Autor: Lejla Gačanica

Shifra dhe shkronja

Një anekdotë nga koha e luftës që më kujtohet është ajo që bën fjalë për dy burra që i morën të hapin llogore. Gërrmimi zgjati me ditë dhe kur morën ushqim për herë të parë, ishte një kanaçe me mish të procesuar për dy vetë. Njëri prej tyre e hapi kanaçen dhe e vendosi mes të dyve. Sapo kanaçja preku tokën, burri tjetër pështyu në të. I zemëruar nga përpjekja për të mos ndarë të vetmin ushqim që kishin, edhe burri i parë pështyu në të. Pas fjalosjes me repertorin e zakonshëm të fjalëve të ndyta, ata e përzien mirë ushqimin në kanaçe, e ndanë në dy pjesë të barabarta dhe e hëngrën.

Ndjesia që kemi 25 vite pas përfundimit të gjithçkaje në vitet 1990-të është ende sikur po përpiqemi të dalin nga llogoret. Nëse lëmë anash iluzionin e një jete normale dhe qëllimet që dallojnë nga thjesht mbijetesa, ne nuk kemi zgjidhur pothuajse asgjë për të cilat dhanë jetën shumë njerëz. Lufta të shenjon përgjithnjë dhe nuk ndalon me përfundimin e konfliktit të armatosur. Të paktën kjo nuk ka ndodhur në rastin tonë.

''Ashensorë… i përdorën për t’i nxjerrë jashtë të vdekurit dhe të sëmurët rëndë, i përdorën nuset për t’u larguar dhe burrat për të shkuar në luftë'' (Darko CvijetiqAshensori i Shindlerit)

Në fillim të majit, pemët përgjatë rrugëve tona gjelbërohen, malet dhe pyjet janë të mrekullueshëm, lumenjtë janë të ftohtë dhe të rrëmbyer. Njerëzit tanë janë përpjekur të shpëtojnë veten në ato rrugë, dera e pavajisur e hangarit lëshon gërvima (Lars Petersen Feldballe, Të pafalurit), pyjet ende fshehin eshtrat e dikujt dhe i nxehti përvëlues i korrikut është më i rëndë se sa një shpirt i zi. Asgjë nuk ka mbetur e paprekur në këtë vend pas viteve 1990-të, asgjë nuk ka mbetur e pacënuar nga tmerret. As lumenjtë, as rrugët, fabrikat, rrugicat, ashensorët apo pyjet. Fjalët e përhapura në këto vende, fjalë të rëndomta që ftojnë kujtimet dhe nxisin disa shkëndija të jetëve të të mbijetuarve mbushin realitetin tonë nga maji deri në korrik. Me çfarë mbushen 25 vite? Varreza masive, korrupsion, qendra kolektive, hesape politike, populizëm, shkolla të ndara, klasifikim i krimeve të luftës, rikthim i vuajtjeve, të pagjeturit, fashizmi, BE-ja, ligjet, sundimi i ligjit, diaspora, mohimi, glorifikimi, ndasitë, memorialet, retorika e luftës, serbët, boshnjakët, kroatët dhe të Tjerët. Identitetet tona përkufizohen nga trashëgimia e luftës sonë, traumat e përzgjedhura kolektive ndonjëherë janë e vetmja gjë që shohim. Kujtimet 'tona' janë njëdimensionale dhe në rastin tonë kemi së paku tri të tilla. Luftimet janë gjithnjë një hap pas nesh. Periudha e pasluftës na ka mësuar se drejtësia ndahet një herë, ndoshta në Hagë dhe së pasojat e krimeve mbesin përgjithnjë. Besimi në drejtësi këtu ka hyrë në geto.

''Ne thjesht na duhet të krijojmë kushtet ku të gjitha vendet e vuajtjes të shndërrohen në kujtimin tonë të përbashkët'' (Nerzuk Qurak, Kujtimi i harresës dhe harresa e kujtimeve)

Kur flasim për gjenocidin, themi 25 vjet më vonë. Themi më shumë se tetë mijë viktima. Numrat e zyrtarëve të pranishëm. Njollosje, përgjegjësi, mohim.

''Ajo çka ende mendoj sot e kësaj dite është: Si ndodhi e gjitha kjo? Para se të ndodhte, ne nuk besonim se diçka e tillë do të ishte e mundur. Dhe kur ndodhi, nisëm të mësohemi me të keqen që na kishte paralizuar të gjithëve, që na mori të gjithë fuqinë, me përjashtim të asaj që na nevojitej për të mbijetuar… ishte e pamundur t’i ikje atij realiteti, çdo realitet tjetër u zhbë dhe ishte joekzistent’'. (Filip David, Shtëpia e kujtimeve dhe harresës)

Ka 1 diell.

Janë 2 sy.

Janë 3 anëtarë të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës.

Zemra e njeriut ka 4 pjesë.

Janë dhënë 5 dënime me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë.

Në Islam janë 6 të vërteta fetare themelore.

Java ka 7 ditë.

Deri më tani, në Bosnje e Hercegovinë janë mbajtur 8 zgjedhje komunale.

Sistemi diellor ka 9 planetë.

Më 11 korrik 2020 në Potoçari u varrosën 9 viktima të gjenocidit.

