Autor: Lejla Gačanica

Sa e kaluar është e mjaftueshme?

Një pasdite të ngrohtë gushti në mes të edicionit të 25-të të Festivalit të Filmit të Sarajevës, në një sallë konferencash pa dritë natyrale, mbushur me karrige të ngjashme me bangat shkollore dhe me një grup të rinjsh nga rajoni që merrnin pjesë në Programin e Ballafaqimit me të Kaluarën [L1]. Mendova se nuk do të kishte diskutime, sepse nga njëra anë ishte socializimi dhe nga ana tjetër FFS-ja, dhe nga ana tjetër ishin diskutimet nëse e kaluara ishte e rëndësishme apo jo (dhe e kaluara jonë është mjaft sfiduese). Shpejt kuptova se të gjitha gjërat e gëzueshme (stina e verës, FFS, socializimi) ishin me ne në atë sallë dhe donin të flisnin për sfidën me të cilën përballeshin – të kaluarën. Është joprecize dhe e pasaktë të thuash se ata bezdiseshin nga e kaluara, këta të rinj bezdisen nga mënyra se si e kaluara prezantohet në jetët e tyre. Ata bezdisen nga zhurma për të “vërtetat” e ndryshme dhe heshtja për dhimbjen. Ata bezdisen nga fakti se ata veçanërisht janë të vetëdijshëm për të kaluarën dhe nuk e harrojnë atë kurrë. Pse duhet të pajtohemi, kur as nuk kemi luftuar? Dhe ja ku është, kjo pyetje me të gjithë lavdinë e vet, që ndonjëherë e dëgjoj nga ndonjë individ posaçërisht guximtar prej ndonjë grupi që diskuton për të kaluarën. Sepse e kaluara nënkupton vitet 90-të, ajo nënkupton luftë dhe nënkupton ndonjë lloj pajtimi. Gjithashtu nënkupton të kërkosh për të vërtetën, të zgjedhësh cili interpretim është i drejti ose thjesht të përvetësosh narrativën për të kaluarën dhe të shkosh me rrjedhën. Kjo pyetje është aq e thellë dhe me kuptim në ndershmërinë e saj, edhe pse mund të tingëllojë si banalitet dhe logjike. Për të qenë e ndershme, kjo pyetje është më shumë si përgjigje e ndonjë pyetjeje. Për shkak të arsyeve në vijim:

 

a) Të rinjtë janë lodhur nga e kaluara, nuk duan më të merren me të. Sidoqoftë, edhe nëse mendoni se nuk ballafaqoheni me të kaluarën, e kaluara ballafaqohet me ju. Në çdo qosh, në shkollë, në shtëpi, në TV dhe në portale. Të rinjtë duan një të ardhme të pangarkuar nga e kaluara. Brezat të cilët i mbajnë mend konfliktet nga vitet ’90-të po largohen dhe duke u larguar, ata lënë pas farat e neverisë, kujdesit dhe kufijtë. Për këtë arsye, është e rëndësishme ta diskutojmë të kaluarën dhe t’i heqim qafe këto mure që janë ndërtuar, pa pritur që heshtja të mbulojë atë që refuzojmë të shohim. Harresa është mashtruese – sidomos në rastet kur ndasitë institucionale mbahen gjallë, në entitete, libra shkollorë, komunitete monoetnike, tek siguria e rreme se kështu është më mirë. A ka marrë fund vërtet e kaluara?  

b) Kurrë nuk do të arrijmë kompromis me të kaluarën, ndaj pse të lodhemi të kërkojmë për “të vërtetën”? Sepse e vërteta që po kërkojmë ne, nuk është kompromis. Sepse është gjithkund dhe askund. Sepse ka të vërteta që nuk mund të pajtohen për shkak të faktit se nuk mund të shtyhen në kallëpet e përgatitura të asaj që ka ndodhur. Dhe pikërisht për këtë arsye: kompromisi qëndron në të dëgjuarit dhe të kuptuarit të tjetrit. E dini, të tria palët ndjejnë dhimbje. Të flasësh për të kaluarën nuk do të thotë të flasësh vetëm për numra dhe reciprocitet; historia jonë e së kaluarës është rrëfim i frikës dhe tmerrit që ështe e vështirë për t’u kuptuar, por jo e pamundur. Dhe historia jonë për të kaluarën nuk është vetëm e mundimshme dhe e shëmtuar. Dëgjoni, ka edhe të vërteta që do të donit t’i dini dhe t’i mbani mend. Përfshirë edhe gjërat e këqija, sepse që të gjitha këto janë veçse njëra anë e medaljes, që ndoshta mund të quhet “e vërteta”.

