Autor: Besnike Salihu-Shala

‘Lufta globale’ kundër një virusi

Me gjithë zhvillimet e jashtëzakonshme dhe arritjet e mëdha në fushën e mjekësisë, teknologjisë etj. edhe në dekadën e dytë të shek. XXI u vërtetua se gjërat mund të ndryshojnë shumë shpejt, ashtu si edhe prioritetet.

Derisa në Kinë pandemia COVID-19 ishte shfaqur zyrtarisht në fund të dhjetorit 2019, në Kosovë rasti i parë i konfirmuar ishte më 13 mars 2020. Kjo tregoi se sa shpejt pandemia, për tre muaj arriti ta kaplojë botën dhe ta largojë nga “binarët”.

Por, si u ndje kjo periudha e pandemisë, posaçërisht periudha e izolimit të plotë?

Mund të them se ngjante si në kohën e luftës, kishte një lloj frike, njerëzit filluan ta furnizohen më shumë me ushqime, të izolohen. Thjesht përjetohej rëndë, derisa rritej numri i të infektuarve. 

Qytetarët e Kosovës ende vuajnë nga traumat e luftës dhe pandemia i kujtonte ato.

E pikërisht, si në kohë lufte kur rrezikohej ekzistenca fizike, gjërat tjera janë dytësore, njëjtë ishte edhe kësaj here veçse kësaj here frika nuk ishte nga njeriu dhe armët, por nga pandemia.

Kur them se i ngjante luftës, e kam parasysh edhe faktin që gjatë izolimit për shkak të koronavirusit, nga familjet zakonisht dilte një person për tu furnizuar me gjërat e nevojshme, veprim ky i njohur për ata që e kanë përjetuar luftën.

Periudha e pandemisë i ndërroi edhe prioritetet e shteteve. Nuk ishte më politika ndërshtetërore në  fokus, por luftimi i korona virusit. 

Derisa me dekada çështjet politike në Ballkan ishin në qendër të vëmendjes dhe fokusi i raporteve ndërshtetërore ishte politika, muaji mars e ndërroi këtë qasje dhe rrjedhën e gjërave, të paktën për disa muaj.

Për këta muaj nuk i interesonte askujt dialogu Kosovë-Serbi, as liberalizimi i vizave, ku Kosova është i vetmi vend në rajon që i mungon lëvizja e lirë.

Sistemi global u bë aq i pasigurt, aq shumë u mbyllën shtetet dhe interesi parësor u bë shëndeti i qytetarëve. 

Derisa, mbylljet edhe më herët i kemi ndier në supe për shkak të luftës dhe e dinim saktë se çfarë po ndodhte, kësaj radhe ‘armiku’ ishte i padukshëm dhe e tërë bota ishte në luftë me të.

Pandemia COVID-19 i vuri para një krize të gjitha shtetet. Kjo në njëfarë forme ngjalli edhe ‘nacionalizmin’.  Secilit i interesonte vetëm se çfarë po ndodhte brenda shtetit, duke u ndaluar kështu për disa muaj edhe lëvizjet e qytetarëve jashtë shtetit.

Dukej se globalizmi po ‘tkurrej’ dhe shtetet po i ktheheshin kufijve.

Megjithëse politika ndërshtetërore nuk ishte kishte interesim në kohën e pandemisë siç kishte më parë, ajo e etnive brenda shtetit ishte ende ‘gjallë’.

Në Kosovë, fillimisht serbët nuk i raportonin rastet me koronavirus. Komunat me shumicë serbe, si Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani nuk i raportin rastet tek institucionet shëndetësore të shtetit të Kosovës, por tek ato të Serbisë.

Nga mediat raportohej se të infektuarit serb me koronavirus trajtoheshin në Nish ose Beograd.

Pra, megjithëse interesimi për politikën ndërshtetërore ishte zbehur, kriza me pandeminë COVID-19 nuk bëri që serbët të kërkojnë ndihmë tek institucionet shëndetësore të shtetit të Kosovës, me ndonjë përjashtim.

Pasi ishte ngritur si çështje mos raportimi i rasteve nga komunat me shumicë serbe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik filloi të raportonte për disa raste.   

Megjithatë, këto të dhënat duket se nuk ishin të përditësuara.

IKSHPK më 7 korrik, njoftoi se janë regjistruar edhe 183 raste të reja me koronavirus, prej të cilëve dy janë nga komuna e Graçanicës dhe një në Zubin Potok. Këto dy komuna janë me shumicë serbe. Megjithatë, të dhënat e reja nga Instituti i Shëndetit Publik në Mitrovicën e Veriut, i cili funksionon nën sistemin shëndetësor serb, të publikuara më 7 korrik, tregojnë se 53 persona janë regjistruar si raste të reja me koronavirus nga gjithsej 61 testime.[1]

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës thotë se shtabet e krizës në komunat me shumicë serbe janë të detyruar të dërgojnë një raport ditor për të sëmurët me COVID-19, në Ministrinë e Pushtetit Lokal, e cila më pas ia përcjellë institucioneve kompetente. [2]

Por, kjo ministri është e udhëhequr nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Serbët në Kosovë edhe në kohë pandemie nuk ishin orientuar tek sistemi shëndetësor i Kosovës, por tek ai i Beogradit dhe Nishit.

Pra, megjithëse interesimi për raportet ndërshtetëtore dhe çështjet që lidhen me politikën ndërkombëtare kishte rënë në kohë pandemie, në Kosovë çështjet ndër-etnike nuk janë tejkaluar. 

Besnike Salihu-Shala është gazetare nga Prishtina. Ka përfunduar Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës më 2006, ndërsa në 2009 ka përfunduar studimet Master në po të njëjtin drejtim. Salihu-Shala nga 2006-ta mbulon lajmet politike dhe sociale, ndërsa nga 2010-ta punon si redaktore përgjegjëse në Telegrafi.com


[1] https://www.evropaelire.org/a/30714634.html

[2] https://www.evropaelire.org/a/30714634.html

FILTRO

PROČITAJTE I OVO

Kolumnet ynë

Kolumnet DwP në www.dwp-balkan.org është një produkt i medias së re në platformë online ku flitet për ballafaqimin me të kaluarën. Kolumnet DwP është një platformë rajonale online për reflektime konstruktive lidhur me tema që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, me qëllim të fuqizimit të qasjes së hapur dhe konstruktive në nivel rajonal. Duke përdorur blogun si një mjet, ne synojmë të nxisim diskutime konstruktive në rrjet lidhur me temat aktuale në fushën e ballafaqimit me të kaluarën.

Mohim i përgjegjësisë

Kolumnet “Ballafaqimi me të kaluarën” është pjesë e uebfaqes rajonale për tematikën e ballafaqimit me të kaluarën www.dwp-balkan.org. Ky blog shërben si një platformë online për debate konstruktive rreth temave që kanë të bëjnë me Ballafaqimin me të Kaluarën. Pikëpamjet e shprehura në këtë blog janë të autorëve/blogerëve dhe jo detyrimisht përfaqësojnë pikëpamjet e organizatës forumZFD (forumi për Shërbimin Qytetar për Paqe). Inkurajojmë kopjimin dhe shpërndarjen e këtij materiali, me kusht që teksti të mos modifikohet dhe që të përfshihet referenca e duhur e uebfaqes dhe emri i autorit. Kopjimi dhe rishpërndarja janë pa pagesë.