Autor: Lejla Gačanica

Riformësimi i së kaluarës në hapësirën publike: rasti i Mostarit

Ndryshimet shoqërore, sidomos ato që rrjedhin nga konflikti, nxisin si komunitetet, ashtu edhe individët, që të vënë në pikëpyetje se kujt i përkasin dhe përse dhe cili është burimi i identitetit të tyre. Ky është terren pjellor për revizionim, pasi çështja e përkatësisë – sidomos pas kthesave që rezultojnë në humbjen e identitetit të përbashkët (sikurse ishte rasti me identitetin jugosllav) është ekzistenciale. Gjithashtu është e ndërlidhur me çështjen e pushtetit dhe konfliktit edhe pas tij. Manipulimi i fakteve, kthimi tek vlerat thelbësore, referencat në historinë e mëhershme (edhe më e hershme se sa ajo që i thamë mirupafshim apo prej të cilës u çliruam) janë qenësore në krijimin e identitetit kolektiv. Kujtesa kolektive përbëhet nga aktivitete që aktualisht zhvillohen në lidhje me disa ngjarje të caktuara nga e kaluara. Proceset e kujtesës janë të ndërlidhura në mënyrë të pathyeshme me atë që harrohet. Kur ne, si komunitet, kujtojmë në mënyrë të organizuar, edhe me të harruarit veprojmë njësoj. Kur përzgjedhim atë që kujtohet dhe atë që harrohet, lidhja e ndërsjellë e trashëgimisë kulturore, kujtesës dhe hapësirës është përbërës me rëndësi në identitetin kombëtar. Proceset e ruajtjes dhe klasifikimit të kujtesës kolektive ndodhin në performanca materiale: libra, monumente, muzeume, emërtime të rrugëve dhe institucioneve, si dhe në shenjimin e disa ngjarjeve të caktuara nga e kaluara përmes të cilave disa shoqëri krijojnë marrëdhëniet me të kaluarën e vet.

Bosnja e Herzegovina e pasluftës është e zhytur thellë në ndarje etnike. Barrierat e përkufizuara etnike dhe kufijtë e padukshëm ndërmjet njerëzve, pamundësia e tejkalimit të luftës së kaluar dhe retorika e ndezur politike kanë çuar drejt (ri)krijimit të narrativave të reja për ‘ne’ dhe ‘ata’, duke mos lënë hapësirë për të kaluarën dhe historinë e përbashkët. E kaluara e afërt ka nxjerrë heronj dhe viktima të reja dhe në të njëjtën kohë, e ka shtypur pothuajse një histori të tërë të përbashkët të mëparshme (jugosllave) si të padëshirueshme. Antifashizmi dhe përkujtuesit e tij materialë janë shndërruar në pataten e nxehtë në duart e krijuesve të politikave të kujtesës. Të ndarë ndërmjet mohimeve të dhunshme dhe shtypjes shumë të kujdesshme, memoriali i së kaluarës antifashiste përballet me fshirjen nga hartat mendore të qytezave në Bosnje e Hercegovinë. Rrënjët e kësaj rezistence ndaj monumenteve të ish-të menduarit kolektiv mund të shihen jo vetëm tek nevoja për riinterpretimin e së kaluarës, por edhe për organizimin e së ardhmes. Senaid Musabegoviqi thotë se “ky shkatërrim në vete ka kuptim të dyfishtë: kërkon të fshijë të kaluarën komuniste për të krijuar hapësirë për identitete të reja, në të njëjtën kohë shënon kthimin drejt një ‘tradite të lashtë’ të pastër”.

Në këtë kuptim, Mostari është shembulli i ndarjeve të institucionalizuara dhe betejës ndërmjet të kaluarës ‘së vjetër’ dhe ‘të re’, pa këndvështrimin konstruktiv apo hapësirën që ka për të gjithë historinë e kësaj qyteze. Dikur e njohur si qyteza ‘e kuqe’, antifashiste me nëntë heronj të luftës, sot Mostari është i ndarë në pjesën Lindore (boshnjake) dhe atë Perëndimore (kroate), me përpjekje fare të brishta për të ruajtur së paku një kujtesë simbolike të së kaluarës së dikurshme të përbashkët. Thënë thjesht, faktet që nuk përputhen me kuptimin hegjemon shtypen, ndërsa përkujtimoret e memorialet ekzistues të së kaluarës antifashiste të qytezës shkatërrohen brutalisht dhe sistematikisht. Në periudhën ndërmjet viteve 1992-1995, Mostari vuajti shkatërrimin e monumenteve dhe simboleve të veta: 1992 (në prag të Ditës së Çlirimit dhe Ditës së Mostarit), Varreza Memoriale e Partizanëve u dëmtua së pari nga miniera, që ishte veçse hyrja në shkatërrimin e vazhdueshëm, ndërsa vetë monumenti pësoi dëmtime të rënda gjatë luftës; Kisha Ortodokse e Trinisë së Shenjtë u rrënua krejtësisht në vitin 1992; Ura e Vjetër u rrëzua në vitin 1993.)

