Autor: Husnija Kamberović

Revizionimi i historisë në Bosnje e Hercegovinë

Për një kohë të gjatë, historia nuk ka qenë vetëm shkenca e së kaluarës, por edhe një mjet që elitat politike e përdorin për të arritur qëllimet e tyre politike. Një abuzim i tillë me të kaluarën është i dukshëm edhe në Bosnje e Hercegovinë, edhe pse ndoshta jo në atë shkallë si në Kroaci dhe Serbi. Megjithatë, valët e revizionimit të historisë nga Kroacia dhe Serbia kapluan edhe Bosnje e Hercegovinën, ku gjetën terren pjellor. Kjo nisi të përshfaqet në fillimin e viteve 1990 dhe ende vazhdon me këmbëngulje, si në historiografinë si shkencë, ashtu edhe në shfrytëzimin e historianëve dhe institucioneve të historisë nga elitat politike në diskursin e tyre publik.

Krijimi i Jugosllavisë, Lufta e Dytë Botërore dhe periudha e socializmit janë fushat më të përshtatshme për të testuar suksesin e revizionimit të historisë në Bosnje e Hercegovinë. Ai nuk është rishqyrtim shkencor i vlerësimeve mbi bazën e fakteve të reja historike, por krijim i një realiteti të ri historik për të arsyetuar marrëdhëniet e reja politike dhe për të krijuar identitete të reja. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe përvojës së saj shumëetnike në vitet 1990-të, edhe si një shtet joekzistent, ajo ende paraqiste rrezik për legjitimitetin e elitave kombëtare bashkëkohore. Për disa, krijimi i Jugosllavisë ishte një ‘gabim historik’, të tjerë e konsideronin akt të dhunshëm, ndërsa disa të tjerë e shikonin si një fakt që, në disa raste, u pasua nga terrori masiv.

Qëllimi ishte gjithnjë i njëjti: të delegjitimizohej procesi i krijimit të shtetit të përbashkët jugosllav. Ishte detyrë që të dëshmohej se krijimi i Jugosllavisë ishte një gabim historik, brenda të cilit konteksti i përgjakshëm i shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990-të u bart në kohën e krijimit të Jugosllavisë në fillimin e shekullit të njëzetë.

Megjithatë, Lufta e Dytë Botërore ishte fusha më e rëndësishme për krijimin e pasqyrës së re historike. Këtu, procesi i krijimit të ‘kombëtares’ dhe mohimi i çlirimit antifashist, i kombinuar me komunizmin, ishte i dukshëm në përfshirjen e heronjve ‘të rinj’ në hapësirën publike. Një shembull i kësaj mund të jetë emërtimi i një shkolle në Sarajevë sipas Mustafa Busullaxhiqit, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore mbante fjalime dhe botonte artikuj që shumë vetë i interpretonin si antisemite dhe shoviniste.[1] Për këtë vendim, Kuvendi i Kantonit të Sarajevës mori mbështetjen e Institutit të Historisë pranë Universitetit të Sarajevës, që është institucioni më i rëndësishëm shkencor në fushën e hulumtimit historik në Bosnje e Hercegovinë. Edhe pse një rrugë në Sarajevë ishte emërtuar më herët sipas Mustafa Busullaxhiqit, emërtimi i një shkolle bart peshë specifike pikërisht për arsyen se për atë qëllim u shfrytëzua një institucion i historisë. Përkatësisht, Kuvendi shfrytëzoi pozicionin e Institutit si argument se Busullaxhiqi nuk kishte qenë antisemit, por një ndër intelektualët më të mëdhenj boshnjakë i cili u vra në vitin 1945 vetëm sepse ishte ‘antikomunist’. Një tentativë e ngjashme për ta përdorur historinë dhe historiografinë u pa gjatë fushatës për caktimin e datës së themelimit të Sarajevës[2]. Deri tani, kjo përpjekje ka qenë e pasuksesshme. Pozicioni i komunitetit më të gjerë shkencor ka mbizotëruar, gjë që të jep kurajo. Është zhgënjyese që në Republika Srpskas nuk ka ndonjë masë të mjaftueshme kritike në radhët e historianëve për të kundërshtuar emërtimin e konviktit të studentëve në Pale me emrin e Radovan Karaxhiqit, i cili është dënuar për krimin e gjenocidit. Ky lloj i emërtimit të rrugëve dhe konvikteve të studentëve është përpjekje për të rivizituar të kaluarën e afërt dhe periudhën e Luftës së Dytë Botërore në hapësirën publike. Është një përpjekje për t’i imponuar antiheronjtë si heronj, duke i paraqitur ata si modele për brezat e rinj.

