Autor: Milica Stojanović

Spektakël në vend të thelbit

Foto: BIRN

Ka mjaft kohë që “normalizimi ekonomik” ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është një nga temat kryesore për publikun serb. Kështu ka qenë sidomos në tri javët e fundit, që nga takimi në Shtëpinë e Bardhë dhe nënshkrimi i këtyre dokumentave.

Edhe më shumë se publiku i gjerë, ekspertë të shquar i kanë shtjelluar shumicën e pikave në dokumentin që ka nënshkruar Serbia – çfarë nënkuptojnë këto pika për vendin, cilat do të jenë pasojat, sa prej tyre janë të arritshme etj. Një vizitë nga delegacioni i SHBA-ve në Beograd dhe Prishtinë kishte kuptimin e një raundi të ri bisedimesh për pará dhe investime në rrugë, hekurudha, linja ajrore, biznes dhe ekonomi.

Dhe kështu, historia e ndarjes së anës ekonomike nga politika në marrëdhëniet Serbi – Kosovë arriti të terrojë thelbin e problemit që ekziston ndërmjet tyre.

Nëse marrim dikë nga një ishull shumë i largët, nga një pjesë tjetër e botës dhe i themi të lexojë deklaratat, analizat dhe produktet e tjera të ndërmjetësimit amerikan në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ai person do të krijojë përshtypjen se dy vendet kanë më së shumti, ndonjë kontest për ndonjë vijë kufitare të shenjuar gabimisht dhe kështu, grinden për importe dhe eksporte dhe në përgjithësi, përditshmëria është pezull.

Fakti që Kosova dhe Serbia kanë qenë në luftë është anashkaluar, njësoj sikurse mungesa e të kuptuarit prej shumë dhjetëvjeçarësh se si këta dy popuj mund të jetojnë bashkë.

Efektet e asaj lufte janë ende të pranishme, tek të gjithë ne, edhe sot e kësaj dite, 20 vjet pas faktit. Më e dhimbshmja është tema e të pagjeturve, e 1,643 personave fati i të cilëve mbetet i papërcaktuar.

Dokumenti nga Uashingtoni përmban një pikë që trajton të pagjeturit dhe refugjatët, apo të zhvendosurit e brendshëm. Aty thuhet se “të dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet për të gjetur dhe identifikuar mbetjet e personave të pagjetur” dhe se të dyja palët “zotohen të identifikojë një pikë kontakti që do t’i udhëheqë këto përpjekje”. Marrëveshja është formuluar në mënyrë të atillë që mbetet e paqartë nëse pika e kontaktit do të udhëheqë përpjekjet për të gjetur të pagjeturit, apo për të përmirësuar jetesën e refugjatëve dhe të të zhvendosurve.

Çështja e personave të pagjetur është shumë e saktë. Ekziston numri specifik i të pagjeturve dhe vetëm dy rezultate të mundshme: ose informacioni për fatin e tyre bëhet i ditur, ose nuk bëhet.

Për fat të keq, ky dokument nuk e trajton çështjen në këtë mënyrë dhe të dyja palëve u lë shumë hapësirë për manipulim dhe shmangie. “Përshpejtim i përpjekjeve” mund të nënkuptojë gjithçka, dhe asgjë, “pikat e kontaktet për të udhëhequr përpjekjet” po ashtu, aq më tepër që komisionet të cilat merren me personat e pagjetur tashmë veçse ekzistojnë dhe ndonjëherë edhe punojnë. Nuk është caktuar asnjë afat apo standard për të vlerësuar nëse kjo marrëveshje do të përmbushet ndonjëherë apo jo.

Sigurisht, pjesa më e madhe e përmbajtjes së marrëveshjes i përafrohet më shumë qëllimeve se sa zotimeve, por për shembull, pikat që kanë të bëjnë me ndalimin e fushatës kundër njohjes së Kosovës apo transferimit të ambasadës së Serbisë në Jeruzalem kanë afate të qarta. Pra, në fakt, afatet kanë qenë të mundura.

Sigurisht, çështja e personave të pagjetur nuk ka të bëjë vetëm me informacionin dhe vendndodhjen e mbetjeve të tyre, por është veçse e para në listën e pyetjeve të parehatshme se si ato mbetje mbërritën atje në rend të parë, kush i vrau ata njerëz, nën urdhrat e kujt e kështu me radhë. Të parehatshme, por të pashmangshme.

Të pagjeturit ishin temë në pjesën “politike” të bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës që u mbajtën në Bruksel. Presidenti i Serbisë tha se Serbia ishte e gatshme t’i përgjigej “çdo kërkese të shqiptarëve, kudo që ata mendojnë të vënë gishtin në hartë, ku mendojnë ose dyshojnë se ekziston ndonjë varrezë shqiptarësh, ne jemi të gatshëm të punojmë me ta, me përkrahjen e Evropës, për të parë nëse ka diçka në atë vend apo jo”.

