Autor: Ljiljana Spasić

Harresa, mohimi dhe mospranimi janë baraz me gjenocid

Sulmi kundër Srebrenicës filloi më 6 korrik 1995. Ai përfundoi pesë ditë më vonë kur Ushtria e Republika Srpskas hyri në qytezë, nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiq. Në atë kohë, Mlladiqi deklaroi se ishte në “Srebrenicën serbe” dhe se qytezën po ua kthente “serbëve”, se “kishte ardhur koha e hakmarrjes ndaj turqve”.

 

Sipas akuzave nga Gjykata e Hagës, deri në 19 korrik, ushtarët në komandën e Mlladiqit vranë egërsisht dhe brutalisht 8,372 burra dhe djem myslimanë, ndër ta edhe gra dhe fëmijë. Brenda dy ditësh u deportuan 30,000 gra dhe fëmijë. Këto janë faktet për gjenocidin në Srebrenicë, që nuk duhet dhe nuk mund të harrohet kurrë. Duke debatuar për numrin e viktimave vit pas viti, si dhe me mohuesit e zakonshëm që pretendojnë vazhdimisht se ishte krim i tmerrshëm, por jo gjenocid, reagimet neurotike nga Serbia, fyerjet drejtuar nënave në Srebrenicë, janë bërë tashmë skenari i mohuesve të zakonshëm të kësaj ndodhie të tmerrshme.
Më 11 qershor, në varrezën e Qendrës së Memorialit të Srebrenicës në Potoçari, do të prehen mbetjet mortore të 33 viktimave të gjenocidit të bërë 24 vjet më parë. Sipas informacionit të publikuar në media, deri tani 6,610 viktima të gjenocidit janë varrosur në varrezën e Qendrës së Memorialit të Srebrenicës Potoçari, ndërsa rreth 1,000 ende po kërkohen.

 

Mbetjet e viktimave të gjenocidit janë gjetur në 150 lokacione, 70 prej të cilave ishin varreza masive. Viktimat më e re e varrosur në Potoçari ishte një e porsalindur, një vajzë e vogël e quajtur Fatima Muhiq, ndërsa më e vjetra ishte Shaha Izmirliq, lindur në vitin 1901. Këtë vit, ashtu si vitet më parë, fusha e Potoçarit u vërshua nga qivuret e gjelbër dhe lotët e familjeve që nuk gjejnë ngushëllim, që vajtojnë e vuajnë për të dashurit e tyre. Gjenocidi që u bë në Srebrenicë më 11 korrik 1995 ishte krimi më masiv i kryer në Evropë që nga Holokausti i L2B-së.

  

Këtë vit, pjesëmarrësit në Marshin për Paqe sërish do të nisin udhëtimin 240 km të gjatë në kujtim të viktimave të gjenocidit të Srebrenicës që ndodhi në korrik 1995 dhe në nder të qytetarëve të asaj qyteze në rajonin e Podrinjes së Bosnje e Hercegovinës që ecën 100 km për të gjetur strehë në Tuzlla. Më duhet ta pranoj se pas 24 vjetësh është ende e vështirë për mua të pranoj faktet për atë që ka ndodhur në Srebrenicë në vitin 1995.

 

Nuk mundem të mos sjell ndër mend gjeneralin e tmerrshëm Ratko Mlladiq që mbillte vdekjen nëpër Bosnje atë 11 korrik 1995. Edhe pse ai është sjellë para drejtësisë, edhe pse Parlamenti i Serbisë ka miratuar një Deklaratë të pjesshme të Srebrenicës, mbetet ende pyetja se kur do të përballet shoqëria jonë me shkallën e krimeve masive të kryera më 11 korrik 1995? Sjellja para drejtësisë dhe ballafaqimi me të kaluarën për hir të integrimeve evropiane nuk është e vetmja gjë që duhet të bëjë Serbia. Është e domosdoshme që shoqëria serbe si e tërë të ndalojë së përdoruri teoritë stereotipe se fajin e ka “pala tjetër” duke e vendosur kështu veten në rolin e viktimës. Viktimat e gjenocidit janë aty, në Potoçari dhe shoqëria serbe duhet të përulet paqësisht dhe heshturazi para tyre, me përulësi. Gjetshin rahmet. Është koha e duhur që publiku këtu të kuptojë se në vend se të mbrojnë kriminelët e luftës, që po e bëjnë për mrekulli, shoqëria jonë duhet tanimë të ndalojë së numëruari viktimat dhe së përdoruri për kontekstin e politikës së ditës. Të gjithëve na nevojitet distancim më i vendosur dhe më direkt nga krimet në rajon, në mënyrë që rfaktet tashmë të konstatuara të mos na çojnë në përllogaritje të cekëta apo konkluzione arbitrare. Rruga drejt zgjimit është e gjatë dhe e vështirë dhe sistemi ynë i vlerave është ende shumë i ndotur, ku ksenofobia ende dominon në këto vende... dhe viktimat e gjenocidit janë atje, në mes të Potoçarit. Në vend se të shpalosin imazhe të ikonografisë çetnike, ne si shoqëri duhet të gjejmë kurajon që ta shënjojmë 11 korrikun duke kujtuar viktimat e gjenocidit të Srebrenicës. Mbrojtja e kriminelëve të luftës, gjë që në Serbi funksionon për mrekulli, duhet të marrë fund dhe publiku këtu duhet të interesohet për proceset e ballafaqimit me të kalurën, sepse pa një riekzaminim të plotë, nuk mund të ecim përpara. Ka shumë gjurmë të luftës, shumë ligësi që na rrethon, nuk është e mundur që ta eliminojmë pa e pranuar të vërtetën për të kaluarën dhe pa kërkim falje të sinqertë për viktimat dhe familjet e tyre.  