c) Ne funksionojmë mirë pa këtë pajtim të imponuar. Po, pajtimi është fjalë kaq e stërpërdorur këtu! Sa shumë projekte, sa shumë buxhete, seminare, hotele dhe të rinjtë ende besojnë se nuk kanë nevojë për pajtim të organizuar. Pas 25 vitesh të aktiviteteve të shoqërisë civile për pajtimin, do të ishte shumë e thjeshtë të thuhej se fondet e projekteve janë përdorur për asgjë. Ashtu si duhet të ndalemi dhe të pyesim veten: në rregull, çfarë kemi bërë deri tani dhe për çfarë kemi nevojë tani. Kjo është ajo që duhet të kuptojmë – nuk është më për punën me brezat që i kanë mbijetuar luftës dhe ne duhet të gjejmë një mënyrë për të jetuar në paqe. Të punosh me brezat që e mbajnë mend luftën përmes kujtimeve të brezit më të vjetër është sfidë me të cilën duhet të merremi. Për shkak të a) dhe b) më lart dhe për shkak të faktit se fjala “pajtim” na sëmur në atë shkallë saqë është bërë rezultat i parashikuar i projektit. Sipas matricës logjike të tyre, pajtim do të thotë takime sy më sy, miqësi dhe diskutime, me rezultatin që nuk është tabu të shkosh të vizitosh një mik në Novi Sad. Dhe anasjelltas.

 

Gjatë shfaqjes së filmit Lindur në Evin, pashë fytyrat e njohura të diskutimit tonë. Një grup të të rinjve që janë vërtet të interesuar në të kaluarën. E pashë filmin me sytë dhe veshët hapur, duke u përpjekur të kap psherëtima, dridhje dhe reagime të tjera nga pjesëmarrësit e rinj në diskutim dhe nga personat e tjerë në audiencë. Me dukej se të përcillje jetën e dikujt gjatë rishikimit të së kaluarës është më e lehtë se kur e bën për vete. Në fillim të filmit, protagonisti kryesor aterron me parashutë në mes të askund, në një peisazh që i përngjan shkretëtirës, me pak pemë të përdredhura, pa ndonjë gjë tjetër në horizont. Megjithatë, teksa ajo shkon diku, duke ecur me parashutën e saj mbi shpinë, ajo është e kërrusur, i hedh hapat ngadalë, duke tërhequr pas vetes pëlhyrën e parashutës. Filmi përcjell autoren dhe aktoren e filmit, Marjam Zari, në përpjekjet e saj për të zbuluar të vërtetën e lindjes së saj në një nga burgjet famëkeqe globale për të burgosur politikë. Në familjen e saj nuk është diskutuar kurrë për persekutimin dhe robërimin dhe Marjami do të dijë se çfarë ka ndodhur, ajo është në kërkim të përgjigjeve për rrethanat dhe vendin ku ka lindur. As ajo vetë nuk di t’ia shpjegojë nënës së saj psikiatre dhe njerëzve që takon rrugës se përse kjo gjë ka kaq shumë rëndësi për të. Ajo vazhdon të kërkojë me këmbëngulje, nuk heq dorë dhe përballet me frikërat e saj dhe me rreziqe. Ajo e përshkruan heshtjen e prindërve të saj si “të errët”, njësoj si përshkruan si e sheh të kaluarën për të cilën prindërit e saj refuzojnë të flasin – të errët, të mundimshme dhe të dhimbshme.

Kur folëm gjatë sesionit tonë, të rinjtë nga rajoni ishin shumë të ndershëm. Këto nuk janë tema të thjeshtë që mund t’u mvishen gabimeve nga “më të vjetrit” dhe pavarësisht se faji i kujt është, ato kanë ndikim mbi ta, të rinjtë.

