Autor: Srđan Puhalo

Ballafaqimi me të kaluarën në kohërat digjitale / në kohërat e mediave sociale

“Ballafaqimi me të kaluarën ka të bëjë me proceset e konfrontimit të së kaluarës së dhunshme, pra të dhunës kundër të gjitha viktimave pa dallim përkatësie etnike, politike apo tjetër. Ballafaqimi me të kaluarën ndodh në çdo shoqëri të caktuar në nivele të ndryshme: konfrontimi personal, pra procesimi i kujtimeve dhe vënia në pikëpyetje e përgjegjësisë vetiake për dhunën; niveli i ballafaqimit me të kaluarën në komunitet (ndërmjet miqve dhe të afërmve, fqinjëve, bashkëfshatarëve, bashkëqytetarëve...); në nivel institutional (roli i organizatave ndërkombëtare, shteteve, qeverive lokale, partive politike, grupeve fetare...); në nivel të shoqërisë si të tërë, pra, publiku si grup i qytetarëve që e kanë përqendruar vëmendjen e tyre tek lufta dhe tek ngjarje të tjera të së kaluarës”. (Kadrov, Laliq, Tersheliq, 2010[1])

Kur e analizojmë këtë përkufizim të ballafaqimit me të kaluarën në kontekst të Bosnje e Hercegovinës, menjëherë përballemi me disa probleme. Para së gjithash, mund të themi se në nivel shtetëror nuk ka proces të ballafaqimit me të kaluarën dhe të gjitha proceset do të duhej të ndaheshin përgjatë linjave etnike. Në praktikë, kjo do të thotë se serbët, kroatët dhe boshnjakët flasin shumë për viktimat e tyre dhe krimet e të tjerëve, ndërkohë që relativizojnë, minimizojnë dhe heshtin temat për krimet e kryera nga njerëzit e tyre, duke i shndërruar kështu në heronj kriminelët e luftës. Me një marrëdhënie të tillë ndaj viktimave dhe ndaj dhunës, institucionet e shtetit (sistemit), politikanët, partitë politike dhe komunitetet fetare luajnë rol të rëndësishëm, sepse nuk po bëjnë pothuajse asgjë për ta hapur atë proces. Mundemi të themi me siguri se ata janë pararendësit e parandalimit, gërryerjes dhe pengimit të atyre proceseve. As aktgjykimet e gjykatave nuk kanë ndonjë efekt të madh, sepse politikanët dhe institucionet që ata kontrollojnë i perceptojnë këto aktgjykime si politike. Kështu, të pranosh përgjegjësinë vetiake për krimet e kryera nuk është diçka që lejohet, e aq më tepër të pohohet publikisht.   

Nëse qendrat politike të pushtetit nuk kanë dëshirë të fillojnë procesin e ballafaqimit me të kaluarën, atëherë procesi lihet në dorën e një numri të vogël të OJQ-ve dhe të një numri edhe më të vogël të individëve. Sigurisht, këta entuziastë nuk mund të punojnë pa ndërprerje me atë proces, pasi janë në konflikt të vazhdueshëm me narrativat etnike. Kjo nuk është betejë e drejtë, pasi OJQ-të varen nga grante për projekte, që janë të kufizuara në kohë, para, nga interesi i donatorëve dhe nga lloji i dhe numri i mediave në dispozicion të tyre, ndërkohë që politikanët vendorë kanë buxhete shtetërore dhe shërbime publike e institucione që punojnë për ta. 

Si funksionon media sociale

Me shfaqjen e internetit, të gjithë kanë qasje me lehtësi në informacion, por edhe në informacion të pjesshëm dhe në disinformacion. Atëherë, ndoshta mund të themi se të dallosh informacionin relevant nga ai jorelevant është sfida më e madhe për individët sot.

Jo vetëm që është e lehtë të kesh qasje në informacion, por është bërë e lehtë edhe ta përhapësh atë informacion dhe platformat e rrjeteve sociale janë kanalet ideale të komunikimit. Problemi është se informacioni përhapet në media sociale jo për shkak se është i saktë dhe i verifikuar, por sepse është më tërheqës për një kategori të caktuar të njerëzve.

Përveç mundësimit të përhapjes së informacionit, platformat e rrjeteve sociale e kanë ndërlikuar edhe më tej situatën pasi u mundësojnë njerëzve të ndërveprojnë (komentojnë) me këtë informacion dhe për rrjedhojë, komenti i një eksperti konsiderohet po aq i vlefshëm sa ai i një laiku apo i dikujt që me dijeni dhe qëllim gënjen.

Rrjetet sociale kanë bote dhe trollë, qëllimi i të cilëve është të relativizojnë disa informacione të caktuara me komentet e tyre si dhe t’ia ndërrojnë kahjen bisedës. Shpeshherë, qëllimi i tyre është t’i etiketojnë si mercenarë të huaj apo tradhëtarë disa individë, angazhimin publik të të cilëve nuk e pëlqejnë, dhe kështu t’ua diskreditojnë opinionet.

Si funksionon kjo në praktikë?

