Autor: Jelena Đureinović

Politika e rreme e pajtimit

Përkthimi në anglisht: Luna Gjorgjeviq

Kujtimi i gjenocidit të Srebrenicës në Serbinë e sotme, apo më saktë, mungesa e kujtesës, mohimi i gjenocidit dhe nënvlerësimi i numrit të viktimave është i pandashëm nga konteksti më i zgjeruar i politikës zyrtare dhe mbizotëruese të kujtesës.

Krijimi i hegjemonisë politike të Partisë Progresiste Serbe në vitin 2012 eci krah për krah me fuqizimin e mbizotërimit të narrativës revizioniste për konfliktet e armatosura në ish-Jugosllavi. Duke marrë parasysh se cilat parti politike dhe individë janë aktualisht në pushtet në Serbi, një tjetër lloj i kujtesës politike në krahasim me këtë nacionaliste, një shumë e ngjashme me diskurset e viteve 1990-të që lartëson rolin e Serbisë dhe forcava serbe në luftëra, do të ishte befasuese. 

Sigurisht, kjo nuk do të thotë se elitat politike para vitit 2012 ishin të përkushtuara ndaj drejtësisë tranzicionale dhe më specifikisht, ndaj pranimit të krimeve të kryera nga ushtria, policia dhe forcat paramiltare serbe gjatë luftërave në Kroaci, Bosnje e Hercevoginë dhe Kosovë. Ky dedikim ishte formal kur ekzistonte, në disa momente të rralla si vizita e Boris Tadiqit në Vukovar dhe Ovçara në vitin 2010.

Shkëputja nga vitet 1990-të pas 5 tetorit 2000 në kontekst të politikave zyrtare të kujtesës nënkuptonte interpretimin e sundimit të Millosheviqit si ekskluzivisht vazhdimësi të Jugosllavisë socialiste – sikurse komunizmi – por nuk kishte ndonjë ndarje të qartë nga aspektet shkatërruese të asaj periudhe. Në të njëjtën kohë, partitë politike udhëheqëse, të ushqyera nga antikomunizmi, mbështetën rehabilitimin e lëvizjes çetnike të Luftës së Dytë Botërore, që nuk do të kishte qenë e mundur pa konsensusin e përgjithshëm politike dhe ishte e ndërlidhur ngushtë me interpretimin e luftërave të viteve 1990-të. 

Sidoqoftë, në Serbinë e sotme, është krijuar një politikë e vetëdijshme dhe shumë e qartë për kujtesën e konflikteve të armatosura në viteve 1990-të. Për të parën herë, po zhvillohen përkujtime në shkallë të madhe dhe të sponsorizuara nga shteti për të shenjuar disa ngjarje të caktuara nga këto luftëra, si Operacioni Stuhia, që Serbia dhe Republika Srpska e përkujtojnë bashkërisht. Mitet e reja të heroizmit dhe viktimizimit, si e ashtuquajtura Beteja e Koshares që është shndërruar në një lloj të mitit modern për Kosovën, edhe pse shumë njerëz nuk kishin dëgjuar për të deri disa vite më parë.

Politika e kujtesës lidhur me vitet 1990-të bazohet në shformimin dhe mohimin e fakteve, edhe pse bëhet fjalë për të kaluarën shumë të afërt dhe ne jo vetëm që kemi kujtesën se kemi jetuar në atë kohë, por edhe hulumtimet ekzistuese dhe rastet gjyqësore i kanë vërtetuar qartë faktet rreth saj.

Kriminelët e luftës, si të dënuar, ashtu edhe të padënuar, kanë përkrahje publike dhe institucionale në Serbi. Shtëpitë botuese shtetërore botojnë kujtimet e tyre nga lufta, duke i dhënë kështu legjitimitet kujtimeve të tyre dhe akteve që kanë kryer në të kaluarën. Ata janë aktivë në politike, garojnë në zgjedhje dhe janë pjesë e parlamentit. Për shumë segmente të shoqërisë ata përfaqësojnë heronjtë. Ndërkohë që, për shembull, klubi i futbollit Ylli i Kuq e përshëndet Dragan Vasiljkoviqin me një bluze të bërë posaçërisht për të me numrin 1 dhe emrin “Kapiten Dragani” të shtypur pas, tifozët e futbollit në stadium e lartësojnë Ratko Mlladiqin si hero.

Normalizimi i kriminelëve të luftës në sferën publike dhe politike përfaqëson një fyerje konstante dhe të përditshme ndaj viktimave dhe familjeve të tyre. Viktimat joserbe janë të padukshme në politikën zyrtare të kujtesës. Në këtë kontekst, është shumë e vështirë, ndoshta dhe e pamundur, të paramendosh pranim zyrtar të gjenocidit në Srebrenicë. 