 

Jam e vetëdijshme se diskutimet çojnë drejt zbulimit të vetes dhe të bëjnë të jesh e hapur për të tjerët dhe për këndvështrime të ndryshme, ndaj i parafytyroj të rinjtë kur kthehen nëpër shtëpi, si ato gurëzit e vegjël që i gjuan në ujëra të qeta. A e dini se si “pllaquritja” e tyre turbullon sipërfaqen e ujit, duke krijuar rrathë që zgjerohen e zgjerohen? Kështu i parafytyroj unë këta të rinj, duke turbulluar sipërfaqet e tyre lokale, familjet dhe miqtë dhe duke përhapur mendimet e tyre, duke krijuar rrathë më të mëdhenj se do munden ndonjëherë diskutimet në panel. Kjo është arsyeja përse diskutimet tona janë të mira. Dhe kjo është arsyeja pse takimet janë të mira. Mendoj se roli i tyre është njësoj si i filmave, të hapin dimensione të tjera, të sjellin këndvështrime të tjera që krijojnë empati, që nxisin dialog, emocione dhe përfshijnë shumë njerëz të ftuar, të paftuar, të panjohur, por të rëndësishëm për të gjithë brezat, grupet etnike, sekset dhe gjinitë. E vetmja pyetje është, si në rastin e filmit, ashtu edhe të të rinjve, a do të hedhin hapin dhe të shqetësojnë ujërat që në dukje janë të qeta?

 

Unë kurrë nuk do t’u them hidhuni dhe krijoni rrathë (edhe pse fshehurazi gjithnjë shpresoj se do ta bëni)! Nuk do ta them, sepse e di që nuk është e drejtë që përgjegjësinë për të gjitha tmerret që janë kryer në të kaluarën ta gjuajmë mbi shpinën e të rinjve dhe t’i detyrojmë të ballafaqohen me të kaluarën. Jo se ballafaqimi me të kaluarën nuk ka vlerë, por sepse e di sa i vështirë është. Kjo nuk do të ndodhë brenda natës dhe nuk ka çizme magjike që mund të kapërcejnë shtatë male dhe lumenj dhe të na çojnë drejt paqes dhe lumturisë. Pavarësisht sa qesharake mund të duken, diskutimet e pasditeve se përse jeta njerëzore ka vlerë të njëjtë gjthkund janë një hap i madh përpara. Dhe pse prindërit kanë frikë kur duhet t’i lënë fëmijët të shkojnë tek entiteti tjetër. Dhe pse ata duan të largohen apo të qëndrojnë. Rezistenca ndaj ballafaqimit me të kaluarën që është trashëguar është e pranishme dhe e kuptueshme. Sidoqoftë, ajo mund të tejkalohet vetëm nëse e kuptojmë se përse kemi nevojë për të.

Skena e fundit në film tregon Marjamin ende në mes të askundit, ende duke shkuar diku me hapa të rëndë. Ajo hap dorezat e parashutës, duke hequr qafe peshën e stërmadhe të parashutës që e ndihmoi të aterrojë. Ajo kthehet nga ne, tund kokën për ne dhe vazhdon të ecë me hapa të lehtë duke e lënë parashutën në mes të askundit, aty ku aterroi.  

 

Autorja është kandidate për LL.D dhe aktualisht punon si këshilltare ligjore dhe hulumtuese e pavarur. Ajo fokusohet tek ballafaqimi me të kaluarën dhe sidomos tek kultura e kujtesës, të drejtat e njeriut, e drejta kushtetuese. Ajo ka botuar artikuj, punime analitike, shkencore dhe hulumtuese në këto fusha.

 

 

PROČITAJTE I OVO

Kolumnet ynë

Kolumnet DwP në www.dwp-balkan.org është një produkt i medias së re në platformë online ku flitet për ballafaqimin me të kaluarën. Kolumnet DwP është një platformë rajonale online për reflektime konstruktive lidhur me tema që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, me qëllim të fuqizimit të qasjes së hapur dhe konstruktive në nivel rajonal. Duke përdorur blogun si një mjet, ne synojmë të nxisim diskutime konstruktive në rrjet lidhur me temat aktuale në fushën e ballafaqimit me të kaluarën.

Mohim i përgjegjësisë

Kolumnet “Ballafaqimi me të kaluarën” është pjesë e uebfaqes rajonale për tematikën e ballafaqimit me të kaluarën www.dwp-balkan.org. Ky blog shërben si një platformë online për debate konstruktive rreth temave që kanë të bëjnë me Ballafaqimin me të Kaluarën. Pikëpamjet e shprehura në këtë blog janë të autorëve/blogerëve dhe jo detyrimisht përfaqësojnë pikëpamjet e organizatës forumZFD (forumi për Shërbimin Qytetar për Paqe). Inkurajojmë kopjimin dhe shpërndarjen e këtij materiali, me kusht që teksti të mos modifikohet dhe që të përfshihet referenca e duhur e uebfaqes dhe emri i autorit. Kopjimi dhe rishpërndarja janë pa pagesë.