Pas takimit të radhës, Presidenti i Serbisë deklaroi se të dy delegacionet kishin arritur marrëveshjen për “mundësinë dhe detyrimin e qasjes së ndërsjellë në të gjitha arkivat në dispozicion”.

Këto deklarata mund të tingëllojnë bukur, por nisur nga përvoja në Serbi dhe marrëdhënia me luftën e Kosovës, çështje të shumta gjyqësore, shpërfillja e aktgjykimeve nga Haga, arkivat ushtarake që vazhdojnë të mbeten të mbyllura, mbyllja e syve para varrezave masive brenda territorit të vet, nuk të ushqejnë besim.

Dihet tashmë se është e rëndësishme të ballafaqohemi me krimet tona “për vete”, por a është kështu. Një shoqëri që nuk sanksionon pjesëtarët e vet që kanë vrarë të tjerë, dërgon mesazhin se krimi është në rregull nëse ai “shtyn përpara kauzën tonë” apo nëse vrasësi është “nga radhët tona”. Nga kjo pikë, nuk duhet shumë që të arrijmë në situatën kur dikush që është “nga radhët tona” të fitojë një tender përmes mashtrimit apo të ndërtojë çka i do qejfi apo të shkatërrojë çkado që dëshiron. Kështu funksionon mungesa e sanksioneve.

Është e gabuar të mendosh se njerëzit në Serbi dhe Kosovë nuk e kuptojnë rëndësinë e një linje ajrore, të një hekurudhe, autostrade apo të investimeve dhe se ata, në shekullin 21, kanë nevojë t’u shpjegohet se të kesh më shumë para është më mirë se të kesh më pak. Çështja është se ata duhet të jetojnë në shoqëri dhe vende të organizuara në mënyrë të tillë ku paratë shpenzohen në mënyrë transparente, nëpërmjet proceseve që paguajnë më shumë se sa thjesht fjalë goje për konkurrencën, në treg të lirë dhe të kenë sundim të ligjit; ku ata të gjejnë punësim në kompani që u japin paga të vërteta dhe se të gjitha të drejtat që ligji dhe vetë qytetërimi u japin, që vendet e tyre të punës të jenë rezultat i punës së tyre, njohurive që kanë dhe përpjekjeve të tyre.

Problemet në shoqërinë tonë nuk do të zgjidhen nga paratë në dorë, por nga (ri)vendosja e sundimit të ligjit dhe nga sistemi gjyqësor që qartazi përcakton se çka mund të bëhet dhe çka jo, kush është përgjegjës për çfarë dhe cilat janë pasojat e keqbërjes.

Pika më e mirë e nisjes së këtij rrugëtimi është zgjidhja e problemit të të pagjeturve, pra, që më në fund të ndahen informatat për fatin e tyre: të përcaktojmë se çfarë u ndodhi me të vërtetë këtyre njerëzve, kush ishte përgjegjës, kush ishte ekzekutuesi, kush i organizoi dhe urdhëroi ato vepra; shteti le të hapë arkivat për qytetarët e vet dhe sa për fillim, ashtu sikurse disa organizata joqeveritare po kërkojnë prej vitesh, ta shenjojmë vendin ku janë gjetur tashmë mbetjet e 700 viktimave shqiptare. Ai vend është gjetur para 19 vjetësh dhe gjendet vetëm pak jashtë Beogradit. Është vendi për të cilin askush në Serbi ende nuk është përballur me akuza.

Milica Stojanoviq është gazetare hulumtuese nga Beogradi, që punon për Rrjetin Rajonal të Gazetarisë Hulumtuese në programin e Drejtësisë Tranzicionale në Ballkan.

FILTRO

PROČITAJTE I OVO

Kolumnet ynë

Kolumnet DwP në www.dwp-balkan.org është një produkt i medias së re në platformë online ku flitet për ballafaqimin me të kaluarën. Kolumnet DwP është një platformë rajonale online për reflektime konstruktive lidhur me tema që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, me qëllim të fuqizimit të qasjes së hapur dhe konstruktive në nivel rajonal. Duke përdorur blogun si një mjet, ne synojmë të nxisim diskutime konstruktive në rrjet lidhur me temat aktuale në fushën e ballafaqimit me të kaluarën.

Mohim i përgjegjësisë

Kolumnet “Ballafaqimi me të kaluarën” është pjesë e uebfaqes rajonale për tematikën e ballafaqimit me të kaluarën www.dwp-balkan.org. Ky blog shërben si një platformë online për debate konstruktive rreth temave që kanë të bëjnë me Ballafaqimin me të Kaluarën. Pikëpamjet e shprehura në këtë blog janë të autorëve/blogerëve dhe jo detyrimisht përfaqësojnë pikëpamjet e organizatës forumZFD (forumi për Shërbimin Qytetar për Paqe). Inkurajojmë kopjimin dhe shpërndarjen e këtij materiali, me kusht që teksti të mos modifikohet dhe që të përfshihet referenca e duhur e uebfaqes dhe emri i autorit. Kopjimi dhe rishpërndarja janë pa pagesë.