Megjithatë, një akt edhe më i madh revizionist ndaj Luftës së Dytë Botërore u bë rreth tridhjetë vjet më parë. Në vitin 1993, Parlamenti i Republika Srpskas mori Vendimin që anulonte të gjitha vendimet e miratuara në sesionin e Këshillit Shtetëror Antifashist për Çlirimin Kombëtar të Bosnje e Hercegovinës (ZAVNOBiH) në Mërkonjiq Grad në vitin 1943. Kështu, vendimi direkt ndërhyri tek e kaluara. Për më tepër, çetnikëve u është dhënë statusi i lëvizjes antifashiste. Po ashtu, anëtarët e Divizionit të 13-të SS janë shpallur si luftëtarë për të drejtat e myslimanëve, ndërsa krimet e luftës të kryera nga ky Divizion janë shpallur si fabrikim i komunistëve. Kur në vitin 2012 u organizua një konventë për boshnjakët dhe Luftën e Dytë Botërore, qëllimi kryesor ishte të theksohej vuajtja e boshnjakëve dhe formacionet ushtarake myslimane të afirmoheshin si mbrojtësit e tyre, me mesazhin e qartë se: “boshjakët nuk duhet të jenë më kurrë të paorganizuar dhe të papërgatitur”. Theksi tek formacionet speciale ushtarake myslimane i shërben margjinalizimit të mëtejshëm të lëvizjes partizane, i vetmi formacion ushtarak që doli të jetë mbrojtësi kryesor i myslimanëve gjatë luftës (edhe pse, sidomos në fillim të luftës, shumë myslimanë u vranë edhe nga ‘pushka partizane’). Në të njëjtën kohë, rezolutat myslimane të vitit 1941 janë shpallur antifashiste, edhe pse ato u ishin dorëzuar autoriteteve të Shtetit të Pavarur Kroat. Nëpër artikuj dhe publikime, lëvizja partizane është përshkruar si masë e fshatarëve të egër dhe hakmarrës që shkatërruan gjithçka që përngjante me shoqërinë e civilizuar, ndërsa komunitetet fetare thuhej se ishin nën sulmet e aparatit shtypës të shtetit komunist gjatë të gjithë kohës. Të gjitha këto akte synonin transformimin e lëvizjes partizane nga fitimtarja ushtarake e Luftës së Dytë Botërore në ushtri kriminale, duke i transformuar kështu humbësit ushtarakë në mbrojtës kombëtarë, për qëllime të ndërtimit të legjitimitetit historik për elitat e reja etnike sunduese. Në atë drejtim, u vu theks i posaçëm tek krimet e partizanëve menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, pa ndonjë përpjekje për t’i vënë në kontekst sjelljet e autoriteteve të reja dhe kështu, për t’i kontribuar të kuptuarit më të mirë të ngjarjeve në fillet të sundimit komunist. Duhet të shkruhen shumë faqe për ta tejkaluar këtë ‘sistem binar’ të këndvështrimit për Luftën e Dytë Botërore dhe për t’i shqyrtuar të gjitha nuancat e luftës.

Epoka socialiste ka qenë një shënjestër posaçërisht me rëndësi në qasjet revizioniste ndaj historiografisë së Bosnje e Hercegovinës. Disa i kanë promovuar arritjet nga ajo periudhë pa ndonjë qasje kritike, ndërsa të tjerë kanë përdorur qasje krejtësisht të kundërt. Rrënjët e reja të identitetit u kërkuan në narrativat shumë më të vjetra se sa epoka socialiste: së pari në periudhën mesjetare në Bosnje e Hercegovinë, më pas në vitet 1990 dhe pastaj gjatë periudhës osmane. Këtu, historiografia luan rolin më të rëndësishëm. Megjithatë, historiografia moderne nuk mund ta luajë më të njëjtin rol që ka luajtur në shekullin e 19-të.

Husnija Kamberović është profesor në Universitetin e Sarajevës. Ai ka PhD në histori nga Universiteti i Zagrebit dhe ka bashkëpunuar me shumë projekte hulumtimi vendore dhe ndërkombëtare. Ai është presidenti i Shoqatës për Historinë Moderne dhe nismëtari i Festivalit të Historisë https://www.historyfest.ba/, që organizohet në Bosnje e Hercegovinë që nga viti i 2017. Si hulumtues, ai merret me tema nga Bosnje e Hercegovina dhe historia jugosllave në kontekstin evropian.


PROČITAJTE I OVO

Çfarë është "Balkan.Perspectives"

 

Balkan.Perspectives është revistë rajonale që fokusohet tek ballafaqimi me të kaluarën në Ballkanin Perëndimor. Revista botohet nga forumZFD në katër (4) gjuhë dhe është bashkëpunim ndërmjet Bosnje e Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Revista ofron hapësirë për shumëllojshmëri të këndvështrimeve lidhur me ballafaqimin me të kaluarën nga i gjithë rajoni. Duke sjellë një sërë pikëpamjesh, ne synojmë të sfidojmë stereotipet dhe narrativat etnocentrike, të inkurajojmë mendimin kritik dhe debatin më të gjerë për këto tema, si dhe të fuqizojmë qasjet konstruktive ndaj ballafaqimit me ngjarjet e të kaluarës së afërme.


Ju mund të abonoheni në versionin elektronik të revistës duke dërguar një e-mail në adresën: balkan.perspectives@forumzfd.de.


Ne mirëpresim dhe çmojmë mendimet tuaja për revistën tonë dhe shpresojmë se do të kënaqeni duke e lexuar!



BALKAN.PERSPECTIVES