Dy gjëra janë me rëndësi kyçe në kontekstin e relativizimit dhe mohimit të gjenocidit të Srebenicës në Serbi. Së pari, elitat politike sunduese nuk e mohojnë që në korrik 1995 në Srebrenicë ndodhi një “krim i tmerrshëm”. Mirëpo, ata e quajnë krim të tmerrshëm dhe të frikshëm, duke e mohuar qartazi dhe hapur se ishte gjenocid, edhe pse Tribunali Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë e vërtetoi se ajo çka ndodhi në Srebrenicë ishte gjenocid. Segmenti i dytë më i rëndësishëm i diskursit relativizues për Srebrenicën është pretendimi se nuk ka ndonjë lidhje me apo përgjegjësi nga Serbia.

Për Aleksandër Vuçiqin, i cili mori pjesë në përkujtimoren e Potoçarit në vitin 2015, këmbëngulja për ta quajtur gjenocid atë që ndodhi në Srebrenicë është thjesht  pjesë e ndonjë fushate kundër Serbisë, Republika Srpskas dhe popullit serb, për të cilët pranimi i saj do të kishte pasoja të rënda. Ai nuk brengoset për viktimat dhe familjet e tyre, problemi i tij më i madh është që dikush mund të kërkojë kompensim nga Serbia dhe Republika Srpska, ose që do ta quajë popullin serb gjenocidal. Teksa presidenti i Serbisë, bashkë me përfaqësues të tjerë qeveritare me lidhje me vitet 1990-të asnjëherë nuk janë distancuar nga gjërat që kanë bërë dhe thënë gjatë viteve 1990-të, sidomos në korrik 1995, ai pretendon se prej vitesh udhëheq politika të pajtimit dhe se ka zgjatur dorën e pajtimit në emër të Serbisë.  

Për t’i përkeqësuar gjërat edhe më shumë, duke u shfaqur në Potoçari ku u sulmua, Aleksandar Vuçiqi e shmangu vëmendjen e publikut nga vetë gjenocidi dhe viktimat e tij. Pasojat e këtij veprimi janë se tabloidët në Serbi shkruajtën për 11 korrikun si përvjetori i tentativës për vrasje të presidentit, ndërkohë që zyrtarët shtetërorë kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë.

Së fundmi, i vetmi gjenocid i pranuar është ai kundër serbëve në Shtetin e Pavarur të Kroacisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Jasenovaci përmendet shpesh në kontekst të Srebrenicës si “krimi më i tmerrshëm”, ndërkohë që gjenocidi i Srebrenicës është “i tmerrshëm”. Vuajtja e popullit serb në Shtetin e Pavarur të Kroacisë përfaqëson një nga shtyllat e politikës zyrtare të kujtesës edhe për luftërat e viteve 1990-të, që historikisht rrënjosin identitetin binar të kombit serb si heronj dhe viktima. Ekzistenca e pjesëtarëve të kombit serbë si kryes të gjenocidit thjesht nuk përputhet me atë konstrukt.

Jelena Gjureinoviq është historiane që hulumton kulturat dhe politikat e kujtesës në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Ajo ka gradën PhD në Histori nga Universiteti i Gisenit, Gjermani. Libri i saj “Politikat e kujtesës në Luftën e Dytë Botërore në Serbinë bashkëkohore: kolaboracionizmi, rezistenca dhe ndëshkimi” është botuar nga Routledge në vitin 2019. Ajo punon si koordinatore e programit të memorializimit pranë Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd.

PROČITAJTE I OVO

Kolumnet ynë

Kolumnet DwP në www.dwp-balkan.org është një produkt i medias së re në platformë online ku flitet për ballafaqimin me të kaluarën. Kolumnet DwP është një platformë rajonale online për reflektime konstruktive lidhur me tema që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, me qëllim të fuqizimit të qasjes së hapur dhe konstruktive në nivel rajonal. Duke përdorur blogun si një mjet, ne synojmë të nxisim diskutime konstruktive në rrjet lidhur me temat aktuale në fushën e ballafaqimit me të kaluarën.

Mohim i përgjegjësisë

Kolumnet “Ballafaqimi me të kaluarën” është pjesë e uebfaqes rajonale për tematikën e ballafaqimit me të kaluarën www.dwp-balkan.org. Ky blog shërben si një platformë online për debate konstruktive rreth temave që kanë të bëjnë me Ballafaqimin me të Kaluarën. Pikëpamjet e shprehura në këtë blog janë të autorëve/blogerëve dhe jo detyrimisht përfaqësojnë pikëpamjet e organizatës forumZFD (forumi për Shërbimin Qytetar për Paqe). Inkurajojmë kopjimin dhe shpërndarjen e këtij materiali, me kusht që teksti të mos modifikohet dhe që të përfshihet referenca e duhur e uebfaqes dhe emri i autorit. Kopjimi dhe rishpërndarja janë pa pagesë.