Autor: Jelena Diković

Viktimat civile të luftërave në mëshirë të shtetit të Serbisë

Xhevad Kolgjiq e pa nënën e tij për të fundit herë më 22 tetor 1992. Atë ditë, rrugës për punë, ajo u rrëmbye nga autobusi i Pribojit që kalonte nëpër territorin e Bosnie e Hercegovinës. Në Mioçe, pjesëtarë të formacionit paramiltar ''Hakmarrësit'', të udhëhequr nga Millan Llukiq, e morën atë dhe 15 burra nga autobusi. I dërguan me një kamion në Vishegrad, në motelin ''Vilina vlas'', ku u torturuan në mënyrë brutale dhe më pas të gjithë u vranë në brigjet e lumit Drina.

Gjatë 25 viteve të fundit, Xhevadi është përpjekur të sigurojë statusin e viktimës civile të luftës. Ai është njëri nga rreth 15,000 qytetarë të cilëve u është mohuar statusi i viktimave civile nga shteti i Serbisë. Përveç viktimave nga Sjeverini, janë edhe viktimat e rrëmbimit në Shtrpci, viktimat e ''Stuhisë'', viktimat e konfliktit në Kosovë etj. Një nga arsyet kryesore është fakti se autoritetet kompetente nuk i pranojnë si viktima lufte personat që u vranë jashtë territorit të Serbisë, edhe pse Ligji i zbatueshëm për të Drejtat e Civilëve me Aftësi të Kufizuara nga Shkaku i Luftës, i miratuar në vitin 1996, nuk e thekson këtë shprehimisht.

Ky ligj, i miratuar gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit, është kaq diskriminues, saqë përjashton tërësisht personat me aftësi të kufizuar poshtë 50%, si dhe personat me pasoja psikologjike si rezultat i dhunës që kanë përjetuar, të mbijetuarit e përdhunimit dhe të formave të tjera të dhunës seksuale të ndërlidhur me luftën, qytetarët që nuk janë serbë dhe që kanë qenë viktima të shtetit serb dhe të forcave paramilitare serbe, personat që kanë pësuar lëndime jashtë gjendjes së shpallur të luftës në Serbi, personat e zhdukur nëse nuk janë deklaruar si të vdekur dhe pjesëtarët e familjeve të civilëve të vrarë që kanë jetuar në të njëjtën shtëpi me ta.

Ministria e Punës, Punësimit, Çështjeve të Veteranëve dhe Sociale i interpreton dispozitat e këtij ligji sipas dëshirës, saqë dhe kanë tërhequr një numër të konsiderueshëm të statusit të viktimave civile të luftës. Sipas të dhënave nga Fondi për të Drejtën Humanitare, për shembull, një vajzë e cila ka humbur shikimin gjatë operacionit ushtarak ''Stuhia'' në Kroaci e humbi statusin e civilit me aftësi të kufizuar për shkak të luftës, ashtu sikurse dhe një grua që ka pësuar aftësi të kufizuar të rëndë pas torturave në kampin e përqendrimit në Dretelj, që ishte krijuar nga pjesëtarët e Ushtrisë së Kroatëve të Bosnjes. Në përgjithësi, nëse një person në Serbi e fiton statusin e viktimës civile të luftës, ky status ka të bëjë ekskluzivisht me asistencë materiale simbolike (pak më shumë se 10,000 dinarë). Nuk ka asnjë shërbim tjetër të mirëqenies sociale.

