Autor: Milivoj Bešlin

Revizionimi i historisë si platformë për nacionalizmin dhe pengesë për paqen e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor

Elitat intelektuale kanë qenë faktor kyç në ndërtimin e vetëdijës kombëtare dhe ideologjisë së nacionalizmit politik në Evropën e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ka shumë dëshmi për rolin kryesor që kanë luajtur intelektualët, kryesisht historianët, si në gjenerimin dhe shpërndarjen e ideologjive nacionaliste, ashtu edhe të doktrinave të kombeve të “reja” evropiane. Atyre u është caktuar detyra fisnike për të krijuar, themeluar dhe forcuar ndjesinë imagjinare të unitetit historik të një grupi të caktuar etnik. Baza e legjitimimit që ata kanë përdorur për të bërë homogjenizimin kombëtar ka qenë e kaluara. E kaluara është përdorur dhe modifikuar në një narrativë epike, të lavdishme dhe heroike për përjetësinë dhe madhështinë e etnisë së vet. Mënyra se si historia ka (ri)ndërtuar të kaluarën kombëtare bart funksion politik dhe ideologjik lehtësisht të dallueshëm. Ajo i shërben procesit të krijimit të shteteve-komb dhe për t’u dhënë atyre vetëmiratim të fuqishëm. E kaluara që duhet mbajtur mend është ajo që lavdëron, glorifikon dhe përjetëson kombin e vet. Historiografia është parë dhe zhvilluar si një instrument i nacionalizmave evropianë, pra, si një objekt i ideologjive nacionaliste. Pikërisht për këtë arsye, historiani i njohur Erik Hobsbaum ka shkruar se “nacionalizmi kërkon shumë besim në atë që nuk është i tillë”. Megjithatë, historiografitë dhe shkencat e tjera humane më të njohura kryesisht janë emancipuar nga barra e rëndë e përdorimit të shkencës për qëllime nacionaliste dhe politike. Sidoqoftë, në shoqëri periferike dhe më pak të zhvilluara, sikurse ato në Ballkan, historiografia ende nuk është çliruar nga ky funksion pragmatik i ndërtimit dhe homogjenizimit të identitetit kombëtar apo i shpërndarjes së ideologjisë së nacionalizmit.

Duke e patur këtë në mendje, lind pyetja se si ndodhi që në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor, kriminelët dhe vrasësit në masë u shndërruan në viktima dhe/ose heronj? Ç’lloj i klimës politike ka shkaktuar situatën ku në vend se krimet masive të dënohen, elitat e njohura intelektuale dhe politike serbe dënojnë, stigmatizojnë dhe diskreditojnë moralisht institucionet vendore dhe ndërkombëtare dhe individët që avokojnë për dënimin e përgjegjësve? Si është e mundur që ata të cilët merren me dekonstruktimin e metodave të dhunshme dhe krimeve si mjete për arritjen e qëllimeve nacionaliste flaken tutje në vend të frymëzuesve dhe kryerësve të krimeve? Historiografia e Serbisë nuk e ka përfunduar “Luftën e Dytë Botërore” të saj. Ajo është arena e revizionimeve, rehabilitimeve dhe relatvizimit të së kaluarës për qëllime utilitare politike dhe nacionaliste. Sidoqoftë, në vitet e fundit, luftërat që Serbia ka nisur kundër fqinjëve të vet gjatë procesit të shpërbërjes së shtetit jugosllav në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të 20-të janë shndërruar në pikë qendrore të fushëbetejës së interpretimeve.

