Autor: Dardan Hoti

Ballafaqimi me të harruarën

Sa herë që trokas në dyert e familjarëve të të pagjeturve, përvoja është e veçantë. Çdo trokitje e përsëritur shoqërohet me frikën se vetëdijshëm po hap plagë të vjetra. Përvoja e fundit nuk ishte më e ndryshme nga herat tjera kur i jam qasur kësaj teme.

Muaj më parë, shkova ta takoj Ajshe Shehun, gruan dhe nënën nga Krusha e Vogël, e cila në luftën e fundit në Kosovë humbi burrin dhe katër djemtë e saj. Mbetjet mortore të trupit të burrit të saj u gjetën vite më parë, por jo edhe të djemve Sahitit, Xhavitit, Dritonit dhe Naitit. Në shtëpinë e saj, dhimbja është ende e freskët, e malli i përditshëm.

 “Jam lodhë për besë. Jam lodhë nga kjo pritje dhe vuajtjet vetëm se po më shtohen çdo ditë. Nuk e di më as çfarë të them”, ishin fjalët e saj.

Pas më shumë se njëzetë vitesh, zonja Shehu e ka humbur forcën dhe gatishmërinë me të cilën dikur fliste për dhimbjen e saj. Tashmë edhe gazetarët e hulumtuesit e tjerë që merren me çështjen e të pagjeturve, janë më shumë shqetësim për të, sepse zonja Shehu, ashtu si të gjithë familjarët e të pagjeturve në Kosovë është e dëshpëruar dhe thellësisht e zhgënjyer me mungesën e punës dhe kontributit institucional për t’i sjellë në dritë rastet e të pagjeturve në Kosovë dhe për t’i dhënë një përgjigjje për më të dashurit e saj.

Ballafaqimi me të kaluarën shihet të jetë një betejë e vështirë për ata që kanë përjetuar luftën e sidomos për familjarët e të të pagjeturve.

Raportimi për këtë çështje është po ashtu i vështirë dhe sfidues për gazetarët. Duke pasur qëllim që të dokumentojmë shkeljen e të drejtave të njeriut dhe të inkurajojmë shprehjen e duhur të përkujtimit dhe respektit për të pagjeturit në Kosovë, në vitin 2014 nisëm ndërmarrjen e vështirë e mbledhjes së rrëfimeve nga 16 familjarë të të pagjeturve. Ato rrëfime i shpalosëm në vitin 2014 përmes gazetës “Zëri”, dhe duke e parë që për këtë çështje nuk është punuar asgjë e kemi parë nevojën që sërish me risjellë në vëmendje të publikut dhe institucioneve çështjen e të pagjeturve. Dhe kështu me  me 24 shkurt të këtij viti, në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, ku unë bashkë me një ekip hapëm ekspozitën “Ballafaqimi me të Harruarën”. Kjo ekspozitë u realizua si përpjekje për të dokumentuar një të kaluar të dhimbshme. Një të kaluar që familjarët e 1646 personave të zhdukur, vazhdojnë të përballen edhe sot pas 20 vitesh.

Fotografitë dhe rrëfimet që u shfaqën përmes kësaj ekspozite janë një triptik që kanë në fokus një të mbijetuar, nëpërmjet rrëfimit, kujtimeve dhe lidhjeve emocionale të së cilit/cilës, portretizohet edhe personi i pagjetur.

Secila nga fotografitë, të ndara në tri pjesë, përcjellin tri narrativa të personave të fotografuar që lidhen me kujtimet, mungesën dhe jetën e tyre pas humbjes së personit të tyre të dashur. Ato, u varën dhe qëndruan në ajër në hollin e Bibliotekës Kombëtare, duke treguar kështu që edhe zbardhja e fatit të të pagjeturve është ende në ajër.

Kjo ekspozitë është po ashtu një vazhdimësi e shumë veprave por edhe aksioneve të ndryshme që në një formë apo tjetër në jo pak raste tejkalojnë barrierat dhe prekin tema që shpeshherë janë barriera të pakapërcyeshme për politikën.

Ndonëse nuk mund të jenë platforma që ndikojnë në vendimmarrje, vepra të tilla, si ekspozita, shërbejnë si forma më të mira për të ngritur zërin rreth çështjeve që lidhen me të kaluarën, por edhe të tashmen.

Kur folim për të kalurën, për familjarët e të të pagjeturve, institucionet kanë qenë të  “papërgjegjshme” në mënyrën sesi i kanë trajtuar familjet e tyre. Qeveritë e kaluara të Kosovës, nuk e kanë vendosur asnjëherë në tavolinë çështjen e të zhdukurve dhe reparacioneve të tjera të luftës në dialogun e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011. Ndërsa në Departamentin e Mjekësisë Ligjore, janë mbi 300 eshtra me profil të veçantë që ende janë të paidentifikuara në morgun e Prishtinës, të cilat datojnë nga periudha të ndryshme.

Ekspozita “Ballafaqimi me të Harruarën” do të udhëtojë dhe në dy qytete të tjera të kosovës. Kjo do të bëhet e ditur sapo të organizohen vendet dhe orarët për mbajtjen e kësaj ekspozite.

Dardan Hoti ka përfunduar studimet bachelor në Universitetin e Prishtinës, Dega e Gazetarisë, dhe është duke vijuar studimet master në Degën e Sociologjisë. Me gati dhjetë vite përvojë në gazetari, Dardani më 2013 u shpërblye me çmimin e parë për raportimin për varfëri nga Agjencitë e Kombeve të Bashkuara, UNKT. Po ashtu, është anëtar i bordit në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës prej vitit 2014. Dardani, ëshët gazetar i cili mbulon çështjet e të drejtave të njeriut dhe po ashtu punon edhe si hulumtues në disa organizata vendore dhe ndërkombëtare.

 

PROČITAJTE I OVO

Kolumnet ynë

Kolumnet DwP në www.dwp-balkan.org është një produkt i medias së re në platformë online ku flitet për ballafaqimin me të kaluarën. Kolumnet DwP është një platformë rajonale online për reflektime konstruktive lidhur me tema që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, me qëllim të fuqizimit të qasjes së hapur dhe konstruktive në nivel rajonal. Duke përdorur blogun si një mjet, ne synojmë të nxisim diskutime konstruktive në rrjet lidhur me temat aktuale në fushën e ballafaqimit me të kaluarën.

Mohim i përgjegjësisë

Kolumnet “Ballafaqimi me të kaluarën” është pjesë e uebfaqes rajonale për tematikën e ballafaqimit me të kaluarën www.dwp-balkan.org. Ky blog shërben si një platformë online për debate konstruktive rreth temave që kanë të bëjnë me Ballafaqimin me të Kaluarën. Pikëpamjet e shprehura në këtë blog janë të autorëve/blogerëve dhe jo detyrimisht përfaqësojnë pikëpamjet e organizatës forumZFD (forumi për Shërbimin Qytetar për Paqe). Inkurajojmë kopjimin dhe shpërndarjen e këtij materiali, me kusht që teksti të mos modifikohet dhe që të përfshihet referenca e duhur e uebfaqes dhe emri i autorit. Kopjimi dhe rishpërndarja janë pa pagesë.