 

Parlamenti Evropian e ka shpallur 11 korrikun si Ditën Përkujtimore të Gjenocidit të Srebrenicës dhe ka propozuar që vendet në rajon ta shenjojnë çdo vit.

Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut, Gratë në të Zeza, Fondi për të Drejtën Humanitare, forumZFD dhe OJQ të shumta do të bashkohen në kujtim të viktimave të gjenocidit të bërë kundër popullsisë myslimane. Inkurajimi i publikut për të shprehur solidaritet dhe empati nuk do të mungojë në radhët e këtyre qytetarëve që kanë refuzuar të pranojnë politikat luftënxitëse apo kulturën e imponuar të harresës. Dhënia e respektit viktimave të Srebrenicës tregon se në Serbi ka qytetarë që kundërshtojnë fuqishëm mohimin dhe refuzimin e këtyre krimeve. Prandaj është e nevojshme që të shpjegohet gjeneza e së keqes në shoqërinë tonë, në mënyrë që të mos përsëritet më kurrë. Ajo çka kemi është besimi se prania e imazheve me ikonografi çetnike gjatë përkujtimit të krimit në Srebrenicë nuk do të jetë skenari i përkujtimit të 24 të gjenocidit në Srebrenicë. Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë paqja e përhershme dhe rrëfimi i krimeve të kryera. Përkujtimi i Srebrenicës duhet të mbetet detyra jonë e fundit.

 

Gjatë marrjes së vendimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Serbia u gjet fajtore për dy pika: mosmarrje të veprimit për të parandaluar gjenocidin në Srebrenicë dhe mosdënim, apo ekstradim të të akuzuarve për kryerjen e këtyre krimeve në Tribunalin e Hagës. Serbia u gjet përgjegjëse për shkeljen e vazhdueshme të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenociit nga viti 1995 deri sot, për shkak të refuzimit për t’i dorëzuar të akuzuarit për gjenocid nën Ratko Mlladiqin. Aktgjykimi i Gjykatës Ndërkombëtare në rastin “Bosnje e Hercegovina kundër Serbisë dhe Malit të Zi” është dënimi më i rëndë i një vendi në historinë e gjykatës.  

 

Pyetjet lidhur me vazhdimësinë e marrëdhënies sonë me të kaluarën, krimet e luftës, gjykimet për krime lufte, rrëfimet zyrtare dhe të ndershme për periudhën kur nuk ka patur asnjë fije morali dhe humaniteti, mbeten të hapura dhe është detyrimi ynë të këmnëngulim për faktet e vërtetuara sa më shumë që të kemi mundësi, në mënyrë që proceset e ballafaqimit me të kaluarën të mund të bëhen një imperativë politike. Pranimi i të vërtetës së vështirë dhe shkaqeve të saj është proces i dhimbshëm dhe i gjatë. Nëse nuk e bëjmë, do të vazhdojmë të jetojmë në rrënojat e së kaluarës. Harresa, mohimi dhe refuzimi nuk duhet të jenë pjesë e sistemit tonë të vlerave. Atëherë, le të përpiqemi të pohojmë disa vlera bazë dhe kështu, të krijojmë një pikë më të mirë dhe më të sigurtë prej nga të fillojë e ardhmja. Duhet të kujtojmë, të flasim për Srebrenicën, sepse ky krim është rrënjosur në shoqërinë tonë. Nëse nuk flasim për të, njerëzit do të vazhdojnë të bëjnë krime në mënyra të ndryshme.

Kur shoqëria nuk është e vetëdijshme për krimin e kryer, dhuna rritet dhe ky është dënimi për “krimin që nuk është kuptuar”. Këto janë fjalët që ka thënë para një viti Borka Paviqeviq në Parlamentin Evropian për të shenjuar hapjen e ekspozitës nga Dada Ruviq “Srebrenica 2009-2017”. Kjo është arsyeja përse është e rëndësishme të jemi direktë dhe trima që ta emërojmë dhe të themi gjenocid.