Revizionimet historike janë veçse një aspekt i ideologjisë nacionaliste – një nga shtyllat e strukturës së saj, sepse e kaluara apo një imazh i së kaluarës siguron bazën e legjitimimit për modernitetin. Në vitin 1993, në kulmin e luftërave që kishin filluar për të realizuar idetë e vjetra të përbetuara dhe ambiciet ekspansioniste mbi rrënojat e Jugosllavisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë (SANU) përfundoi dhe botoi projektin e vet kapital Njëqind serbët më të njohur. Duke i qëndruar besnike orientimit ideologjik dhe koncepteve politike, redaktorët e kësaj antologjie përdorën arsyetime të turpshme për të përjashtuar nga libri Koça Popoviqin, çliruesin e Beogradit, themeluesin e diplomacisë jugosllave dhe Zëvendëspresidentin e Jugosllavisë. Ata nuk harruan të përfshijnë një biografi jokritike të Kryeministrit fashist të qeverisë së pushtuesve, Millan Nediq. Ky koncept dhe kjo përmbajtje qartazi ideologjike, që duhej të kishte demonstruar ‘ekzistencën’ dhe pandryshueshmërinë shekullore të së ashtuquajturës qenie kombëtare, përmban edhe një biografi të mitizuar të Peshkopit të Kishës Ortodokse Serbe Nikollaj Velimiroviq, i cili u kanonizua një dhjetëvjeçar më vonë. Në një tekst agiografik, të pangarkuar me njohuri racionale të së kaluarës dhe të çliruar nga mendimi kritik, Nikollaj Velimiroviqi glorifikohet për faktin se, sipas fjalëve të veta, është falur deri në fund të jetës për Drazha Mihajlloviqin, Millan Nediqin dhe Dimitrije Ljotiqin: “Nga korrespondenca personale e Peshkopit është e qartë se deri në fund të jetës së tij ai është falur për Drazhën, Millanin dhe Dimitrijen”, sikurse ka thënë vetë. Dhe është pikërisht ky citat, i shkurtër dhe jo shumë kompleks ku kristalizohen të gjitha pikat kyçe të politikave të revizionizmit historik si aspekti i ideologjisë së nacionalizmit. Të tre përfaqësuesit e bashkëpunimit përmenden krah më krah. Fjalia ka qenë e Peshkopit djathtist dhe antisemit, rreth të cilit konsensusi kombëtar është arritur në fillim fare të epokës së luftërave të viteve 1990; Velimiroviqi dhe fjalia e tij paraqiten pozitivisht në librin e krijuar nga akademikët e SANU-t dhe peshkopët e Kishës Ortodokse Serbe; dhe antologjia u botua në kulmin e konflikteve të armatosura në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë. Të gjithë sektorët, ata për të cilët bëheshin lutjet, ata që luteshin dhe ata që e glorifikonin atë për lutjen në fjalë, janë të lidhur nga antikomunizmi radikal, ndjenjat antijugosllave, ndjenjat antiperëndimore, favorizimi i kolaboracionizmit dhe nacionalizmit agresiv, që përshfaqen përmes politikës së luftërave, qëllimit të të cilave duhej t’u kishte shërbyer antologjia në fjalë. Për të gjitha këto, fjalia e cituar përshfaq një tipar të pandryshueshëm të përkohshmërisë nacionaliste, të lidhjes mes pasardhësve dhe paraardhësve, të betejës që kanë nisur të vdekurit dhe që të gjallët e kanë për detyrë ta vazhdojnë. Pra, vazhdimësia ideologjike dhe personale e konceptit që ka depërtuar në të gjitha segmentet e shoqërisë në përpjekje për t’u bërë i përjetshëm dhe pa alternativë. Shkenca ia ka lënë vendin paarsyeshmërisë mitike. Dhuna kundër shkencës historike është normalizuar. Revizionimi historik i viteve 1990 ka triumfuar. Nacionalizmi e ka arritur platformën e vet ideologjike.

Lidhjet ndërmjet legjitimitetit politik dhe kulturës së kujtesës janë të shumta. Në kohën e tranzicionit të viteve 2000, nën ndikimin e ideologjisë mbizotëruese nacionaliste, nuk ka patur njohuri të koncepteve apo dukurive historike në shoqërinë serbe. Studimi i tyre u shpërfill dhe ato u vetëthjeshtuan. Për këtë arsye, dukuria e fashizmit dhe antifashizmit u banalizuan dhe u zbrazën nga kuptimi apo përmbajtja e vërtetë. Në rrethana të tilla, ishte e mundur që të manipuloheshin në përpjekje për të ndërtuar një identitet të ri dhe një histori ‘të re’. Përkundër imazhit real, të ekzaminuar dhe shkencërisht të verifikuar të së kaluarës, historia e ‘re’ njeh ‘dy lëvizje antifashiste’, atë të ‘antifashizmit kombëtar’ të çetnikëve, të ‘qeverisë patriote’ të Millan Nediqit, të ‘Kristian Ljotiqit të rreptë’ etj. Megjithatë, nuk duhet të ketë asnjë iluzion: nacionalizmi nuk i ka rehabilituar kolaboracionistët çetnikë për hir të drejtësisë apo të së vërtetës historike, e edhe më pak hir të çetnikëve dhe komandantit të tyre, por kryesisht për të mundësuar që ideologjia e tyre të mbetet gjallë. Kur Drazha Mihajlloviqi shkruajti në Udhëzimin për komandantët e tij Gjorgje Llashiq dhe Pavle Gjurishiq (20 dhjetor 1941): “të krijojnë Serbinë e Madhe”, “të spastronin territorin shtetëror nga të gjitha minoritetet kombëtare dhe elementët jokombëtarë”, “të spastronin Sanxhakun nga popullsia myslimane dhe Bosnjen nga popullsia myslimane dhe kroate”, etj., zor të ekzistojë dikush që nuk e dallon vazhdimësinë e pandërprerë ideologjike të shprehur përmes qëllimeve të pandryshuara të asaj ideologjie deri në kohërat bashkëkohore, deri në luftërat e viteve 1991-1995. Duke e patur këtë parasysh, që nga vitet 1990 deri më sot, revizionimi historik ka qenë një nga platformat kyçe për nacional-popullizmin djathist dhe legjitimimin e dhunës si model për veprim nga segmente të konsiderueshme të popullsisë. 