Nga fundi i dhjetorit të vitit 2018, publikova një blog të titulluar “Sekreti i errët i Kotor Varoshit”[2] ku shkruaja për boshnjakët që ishin marrë nga ushtria dhe policia e Republika Srpskas në vitin 1992 për t’u dërguar në një lokacion të paditur dhe trupat e tyre ende nuk janë gjetur.

Blogu arriti tek 26,143 vetë dhe mori 442 pëlqime, 96 komente dhe u shpërnda 83 herë, por për qëllime të këtij artikulli, më të rëndësishmet janë komentet. Ajo që të bie në sy së pari është se mundeni shumë lehtë ta përcaktoni etninë e komentuesve në bazë të komenteve të tyre.

Meqë blogu bënte fjalë për viktimat boshnjake, boshnjakët i referoheshin pozitivisht. Disa prej tyre postuan foto të personave të pagjetur, të tjerët shkruajtën për fatin e të pagjeturve, disa më lavdëruan si autor. Asnjë prej komenteve nuk e kundërshtonte mënyrën time të të shkruarit.

Nga ana tjetër, serbët reaguan ashpër ndaj artikullit. Komentet e tyre mund t’i ndajmë në dy pjesë: përgjigje ndaj komenteve të bëra nga boshnjakët dhe komente që më drejtoheshin mua. Në mesin e përgjigjeve mund të lexonim se kjo ishte propagandë boshnjake dhe se këta njerëz nuk ishin vrarë, por jetonin jashtë diku. Disa kërkonin listën me emrat e boshnjakëve të vrarë, meqë nuk u besonin institucioneve të Federatës së Bosnje e Hercegovinës. Pashmangshmërisht, komentet ktheheshin tek historia e krimeve të bëra kundër serbëve në Kotor Varosh për të cilat askush nuk kishte mbajtur përgjegjësi.   

Serbët që më drejtoheshin komentonin se sot, Kotor Varoshi është komunitet shumëetnik ku të tre grupet etnike jetojnë në harmoni dhe se unë po e trazoja atë harmoni. Më sollën në vëmendje se këtë e kishin nisur boshnjakët dhe se ishte faji i tyre që u vranë. Përmendej fshati Serdari, ku u vranë serbët dhe për të cilët askush nuk ka mbajtur përgjegjësi deri më sot. Pastaj ma drejtonin vëmendjen nga vrasja e fëmijëve serbë me snajperë, pa treguar se ku apo kur kishte ndodhur kjo. Në fund, më akuzonin se paguhesha për të shkruar artikuj të tillë.

Po t’i hedhim një sy pranisë së komenteve tek blogu im, mund të shohim se ato nuk kanë nxitur dialog konstruktiv ndërmjet boshnjakëve dhe serbëve. Nuk kanë treguar empati ndaj viktimave, ndërsa trupat e boshnjakëve të vrarë nuk janë gjetur.

Ky është ndikimi i medias sociale në ballafaqimin me të kaluarën në Bosnje e Hercegovinë.

Sërgjan Puhallo ka lindur më 1972. Ai është psikolog dhe hulumtues i opinionit publik. Ai ka diplomuar nga Shkolla e Lartë për Inxhinieri Elektrinike në Sarajevë dhe nga Departamenti i Psikologjisë pranë Fakultetit të Filozofisë në Beograd. Ai i ka kryer studimet për master në Psikologji Sociale në Banja Lluka. Aktualisht jeton dhe punon në Banja Lluka. Ai e përdor median sociale për të bërë deklarata jokorrekte politikisht me shpresën që të inkurajojë njerëzit të mendojnë për atë që ai shkruan dhe thotë. 

 

[1] Kadrov, L., Lalić, D. and Teršelić, V. (2010) Ballafaqimi me të kaluarën në Kroaci: qëndrimet dhe opinionet e pasluftës të akterëve dhe të publikut [Suočavanje s prošlošću u Hrvatskoj: 305 Stavovi i mišljenja aktera i javnosti u poraću]. Dokumenta: Zagreb.

PROČITAJTE I OVO

Çfarë është "Balkan.Perspectives"

 

Balkan.Perspectives është revistë rajonale që fokusohet tek ballafaqimi me të kaluarën në Ballkanin Perëndimor. Revista botohet nga forumZFD në katër (4) gjuhë dhe është bashkëpunim ndërmjet Bosnje e Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Revista ofron hapësirë për shumëllojshmëri të këndvështrimeve lidhur me ballafaqimin me të kaluarën nga i gjithë rajoni. Duke sjellë një sërë pikëpamjesh, ne synojmë të sfidojmë stereotipet dhe narrativat etnocentrike, të inkurajojmë mendimin kritik dhe debatin më të gjerë për këto tema, si dhe të fuqizojmë qasjet konstruktive ndaj ballafaqimit me ngjarjet e të kaluarës së afërme.


Ju mund të abonoheni në versionin elektronik të revistës duke dërguar një e-mail në adresën: balkan.perspectives@forumzfd.de.


Ne mirëpresim dhe çmojmë mendimet tuaja për revistën tonë dhe shpresojmë se do të kënaqeni duke e lexuar!



BALKAN.PERSPECTIVES