Autor: Zinaida Đelilović

850 Prioritetet dhe koha që ikën

Aktualisht, Bosnja e Hercegovina kanë ngecur tek miratimi i një Strategjie Kombëtare të rishikuar për punë në lëndët të Krimeve të Luftës, strategji që ende nuk është diskutuar në Këshillin e Ministrave të BeH.

Unë kam raportuar për krimet e luftës për shumë vite dhe shumë kohë më parë e humba entuziazmin fillestar të shpresës se të gjitha viktimat do të gjenin drejtësi. Fatkeqësisht, kohës për të arritur drejtësi të vërtetë ngadalë po i vjen fundi dhe për këtë ka paralajmëruar edhe Misioni i OSBE-së në BeH në raportin e këtij viti mbi "Menaxhimin e Lëndëve të Krimeve të Luftës në Procedimet e Prokurorisë të BeH".

Hetime të ngadalshme

OSBE flet për hetime shumë të ngadalshme, për rënie të numrit të aktakuzave të konfirmuara dhe për një rënie alarmante të numrit të dënimeve në rastet e krimeve të luftës.

"Prokurorisë së BeH-së do t'i duheshin edhe 10 vite të tjera për t'i përfunduar lëndët e filluara të krimeve të luftës nëse vazhdon të punojë me këtë ritëm" ka theksuar Misioni i OSBE-së në raportin e vet.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë janë të qartë: "Për ta përshpejtuar procesin, shteti duhet të miratojë një Strategji të rishikuar të Krimeve të Luftës". Misioni i OSBE-së në BeH ka theksuar në mënyrë të përsëritur se Strategjia e rishikuar paraqet mënyrën më të mirë për t'i dhënë fund të gjitha lëndëve të krimeve të luftës deri në vitin 2023 dhe sugjeron masa konkrete që do ta përshpejtonin ndarjen e lëndëve të mbetura – lëndët më komplekse duhet të procedohen në nivel të shtetit dhe të gjitha lëndët e tjera në nivelet e entiteteve dhe të distriktit në Brqko.

Sidoqoftë, Bosnja dhe Hercegovina është ngujuar  me Strategjinë e rishikuar, e cila nuk u miratua në vitin 2019. Madje, as nuk është diskutuar në Këshillin e Ministrave të BeH-së.

Ekspertët ligjorë të BeH-së janë dakord me përfaqësuesit ndërkombëtarë se mosrespektimi i Strategjisë së rishikuar do ta ngadalësojë procesimin e këtyre krimeve dhe do të krijojë tensione ndëretnike.

Në të njëjtën kohë, përfaqësuesit e viktimave dhe të të ish-arrestuarve në llogore  theksojnë pakënaqësinë e tyre me punën e Prokurorisë së BeH në vitin 2019 dhe besojnë se gjyqësori duhet t'i përmbahet strategjisë që ka hartuar që prej vitit 2008, duke theksuar se Strategjia e rishikuar nuk përcaktoi ndonjë model të bashkëpunimit rajonal.

Kujtojmë se Strategjia e miratuar në vitin 2008, parashikonte që lëndët më të ndërlikuara të procesoheshin në nivelin shtetëror brenda shtatë viteve, ndërsa të gjitha lëndët tjera të transferoheshin në nivelin e entiteteve dhe të përfundonin për 15 vjet.

Duke pasur parasysh se afati shtatëvjeçar skadoi në fund të vitit 2015 dhe që lëndët më të ndërlikuara të krimeve të luftës në nivel shtetëror nuk u përfunduan, është hartuar një strategji e rishikuar për të siguruar që më shumë raste të transferohen në nivelin e njësisë së entiteteve.

Misioni i OSBE-së në BeH gjithashtu deklaroi se Zyra e Prokurorit të BeH-së nuk i përqendron kohën dhe burimet e saj vetëm në hetimin dhe ndjekjen penale të çështjeve më komplekse të krimeve të luftës. Me këtë qëndrim gjithashtu pajtohen edhe përfaqësuesit e gjyqësorit në BeH, duke thënë se kapacitete të mëdha të Prokurorisë së BiH janë duke u përdorur për krime të shkallës më të vogël dhe me kryes të veprave më pak të rëndësishme dhe se Prokuroria e BeH-së parashtron shumë pak aktakuza kundër "personave që ishin në pozicione të larta në luftë".

Disa nga Shoqatat besojnë se përparësia në ndjekjen penale të krimeve të luftës duhet t'i jepet 850 lëndëve nga lista "A" që Prokuroria e Hagës i ka dorëzuar gjyqësorit të BeH-së që në vitin 2004.

Përfaqësuesit nga Shoqata e Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit kanë deklaruar vazhdimisht se për 10 vjet, ata i kanë kërkuar secilit prokuror që drejton Prokurorinë e BeH-së të zbulojë se çfarë ndodhi me këta 850 të dyshuar. Sidoqoftë, ata kurrë nuk morën ndonjë reagim nga Prokuroria e BeH-së.