Këto janë shifra të rëndomta, rëndësia e të cilave varet nga këndvështrimi i vëzhguesit. Ajo që ka ndodhur dhe përse ka ndodhur në Bosnje e Hercegovinë është shuma po aq e rëndomte e interpretimeve të përzgjedhura specifikisht që formësojnë kujtesën kolektive. Ata i ruajnë gjërat e rëndësishme dhe i fshijnë gjërat e papërshtatshme. Ndonjëherë, përkujtimet janë të zymta, si ngjarjet e VIP-ave dhe fjalët që thuhen humbasin në kuptimplotësinë e një dite të vetme në krahasim me të gjitha ditët e tjera kur viktimat lihen anash. Kujtimet e tyre vidhen atë ditë dhe çdo rast për mëshirë humbet në format e ndryshme të gjithçkaje që po ndodh. E drejta për të kujtuar mund të mos privatizohet, sigurisht, ashtu sikurse nuk mund të komercializohet. Mungesa e arsyers, veprimet dhe fjalët e rëndomta mekanike, etiketimet automatike. Kjo gjë shkakton shqetësime nga maji deri në korrik, shqetësime të vështira për t’i kontrolluar. Është e dhimbshme dhe e vështirë, pavarësisht shifrave dhe fjalëve. L'art pour l'art. Gjenocidi si rezultat i politikës.

''Fjalët janë pararendësit gjuhësorë të dhunës fizike.'' (Xhon Friman, Fjalori i zhbërjes)

Ne nuk duhet të shtjellojmë vetëm rolin e krijuesve të kujtesës kolektive dhe të manipulimit politik. Zakonisht jemi vetëm vëzhgues. Rrimë anash. Apo paralajmërues. Ata që përsërisin, paralajmërojnë, ulërasin. Ata janë tradhëtarët dhe nuk i takojnë askujt. Ose ata që avokojnë nga distanca e duhur, me numra dhe germa. Mund të mos e nënvlerësojmë fuqinë e fjalëve dhe të gjuhës të paktën jo tani, ndërkohë që interpretimet përplot ngarkesa nacionaliste janë tërbuar dhe ne ende përpiqemi të largohemi nga llogoret. Arsyetimi i kushtëzuar i krimeve nuk ka qenë kurrë më i dukshëm dhe viktimat kurrë nuk janë reduktuar më shumë në shifra. Jetojmë në kohën kur dehumanizimi i të dytëve dhe të tretëve vijon, mu para syve tanë dhe ne nuk jemi të sigurtë se çfarë roli po luajmë. Ose ndoshta jemi, prandaj jemi ku jemi.

''Tregimet janë më të fuqishme se sa ulërimat. Tregimet zgjasin më shumë se zhurma'.' (Ece Temelkuran, Mali dhemb)

Asgjë që ka lidhje me përkujtimin më Srebrenicë nuk më prek me përjashtim të arkivolëve të renditur njëri pas tjetrit në Potoçari. Ata që janë në pritje prej vitesh për së paku një eshtër të më të dashurve të tyre. Tingulli i dheut që bie mbi arkivol, 25 vjet pas vdekjes së tyre, është përkujtim i madhësisë së gjenocidit që është kryer. Nuk ka as shifra, as germa, as ndërgjegje, as njolla. Kush i kujton të mbijetuarit? Të gjitha deklaratat politikisht korrekte dhe të pritshme këtë ditë, të gjitha mosmarrëveshjet dhe mohimet, të gjitha komentet nervoze, të gjitha që janë mirë, do të përzihen në të njëjtin tas, do të ndahen në pjesë të barabarta ndërmjet atyre që i kanë deklaruar dhe do të hahen, dhe ata do të vazhdojnë të veprojnë në pajtueshmëri me modelin tashmë të ditur mirë. Pozicioni shoqëror i kujtesës së të mbijetuarve të gjenocidit, të krimeve kundër nejrëzimit dhe krimeve të luftës zakonisht mbetet pas në konstruktet e narrativave të luftës. Një ditë për rreth qindra mijëra jetë.

Autorja është kandidate J.D. dhe aktuaisht punon si këshilltare ligjore dhe hulumtuese e pavarur. Ajo është e interesuar në ballafaqimin me të kaluaren me theks të posaçëm tek kultura e kujtesës, të drejtat e njeriut dhe e drejta kushtetuese. Ajo është autore e artikujve të publikuar dhe punimeve analitike, shkencore dhe kërkimore në këto fusha.

PROČITAJTE I OVO

Kolumnet ynë

Kolumnet DwP në www.dwp-balkan.org është një produkt i medias së re në platformë online ku flitet për ballafaqimin me të kaluarën. Kolumnet DwP është një platformë rajonale online për reflektime konstruktive lidhur me tema që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, me qëllim të fuqizimit të qasjes së hapur dhe konstruktive në nivel rajonal. Duke përdorur blogun si një mjet, ne synojmë të nxisim diskutime konstruktive në rrjet lidhur me temat aktuale në fushën e ballafaqimit me të kaluarën.

Mohim i përgjegjësisë

Kolumnet “Ballafaqimi me të kaluarën” është pjesë e uebfaqes rajonale për tematikën e ballafaqimit me të kaluarën www.dwp-balkan.org. Ky blog shërben si një platformë online për debate konstruktive rreth temave që kanë të bëjnë me Ballafaqimin me të Kaluarën. Pikëpamjet e shprehura në këtë blog janë të autorëve/blogerëve dhe jo detyrimisht përfaqësojnë pikëpamjet e organizatës forumZFD (forumi për Shërbimin Qytetar për Paqe). Inkurajojmë kopjimin dhe shpërndarjen e këtij materiali, me kusht që teksti të mos modifikohet dhe që të përfshihet referenca e duhur e uebfaqes dhe emri i autorit. Kopjimi dhe rishpërndarja janë pa pagesë.