Duke shkatërruar identitetin e paraluftës të Mostarit, u kërkuan hapësira për të instaluar vlera të reja, duke na bërë dëshmitarë të ‘vrasjes rituale të qytezës’. Në hapësirat publike në të dyja pjesët e Mostarit u vendosën memoriale shenjuese. Kështu, pesë rrugë në Mostarin Perëndimor u emërtuan sipas ushtarakëve dhe politikanëve të Republikës së Pavarur të Kroacisë dhe sipas pjesëtarëve të lëvizjes së ustashëve. Në anën Lindore, në vitin 2012, pa lejen e autoriteteve të qytezës, u ngrit një monument në formë zambaku për ushtarët e Ushtrisë së Bosnje e Hercegovinës. Ky monument shkaktoi mosmarrëveshje politike ndërmjet palëve boshnjake dhe kroate. Ai u dëmtua nga një shpërthim në vitin 2013. Në vitin 2000, mbi kodrën Hum u vendos një kryq i lartë 33 metra, që hedh hijen e vet mbi lagjen myslimane. Vendndodhja e tij është burim i posaçëm mosmarrëveshjesh, sepse qyteza është bombarduar gjatë luftës pikërisht prej atij vendi. Një tjetër shtresë e absurditetit është përpjekja për të gjetur ‘vlerën universale’ në statujën e Brus Lisë (‘i cili nuk është as serb, as boshnjak, as kroat’). Në përpjekje për të pajtuar një qytet të ndarë, Brus Lija gjendet tani në parkun Zrinjevac, ndërsa ideatori i tij, Nino Raspudiq, avokon për rigjallërimin e Herzeg-Bosnias (Herzeg-Bosnia ka qenë përpjekje secesioniste etno-nacionaliste gjatë luftës për të krijuar një entitet kroat në Bosnje e Hercegovinë, e shpallur si ndërmarrje e përbashkët kriminale nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë). Mohimi i krimeve të luftës dhe glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës, si Gjashtëshja e Hagës, janë pjesë përbërëse e narrativës së Mostarit sot.

Një shembull brutal i fshirjes së të kaluarës në hapësirën publike të Mostarit është Varreza Memoriale e Partizanëve, vepër e Bogdan Bogdanoviqit. Bogdanoviqi ka qenë ndër ata artistë të rrallë që ishin në kërkim të kuptimit universal të simboleve, duke i ikur kërkesave nacionale. Simbolet dhe format arkitekturore janë të hapura për interpretim dhe ky është tipar me rëndësi në punën e Bogdanoviqit. Duke përkujtuar të vdekurit, monumentet e Bogdanoviqit gjithashtu u drejtohen të gjallëve. Ato kanë qenë pjesë e komuniteteve dhe qytezave, duke krijuar lidhje personale me audiencat e tyre. Ai e ka përdorur këtë qasje kur ndërtoi Varrezën Memoriale të Partizanëve në Mostar. Ky monument përfaqëson personifikimin e rrugëve, shtëpive, ballkoneve dhe shesheve, “Mostari si replikim ‘i vogël’ i qytezës së Neretvës, është diagrami i tij ideal”. Monumenti paraqet dy qyteza (qytezën e të vdekurve – varreza memoriale dhe qytezën e të gjallëve – Mostari) që qëndrojnë përballë njëri-tjetrit. Monumenti është park-varrezë në kujtim të 810 partizanëve të vrarë, simboli i rezistencës antifashiste. Bogdanoviqi ka theksuar faktin se monumenti është ndërtuar nga donacionet, përfshirë gurë nga shtëpitë e Mostarit, që familjet i kanë dhuruar me kënaqësi. Banorët e Mostarit, ashtu si edhe ishte idea e Bogdanoviqit, e perceptonin monumentin jo vetëm si vend përkujtimor, por edhe si vend për të qenë. Për këtë arsye, është veçanërisht e vështirë të kuptosh shkallën e shkatërrimit të këtij kompleksi memorial, që sot është i rrënuar: me gurë varresh të thyer, me vizatime të kryqit të thyer dhe të simboleve të ustashëve. Sot, kuptimi i monumentit është thjeshtuar, reduktuar, me qëllimin që të zhduket përfundimisht. Sikurse ka thënë Bogdanoviqi: “Monumenti i Mostarit, si për nga arkitektura, ashtu edhe për nga shpirti, është simbol i kulturës jugosllave. Nuk është as serb, as kroat, as mysliman, por u përket të gjithëve, ai lidh dhe bart formulën përtej këtyre ndasive. Dhe tani, çdo gjë që është produkt i kulturës jugosllave është e ndaluar”.

