Autor: Nataša Okilj

Refleksion për identitetin – kush jam unë dhe çfarë më përcakton

Jam një nga ato tipat nervozë. Apo të ndjeshëm. Apo të dyja bashkë. Jam e tillë deri në atë masë sa ndonjëherë acarohem nga gjëra që të tjerët as që i vërejnë. Ndonjëherë, vras mendjen për vete. Në të kaluarën, acarohesha nga deklarata se gjërat nuk janë bardhë e zi. Ndonjëherë e konsideroja si një frazë që përdorej kur dikush donte të thoshte diçka, por pa thënë asgjë me kuptim. Dhe zakonisht, njerëzit acarohen nga diçka e tillë, ndonjëherë ajo gjë të lëndon. Sot, unë e di se ka jetë të cilat dëshmojnë se asgjë nuk ëhstë e bardhë apo e zezë. Epo, ndoshta kjo nuk është mënyra më e mirë për të prezantuar veten para dikujt. Kam lindur në Sarajevë, mirëpo u rrita dhe u bëra njeri në shumë vende të tjera. Jo aq në shifra, sa në kontekst të faktit se gjithçka ka ndodhur brenda 28 vjetëve. Kam jetuar në Sarajevë, Graçanicë, Përnjavor, Stara Pazova, Novi Sad dhe më pas në Sarajevë sërish. Pra, nuk është e lehtë kur më pyesin se nga jam. Sepse, a është një njeri nga vendi ku u rrit apo nga vendi ku ka kaluar fëmijërinë? Apo nga vendi ku ka kaluar vitet kur u formua? Apo nga vendi ku nisi karrierën? Apo nga vendi ku jeton për momentin? Dhe çfarë ndodh, nëse dikush kalon një muaj e gjysëm në Sarajevë dhe një muaj e gjysëm në Stara Pazova? Apo është nga vendi për ku u desh të largohet kur filloi lufta? E çfarë ndodh nëse është larguar disa herë? Përveç faktit se asgjë nuk është e zezë apo e bardhë, unë e di se si ndjehet dikush kur lufton me çështje të pazgjidhura të identitetit. Unë e di se si ndjehem. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, çështje të tjera për identitetin dalin në pah. Të kesh jetuar në Serbi dhe të jesh kthyer në Sarajevë, një nga çështjet kryesore të identitetit tim u bë edhe gjuha. Kam patur faza të ndryshme të jetës dhe transformime, nga protagonistja që i dinte të gjitha këngët popullore epike, tek personi të cilës nuk i interesonte shumë për identitetin kombëtar, sepse ai nuk mund të hahej dhe përbën vetëm një konstrukt të sajuar social. Megjithatë, pas kthimit apo arritjes time në Sarajevë, varësisht se si e interpretoj këtë, përvoja ishte aq transformuese sa në një mënyrë e kuptova që çështjet që më kufizonin apo shënjonin ishin çështje të ndjeshme që po bëheshin të rëndësishme për mua. Saktësisht, nga kam dialektin e ekavicës dhe ndjej se gjuha që flas është gjuha ime e natyrshme, edhe pse të dy prindërit e mi ende kanë dialektin e ijekavicës. Edhe unë mund ta përdor dialektin e ijekavicës, mirëpo më duket sikur po tallem. Vetëm pasi arrita në Sarajevë dhe nisa të flas atje me zë të lartë, e ndjeva se njerëzit më shihnin si një person që po qëndroja përkohësisht në qytetin tim apo ajo diçka që duhej të ishte qyteti im dhe e kuptova sa me rëndësi dhe i ndjeshëm është identiteti. Dhe sa e rëndësishme është gjuha si pjesë e atij identiteti, jo vetëm si mjet për t’u kuptuar. Unë vërtet besoj se gjuhët BKS që ne flasim janë në fakt një gjuhë e vetme dhe kjo është pse ne kuptohemi me njëri-tjetrin. Besoj se ndarja e gjuhës është politike. Ashtu si përdorimi i gjuhës me ndjeshmëri gjinore që është një çështje e ndjeshme politike, është një çështje e marrëdhënieve për pushtet dhe jo e rregullave të shkrimit. Sidoqoftë, gjuha është shumë më tepër se aq. Ajo është dhe shfaqje e identifikimit dhe ndikimit se si të tjerët na shohin. Nuk ka rëndësi kush janë të parët apo të dytët në një çast të caktuar. Rolet janë të ndryshme në vende të ndryshme, modelet e sjelljes janë të ngjashme. Unë e di ç’do të thotë të jesh nxënëse e klasës së parë në një shkollë fillore në Serbi, në mesin e bashkëmoshatarëve, në një kohë kur gjëja më e rëndësishme në botë është të përshtatesh dhe t’i përkasësh një vendi, ndërsa fëmijët tallen me ty dhe të thonë se fole gabim apo se flet në mënyrë qesharake. Dhe ti kthehesh në shtëpi konfuze, sepse të gjithë atje flasin ashtu dhe nga ana tjetër, ti do që të flasësh si shokët e tu. Nuk mund të them se jam ndjerë si viktimë, sepse nuk isha viktimë. Viktima do të ishte pasive dhe do të priste që fati ta zgjidhte çështjen. Unë nuk isha e tillë. Mirëpo u ndjeva e zhveshur dhe e ekspozuar, ndonjëherë isha e gatshme të përballesha me njerëz, t’u shpjegoja dhe të dëgjoja për këtë temë. Ndonjëherë vendosja se ishte më e lehtë të tërhiqesha, të ruaja energjinë time personale për gjëra që ishin të rëndësishme për mua. Ndonjëherë përpiqesha t’i shpjegoja vetes përse ajo çështje ishte aq e rëndësishme për mua dhe si u bë papritmas e rëndësishme. Ndërsa sot, “çështjet e rëndësishme politike” zgjidhen, mbahen diskutime se e vërteta e kujt është e sakta dhe cila është historia e vërtetë, ndërsa ne jetojmë në paqen e pasluftës, sepse armët u ulën, çfarë u ndodh njerëzve, kush merret me ta në atë mënyrë ku njerëzit nuk trajtohen thjesht si numra, statistika apo si kope të ndonjë politikani? Kush na pyet si ndjehemi kur gjithçka shndërrohet në çështje politike, kur jemi veçse një numër në disa statistika kombëtare, kur jemi vetëm ne ose ata. E jona ose e tyrja. Çfarë t’ju them për një fëmijëri të humbur në luftë, për një jetë pa fëmijëri? Çfarë t’ju them se si ishte të jesh fëmijë refugjat në një vend ku fëmijët të kuptojnë, por ti nuk flet si ata… Historitë e mëdha politike nuk përfshijnë jetë të vogla apo ndjesinë se ti i takon ndonjë vendi. Unë nuk jam nga ata persona që besojnë se përvojat e vështira në jetë janë parakusht për katarsis apo se vuajtja e madhe krijon personalitet të fuqishëm. Jo vetëm që nuk e besoj, por refuzoj ta besoj dhe ky është vendimi im politik. Një çështje e zgjedhjes. Një nga arsyet pse refuzoj ta besoj është fakti se në ish-Jugosllavi, pothuajse të gjithë kanë patur pjesën e vet të vuajtjeve dhe traumave nga një e kaluar e dhunshme, por unë nuk shoh të jemi madhështorë, madhështorë në solidaritet. Duke patur parasysh faktin se ne nuk bëhemi madhështorë në solidaritet dhe se vuajtja nuk na ka bërë njerëz më të mirë, besoj se është detyra ime ta them me zë të lartë në mënyrë që të lë pas vetes një shoqëri më të mirë për brezat që do të vijnë. Dhe për të qenë e ndershme, nuk e kam këtë dëshirë vetëm për shkak të të rinjve apo fëmijëve, por edhe unë kam të drejtë të jetoj në një kontekst tjetër. Nuk është gjithnjë në dorën e të tjerëve, është në dorën tonë. Nuk është egoiste, është e ndershme dhe vjen nga dëshira për të marrë përgjegjësi për jetën time dhe të marr vendim tim në të. Mënyra si unë e përballoj. Përballimi im.