Megjithatë, edhe këto trende po radikalizohen. Me kthimin e protagonistëve të luftës në pushtet në Serbi (2012) dhe në mënyrë posaçërisht agresive që nga viti 2015 dhe me përvjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, publiku serb e ka shtyrë në sfond temën e Luftës së Dytë Botërore. Fushëbeteja e re historike është interpretimi i luftërave të viteve 1990. Në të njëjtën kohë, sistemi ligjor i atrofizuar i Serbisë ka kapitulluar në procedurat e ndjekjes penale të krimeve të kryera gjatë këtyre viteve, për të cilat as arsyeja, as historiografia, e as diskursi publik në tërësi nuk kanë ndonjë argument të fuqishëm apo kornizë vlerash të nevojshme për interpretime të reja dhe të ndryshme. Edhe më i diskutueshëm është vullneti politik i nevojshëm që këto gjetje të ndërthuren në mënyrë të qëndrueshme në diskursin publik dhe të pamundësojnë mohimin e krimeve. Gjithçka që është bërë në rajon deri tani, që nuk është e pakonsiderueshme, në Serbi i nënshtrohet mohimit sistematik ose shpërfilljes. Libri Vuajtja e fëmijëve të Sarajevës është botuar. E gjithë lufta në Bosnje e Hercegovinë detajohet në librin Libri boshnjak i të vdekurve. Që në vitin 2011, Libri i kujtesës së Kosovës është publikuar dhe promovuar në Beograd. Prandaj, faktet dihen dhe në pjesën më të madhe janë shqyrtuar, por edhe publiku, edhe historiografia, janë krejtësisht të heshtur për ta.

Për shkak të zbrazëtisë së krijuar pas tërheqjes së SHBA-ve dhe pjesërisht të BE-së, gjendja në Ballkanin Perëndimor tani është më komplekse se sa ishte pas përfundimit të luftërave të viteve 1990. Serbia po i kushton shumë përpjekje ndërtimit të një identiteti të ri, homogjen, serb. Pra, të fuqizojë nacionalizmin ekspansionist duke shënjestruar kryesisht Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën, pasi shtetësia e tyre interpretohet si e përkohshme. Për këtë arsye, elitat intelektuale dhe politike serbe po fuqizojnë dhe inkurajojnë aspiratat revizioniste dhe revanshiste në rajon. Historiografia luan rol aktiv në përpjekje të tilla. Interpretimet historike propoagandiste të luftërave (1941-1945 dhe 1991-1999) në Serbi tashmë kanë arritur një pjesë të konsiderueshme të qëllimeve të tyre, nëse jo në formën e një identiteti të krijuar tërësisht homogjen serb në rajon, atëherë përmes faktit të padiskutueshëm se çdo përpjekje për interpretim racional dhe të mbështetur në dokumenta i historisë jugosllave të shekullit të 20-të relativizohet dhe, a priori, kundërshtohet si antiserb. Për shkak të kësaj, beteja për interpretimin e luftërave të viteve 1990 do të jetë, sipas fjalëve të historianit francez Lysien Fevrë, betejë për historinë, betejë për mendimin racional dhe kritik në shoqëri, sepse vetëm të menduarit racional dhe kritik mund të ndërpresin politikën dhe praktikën e megalloidesë, ekspansionizmit, spastrimit etnik, dhunës dhe gjenocidit në rajonin pas Jugosllavisë.

Milivoj Beshkin është historian, bashkëpunëtor hulumtues pranë Institutit për Filozofi dhe Teori Sociale, Universiteti i Beogradit dhe ligjërues pranë Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Malit të Zi.

PROČITAJTE I OVO

Çfarë është "Balkan.Perspectives"

 

Balkan.Perspectives është revistë rajonale që fokusohet tek ballafaqimi me të kaluarën në Ballkanin Perëndimor. Revista botohet nga forumZFD në katër (4) gjuhë dhe është bashkëpunim ndërmjet Bosnje e Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Revista ofron hapësirë për shumëllojshmëri të këndvështrimeve lidhur me ballafaqimin me të kaluarën nga i gjithë rajoni. Duke sjellë një sërë pikëpamjesh, ne synojmë të sfidojmë stereotipet dhe narrativat etnocentrike, të inkurajojmë mendimin kritik dhe debatin më të gjerë për këto tema, si dhe të fuqizojmë qasjet konstruktive ndaj ballafaqimit me ngjarjet e të kaluarës së afërme.


Ju mund të abonoheni në versionin elektronik të revistës duke dërguar një e-mail në adresën: balkan.perspectives@forumzfd.de.


Ne mirëpresim dhe çmojmë mendimet tuaja për revistën tonë dhe shpresojmë se do të kënaqeni duke e lexuar!



BALKAN.PERSPECTIVES