Autor: Vladan Đukanović

Të kujtuarit i së kaluarës në media sociale

Foto: Vladan Đukanović

Shpesh, mediat sociale i trajtojmë si diçka të re dhe madje të panjohur, edhe pse kanë qenë pjesë e jetës tonë për më shumë se një dhjetëvjeçar. Që kur kjo shpikje e fuqishme hyri në Ballkan, është shndërruar në hapësirë për diskutime rreth ballafaqimit me të kaluarën dhe në riprodhuese të përmbajtjes ekzistuese, por në forma të reja.   

“15 shkurt 1924 | Lind në Romë Enrika Mieli, një grua italo-hebreje. Në tetor 1943 ajo u deportua në #Auschwitz. Ajo nuk mbijetoi.”

Ky tuit u postua nga llogaria zyrtare në Twitter e Auschwitz Memorial. Këtë tuit e shoqëronte një fotografi e thjeshtë, e paraluftës, e Enrika Mielit. Tuiti u shpërnda një mijë e katërqind herë dhe mori më shumë se pesëmijë pëlqime. Poshtë tij mund të lexojmë mbi njëqind komente që shprehnin trishtim, empati, sjellin vegëza për libra rreth Holokaustit dhe thirrje për të luftuar aktivisht kundër fashizmit. Enrika nuk është aq e famshme, sa le të themi, Ana Franku. Për të nuk janë bërë libra apo filma. Një hulumtim online i emrit të saj të nxjerr disa vegëza të arkivave ku ajo përmendet. Megjithatë, falë Twitter-it, ne e kujtojmë.

Tekstet, fotot, videot dhe vegëzat janë përmbajtja kryesore në media sociale, pavarësisht se si këto platforma janë zhvilluar me kalimin e kohës. Më të thjeshta se sa përmbajtja në media, që tashmë e konsiderojmë tradicionale, ato mund të arrijnë tek një audiencë e gjerë duke anashkaluar pengesat e kornizave të mediave ekzistuese. Kjo është një mundësi që ballafaqimi me të kaluarën në Ballkan të marrë hov.  

Mediat tradicionale vazhdojnë të tregojë gjithnjë e më pak interesim për temat që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën. Ndonjëherë, ndonjë proces gjyqësor sensacional shfaqet në faqet e para dhe në lajmet më të fundit, gjithnjë i pasuar nga narrativat e përcaktuara që flasin për fajësi kolektive, që nxjerrin gjithë kombin para gjyqit, që sulmojnë heronjtë kombëtarë dhe flasin për tradhëtinë ndaj kombit të atyre që flasin publikisht për krimet. Raportime të tilla u referohen viktimave si numra. Pa emra. Pa fotografi. Pa tregime. Nëse e përfshijnë këtë informacion, gjithnjë është për viktimat e anës “tonë”.  

Këtu bëjnë përjashtim disa organe mediale, që zakonisht varen nga financimi i projekteve, si dhe organizata dhe individë që i përdorin mediat sociale si hapësirë të sigurtë për t’u shprehur lirshëm. Mirëpo kjo liri është e kufizuar nga “shtrirja” e llogarive të tyre në media sociale, që është e pakrahasueshme me shtrirjen e medias tradicionale. Megjithatë, përpjekjet e tyre nuk duhet të konsiderohen të parëndësishme, sepse ato inkurajojnë ngulimimin ndaj së vërtetës dhe kujtesës.   

Mediat sociale u japin njerëzve lirinë dhe platforma për t’i dënuar publikisht kriminelët e luftës dhe mohuesit e krimeve të luftës dhe ata mund ta shfrytëzojnë rastin kur rikthehen në jetën publike pasi i kanë vuajtur dënimet, kur mirëpriten si heronj. Në këto platforma, njerëzit mund të vënë lirshëm në dukje manipulimet me numrat e viktimave të luftës dhe me rrethanat e krimeve luftës dhe mund t’u referohen fakteve të vërtetuara nga gjykata për të kërkuar llogaridhënie. Ato janë hapësira ku mund refuzohen lirisht politikat zyrtare të mohimit dhe të harresës.

Sigurisht, politikat zyrtare janë të pranishme në të gjitha mediat sociale. Këto platforma, sikurse media, përdoren si mjete propagande. Ato janë edhe hapësira për riprodhimin e palodhur të narrativave mbizotëruese. Megjithatë, dallimi është se ekziston mundësia për t’u përgjigjur me fakte. Zërat e viktimave janë sidomos të rëndësishëm për përmbajtjen që krijojmë, sepse faktet jo gjithnjë mjaftojnë për të nxitur interesimin e publikut.

Kjo është frika më e madhe e atyre që kanë pushtet dhe përgjegjësi, që nuk duan të përballen me të vërtetën. Gjetjet e gjykatave në vendet ku sundimi i ligjit është thjesht një seri fjalësh të zbrazëta mund të shpërfillen lehtësisht, por dëshmitë autentike për ata që janë vrarë gjatë luftërave ngacmojnë empatinë e njerëzve dhe mund t’i bëjnë ata të rishqyrtojnë qëndrimet, dukuri kjo shumë e padëshiruar. Kjo gjë rrezikon praktikën e krijuar prej një kohe të gjatë të dehumanizimit të armikut si pararendëse e krimit / kryerjes së krimeve të luftës dhe e zhvendos vëmendjen e bisedës nga niveli i miteve të mëdha kombëtare tek njerëz që i kuptojmë, të zakonshëm.

