të shkollimit fillor, ai do të mësojë për shpërbërjen e Jugosllavisë, do t’i jepet një përmbledhje e shkurtër për shpalljen e pavarësisë së Bosnje e Hercegovinës dhe për Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit dhe ndoshta ideja për një qasje të re në mësimin e historisë në këtë kanton do të vijë në jetë. Nëse nxënësi im i klasës së parë do të ishte në ndonjë komunë kroate, ai do të mësonte për historinë e Kroacisë dhe Luftën e Atdheut. Mirëpo, nëse do të ishte në Republikën Srpska, ai do të mësonte një histori të ndryshme. Nëse, rastësisht, do të ndiqte njërën nga dy shkollat nën të njëjtën çati, ndoshta mund t’i shkëmbente pikëpamjet e tij me dikë nga shkolla tjetër nën të njëjtën çati. Sido që të jetë, në përfundim të shkollimit fillor, ai do të ketë dëgjuar shumë për luftën, Dejtonin dhe ndarjet jashtë shkollës, ndaj ky arsimim formal në histori do të jetë thjesht qershia mbi shtresat e sipërme të së kaluarës së afërt të Bosnje e Hercegovinës.

I kam pyetur personat që u përkasin brezave të lindur pas vitit 1995 se çfarë mbajnë mend nga ngjarjet që kanë ndodhur në Bosnje e Hercegovinë pak para lindjes së tyre. Kam bërë studime dhe kisha interesim të zbuloj se çfarë mbanin mend për ato gjëra ku nuk kishin qenë dëshmitarë. Përgjigjet e tyre ishin nga më të ndryshmet: kujtimet më të shpeshta kishin të bënin me heronj ose viktima, me faktin se lufta ishte e tmerrshme, me vrasje të fëmijëve, me operacionin Stuhia, me Srgjan Aleksiqin, deri dhe gjeste të papritura njerëzore (si ndihma për ‘ata', ata persona nga ana tjetër, nga ana e armikut, që kishin patur nevojë për ndihmë). Edhe pse nuk kanë dëshmi personale të luftës së kaluar, të mos e gënjejmë veten – brezat e pasluftës jetojnë me traumat e luftës dhe vuajnë nga ato. Dhe ata mbajnë mend. Mirëpo, kush i filtron këto kujtime dhe si? Çfarë mbahet mend? Si i përcaktojnë jetët e tyre këto kujtime/e kaluara?

A janë ata të interesuar për të kaluarën? Nëse jo, është krejtësisht e kuptueshme. Përse të jenë? Kur unë isha në moshën e tyre (dhe tani kam mjaft vite sa ta përdor këtë shprehje!), kjo nuk ishte çështje interesimi, por realiteti. Paqja, thjesht mungesa e luftës, na befasonte po aq sa lufta. Ishte një situatë e re, rregulla të reja, një realitet i ri ku na duhej të gjenim balancën ndërmjet asaj që kishim qenë, çfarë ishim, çfarë kishim përjetuar dhe çfarë donim. Duket se donim shumë vizione të ndryshme të së ardhmes! Ndërkohë që këto vizione ndërtoheshin dhe vinin në jetë, ne (po, po, të gjithë ne) krijonim narrativat me të cilat u rritën brezat e pasluftës. E pastaj ne befasohemi nga ‘si janë bërë kështu të rinjtë’! Vërtet, çfarë ndodhi me ta? Ata janë ngopur me faktin që luftën ua përplasin në fytyrë gjithë kohën dhe kanë frikë nga tingujt e luftës, janë të përgatitur për ta mbrojtur veten, të painteresuar, agresivë, të përçarë dhe ata të rinjtë nga Jajce ('ata të rinjtë nga Jajce' si personifikim i të gjithë të rinjve në Bosnje e Hercegovinë që nisin dhe sjellin ndryshime tek pozicionet e mykura dhe të ruajtura me kujdes). Në rastin e të rinjve tanë, mund të shohim dhe të lexojmë gjithçka me të cilën i kemi mbrujtur që nga viti 1995. Kur them 'ne', vërtet e kam fjalën për të gjithë ne – familjet, shkollat, median, individët, politikanët, muzikantët, etj, të gjithë kemi kontribuar (ose jo, që është njëjtë e rëndësishme) për të lëmuar pasqyrat që – provoni dhe do ta shihni – pasqyrojnë të gjithë fuqinë e pafuqisë së politikave zyrtare të kujtesës, monumenteve, rindezjes së nacionalizmit, sistemeve arsimore, të të vërtetave të kundërta. Dhe në  mesin e të rinjve tanë është pasqyrimi i asaj që kemi arritur të 'ruajmë' dhe 'përjetësojmë' në Bosnje e Hercegovinë gjatë njëzetenjë viteve të fundit. Duke ruajtur dhe përjetësuar atë që duhet mbajtur mend, më shumë me qëllim se sa në mënyrë të pavetëdijshme, ne i shtyjmë drejt harresës kujtimet e padëshiruara. Këto kujtime të padëshiruara janë ende aty, sepse me sa më duket mua, është ende shumë herët për t’u zhytur në harresë.