Mostari nuk është e vetmja qytezë në Bosnje e Hercegovinë që po lufton betejën e interpretimit të së kaluarës në hapësira publike. Ai është temë e këtij artikulli për shkak të rëndësisë që ka pikërisht në këtë kohë, pasi në Mostar do të zhvillohen zgjedhjet lokale pas dymbëdhjetë vjetësh. Për fat të keq, është e vështirë që ndryshimet e vërteta të vijnë në këtë qytezë që ka ngecur ndërmjet ‘Lindjes’ dhe ‘Perëndimit’ dhe ndërmjet fashizmit dhe antifashizmit. Megjithatë, është me rëndësi këtë moment të flasim për revizionimin në hapësirat publike të Mostarit, sepse ndoshta zgjedhjet e ardhshme do të sjellin momentum të vonuar për ringjalljen e ‘dy qytezave të vdekura në një’.

Lejla Gačanica është kandidate për J.D., aktualisht ajo punon si këshilltare ligjore dhe hulumtuese e pavarur. Fushat e saj të interesit përfshijnë ballafaqimin me të kaluarën, me fokus tek kultura e kujtesës, të drejtat e njeriut dhe e drejta kushtetuese. Ajo është autore e publikimeve si artikuj, punime analitike, shkencore dhe hulumtuese në këto fusha.

Burimet:

Assmann, J. (2005). Kulturno pamćenje. Pismo, sjećanje i politički identitet u ranim visokim kulturama. Zenica: Vrijeme.

Bogdanović, B. (2001). Glib i krv. Beograd: Helsinški odbor za ljudska prava u Srbiji.

Bogdanović, B. (1997). Grad mojih prijatelja. Mostarska Informativna Revija MM, no. 12/13.

Connerton, P. (2002). Kako se društva pamte. Beograd: Samizdat B92.

Nora, P. (2007). „Između sjećanja i povijesti“. Diskrepancija, vol. 8.

Markovina, D. (2014). Između crvenog i crnog. Split i Mostar u kulturi sjećanja. Zagreb: Plejada.

Musabegović, S. (2014). u Monumenti. Promjenjivo lice sjećanja. Beograd: Forum Ziviler Friedensdienst.

FILTRO

PROČITAJTE I OVO

Çfarë është "Balkan.Perspectives"

 

Balkan.Perspectives është revistë rajonale që fokusohet tek ballafaqimi me të kaluarën në Ballkanin Perëndimor. Revista botohet nga forumZFD në katër (4) gjuhë dhe është bashkëpunim ndërmjet Bosnje e Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Revista ofron hapësirë për shumëllojshmëri të këndvështrimeve lidhur me ballafaqimin me të kaluarën nga i gjithë rajoni. Duke sjellë një sërë pikëpamjesh, ne synojmë të sfidojmë stereotipet dhe narrativat etnocentrike, të inkurajojmë mendimin kritik dhe debatin më të gjerë për këto tema, si dhe të fuqizojmë qasjet konstruktive ndaj ballafaqimit me ngjarjet e të kaluarës së afërme.


Ju mund të abonoheni në versionin elektronik të revistës duke dërguar një e-mail në adresën: balkan.perspectives@forumzfd.de.


Ne mirëpresim dhe çmojmë mendimet tuaja për revistën tonë dhe shpresojmë se do të kënaqeni duke e lexuar!



BALKAN.PERSPECTIVES