Është në dorën e organizatave dhe të aktivistëve që t’i përdorin mediat sociale për të folur rreth viktimave, të përshtasin burimet ekzistuese për platformat që përdorim dhe t’u mundësojnë njerëzve të shohin faktet, emrat, tingujt, emocionet, pamjen, karakterin, personalitetin. T’u mundësojnë tregimeve të tyre të dalin jashtë arkivave, jashtë harresës. Rihumanizimi i viktimave është hapi i parë drejt kujtesës, që në fund, do të mund të përmbyste mitet kombëtare.

Sigurisht që i kemi burimet. Ka shumë deklarata të dokumentuara, regjistrime të dëshmive dhe histori orale, fotografi dhe dokumenta. Duhet të sigurohemi që viktimat përfaqësohen me dinjtet, që deklaratat përdoren në kontekstin e saktë, që informacioni vërtetohet dhe që burimet citohen. Po ashtu, duhet të sigurohemi që viktimat nuk rrezikohen nga një ekspozim i tillë dhe që identitetet e tyre mbrohen, kur kjo të jetë e nevojshme.

Nuk është e pazakontë që shoqatat e viktimave dhe individitët t’i përdorin mediat sociale për të krijuar përmbajtje ku ata përcjellin tregimet e tyre dhe kërkojnë drejtësi. Kjo mundësi për ta krijuar bashkërisht kujtesën kolektive dhe për ta ndarë përmbajtjen ekzistuese që të arrijë tek më shumë njerëz, mund të mjaftojë.

Përkujtimi i datave të rëndësishme dhe krijimi i një kujtese të përbashkët shërbejnë për t’iu kundërvënë idesë se na pret një e ardhme më e ndritur nëse heqim dorë nga bisedat për të kaluarën.

Dita e Shiritit të Bardhë, në përkujtim të viktimave boshnjake nga Prijedori, është fushatë e lansuar nga shoqatat e viktimave në vitin 2012. Çdo 31 maj, përveç përkujtimeve të rregullta në disa qytete, aktivistët nga i gjithë Ballkani përkujtojnë viktimat duke ndarë fotografitë e veta ku ata mbajnë shirita të bardhë në krah. Ky është një gjest që i referohet direktivës së lëshuar në vitin 1992 që boshnjakët t’i shenjonin shtëpitë e tyre me flamuj të bardhë apo çarçafë dhe të mbanin shirita të bardhë në krah. Pas kësaj direktive vijuan vrasjet masive. Mediat sociale kanë ndihmuar që fushata të zgjerohet dhe më shumë njerëz të informohen për vrasjet në Prijedor, disa prej të cilëve madje nuk kishin dëgjuar për të. Po ashtu, është dëshmuar shtrirja e mediave sociale në ballafaqimin me të kaluarën në Ballkan.

Rezistenca për të kujtuar të kaluarën do të zgjasë ende për një kohë të gjatë. Mitet kombëtare nuk do të shpërbëhen pas disa postimeve virale. Megjithatë, mediat sociale janë shndërruar në hapësirë që na mundëson të kujtojmë dhe të qortojmë, të paktën për sa kohë që interesat korporative të pronarëve të tyre dhe kontrolli i qeverive autoritariane na lejojnë të veprojmë kështu. Nëse, për një çast ato ndalojnë, do të gjejmë mënyra të tjera. Ashtu sikurse fati i Enrika Mielit gjeti një mënyrë të na përkujtonte, 77 vjet më pas, se nuk duhet të rrimë gojëmbyllur dhe të sodisim fuqizimin e së djathtës ekstreme në të gjithë Evropën.

Vlladan Gjykanoviq është i angazhuar profesionalisht në fushën e komunikimit, sidomos përmes punës me organizata të shoqërisë civile. Përtej jetës profesionale, ai është i përkushtuar ndaj ballafaqimit me të kaluarën si aktivist virtual dhe në jetën reale.

PROČITAJTE I OVO

Çfarë është "Balkan.Perspectives"

 

Balkan.Perspectives është revistë rajonale që fokusohet tek ballafaqimi me të kaluarën në Ballkanin Perëndimor. Revista botohet nga forumZFD në katër (4) gjuhë dhe është bashkëpunim ndërmjet Bosnje e Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Revista ofron hapësirë për shumëllojshmëri të këndvështrimeve lidhur me ballafaqimin me të kaluarën nga i gjithë rajoni. Duke sjellë një sërë pikëpamjesh, ne synojmë të sfidojmë stereotipet dhe narrativat etnocentrike, të inkurajojmë mendimin kritik dhe debatin më të gjerë për këto tema, si dhe të fuqizojmë qasjet konstruktive ndaj ballafaqimit me ngjarjet e të kaluarës së afërme.


Ju mund të abonoheni në versionin elektronik të revistës duke dërguar një e-mail në adresën: balkan.perspectives@forumzfd.de.


Ne mirëpresim dhe çmojmë mendimet tuaja për revistën tonë dhe shpresojmë se do të kënaqeni duke e lexuar!



BALKAN.PERSPECTIVES