Megjithatë, kur e kaluara e institucionalizuar gllabëron realitetin, çka të inkurajon është fakti se edhe pasqyrat e kujtesës sonë përmbajnë pjesën e gatshme për të bërë pyetje. Ne dëgjojmë, shohim dhe ndjejmë praninë e mendimit kritik dhe zërave alternativë, si për shembull 'kurrikulum eksperimental në arsim' ose 'vende të pashenjuara të vuajtjes' ose 'historia e të nxënit' ose 'monumentet e papërshtatshme' ose 'kujtimet 677'.

Në momente të tilla ndjej keqardhje për humbjen e mundësive për të sjellë më shumë perspektiva për të rinjtë – ndoshta na duhen kundër-monumente që depërtojnë tek personalja, tek individualja dhe e bëjnë të mundur lidhjen me të kaluarën në një nivel të kuptueshëm, për të rinjtë dhe njerëzor; na duhen më shumë hapësira të dukshme dhe të sigurta për mendimin kritik dhe zërat për të kaluarën dhe historitë tona; na duhet mbështetje dhe gjithëpërfshirje në të gjithë nivelet (sepse ky nuk është vetëm 'roli' i shoqërisë civile dhe nuk duhet të funksionojë ekskluzivisht si e kundërta e shtetit, entiteteve, kantoneve, komunave dhe komuniteteve lokale). Por le të themi se nuk ka ndonjë “kohë të duhur” për të ripërtërirë vetëdijësimin qytetar, aktivizmin dhe ballafaqimin me të kaluarën dhe vërtet shpresoj që të mos jetë shumë vonë për BeH.  

Ky nuk është tekst apo vend me një fund të lumtur të  thjeshtë. Nuk ka ndonjë “jetuan përgjithmonë të lumtur” për Bosnje e Hercegovinën apo njerëzit e saj që ne duhet ta ‘marrim’ apo ‘meritojmë’ sipas ndonjë parimi universal të drejtësisë. E dashura shoqëri e paskonfliktit në Bosnje e Hercegovinë, të dashur individë dhe kolektivë, ne duhet ta ndërtojmë atë vetë. Pyetja kyçe mbetet – a e duam? (nëse është e mundur, pa fjalë të zbrazëta mençurie, të tipit 'e ardhmja e botës është me rininë' që duhet të mendohen mirë para se t’i lihet trashëgimi të rinjve në një vend me tolerancë të ulët për të tjerët, një vend që është i mbytur në borxhe financiare dhe politikisht, ka mbetur në vendnumëro dhe me shoqëri të frustruar). 

PROČITAJTE I OVO

Kolumnet ynë

Kolumnet DwP në www.dwp-balkan.org është një produkt i medias së re në platformë online ku flitet për ballafaqimin me të kaluarën. Kolumnet DwP është një platformë rajonale online për reflektime konstruktive lidhur me tema që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, me qëllim të fuqizimit të qasjes së hapur dhe konstruktive në nivel rajonal. Duke përdorur blogun si një mjet, ne synojmë të nxisim diskutime konstruktive në rrjet lidhur me temat aktuale në fushën e ballafaqimit me të kaluarën.

Mohim i përgjegjësisë

Kolumnet “Ballafaqimi me të kaluarën” është pjesë e uebfaqes rajonale për tematikën e ballafaqimit me të kaluarën www.dwp-balkan.org. Ky blog shërben si një platformë online për debate konstruktive rreth temave që kanë të bëjnë me Ballafaqimin me të Kaluarën. Pikëpamjet e shprehura në këtë blog janë të autorëve/blogerëve dhe jo detyrimisht përfaqësojnë pikëpamjet e organizatës forumZFD (forumi për Shërbimin Qytetar për Paqe). Inkurajojmë kopjimin dhe shpërndarjen e këtij materiali, me kusht që teksti të mos modifikohet dhe që të përfshihet referenca e duhur e uebfaqes dhe emri i autorit. Kopjimi dhe rishpërndarja janë pa pagesë.