 

Natasha Okilj ka gradën MA në Sociologji nga Novi Sadi. Ajo është një grua me shumë adresa. Është feministe, aktiviste për paqe, e apasionuar pas ideologjive të majta, por po aq me pasion për t’i kritikuar. Dashuron ndryshimet shoqërore që kanë si qëllim një botë më të mirë dhe më të drejtë. Sa i përket karrierës së saj profesionale, ajo e ka fokusin  tek barazia gjinore, të drejtat e njeriut dhe ndërtimi i paqes. Ajo shkruan rregullisht për revistën Urban. Luan shah. Është bijë dhe motër. E-mail: natasaokilj@gmail.com.

PROČITAJTE I OVO

Kolumnet ynë

Kolumnet DwP në www.dwp-balkan.org është një produkt i medias së re në platformë online ku flitet për ballafaqimin me të kaluarën. Kolumnet DwP është një platformë rajonale online për reflektime konstruktive lidhur me tema që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, me qëllim të fuqizimit të qasjes së hapur dhe konstruktive në nivel rajonal. Duke përdorur blogun si një mjet, ne synojmë të nxisim diskutime konstruktive në rrjet lidhur me temat aktuale në fushën e ballafaqimit me të kaluarën.

Mohim i përgjegjësisë

Kolumnet “Ballafaqimi me të kaluarën” është pjesë e uebfaqes rajonale për tematikën e ballafaqimit me të kaluarën www.dwp-balkan.org. Ky blog shërben si një platformë online për debate konstruktive rreth temave që kanë të bëjnë me Ballafaqimin me të Kaluarën. Pikëpamjet e shprehura në këtë blog janë të autorëve/blogerëve dhe jo detyrimisht përfaqësojnë pikëpamjet e organizatës forumZFD (forumi për Shërbimin Qytetar për Paqe). Inkurajojmë kopjimin dhe shpërndarjen e këtij materiali, me kusht që teksti të mos modifikohet dhe që të përfshihet referenca e duhur e uebfaqes dhe emri i autorit. Kopjimi dhe rishpërndarja janë pa pagesë.