Duke harruar, mohuar dhe refuzuar, mbetet e mundësia që gjenocidi që ndodhi në Srebrenicë të rindodhë, derisa të shprehim respektim më të thellë për viktimat dhe me përulësi të kërkojmë falje. Po flasim për të vërtetën, që ne si shoqëri të arrijmë katarsisin dhe purifikimin. Qeveria në Serbi dhe të gjithë akterët e saj politikë si dhe e gjithë shoqëria serbe duhet të ndalojnë së promovuari kriminelët e luftës. Kriminelët e luftës nuk mund të jenë heronjtë tanë. Pohimi i krimeve të luftës dhe kriminelëve të luftës, në mënyrën si e bën këtë politika serbe, mbeten kërcënim i përhershëm për të përsëritur atë që ka ndodhur. Kriminelët e luftës nuk mund dhe nuk duhet të jenë shtyllat morale të shoqërisë tonë. Politika dhe kultura e mohimit do të bëjnë gjithçka që ne të mbetemi bashkëpunëtorë të së kaluarës së keqe dhe të na mbajnë përjetësisht të ngecur brenda rrënojave të saj.

 

Mendimi se ende jetoj e rrethuar nga ata që krijuan dhe bënë politikë kriminale, nga e vërteta e Srebrenicës ende e turbulluar vazhdimisht nga Serbia, më shqetëson, por nuk më ndalon që të mendoj për gjithçka që ka ndodhur gjatë luftës dhe të kërkoj mënyra në të cilat mund të kontribuoj për t’i dhënë fund kulturës së imponuar të harresës, mohimit dhe refuzimit. Detyra ime e fundit mbetet të kujtoj Srebrenicën. Bashkë me luftëtarët e vetmuar dhe të lodhur për të drejtat e njeriut që po përpiqen ta shkundintë kaluarën nga harresa, mohimi dhe refuzimi i pafund, duke i përkujtuar shoqërisë sonë se është e rëndësishme të analizojë të kaluarën në mes të kësaj zhurme shurdhuese. Vetëm me përpjekje kolektive për të vërtetën dhe drejtësi për gjenocidin e Srebrenicës do të ndërtojmë paqe afatgjatë në rajonin tonë dhe do ta ndalojmë përsëritjen e tmerreve të luftës. Në mesin e zhurmës së fjalëve të tepërta, le të gjejmë ato që do të lehtësojnë jetët e viktimave dhe familjeve të tyre. Jetojmë në një kohë pa moral dhe humanitet, në një kohë të infeksuar nga virusi i urrejtjes ndaj të tjerëve, nga mungesa e empatisë dhe solidaritetit, tëhuajëzimit dhe përbuzjes. Në kohëra të tilla është e domosdoshme të kuptojmë natyrën e vërtetë të krimeve të kryera dhe pa moralitet të cekët, të përulemi sinqerisht para viktimave të gjenocidit të Srebrenicës.   

 

“Unë quhem Urosh. Kam lindur në vitin 1981 në Pançevo. Nëse emri im do të kishte qenë Mirsad dhe të kisha lindur në Srebrenicë, në vitin 1995 do të kisha vdekur në moshën 13-vjeçare”.

Nëntitull: “Qytetarët në Pançevo i bashkohen dhimbjes së familjeve të 8,372 viktimave civile të pafajshme të Srebrenicës”, kjo ka qenë faqja e parë (“Pančevac”, gazetë e përjavshme  e themeluar në vitin 1869, numri 4253, 11 korrik 2008).

 

“Sytë e të varrosurve do të mbyllen bashkërisht në ditën e drejtësisë. Ose nuk do të mbyllen kurrë”.
Miguel Asturias Guatemala

Lilana Spasiq

Aktiviste dhe luftëtare për të drejtat e njeriut, themeluese e OJQ-së Civil Action Pančevo, që promovon vlerat e shoqërisë civile, kulturën e paqes, jodhunën, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve dhe nevojën për ballafaqimin me të kaluarën.

 

 

 

PROČITAJTE I OVO

Kolumnet ynë

Kolumnet DwP në www.dwp-balkan.org është një produkt i medias së re në platformë online ku flitet për ballafaqimin me të kaluarën. Kolumnet DwP është një platformë rajonale online për reflektime konstruktive lidhur me tema që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, me qëllim të fuqizimit të qasjes së hapur dhe konstruktive në nivel rajonal. Duke përdorur blogun si një mjet, ne synojmë të nxisim diskutime konstruktive në rrjet lidhur me temat aktuale në fushën e ballafaqimit me të kaluarën.

Mohim i përgjegjësisë

Kolumnet “Ballafaqimi me të kaluarën” është pjesë e uebfaqes rajonale për tematikën e ballafaqimit me të kaluarën www.dwp-balkan.org. Ky blog shërben si një platformë online për debate konstruktive rreth temave që kanë të bëjnë me Ballafaqimin me të Kaluarën. Pikëpamjet e shprehura në këtë blog janë të autorëve/blogerëve dhe jo detyrimisht përfaqësojnë pikëpamjet e organizatës forumZFD (forumi për Shërbimin Qytetar për Paqe). Inkurajojmë kopjimin dhe shpërndarjen e këtij materiali, me kusht që teksti të mos modifikohet dhe që të përfshihet referenca e duhur e uebfaqes dhe emri i autorit. Kopjimi dhe rishpërndarja janë pa pagesë.