Misioni i OSBE-së në BeH konsideron se nuk ka gjasa që çështjet e kategorisë "A" të procedohen në kohën e duhur.

Edhe pse lëndët e kategorisë A ndryshojnë në aspektin e ashpërsisë dhe kompleksitetit, OSBE është e mendimit se ka prova të mjaftueshme për të gjithë ato raste që të vazhdohet me ndjekje penale.

Në vitin 2017, prokuroria ngriti 38 aktakuza për krime lufte, një vit më vonë 27 dhe këtë vit 21. Në vitin 2019, Gjykata e BeH nxori 24 aktgjykime të formës së prerë, duke dënuar 33 persona me 318 vjet burg për krime lufte. Interpol ka lëshuar urdhër-arreste për tre persona të dënuar me ligj. Përfundimisht, 12 persona u lanë të lirë në dhjetë raste.

Kërkimi për të pagjeturit

Përveç problemit të (mos)miratimit të Strategjisë së rishikuar, Bosnja e Hercegovina përballet edhe me një problem tjetër kur është fjala për rastet e krimeve të luftës.

Në Bosnje e Hercegovinë, pak më shumë se 24 vjet pas luftës, 7,206 persona raportohen të pagjetur. Instituti i BeH për Personat e Pagjetur ka bërë vazhdimisht thirrje se procesi i gjetjes së personave të pagjetur duhet të përshpejtohet.

Sidoqoftë, një nga problemet kryesore është mungesa e dëshmitarëve të besueshëm dhe atyre që duan të zbulojnë vendndodhjen e varreve individuale dhe masive. Deklaratat e tyre janë të pasakta dhe koha e ka bërë të vetën që shumë vende në terren tashmë kanë ndryshuar pamjen e vet.

BeH është lidere në gjetjen e personave të pagjetur në rajon, por në vendin tonë nuk ka vullnet politik për t'i dhënë fund këtij procesi. Pa adresuar çështjen e personave të zhdukur, nuk ka hyrje në BE.

BIO: Unë (Zinaida Gjeliloviq (Đelilović)) punoj si gazetare në Oslobođenje dhe Dani. Ne jemi trupi i parë editorial multimedial në BiH që do të thotë se ne po punojmë në storie nga kënde të ndryshme dhe për lloje të ndryshme të mediave. Gjatë karrierës sime 18-vjeçare në gazetari, unë kryesisht trajtoja tema në gjyqësor. Kam qenë redaktore për ca kohë, por ajo lloj pune ju lidh për redaksinë, gjë e cila nuk më plotësoi. Më pëlqen të jem në fushë, të flas me njerëzit, të eksploroj ... Mbi të gjitha, më pëlqen të punoj në storie që kontribuojnë në një ndryshim në shoqëri dhe që përqendrohen në anomali. Shumica e teksteve të mia përqendrohen në krimet e luftës dhe situatën në gjyqësinë e BiH, punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të BiH si një organ gjyqësor rregullator.

Foto: Varreza masive, mali Igman, BeH (Instituti për të Pagjeturit i BeH). Një nga problemet kryesore është mungesa e dëshmitarëve të besueshëm dhe atyre që duan të zbulojnë vendndodhjen e varreve individuale dhe masive

PROČITAJTE I OVO

Kolumnet ynë

Kolumnet DwP në www.dwp-balkan.org është një produkt i medias së re në platformë online ku flitet për ballafaqimin me të kaluarën. Kolumnet DwP është një platformë rajonale online për reflektime konstruktive lidhur me tema që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, me qëllim të fuqizimit të qasjes së hapur dhe konstruktive në nivel rajonal. Duke përdorur blogun si një mjet, ne synojmë të nxisim diskutime konstruktive në rrjet lidhur me temat aktuale në fushën e ballafaqimit me të kaluarën.

Mohim i përgjegjësisë

Kolumnet “Ballafaqimi me të kaluarën” është pjesë e uebfaqes rajonale për tematikën e ballafaqimit me të kaluarën www.dwp-balkan.org. Ky blog shërben si një platformë online për debate konstruktive rreth temave që kanë të bëjnë me Ballafaqimin me të Kaluarën. Pikëpamjet e shprehura në këtë blog janë të autorëve/blogerëve dhe jo detyrimisht përfaqësojnë pikëpamjet e organizatës forumZFD (forumi për Shërbimin Qytetar për Paqe). Inkurajojmë kopjimin dhe shpërndarjen e këtij materiali, me kusht që teksti të mos modifikohet dhe që të përfshihet referenca e duhur e uebfaqes dhe emri i autorit. Kopjimi dhe rishpërndarja janë pa pagesë.