Edhe pse në rajon nuk ka asnjë zgjidhje ideale për statusin e viktimave civile të luftës, të gjitha faktet tregojnë se gjendja në Serbi është më e rënda. Nëse ligji i ri i përgatitur nga Ministria e Punës, Punësimit dhe Çështjeve të Veteranëve dhe Sociale miratohet, gjendja mundet vetëm të përkeqësohet. Shumë kohë më parë është hartuar një projekt-ligj (në atë kohë, ushtrues i detyrës së Ministrit ishte Aleksandar Vulin, i cili aktualisht është Ministri i Mbrojtjes), mirëpo ai projekt-ligj ''humbi'' diku pas zgjedhjeve, gjë që nuk është dhe aq keq, duke patur parasysh trajtimin tërësisht diskriminues që u bënte viktimave civile të luftës. Duke patur parasysh mënyrën se si vendi po i trajton qytetarët/viktimat e luftës që nga vitet 1990, nuk do të ishte aspak befasuese po të shihnim se situata e viktimave civile po përkeqësohet, duke patur parasysh faktin se projekt-ligji shprehimisht thotë se viktimë civile e luftës nuk mund të jetë personi i cili është plagosur apo vrarë jashtë territorit të Serbisë, edhe kundrejt ligjit famëkeq aktualisht në fuqi të vitit 1996. Në përgjithësi, në mënyrë që dikush të fitojë statusin e viktimës civile të luftës, shteti kërkon prej tij/saj të dorëzojë një numër shumë të madh të dokumentave, përfshirë edhe dokumenta mjekësorë që do të dëshmonin plagët e marra apo vdekjen e një pjesëtari të familjes apo procesverbal të policisë nga periudha kur ka ndodhur ngjarja. Edhe në atë raste, kjo duhet përsëritur çdo vit, për verifikim... Dhe shkalla se deri ku arrin mospërfillja e shtetit të Serbisë për viktimat civile të luftës ilustrohet nga fakti se Gjykata Kushtetuese e Serbisë ka opinionin që këta persona nuk janë diskriminuar, pasi ajo refuzoi nismën nga Fondi për të Drejtën Humanitare lidhur me kushtetutshmërinë e Ligjit të vitit 1996.

Ekziston një model i shkëlqyer i ligjit i hartuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, i cili do ta zgjidhte përfundimisht statusin e viktimave civile të luftës. Me siguri që autoritetet qeveritare as që ia kanë hedhur sytë këtij modeli të ligjit, për të mos thënë që ta kenë shqyrtuar. Edhe institucioni i Avokatit të Popullit (ombudspersoni) ka përgatitur një projekt-ligj për viktimat civile të konflikteve të armatosura, por duke patur parasysh faktin se ombudspersoni i ri u emërua, me lidhje të afërta me qeverinë, ky dokument me siguri se nuk do të miratohet.

Është e qartë se shteti i Serbisë do të vazhdojë të shpërfillë detyrimin e vet institucional dhe ndërkombëtar për të ofruar kompensim të drejtë të dëmit dhe reparacione të tjera për viktimat civile të luftës. Është dëshpëruese që një praktikë e tillë nuk mund të ndalet, edhe pas këmbënguljes së institucioneve ndërkombëtare, OJQ-ve dhe shoqatave të vendit dhe sigurisht, vetë viktimave. Të paktën jo në të ardhmen e afërt. E vetmja shpresë është që Bashkimi Evropian do të ushtrojë presion tek autoritetet serbe gjatë procesit të anëtarësimit të BE-së në mënyrë që ato autoritete të bëjnë përmirësime aty ku është gabuar. Por nëse marrim parasysh mungesën e interesimit të BE-së lidhur me shumë gabime që po ndodhin në Serbi prej vitesh, pak gjasa ka që të ndyshojë diçka, pra, rreth 15,000 persona zor se do të marrin drejtësi më në fund. Vetëm rreth 1,500 prej tyre kanë fituar drejtësinë. Disa prej tyre ishin viktima nga Lufta e Dytë Botërore.

Jelena Dikoviq

Gazetare e së përditshmes Danas

 

PROČITAJTE I OVO

Kolumnet ynë

Kolumnet DwP në www.dwp-balkan.org është një produkt i medias së re në platformë online ku flitet për ballafaqimin me të kaluarën. Kolumnet DwP është një platformë rajonale online për reflektime konstruktive lidhur me tema që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, me qëllim të fuqizimit të qasjes së hapur dhe konstruktive në nivel rajonal. Duke përdorur blogun si një mjet, ne synojmë të nxisim diskutime konstruktive në rrjet lidhur me temat aktuale në fushën e ballafaqimit me të kaluarën.

Mohim i përgjegjësisë

Kolumnet “Ballafaqimi me të kaluarën” është pjesë e uebfaqes rajonale për tematikën e ballafaqimit me të kaluarën www.dwp-balkan.org. Ky blog shërben si një platformë online për debate konstruktive rreth temave që kanë të bëjnë me Ballafaqimin me të Kaluarën. Pikëpamjet e shprehura në këtë blog janë të autorëve/blogerëve dhe jo detyrimisht përfaqësojnë pikëpamjet e organizatës forumZFD (forumi për Shërbimin Qytetar për Paqe). Inkurajojmë kopjimin dhe shpërndarjen e këtij materiali, me kusht që teksti të mos modifikohet dhe që të përfshihet referenca e duhur e uebfaqes dhe emri i autorit. Kopjimi dhe rishpërndarja janë pa pagesë.